Të dashur lexues!
Unë kam shkruar para shume kohësh në këtë gazetë (“Intervista”, nr. 42 Tetor 2013),
historinë e jetës sime, se si më paralizuan mjekët,
duke më prekur një nerv në shtyllën kurrizore, ndërsa më bënin gjilpërën për mpirje lokale para operacionit. Kisha vendosur t’ju shkruaja kur të isha shëruar, pra, të ecja me këmbët e mia, por megjithëse jam shumë më mirë se më parë, vazhdoj të jem gjysëm e paralizuar. Shkoj shpesh në spital për terapinë dhe aty kam njohur njerëz të ndryshëm, me halle të ndryshme. Shumë prej tyre më kanë prekur aq shumë, sa kam vendosur të ndaj me ju historitë e tyre…
Historia e parë është historia e një vajze të re. Ajo është 19 vjeçe dhe ka të paralizuara të dyja këmbët. Herën e parë që e takova ishte në korridorin e klinikës ku unë bëj fizioterapinë, e shoqëruar me nënën e saj. Vëmendjen ma tërhoqi e folura e saj. Po ta kishte përshkruar Migjeni, do të thoshte: “Sa herë fliste, dukej sikur në buzët e saj çelte një trëndafil”.
Ajo po i thoshte së ëmës:
– Pse duhet të vij e të pres kaq shumë pas dere për asgjë?
Nëna e saj nuk iu përgjigj për një çast e më pas, i tha:
– Po të duash, ikim.
Në atë çast u hap dera e doktorit dhe doli pacienti i cili kishte kohë që ishte futur dhe doktori e ftoi vajzën të futej brenda. Në fakt, u çlirova edhe unë, sepse po e përjetoja bisedën e vajzës me nënën e mendova se po largoheshin. Nuk zgjati shumë dhe vajza doli së bashku me nënën e saj. U bëra shumë kurioze për historinë e saj, kështu që sapo u futa brenda, ngacmova doktorin:
– Sa pak i mbajte ato të dyja!
– Ajo vjen se e detyron e ëma, se vetë nuk ka aspak dëshirë të vijë, – tha doktori dhe menjëherë kërkoi të fillonim terapinë, një shenjë kjo që tregonte se nuk donte të fliste më gjatë.
Mbarova terapinë dhe më mbeti në mendje vajza që kisha parë në klinikë, derisa shkova në shtëpi se pastaj më doli nga mendja nga burri im. Siç ju kam thënë kur kam treguar historinë time, ai është një tip mjaft i veçantë. Indiferentizmi i tij është mjeti më torturues që mund të ketë ekzistuar në shekuj, duke përfshirë këtu edhe torturat e nazistëve. Këtë e thashë jo për t’ju trembur, por e krahasova në këtë mënyrë që të duket se sa pak më ndihmon ai njeri që të kaloj gjendjen në të cilën ndodhem.
U futa në shtëpi dhe ai, sapo më pa, bëri sikur flinte. Atë ditë më shoqëronte motra ime dhe ajo, sapo pa se ishte burri im në shtëpi, u largua. Më vuri në krevat se tani unë eci me paterica, por pas fizioterapisë, ndjehesha e lodhur e kisha pak fuqi. Më kishte zënë gjumi derisa u zgjova nga zilja e celularit. Ishte djali, i cili e dinte orarin e terapisë e më pyeti se si shkoi sot. Ai, siç ju kam thënë, studion në Skoci. Është një djalë i mrekullueshëm e më do shumë. Ai është edhe arsyeja pse unë luftoj që të eci me këmbët e mia. Më pas i thërrita burrit të vinte në dhomë se do të ngrihesha të kryeja nevojat e mia personale. Ai vjen gjithmonë pas thirrjes sime të tretë. Megjithatë, vjen dhe kjo është mjaft për mua. Më pas u ula në divan dhe i thashë të na bënte nga një kafe. I bëri dhe u ul në divanin tjetër, që të pinte kafen e tij. Ai po shihte televizor, si gjithmonë. Për t’i tërhequr vëmendjen, fillova t’i tregoja për vajzën që kisha parë në klinikë. Ai dëgjonte, por nuk tha asgjë, kështu që e pyeta:
– Si mendon, çfarë mund t’i ketë ndodhur?
– Nuk e di, ndoshta ndonjë aksident.
– Po ajo nuk kishte dëshirë të kurohej, dukej se nuk po luftonte kundër paralizës, – i thashë që të dija mendimin e tij.
– E ka parë që nuk ka shpresa… – tha ai qetësisht.
– Gjithmonë ka shpresë, – i thashë me një ton pak më të lartë, por ai vetëm më pa sikur do të thoshte “Mirë, është ashtu si do ti” dhe me kaq, biseda jonë përfundoi. Pastaj erdhi nëna, e cila kujdeset për mua që nga mbrëmja e deri në mëngjes. Ajo është edhe vetë e sëmurë, por për pastrimin kam marrë një grua, kështu që nëna merret me mua dhe me gatimin. Pak a shumë, çdo gjë është në vendin e vet, por do të ishte me e lehtë nëse edhe burri do të ndryshonte pak për mirë.
Nejse, ditën tjetër kur po prisja radhën për seancën time, nuk e pashë vajzën e re. Mbarova seancën time dhe, kur dola, pashë se ajo e kishte orarin pas meje. Motra ende nuk kishte ardhur të më merrte, kështu që kur vajza dhe e ëma dolën nga seanca, i kërkova ndihmë nënës së vajzës që të më çonte te kafja poshtë të prisja motrën. Në fakt, doja me patjetër të krijoja një lidhje me to, sepse isha bërë kurioze se pse vajza i kishte humbur të gjitha shpresat e nuk donte të bënte asnjë përpjekje.
Sapo shkuam te kafeneja, u thashë:
– Dëshironi të pini një kafe? Kështu, edhe më shoqëroni dhe mua, se motra më duket se do vonohet…
Ato pranuan pa një, pa dy. Gruaja hoqi njërën karrige, që vajza të afrohej së bashku me karrocën e saj dhe u ul vetë, pasi më kishte rregulluar edhe mua në karrige. Filluam të bisedonim. Në fillim bëmë bisedë të përgjithshme, por më pas u futëm te tema që na përkiste. Vajza filloi të tregonte historinë e saj…
Ajo kishte qenë në motorr bashkë me një djalë të cilin e kishte njohur që në vitin e parë të shkollës, pra, 14 vjeçe, para 5 vjetësh, sepse tani ajo ishte 19 vjeçe. Djali ishte në vit të fundit në një shkollë tjetër, po gjimnaz. Pasi ishin zënë për punë xhelozie, sepse dukej qartë që kishte qenë një vajzë që shumë djem do ta kishin patur ëndërr t’i shoqëronte, djali i egërsuar kishte humbur kontrollin e motorrit.
Ajo e tregonte historinë dhe dukej se kishte humbur çdo shpresë për të ardhmen. Ajo kishte qenë duke pirë kafe me shoqet dhe shokët e klasës, mirëpo si vajzë e çiltër që ishte, njëri nga shokët i kishte vënë dorën në sup. I dashuri i saj e kishte parë dhe ishte vërsulur menjëherë drejt shokut të vajzës, duke e rrahur shumë keq. Pas kësaj, vajza e shtangur dhe e çorientuar kishte harruar të vinte kaskën e po ashtu, edhe i dashuri i saj. I dashuri i saj po ecte me shpejtësi të madhe dhe vajza nuk mbante mend asgjë përveç një fjalie:
– O zemër, më fal, ç’të bëra kështu?!
Dhe imazhet e fundit të regjistruara në mendjen e saj: I dashuri i saj i lyer në gjak që i shtrëngonte dorën dhe rrinte shtrirë pranë saj e pas disa sekondash ai ia la dorën e lirë sepse jeta e tij tashmë kishte marrë fund.
Ajo ishte zgjuar më pas në spital e pas disa ditësh, nuk kishte mundur më të lëvizte. Atëhere kishte mësuar fatin tragjik të të dashurit të saj. Ajo nuk arrinte ta kapërdinte vdekjen e tij, kështu që kishte hequr dorë dhe nga jeta e saj e i ishte nënshtruar fatit, mirëpo mua më mbeti peng kjo vajzë dhe vendosa ta ndihmoja.
Që nga ajo ditë, zura shoqëri me to. Pas fizioterapisë, pinim kafe te kafeja poshtë klinikës. Nëna e saj më ndihmonte, madje filloi të më shoqëronte deri në shtëpi, me makinën e saj. Ajo ishte një grua shumë e zonja, që pas aksidentit kishte lënë punën në shtet dhe i ishte përkushtuar vajzës së saj. Kishte edhe një vajzë tjetër të martuar që kishte një vajzë të vogël 2 vjeçe. Nëna e saj kishte qenë një arkitekte e zonja dhe, megjithëse i kishte shkëputur marrëdhëniet me punën shtetërore, ajo tani kishte një zyrë të vetën, në të cilën punonte dhe ishte mjaft e kërkuar. Disa herë i kishte kërkuar edhe së bijës që të mbaronte shkollën e lënë përgjysmë pas aksidentit dhe të punonin bashkë, por ajo nuk donte asgjë, vetëm të bashkohej me shokun e saj, tashmë, jo të gjallë.
Mirëpo unë kisha vendosur t’ia ktheja kësaj vajze optimizmin, kështu që me bisedat tona të përhershme, pas fizioterapisë e kohës që rrinim bashkë, ajo filloi të ndryshonte.
I thashë se jeta është shumë e gjatë dhe i dashuri i saj do të donte që ajo të mos dorëzohej, pastaj i shpjegoja se duhej t’ia shpërblente nënës së saj dashurinë e sakrificat. I tregova historinë time, se si nga karroca me rrota, tani ecja me paterica, edhe pse isha gati dyfishi i moshës së saj. Ajo, herë-herë ishte dakord me mua, por përsëri i shkonte mendja tek aksidenti, madje akuzonte edhe veten: “Po të mos kisha ndenjur me shokët e shoqet e klasës, i dashuri nuk do të ishte nevrikosur e do të ishte gjallë”, më thoshte. Po unë i shpjegoja se jeta kështu është, nuk ke pse të kujtosh të kaluarën, duhet të ecësh para, ashtu si dhe unë.
Isha bërë si një psikologe për të. Kështu, u miqësova dhe tani kemi arritur të njihemi edhe familjarisht. Vajza ka ndryshuar shumë. Tani mezi i pret seancat e fizioterapisë dhe ato zgjasin aq sa duhet. Dihet se zemra e saj e ka të vështirë të shërohet, por koha do të shërojë atë plagë të thellë dhe gati-gati, të pashërueshme. Kjo ishte historia e kësaj vajze të mrekullueshme që fati e kishte dënuar, por e rëndësishme është që ajo tani ka ndryshuar dhe jam e sigurtë që do të ndryshojë edhe më tepër në të ardhmen. Mirutakofshim në një histori tjetër!