Jam një nënë e shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve
që po rrisim në Shqipëri dhe dua që dhimbjen e merakun
tim ta ndaj me të gjitha nënat.
Unë kam një vajzë njëzet vjeçe. Kisha menduar se rreziqet që i kanosen një fëmije marrin fund pasi mbaron adoleshenca, por me sa duket ne, nënat e shkreta, derisa të mbyllim sytë, s’do të na zërë shpirti rehat.
Vajzën e kam në shkollë të lartë për Infermieri. E kam patur gjithmonë me nota të mira dhe ma ka kënaqur shpirtin. Ngaqë e kam vajzë të mbarë, tani që është rritur, jam munduar t’i jap pavarësinë e saj, sepse e meriton. Ajo kurrë nuk më ka sjellë probleme, as kur ka qenë më e vogël, kështu që edhe unë nuk kam pse t’ia kem më frikën. Më saktë, nuk ia kisha frikën, derisa më ndodhi kjo që do t’ju tregoj…
Para disa kohësh, ajo u njoh me një djalë, nëpërmjet një shoqes së saj të fëmijërisë. Kjo shoqja e kishte kushëri këtë djalin, ose të paktën kështu na tha. Ne e njihnim mirë shoqen e saj, kështu që kur vajza na tregoi se kush ishte ai që kishte njohur, në njëfarë mënyre nuk u shqetësuam. Çdo prind shqetësohet kur fëmija afrohet me dikë, por siç ju thashë, unë e im shoq, kishim vendosur t’i linim vajzës hapësirën e saj. Pastaj, ajo ishte tamam në moshë për t’u dashuruar e lidhur, nuk do ta martonim me shkuesi, si dikur!
E kështu, vajza nisi të njihej me këtë djalin, madje na prezantoi edhe neve me të. Dukej djalë i mirë, thoshte se kishte mbaruar shkollën për Inxhinieri dhe se po punonte në biznesin e disa të afërmve të tij në Durrës. Thonë se prindi e ndien kur fëmijës së tij i afrohet një njeri i keq, por hiç, kot e thonë, se ne nuk ndiem asgjë, neve madje na pëlqente ai djalë, aq i edukuar e i sjellshëm. Unë e im shoq ishim të kënaqur me lidhjen e vajzës dhe duke qenë se ata kishin muaj që njiheshin dhe po shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin, ishim të bindur se ajo lidhje ishte serioze. Një natë, vajza na tha se do të shkonte në një koncert me muzikë live me këtë shoqen e vet, të dashurin e ca shokë e shoqe të tjerë. Ne i dhamë leje, sigurisht, por mua seç më lindi një merak. Nuk e kishim lënë kurrë deri vonë natën vajzën jashtë dhe më rrinte mendja aty. Desha s’desha, e mora në telefon nga ora njëmbëdhjetë, gjë që nuk e bëja kurrë. Vajza m’u përgjigj në telefon dhe më tregoi emrin e lokalit se ku kishin shkuar e më tha të mos bëhesha merak sepse do të vinte pak vonë. Po ku më zinte gjumi mua? Sillu e sillu në krevat e nuk po gjeja qetësi. Nga ora dy e natës nuk durova dot më dhe i thirra tim shoqi që po flinte krah meje.
– S’ka ardhur vajza, – i thashë.
– Aman o grua dhe ti, si bën sikur e ke vajzën pesë vjeçe! A të tha që do vonohej?! Ora dy është, do vijë… – dhe fjeti.
U përpoqa të qetësohesha, por nuk munda, kështu që thashë me vete: “le të më mërzitet vajza që po e shqetësoj, po unë do t’i bie telefonit prapë”. I rashë telefonit dhe sa s’më ra pika kur më doli i mbyllur. “Hë, se do ketë renë bateria”, u mundova të qetësoja veten, po e dija që ime bijë nuk e mbante kurrë telefonin fikur. Para se t’i thërrisja sërish tim shoqi, i rashë telefonit të shoqes së saj. Edhe ai më dilte i fikur. Pastaj i rashë telefonit të të dashurit të sime bije. Ai të paktën e kishte të hapur dhe zilja binte, por ai nuk më përgjigjej. Pasi i rashë nja pesë herë, pa rezultat, e ngrita zgupthi tim shoq nga krevati e i thashë se do shkonim urgjentisht te lokali që na kishte treguar vajza. Ai bëri një herë numra, por unë i futa një ulërimë dhe nuk i ndie më, por doli e ndezi makinën. “Bëhesh merak kot”, më tha rrugës, por unë i thashë të shkelte gazin e të mos thoshte asnjë fjalë. Çfarë nuk më thoshte mendja gjatë rrugës, çfarë nuk mendoja! Më dukej sikur zemra do të më pushonte, por i jepja gajret vetes duke thënë se, vetëm të sigurohesha se vajza ishte mirë dhe le të vdisja pastaj. E vetmja gjë që shpresoja, ishte që ta gjeja vajzën, atje ku ajo më kishte thënë se ishte. Për fatin tim të mirë, deshi Zoti dhe e gjeta atje, por lokali ishte thuajse i mbyllur dhe nuk kishte as muzikë live, asgjë, ishte vetëm ime bijë, i dashuri i saj dhe një djalë tjetër, ulur në një tavolinë. Nga errësira, nuk munda ta shihja mirë time bijë në fytyrë, por më bëri përshtypje që ajo nuk reagoi kur na pa. I vetmi që reagoi ishte i dashuri i saj, që ngriu në vend dhe u ngrit në këmbë.
– Çfarë ka ndodhur? – na pyeti me gjysëm zëri.
Unë e pashë me inat dhe shkova te vajza. Ajo ishte si përgjumësh dhe vetëm më pa e nuk më foli fare.
– Çfarë i ke bërë vajzës? – iu sula të dashurit të saj dhe e kapa për fyti.
– Asgjë… – tha ai, – ja, do rrinim edhe pak e do vinim… Çfarë keni ju? Jua sjell unë në shtëpi…
– Ti shkofsh në të… – ia pati im shoq, që vetëm atëhere e kuptoi se kishte vërtet diçka që nuk shkonte, por unë ia bëra me shenjë të vinte të kapte vajzën e të iknim, pa bërë shamatë. I dashuri i vajzës u afrua prapë, por unë i thashë se, nëse nuk më linte, do ta vrisja dhe ai heshti. Në atë moment, pashë se djali tjetër që ishte me të, ishte zhdukur. Ne e morëm vajzën pothuajse në krahë, sepse ajo nuk ishte në gjendje as të ecte, as të fliste dhe shkuam në shtëpi. Rrugës, i telefonuam një mjeku që e kishim të njohur dhe ai arriti në shtëpi njëkohësisht me ne. Ai na tha se vajza ishte e droguar rëndë dhe se e vetmja gjë që mund të bënim ishte të prisnim që asaj t’i dilte droga nga trupi.
– Nuk ka rrezik për jetën, – na tha, – por nëse përkeqësohet, jeni të detyruar ta dërgoni në spital…
Për fatin tonë të mirë, vajza nuk u përkeqësua, ama u desh plot një javë që ajo ta merrte veten. Për tre ditë nuk ishte në gjendje as të hapte sytë, as të na fliste dhe pas tre ditësh, mezi arrinte të kujtonte se çfarë kishte ndodhur… kur ne i thamë se kishte qenë e droguar, ajo shqeu sytë e nuk na besonte dot. Atëhere e kuptuam se atë e kishin droguar me pahir, kushedi me çfarë qëllimi…
Gjatë kësaj kohe, i dashuri i saj jo vetëm që nuk telefonoi, por mbylli edhe telefonin, pa na treguar të paktën se çfarë i kishte bërë vajzës e të dinim t’i bënim derman. Pasi u bë më mirë, vajza i telefonoi vetë, por ai e ka të mbyllur telefonin edhe sot e kësaj dite. Në shtëpinë ku ai thoshte se banonte me prindërit, jetonte një familje që nuk kishte lidhje fare me të dhe në punën ku ai thoshte se punonte, nuk kishte punuar as edhe një ditë. Shoqja e fëmijërisë së vajzës sime, nuk e dimë se ku është… Në familjen e saj thonë se ka shkuar jashtë, gjë që duket shumë e çuditshme, se ajo nuk i kishte folur kurrë vajzës sime për një gjë të tillë. Gjithë çfarë ka ndodhur është e mbuluar me një mister që na ka tmerruar të gjithëve. Më thoni tani, sa besim mund të kemi ne te njerëzit? Kush më thotë se vajzën time nuk e droguan për ta çuar të punonte si prostitutë jashtë shtetit apo për ndonjë qëllim tjetër? Kujt duhet t’i besojmë nëse nuk i besojmë dot atyre që na duken perfektë? Jam vërtet e shokuar, shumë e shokuar…