70% e fëmijëve raportojnë se kanë përjetuar të paktën një herë një formë dhune gjatë vitit të fundit
Bullizmi, dhuna në familje, konfliktet me shokët apo varësia nga interneti janë vetëm disa nga temat e 15 fotoreportazheve, që të rinj nga 10 zona të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë sjellë në ekspozitëne përbashkët “#MOS – Dhuna na tjetërson”.
Këtë herë janë vetë të rinjtë që ngrenë zërin për problematikat e tyre në ekspozitën që do të hapet në 18 Korrik, ora 19:00, në kalanë e Tiranës dhe do të qendrojë e hapur për 4 ditë me radhë.
“Duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve!” – ky është mesazhi kryesor që reporterët e rinj kanë sjellë përmes situatave të rikrijuara në fotoreportazhet e tyre.
Sipas raportit të mirëqenies së fëmijëve të World Vision, 67% e fëmijëve pohojnë se nuk e konsiderojnë lagjen si një vend të sigurtë, ndërkohë 56% e tyre raportojnë se nuk ndjehen gjithnjë të sigurtë në ambientet e shkollës. Reporterët e rinj kërkojnë të ndërgjegjësojnë secilin prej nesh duke rrëfyer histori të vërteta që iu kanë ndodhur fëmijëve apo të rinjve në familjen, shkollën apo lagjen e tyre.
Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor: “Ka njerëz që dhunën e shohin si një gjë që që s’ka të bëjë me ta. Më lini t’ju them se dhuna herët a vonë na prek, në mos na ka prekur të gjithëve. Ne nuk mund të rrimë pa folur e të kthejmë kokën në anën tjetër kur shohim që fëmijët keqtrajtohen dhe shfrytëzohen. Nuk mund të jetojmë aty ku jetojmë: në lagje, në pallat, në fshat, të dëshmojmë dhunën dhe të heshtim. Dhuna, keqtrajtimi, mospërfillja lë gjurmë në jetën e fëmijëve. Për këtë arsye, World Vision ka marrë përkushtimin që të ofrojë ndihmë për fëmijët e dhunuar dhe të shfrytëzuar. Ne mund të zgjedhim të reagojmë si shoqëri: 1. Të zgjedhim që të kemi dhembshuri për këdo, sidomos fëmijët dhe 2. Të zgjedhim që të ndihmojmë dhe mbështesim fëmijën që ka përjetuar dhunë sepse cdo fëmijë ka të drejtë të jetojë një jetë me dinjitet. Duhet secili nga ne dhe një botë e tërë për të zhdukur dhunën ndaj fëmijëve.”
Të rinjtë janë trajnuar nga gazetarë të mirënjohur si Fatos Baxhaku, Armand Mero apo Elira Canga që të shkruajnë në blogun “Reporteri” mbi problematika të ndryshme sociale që i shqetësojnë në zonat ku ata jetojnë.
Fatos Baxhaku, gazetar dhe kurator i ekspozitës:“…Nxënësit vullnetarë të World Vision të projektit “Reporteri” nga Dibra, Tirana, Elbasani, Durrësi, Kurbini, Librazhdi, Korça, Lezha, Shkodra e Kosova, në këtë fotoekspozitë na përçojnë mendimin e tyre: mirësia ndahet me të tjerët, asgjë nuk mund ta ndalë shpresën për të qenë më mirë nëse mbështesim supet te njëri-tjetri. Vetëm kështu dhuna, babëzia, fodullëku, egoizmi, urrejtja, skërmitja e dhëmbëve, të gjitha këto mund të shndërrohen vetëm në figura letrare nëpër tekstet e letërsisë dhe jo si ngjarje të përditëshme sikurse janë sot.
Fëmijë e adoleshentë me këtë ekspozitë kanë gjetur mjetin e tyre të thjeshtë: fotoreportazhin. Ata kanë meritën se kanë kthyer te ne një zhanër elitar, që kishte kohë i harruar nën peshën e lajmeve të bujshme. Askush nuk priste prej tyre scoop-in, lajmin e bujshëm, tronditës. Arma e tyre e fortë është ndershmëria dhe zemra e madhe që nuk rreh vetëm për vete. Bashkohuni me ta në këtë eskpozitë…”
Për më shumë informacione: www.worldvision.al