-Gerona, nga rrjedh ky zë kaq i bukur?
-Nga shpirti, ndoshta mund t’a kem edhe të trashëguar pasi dhe babai im këndon pak. Por për mua është vërtet një dhuratë e veçantë dhe ndihem me fat që e kam.
-Edhe emri është po kaq i veçantë dhe i bukur… Të tillë e ka edhe kuptimin?
-Faleminderit!Emri im eshte bashkimi i shkronjave të para të emrit të mamit dhe shkronjave te para të emrit të babit dhe unë kam marrë pak nga të dy jo vetëm në emër por edhe në karakter dhe në mënyrën si jam formuar.
-Vjen me “Je t’aime” një këngë simpatike, me titull francez dhe klip në Amerikë…pak nga të gjitha këtë herë? Më trego diçka interesante nga realizimi i këngës dhe i klipit?
-Pak nga të gjitha për të sjelle me të mireën. Titulli është në frengjisht sepse kënga është shkruar gjatë kohës kur unë jetoja neë Francë, vazhdoja studimet atje dhe mendoja se duhej diçka ndryshe pasi anglishtja është ajo që dëgjojmë pothuajse në çdo këngë ndërkohë që frëngjishtja është një gjuhë shumë e bukur dhe e veçantë dhe më përshtatej më se miri. Kënga është krijuar para një viti ndërkohë që klipi u realizua këtë vit në New York pasi unë për momentin jetoj këtu. Më pëlqen që tek krijimet e mia të sjell pjesë të vetes time dhe gjërave që jetoj dhe kjo është një mënyrë.
– Pse vendose që klipin e ri ta realizoje në USA?
-Jo vetem sepse jetoj këtu por sepse njerëzit këtej janë më profesioniste dhe çdo gjë ndryshon.
-Si duken pritshmëritë e “Je t’aime” e do publiku siç ka edhe titullin plot dashuri?
-Jam shumë e kënaqur deri tani, ndihem shumë e lumtur kur shikoj dhe dëgjoj se publikut i ka pëlqyer kënga ime. Këtë e shikoj tek mesazhet dhe videot e shumta që më vijne çdo ditë dhe kjo më mbush me dashuri dhe më jep kurajo për të vazhduar përpara për të sjellë këngë akoma dhe më të bukura.
-Ndërkohë je një nga zërat e rinj në muzikë, por jo pak e njohur, me disa klipe në treg, ke qenë si backvokal me Elhaidën kur përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, pra ke një background të plotë dhe me hapa të sigurtë. Gerona, çfarë synon në karrierën tënde?
-Dua që çdo gjë ta arrij me forcat e mia dhe ashtu si duhet, që do të thotë më mirë me hapa të vegjel por të sigurt.
-Kujt ia dedikon triumfin tënd në muzikë sepse ti ke realizuar ëndrrën tënde dhe ky është një triumf?
-Sigurisht që familjes time, ata më kanë përkrahur gjithmonë në çdo aspekt dhe kanë qenë mbeshtetja ime kryesore. Është gjëja më e rëndësishme në jetën dhe karrierën time.
-Kanë mbetur shumë tipare të “Geronës fëmijë” tek “Gerona e rritur”?
-Përveçse jam rritur fizikisht brenda meje ekziston akoma një Piter Pan i cili në disa pjesë nuk më lejon të rritem.
-Përveç zërit dhe performancës tënde, çfarë mendon se pëlqen publiku te ti?
-Mendoj se pëlqen lirshmërinë time, që do të thotë se une vij tek ata kështu si jam në të vërtetë, e thjeshtë dhe sa me afër tyre për t’ju plotësuar çdo dëshirë dhe për t’i bërë të ndjehen mirë.
-Mendon se ka qenë dhe bukuria jote ajo që e ka elektrizuar publikun dhe skenën?
-Mendoj se bukuria ime më e madhe është shpirti im dhe zëri kjo ndoshta më bën që të dukem e bukur edhe në paraqitje, është thjesht një plus dhe një element i nevojshëm por jo i domosdoshem për të plotësuar profilin tim si artiste.
-Cila është rryma jote muzikore e preferuar?
-Unë pëlqej të gjitha rrymat, e preferuara ime është muzika popullore më përshtatet shumë dhe mendoj se një nga projektet e ardhshme do jetë një këngë e kësaj rryme e përshtatur dhe me ritme pak moderne.Më pëlqejnë dhe rrymat e tjera sigurisht dhe i këndoj të gjitha.
-Cili është personi më i rëndësishëm në jetën tënde?
– Nuk mund të them se kam vetëm një, kam 3 dhe ata janë familja ime mami, babi dhe vëllai. Pa ata unë nuk do teë arrija asgjë.
-Një mesazh për të gjithë ata që besojnë te ti dhe tek muzika jote…!
– Do të perpiqem gjithmonë që të vij tek ju me këngë të bukura, t’ju përcjell vetëm dashuri, pozitivitet, t’ju bëj të kërceni dhe në ato 3 apo 4 minuta që do të dëgjoni muzikën time të harroni çdo gjë dhe të jeni njerëzit më të lumtur në botë. Muzika është qetësi për shpirtin dhe unë dua t’ju bëj të ndjeheni mirë gjithmonë. Me mbështetjen tuaj unë do të eci gjithmonë përpara.