Çorape të grisura
– Në ëndërr para dy netësh pashë sikur shkova
te dyqani dhe i kërkova shitëses një palë çorape.
Ajo më dha një palë pambuku dhe unë i thashë: “I dua të modës, jo kështu si katunare”. Ajo m’i dha dhe kur shkova në shtëpi, i vesha, por më dolën të grisura dhe u zhgënjeva shumë. Pres një parashikim. Faleminderit.
– Do të keni një ofertë të re në jetën private, në fushën profesionale apo edhe në jetën sociale. Ju do të entuziazmoheni shumë dhe ka më shumë mundësi të ketë lidhje me një mashkull. Do të jeni shumë e ekzaltuar për zgjedhjen që do të bëni. Në fakt, sipas ëndrrës, do të keni dy propozime, por ju atë që është më i mirë për ju nuk do ta pranoni sepse do ta quani si në ëndërr, jashtë mode. Do të zgjidhni modernen, të bukurën, por nga jashtë ama sepse më vonë do të pësoni një zhgënjim. Ndaj, nëse jeni ende në kohë dhe s’e keni bërë akoma zgjedhjen, mendohuni mirë përpara se të hidhni një hap. Ëndrra ju këshillon të keni kujdes në zgjedhjet tuaja në jetë.
Po rregullonim flokët
– Kam parë në ëndërr sikur po rregulloja flokët. Po kështu, pashë edhe motrën time që po rregullohej dhe i thashë: “Po pse po i bëjmë flokët?”. Ajo më tha: “Harrove që kemi atë rastin?!”. S’e mora vesh, por i shkova pas fijes… Ç’do të thotë?
– Rregullimi i flokëve në ëndërr tregon se do të keni një këndvështrim të ri për jetën, si ju, edhe motra juaj. Në qoftë se deri dje nuk e keni vlerësuar veten, tashmë do ta vlerësoni dhe do të keni më shumë besim në vetvete. Ky do të jetë hapi kryesor drejt suksesit tuaj në të ardhmen. Do të keni raste gëzimi këtë periudhë dhe do t’i ndani me motrën tuaj.
Pija cigare fshehurazi
– Para dy netësh, kam parë në ëndërr veten duke pirë duhan. Unë nuk e pi duhanin realisht dhe në ëndërr, e pija fshehurazi prindërve. Më pas më tha një shoqja ime: “Po të vjen mami prandaj ha një çikë majdanoz nëse nuk do që të të vijë era”…
– Duke qenë se në realitet nuk e pini cigaren, ëndrra juaj tregon përpjekjen që bëni për të mbrojtur veten dhe familjen tuaj, por shpesh, këtë gjë e bëni më shumë për familjen sesa për veten; në çdo lloj këndvështrimi qoftë! I bëni disa veprime sepse kështu duan prindërit tuaj dhe jo sepse ju vërtet e dëshironi këtë gjë. Keni shumë rezerva dhe dëshironi të flisni, por keni shumë frikë. Nuk është keq që ndonjëherë të shprehni atë çfarë ndjeni, çfarë dëshironi. S’e kam fjalën këtu të pini duhan, apo gjëra që ju dëmtojnë, por të kërkoni të drejtën tuaj sepse kjo ëndërr shfaq edhe një lloj shqetësimi që keni ju në vetvete dhe që nuk e shfaqni. Ruheni shumë nga familja, por kjo gjendje vetëm sa po ju bën më të brishtë. Duhet të jeni më e hapur.
U nda motra me burrin
– Përshëndetje astrologes! Jam shumë e shqetësuar sepse kam parë në ëndërr motrën time sikur u nda nga bashkëshorti, kur ajo realisht nuk ka shumë që është martuar. Si shpjegohet?
– Nuk keni pse të shqetësoheni; një ëndërr e tillë tregon pikërisht atë çfarë ka ndodhur me motrën tuaj, jo ndarjen, mos më keqkuptoni, por ndryshimin e saj civil. Ajo i ka dhënë fund beqarisë dhe ka filluar një jetë tjetër në çift. Ndarja në ëndërr tregon fundin e një faze e fillimin e një faze re, por kuptohet, më të mirë. Kjo ëndërr është e mirë për personin që e shikon dhe për atë që shikon. Ajo nuk i përket vetëm motrës suaj, por edhe juve; diçka e re do t’ju ndodhë edhe juve dhe është pozitive. Ju uroj fat!
Toka dhe gjelbërimi
– Çfarë do të thotë të shohësh në ëndërr që gjithçka rreth teje është e gjelbëruar dhe që e adhuron tokën? Isha ulur mes drurëve dhe luleve të kuqe…
– Gjelbërimi është gjithnjë një shenjë e mirë dhe pozitive në jetën e atij apo asaj që e shikon. Juve si person ju karakterizon karakteri i fortë, energjia dhe dëshira për të jetuar. Jeni person që jetoni me këmbë në tokë dhe e dini çfarë kërkoni në jetë. Keni një lloj sigurie dhe stabiliteti në vetveten tuaj që shumë persona jua kanë zili. Pra, adhurimi i tokës, nuk tregon gjë tjetër, por karakterin tuaj të vendosur dhe të fortë, që adhurohet nga shumë vetë. Toka ka shumë kuptime, por në këtë rast, ka pikërisht këtë që ju shkrova më sipër.