10 mite që duhen rrëzuar!
E kush tha se burrat nuk janë romantikë?
Harroji gjërat që dije për ta, le të bazohemi te të dhënat e studimeve të fundit.
Ekziston mundësia që ata të jenë më romantikë se gratë? Mendimi i përgjithshëm është kundër, por një studim hedh dritë mbi të dhëna që mund t’ju befasojë. Në një studim në internet morën pjesë 100 mijë persona dhe surpriza e parë erdhi pas pyetjes që kishte të bënte me dashurinë me shikim të parë. 48% e burrave pranuan se u kishte ndodhur të dashuronin me shikim të parë, ndërsa te gratë, ky numër ishte vetëm 28%. Sigurisht, nuk është hera e parë që hidhet poshtë thënia se burrat janë të fortë dhe aspak romantikë, prandaj mblodhëm për ju 10 gjëra të pavërteta për burrat…
Miti 1: Burrat tradhtojnë, gratë janë besnike
Është përhapur mendimi se, në një lidhje, burrat tradhtojnë më shumë, ndërsa gratë janë besnike. Sigurisht, burrat nuk tradhtojnë vetëm, ka edhe shumë gra që tradhtojnë, por në përgjithësi, thuhet që shumë burra kanë tradhtuar më shumë se një herë në lidhjen e tyre. Ja, pra, që kanë dalë në dritë disa të dhëna që e kundërshtojnë këtë. Gjatë një studimi të fundit, u zbulua se numri i burrave që tradhtonin e kalonte vetëm me 5% atë të grave. Mbase gratë janë më të afta t’i fshehin lidhjet e tyre, gjë që na shtyn të mendojmë se gratë kanë të dashur më të qëndrueshëm, ndërkohë që burrat, preferojnë lidhjet rastësore.
Mitit 2: Burrat thonë gënjeshtra
Studimet treguan se, kur burrat janë të lidhur, mund të thonë pak më shumë gënjeshtra se partneret e tyre. Këto kanë të bëjnë me numrin e ish-të dashurave, me qëllimet dhe objektivat për të ardhmen, me atë se kur ka përfunduar me saktësi lidhja e kaluar, por edhe të tjera. Megjithatë, këto gënjeshtra duken të pafajshme kur mendohet se 15% e fëmijëve që lindin nuk rriten bashkë me burrin që është babai i tyre biologjik. Pra, burrat mund të thonë më shumë gënjeshtra, por jo medoemos ato janë më të mëdha se gënjeshtrat e grave.
Miti 3: Burrat janë të ftohtë dhe të largët
Ka shumë të dhëna që e hedhin poshtë këtë mit dhe studimi për të cilin folëm në fillim, e tregon më së miri këtë. Është bërë edhe një studim i dytë nga siti www. match.com që tregoi se 54% e burrave kishin provuar dashurinë me shikim të parë, kundrejt 44% të grave, gjë që tregon se edhe burrat janë… të nxehtë.
Miti 4: Gratë janë më romantike
Një studim i Universitetit të Pensilvanisë, në SHBA, ka treguar se shumica e të marrëve në pyetje mendonin se gratë ishin romantike të pandreqshme, ndërsa burrat, më të ftohtë dhe të largët, por vetë studimi e hodhi poshtë këtë mit, sepse zbuloi se raporti mes burrave dhe grave që e thonin të parët fjalët “të dua”, ishte 3 me 1! Këto fjalë që kanë kaq shumë domethënie, ka më shumë mundësi të thuhen më parë nga burrat sesa nga gratë.
Miti 5. Gratë bien më shpejt në dashuri
E thamë edhe më lart se burrat e thonë më shpejt fjalën “të dua”. I njëjti studim që përmendëm më lart, tregoi se burrat fillojnë të dashurohen që në javët e para të lidhjes, ndërsa gratë, mund të duan edhe muaj. Një studim tjetër zbuloi se burrat fillojnë t’i mendojnë fjalët “të dua” afro 6 javë para grave. Duket, pra, se burrat janë po aq romantikë sa gratë.
Miti 6: Gratë bëjnë presion për të pasur fëmijë
Gjatë një lidhjeje, kur ajo është duke shkuar mirë, ekziston mendimi i përgjithshëm se janë gratë ato që e hapin të parat temën e fëmijëve, ndërsa burrat i shmangen sa më shumë të munden. Megjithatë, studime të reja kanë treguar se edhe burrat e kanë po aq të fortë ndjenjës e atësisë, bile në disa raste, edhe më të fortë. Rezultatet e studimeve kanë qenë të qarta: Burrat duan të bëhen baballarë dhe gratë, nëna. Sipas studimit në fjalë, janë edhe më të mëdha përqindjet e burrave që duan të kenë fëmijë, 51% të moshës 21-35 vjeç, kundrejt 46% të grave.
Miti 7. Burrat kanë më shumë nevojë për hapësirën e tyre
Me një fjalë, doli se burrat dashurohen më shpejt dhe duan fëmijë, por duan edhe hapësirën e tyre, duan të kalojnë mbrëmje me shokët, të kenë një “shpellë” ku të relaksohen… Nga ana tjetër, gratë duan vazhdimisht përqafime dhe përkëdhelje. Kështu? Gabim! Në një studim amerikan të vitit 2011, u zbulua se e vërteta është krejt ndryshe. 77% e grave e konsiderojnë hapësirën e tyre personale shumë të rëndësishme, kundrejt 58% të burrave. Pastaj, 78% e grave u përgjigjën se duan vend dhe kohë për interesat e pasionet e tyre, kundrejt 64% të burrave. Më në fund, 35% e grave, kundrejt 23% të burrave, deklaruan se lidhjet shoqërore janë të domosdoshme! Studimi doli në përfundim se, gradualisht, pjesëtarët e çiftit afrohen dhe kanë tendencë të ngjajnë me njëri-tjetrin. Në krahasim me brezat e mëparshëm, më shumë burra preferojnë intimitetin dhe romantizmin në një lidhje, ndërkohë që gjithnjë e më shumë gra, kërkojnë më tepër pavarësi.
8. Burrat janë seksomanë
Djemtë e rinj dhe të lirë mund të jenë më të dhënë pas seksit, por kjo mbase ndodh ngaqë nuk e bëjnë aq shpesh sa do të dëshironin. Në lidhje, gjërat janë ndryshe. Sipas një studimi të bërë me 2000 burra që kanë lidhje afatgjata, ka më shumë mundësi që të jenë ata që mohojnë një seancë seksi dhe jo gratë. Më shumë se 60% e atyre që u morën në pyetje u përgjigjën se e refuzonin seksin më shpesh se partneret e tyre, ndërsa 40% u përgjigjën se të bësh seks një herë në 4 ditë, është e mjaftueshme.
9. Burrat e kanë mendjen te seksi 24 orë në 7 ditët e javës
Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen se “burrat vetëm aty e kanë mendjen”. Disa thonë se e mendojnë seksin çdo 3 sekonda, të tjerë, çdo 7 sekonda apo 2 sekonda, por në të gjitha rastet, ky është një mit.
Një studim i vitit 2011, tregoi se burrat vërtet e mendonin seksin më shpesh se gratë, por vetëm afro 19 herë në ditë, domethënë, afërsisht gati çdo një orë e një çerek. Por, ekziston një e dhënë edhe më interesante: Burrat mendojnë për ushqimin po aq shpesh sa për seksin dhe, pothuajse po aq shpesh sa për gjumin. Me një fjalë, mendojnë me të njëjtën shpeshtësi për të gjitha nevojat e tyre fiziologjike dhe pak më shumë se gratë.
10. Kur burrat ndahen, e harrojnë shpejt lidhjen e tyre
Miti i fundit që do të hedhim poshtë është ai që thotë se, kur mbaron një lidhje, burri kalon 1-2 ditë në gjendje të keqe shpirtërore, më pas e merr veten dhe është gati për aventura të reja. Nga ana tjetër, gratë kalojnë orë të tëra duke qarë dhe duke analizuar se çfarë ka shkuar keq dhe kush e ka pasur fajin.
Një studim amerikan zbuloi se, kur një lidhje kalon një fazë të vështirë, burrat preken më shumë se gratë. Sigurisht, gratë kërkojnë ngushëllim te shoqet, ndërsa burrat duket se i drejtohen pijes. Mbase kjo varet nga fakti që gratë në përgjithësi kanë tendencë ta kuptojnë më shpejt kur një lidhje është duke shkuar drejt fundit, ndërsa burrat, kjo i kap në befasi. Kështu, gratë përshtaten më mirë ndaj kushteve të reja, sepse e kanë menduar dhe stërmenduar shumë në të shkuarën këtë mundësi.
Atëhere? Mendoni përsëri se burri juaj është i ftohtë, i largët, i fortë dhe jo romantik? Mendon vazhdimisht për seksin, ju gënjen pa turp dhe do ta kalojë gjithë kohën me shoqërinë më shumë sesa me ju? Nëse po, atëhere mendoni pozitivisht dhe thuajini vetes që është “i veçantë”, pasi ai përfaqëson përjashtimin nga rregulli!