Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më rrënoi vetë bashkëshorti im!

Unë që po ju shkruaj jam një grua shumë e vetmuar,

por për të treguar historinë time, preferoj të mbetem anonime.

Thonë se jeta ka ulje-ngritje dhe në të vërtetë, kështu qenka.

Advertisement

Kur isha në moshën dyzet vjeçe kam njohur dashurinë time të vërtetë. Mbarova shkollën e lartë dhe vazhdoja Ekonomikun, më pas u punësova në qytetin tim të lindjes si ekonomiste, në një bankë. Me kalimin e kohës u ngrita në detyrë dhe u bëra drejtoreshë në bankën ku punoja. Deri në atë kohë nuk isha fejuar, pasi pretendoja për një njeri më të mirë, të ishte me shkollë dhe të kishte një pozicion të mirë në një punë. Në një takim që kishim lënë me kolegët e punës, në një nga lokalet e qytetit, njoha për herë të parë një djalë, i cili ishte rreth të tridhjetave dhe e kishte emrin Armand. Me thënë të drejtën, në jetën time nuk kisha njohur një tip aq të sinqertë sa ai. Në atë mbrëmje, ne festonim ditëlindjen e një kolegu, i cili ishte edhe kushëriri i Armandit. Aty në atë darkë unë vërejta se Armandi ishte një ndër djemtë më me humor që kisha njohur deri në atë ditë, madje humori i tij arriti deri aty sa kërkoi pa iu dridhur qerpiku që unë ta shoqëroja me makinën time deri në shtëpinë e tij, pasi ai nuk kishte makinë. Këtë ai e bëri me një finesë dhe një humor aq të paparë sa unë nuk munda t’i rezistoja kërkesës së tij. Hipëm që të dy në makinë dhe u drejtuam për në shtëpinë e tij. Ai më ftoi të pija kafe në shtëpinë e tij dhe unë nuk ngurrova, por shkova brenda. Ai më tregoi shumë gjëra për veten e tij.

Mbas asaj mbrëmjeje, midis meje dhe Armandit filloi miqësia. Ne filluam të takoheshim gjithmonë mbrëmjeve, herë pinim kafe dhe herë hanim darkë. E gjithë kjo vazhdoi derisa një ditë ai më shprehu ndjenjat e tij. Në fakt, edhe unë kisha filluar ta pëlqeja shumë, mirëpo fakti që unë kisha një diferencë me të prej 10 vjetësh, më bënte të mos i pranoja ndjenjat e mia kundrejt tij. Unë isha një grua me shumë klas dhe një paraqitje shumë të mirë për moshën që kisha, por nuk dua të tregoj shumë detaje se si nisi historia jonë. Ajo që dua t’ju them, është se me Armandin rashë në dashuri ashtu si pa kuptuar. Me të ndjehesha si adoleshente dhe më kishte kapur një lloj euforie që nuk doja t’ia dija për gjë tjetër në botë. Prej tij ndjehesha e përkëdhelur si nga asnjë mashkull tjetër. Ai nuk kishte shkollë të lartë apo ndonjë profesion që të më përshtatej, por kish një zemër të madhe dhe një lloj komunikomi që nuk e kisha ndjerë në asnjë lidhje tjetër. E ndjeja se ai më donte shumë, aq shumë sa më kërkoi që ne të martoheshim. Unë isha aq entuziaste sa nuk i mendova pasojat që mund të kisha më pas.

U martuam dhe, për gati pesë vjet, kishim një martesë të lumtur. Armandi nuk punonte, por unë punoja dhe fitoja aq sa të mbaja një familje normale. Gabimi i vetëm që bëra ishte se Armandin e konsideroja edhe si burrë, edhe si fëmijë, edhe si shok. Ai përfitoi nga dashuria ime dhe filloi të më kërkonte lek çdo ditë. Unë, në fillim, i jepja më pak, por me kalimin e viteve fillova ta llastoja akoma më shumë, duke i dhënë aq sa ai më kërkonte. Ai e kishte kuptuar se për mua vetëm ai kishte rëndësi në këtë botë. Prindërit e mi nuk jetonin më dhe fëmijë, ne nuk mundëm të kishim, madje shumë herë unë i isha lutur që të merrnim një fëmijë në jetimore, por ai nuk pranonte pasi mendonte se unë do të doja më tepër fëmijën sesa atë dhe kështu, unë rashë në grackën e tij, duke u nisur nga dashuria e madhe që kisha për të.

Ashtu siç ju thashë më lart, Armandi filloi të më kërkonte çdo ditë e më shumë lek dhe unë ia plotësoja kërkesën, por po vëreja se rezervat e mia bankare ishin gjithnjë në rënie dhe këtë gjë ia kisha treguar edhe Armandit, por ai nuk donte të dinte për këtë, atij i pëlqente të vishej bukur me rroba të firmave të mëdha dhe të argëtohej çdo ditë në lojërat e fatit. I kisha gjetur disa punë, por ai nuk pranonte të punonte dhe ma hante kokën me të mirë, duke më përkëdhelur shumë e duke më thënë se më donte. Në mendjen e tij unë isha si një lodër me shumë vlerë, që më përdorte për nevojat e tij. Unë ndjehesha e plotësuar nga ana ime dhe ai po ashtu. Për një gjë isha e sigurtë me Armandin, se për periudhën që ai ndenji me mua, nuk më tradhtoi asnjëherë. Ai u zu edhe me familjen e tij, pasi ata nuk e dëshironin martesën tonë, se unë isha e madhe në moshë. Kjo gjë më lëndonte akoma më shumë dhe më bënte fajtore ndaj tij, më dukej sikur duke i dhënë lekun, i mbushja sadopak boshllëkun e familjes së tij, por gjithashtu, unë doja që ai të kuptonte se çdo gjë që ishte e imja, ishte edhe e tij. Por kot nuk thonë se leku të tërbon; ai përfitoi nga zemërgjerësia ime dhe filloi të luante çdo ditë e më shumë nëpër lojërat e fatit, duke më kërkuar lek pa fund. Lojërat e fatit u kthyen për Armandin në një ves që ai nuk po mundej ta kontrollonte. Unë fillova të mërzitesha, pasi ai nuk po më përkushtohej ashtu siç bënte në fillim. Ai kishte filluar të ndryshonte shumë; vetëm në momentin kur i jepja një shumë të mirë lekësh, fillonte më përkëdhelte dhe më donte, e ndjeja shumë afër, por kjo lloj dashurie nga ana e tij po më jepej si me pikatore dhe unë, për t’u ndjerë më e dashuruar dhe nga frika se mos e humbisja Armandin, fillova të përfitoja nga posti që kisha në bankë, duke marrë kredi, pasi rezervat e mia kishin mbaruar. Përveç kësaj, kur gjeja hapësira, mundohesha të manipuloja dokumente për qëllime fitimi, por e gjithë kjo nuk zgjati shumë, pasi kolegët e mi kishin filluar t’i kuptonin veprimet e pakontrolluara që kisha filluar të bëja. Kisha abuzuar me profesionin tim pa e kuptuar se po bëja një veprim të gabuar. Dashuria për Armandin më kishte verbuar dhe nuk dija të frenoja ndjenjat e mia. Frika e ndarjes prej tij, më kishte shtyrë të abuzoja me punën time, deri në momentin kur më arrestuan për abuzim në detyrë…

Për të mos bërë disa vjet burg, u detyrova të shisja shtëpitë dhe lava të gjitha lekët që kisha vjedhur në arkën e bankës ku unë punoja. Jeta ime u kthye në një dramë të vërtetë dhe, për një kohë shumë të shkurtër, humba shumë gjëra. Në radhë të parë, humba dashurinë time, për të cilën sakrifikova punën, shtëpinë, të ardhurat e mia si dhe reputacionin që kisha krijuar për shumë vite. Armandi, që në momentin kur nuk kisha më se çfarë t’i jepja, as që e bëri dy fare, por më kërkoi divorcin me pretendimin se duhet të shkonte jashtë vendit për të punuar dhe për të krijuar një jetë më të mirë. Unë, si një mjerane, mbeta mes katër rrugëve dhe çdo ditë qaj e vajtoj për dashurinë që më zhgënjeu aq shumë. Çdo rrugë, çdo lokal dhe çdo vend në qytetin tim më kujton Armandin. Njeriu që më lumturoi dhe më zhgënjeu njëkohësisht më shfaqej në çdo cep të atij qyteti ku banoja. Vendosa që jetën time ta jetoja në Tiranë duke gjetur forcat për t’u ngritur sërish, por është shumë e vështirë, në zemrën time është hapur një plagë që zor se do të shërohet ndonjë ditë. Shpeshherë, i bëj një pyetje vetes se si në këtë botë jetojnë njerëz të tillë që në gjak kanë mashtrimin dhe që lëndojnë kaq shumë njerëz të pafajshëm.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Samuela: Asgjë nuk është e pamundur nëse e dëshiron vërtet!

Next Post

Pse i anuloi Rita Ora koncertet?

Advertisement