Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dashuria me rusen po më ndan nga e fejuara

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një burrë 35 vjeç,

që ndodhem në një situatë mjaft të vështirë.

Kam një vit që jam fejuar dhe nuk ndjehem aspak i lumtur. Ndoshta mund t’ju dukem pak në gabim, por unë po jua tregoj këtë histori sepse kam shumë nevojë t’i hapem dikujt. Një ndër gjërat që më pëlqen më shumë është interneti dhe veçanërisht, sitet ku njihesh me njerëz të rinj. Ka kohë që krijoj shoqëri me shqiptarë dhe të huaj, mirëpo nuk kam patur ndonjë rast të veçantë që mund të ishte interesant të tregohej.

Advertisement

Siç ju thashë, para një viti u fejova me një vajzë shqiptare. Ajo ishte 30 vjeçe dhe simpatike. Më shumë ishte mblesëri se dashuri. Në fillim ishte pak e vështirë, por më pas gjërat u rregulluan dhe ndjeheshim mirë me njëri-tjetrin. Ndërkohë, u njoha me një vajzë ruse në Facebook. Ajo ishte 22 vjeçe. Flisnim anglisht dhe kuptoheshim shumë mirë. Ajo ishte një vajzë tepër e bukur dhe mjaft e qeshur. Kur tregonte se si e kalonte jetën, dukej shumë zbavitëse, komplet ndryshe nga ajo që ne bënim në Shqipëri. Në fillim nuk ia tregova moshën e vërtetë. I thashë se isha 27 vjeç. Ajo kishte besuar çdo fjalë që i kisha thënë. Ishte pra një vajzë e thjeshtë dhe e çiltër. Në fakt, nuk ia mbajta dot për shumë kohë të fshehtë moshën, për shkak se ajo, me çiltërsinë e saj, të bënte të silleshe reciprokisht me çiltërsi. Mirëpo muhabeti pa fillonte e po trashej. Ajo më kërkonte të shkoja e ta takoja e pastaj në verë ajo do vinte në Shqipëri e së bashku të shëtisnim në vende turistike të Shqipërisë. Nuk i kisha treguar se isha i fejuar, madje që nga koha që isha njohur me këtë vajzë ndjehesha shumë keq që isha fejuar. Do të doja të isha beqar, jo që të martohesha më vonë me të, por që të shijoja shoqërinë e kësaj vajze të bukur dhe shumë energjike, e cila isha në kontrast me të fejuarën time që nuk kishte dëshirë të dilte. Edhe kur dilnim, ne uleshim në një lokal dhe ajo fillonte të fliste për shtëpinë, për punët e shtëpisë që kishte bërë, thashetheme e gjëra komplet pa interes. Në fakt, nëse nuk do të isha njohur me rusen, nuk do ta vija re këtë gjë, sepse në fillim të njohjes, e fejuara më dukej krejt në rregull…

Për të shkuar në Rusi, nuk ishte problem se thura një gënjeshtër të goditur. U thashë se më kishin ftuar disa shokë që ta vizitonim Rusinë me rastin e një feste të madhe ruse. Nuk më pyetën më gjatë as njerëzit e shtëpisë, as e fejuara, kështu që u nisa. Ishte një vend gjigand kur e shihje nga avioni. Pyesja veten nëse ajo do të dilte në aeroport, siç e kishim lënë. Për siguri, nëse nuk dilte, kisha prenotuar një hotel afër aeroportit që të kthehesha në shtëpi ditën tjetër, por jo, ajo ishte atje, duke më pritur. Ishte më e bukur se në fotografi e në Skype. Sa më pa, m’u hodh në qafë sikur më njihte prej kohësh. Edhe unë, ia ktheva përqafimin.

– Mirë se erdhe! – tha ajo me një anglishte jo fort të mirë.

Unë isha i emocionuar dhe nuk e di se si ia ktheva. Hipëm në metro, sepse shtëpinë e kishte pak larg nga aeroporti. Rrugës ajo më fliste aq lirshëm sikur njiheshim prej vitesh. Unë isha pak si i hutuar nga bukuria e saj dhe nga ajo vetë. Si kishte mundësi të ishte kaq energjike? Kur fliste, dukej se zotëronte gjithë fuqitë e botës e nga këto fuqi zotëronte përsosmërisht atë më të duhurën: Fuqinë joshëse. Ajo më kishte joshur që në lidhjet që kisha me të në internet, por tani më kishte marrosur totalisht. Në këtë çast, më shkudi nga kjo magji telefoni; një mesazh nga mamaja ime e cila donte të dinte në kisha arritur mirë.

– Është mamaja – i thashë – është e shqetësuar se si arrita. Më duhet t’i flas.

– S’ka problem. – tha ajo dhe më dha një buzëqeshje të përsosur.

Fola me mamin dhe mora edhe të falat e të fejuarës, por që të tregohem i sinqertë, në atë moment, nuk i doja. Ajo më çoi direkt e në shtëpinë e saj. U takova me prindërit dhe vëllain e saj më të vogël. Prindërit e saj nuk e kishin fare problem moshën time dhe as praninë time në shtëpinë e tyre. Më kishin përgatitur një dhomë më vete. Ata kishin një apartament të stërmadh. I gjithë kati i pallatit ishte i tyre. Kishin përgatitur një darkë të mrekullueshme me gatime që në Shqipëri nuk ua kisha dëgjuar as emrin dhe mbi të gjitha, ishin njerëz shumë të dashur. Më pas, dolëm të shëtisnim në një park gjigand. Pas tij, shkuam në një kopësht zoologjik me gati të gjitha kafshët e planetit. Pra, nuk di ç’tju them tjetër veçse që me mua kishte ndodhur një mrekulli dhe as që më shkonte mendja tek e fejuara në Shqipëri.

Të nesërmen, ajo kishte përgatitur gjëra të tjera me shoqërinë dhe kishte vendosur të shkonim në një qytet tjetër. Atje kishte porositur një dhomë për të dy. Ajo nuk e kishte problem ta thoshte hapur se kishte shumë dëshirë të rrinte me mua. Nuk kishte komplekse dhe ishte shumë e hapur. Nata e parë me të ishte si në përrallë. Ajo ishte vërtet një vajzë 22 vjeçe dhe bukuria e saj detyrimisht do të ishte perfekte, por bashkë me bukurinë, ajo kishte cilësi të tjera që më lanë pa mend.

Energjia dhe dëshira për të shijuar jetën në maksimum, e bënin një femër tepër të veçantë.

Java kaloi shumë shpejt mes shëtitjeve, aventurave me të dhe miqtë e saj të cilët kishin një jetë mjaft aktive, totalisht ndryshe nga jeta jonë monotone këtu në Tiranë. Dhe kështu erdhi koha të ndaheshim…

– Do të më mungosh shumë! – më tha.

– Edhe ti, shumë. – i thashë të vërtetën sepse ajo po më mungonte para se ta njihja e jo më pastaj kur mendoja ato që kisha kaluar me të.

Kështu, mbërrita në Shqipëri. Nuk kishin dalë në aeroport të më prisnin, sepse nuk i kisha njoftuar. Në fakt, doja të shmangia ndonjë keqkuptim, kur ata të shikonin se unë isha vetëm e jo me shokët, siç i kisha gënjyer.

Kur arrita në shtëpi, mami më qortoi se nuk e kisha njoftuar. Menjëherë thirri të fejuarën dhe ajo u kënaq që më pa, por pa u çmallur akoma, filloi nga ankesat se nuk i kisha telefonuar gjatë qëndrimit atje, nuk e kisha njoftuar se do të vija, që të më priste në aeroport. Ah, sa ndryshim me të dashurën ruse! Ajo nuk donte t’ia dinte për këto budallallëqe. Jetonte momentin e nuk merrej me të kaluarën. Nejse, më duhej të largohesha nga ajo javë që kisha përjetuar e të vazhdoja jetën qetësisht. Por, a do të mundesha vallë? Daljet dhe shëtitjet me të fejuarën, më parë kishin qenë të bezdisshme, ndërsa tani ishin të padurueshme. Më ngushëllonte mendimi se do të lidhesha në Skype me të dashurën ruse e do të harroja gjithçka të shëmtuar që më ndodhte, mirëpo erdhi koha kur ajo donte të më kthente vizitën në Shqipëri. Isha shumë i tensionuar, por nuk i thoja dot që të mos vinte. Se si do të veproja po të më kërkonte të shkonte te shtëpia ime, as vetë nuk e dija. Erdhi dita kur ajo ishte përballë meje në aeroport, këtu në Tiranë. Kuptova se më kishte marrë tmerrësisht malli për të dhe atë për mua. Ajo ishte së bashku me një shoqe dhe të dashurin e saj rus. U kisha prenotuar një hotel dhe pa i pyetur, i çova drejt e atje, sepse mendoja se ajo do të më kërkonte të shkonim te shtëpia ime. Ajo nuk e mori për keq. Ndenja me ta deri në darkë dhe, për fat, e fejuara nuk më mori në telefon sepse kishte takuar disa kushërira dhe do të ishte gjithë ditën me to.

Në darkë e mora mamin në telefon dhe i thashë se do të rrija te një shok. Ajo nuk më pyeti shumë. Ishte një natë e magjishme, si ato që kaluam në Rusi. Edhe pse kishim një diferencë prej gati 13 vjetësh, dukej sikur ishim bërë për njëri-tjetrin. Bukuria e saj fizike zgjonte dëshirën te të gjithë meshkujt.

Të nesërmen u shkëputa për të shkuar në shtëpi. I thashë mamit se do të largohesha për disa ditë me ca shokë. Ajo më tha që ta njoftoja të fejuarën që të mos krijoja situata të pakëndshme. E mora në telefon dhe i thashë që të mos mërzitej se do të isha për ca ditë jashtë Tiranës. Kishte dëshirë të dëgjonte edhe hollësisht, por me takt, ia mbylla bisedën pa i dhënë shumë informacion. Ruses i thashë se më duhej të shkoja në punë që të rregulloja disa gjëra që i kisha lënë pezull. Ajo më kuptoi. Shkuam në fillim në Veri, në vende të magjishme që i shkonin shumë për shtat bukurisë se ruses. Aq i dashuruar isha pas saj, sa më dukej si një zanë mali. Më pas shkuam në Jug e kënaqësia kishte arritur kulmin. Kur isha me të, çdo gjë ishte e magjishme dhe më dukej sikur kisha rilindur. Kalonte aq shpejt koha me të, sa kur do të ktheheshim në Tiranë, që ata të niseshin të nesërmen, me dukej sikur sapo kishin ardhur. Ajo më kishte kërkuar të njihte njerëzit e mi. Nuk kishte ngulmuar, sepe ajo nuk ishte e tillë, por unë doja t’ia plotësoja të gjitha dëshirat.

– Mami, do të vijë një shok rus me të dashurën dhe shoqen e saj. – i thashë mamit.

– Le të vijnë, zemër. T’u përgatis ndonjë gjë të veçantë?

– Po mami. Të faleminderit!

Të fejuarës i thashë se nuk kisha ardhur akoma. Për fat, ajo nuk është shumë e lidhur me mamin tim, sepse do ta kishte marrë vesh menjëherë dhe fatmirësisht, atë ditë ajo ndodhej së bashku me të ëmën në qytetin e saj të lindjes sepse kishin një dasmë. Epo, fati të ndihmon nganjëherë!

Mami i priti shumë mirë. Babi u fut në muhabet me ta sa më dukej sikur ishte 20 vjeç, mirëpo mami, me atë telepatinë e nënës, nuhati diçka. Edhe pse unë i rrija larg dhe i kisha thënë se në Shqipëri jemi fanatikë dhe nuk duhet të afroheshim, nuk ishte e lehtë ta fshihje dashurinë që kishim për njëri-tjetrin. Pas darke, i përcolla në hotel dhe ndenja aty. Ishte nata e fundit dhe duhej të ishte plot magji. Ashtu ishte!

Të nesërmen i përcolla në aeroport dhe u ktheva në shtëpi sa i mallëngjyer nga ikja e saj, aq edhe i lehtësuar që nuk rashë shumë në sy që ta kuptonin të tjerët e sidomos, e fejuara.

– Kujdes bir! – tha mami kur po rrinim pasdite në kuzhinë. – Vendimet janë shumë të rëndësishme në jetë.

– Pse po më thua kështu? – bëra të paditurin.

– Dëgjo zemrën gjithmonë, sepse zemra e lënduar nuk shërohet lehtë, por përdor edhe arsyen.

Kjo ishte mënyra e mamit tim “për të të terhequr veshin”. E dija dhe vetë se isha në situatë të vështirë, por nuk po gjeja rrugëdalje. E fejuara nuk kuptoi asgjë.

Tani akoma qëndroj i lidhur me të dashurën ruse dhe nga ana tjetër, kemi vendosur datën për dasëm me të fejuarën time. Por a do të mundem vallë të martohem, kur unë dua marrëzisht një vajzë tjetër? Edhe po të ndahem nga e fejuara, a do të kem një të ardhme me të dashurën ruse, me të cilën na ndan edhe mosha, edhe kilometrat e pafund?

Ja, pra, ky është dhe halli im i cili duhet zgjidhur sa më shpejt. Të dashur lexues, më kritikoni apo mbani anën time?

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Gjyste Vulaj në sezonin më të nxehtë, unike e plot stil

Next Post

Ai më kujton vazhdimisht të kaluarën time…

Advertisement