Data 20 qershor shënoi natën premierë të një filmi të ri
në kinemanë shqiptare.
“Balkan blood” është filmi i zhanrit aksion i cili korri sukses që natën e parë të publikimit të tij në ekranin e madh të kinemasë.
Një bashkëproduksion shqiptaro-kinez arriti të finalizojë një punë të madhe të aktorëve shqiptarë por edhe atyre kinezë. Filmi me regji nga Shou Hao dhe skenar Ou Yuang sjell në role aktorët Yu Chong, Klodian Hoxha, Emi Canaj, Arentina Shakulli, Alvaro Shehaj, Nedi Malsija, Kamber Mici e të tjerë…! Ne intervistuam bashkëproducentin shqiptar, Blemir Dervishin dhe ai na tregon për filmin që duket se ka pushtuar rrjetin e kinemave shqiptare por edhe atyre kineze, por edhe shumë gjëra të tjera nga karriera dhe jeta e tij artistike! Blemiri, ka një karrierë interesante dhe mjaft të veçantë, por për më shumë ju duhet të lexoni intervistën që kemi përgatitur me të…!
Fabjola Kuburi:- Blemir, duke nisur që nga emri yt simpatik, i veçantë dhe mjaft origjinal do thoja që edhe rruga jote në art është e tillë apo jo?
Blemir Dervishaj:- Faleminderit për komplimetin. Dua t’ju falënderoj edhe për intervistën si fillim! Për sa i përket pyetjes tuaj, mund të them që rruga ime në art ka qenë mjaft interesante dhe shpresoj të vazhdojë të jetë e veçantë dhe origjinale ashtu siç u shprehët ju!
– Arsyeja që të ftova për intervistë është filmi më i ri i shfaqur në kinëmatë tona “Balkan Blood” i cili në 20 qershor pati edhe premierën e tij, e finalizuar si sukses i vërtetë. Tani, ti si producenti shqiptar i këtij filmi dua të më tregosh si lindi ideja për të realizuar një bashkëpunim shqiptaro-kinez?
– Kisha kohë që e mendoja të sillja një produksion të tillë në Shqipëri. Së bashku me producentin dhe njëkohësisht mikun tim kinez Cui Ëenchao kemi punuar në disa projekte filmash të realizuara në Kinë, ku unë jetoj dhe punoj prej 6 vitesh tashmë. Kam marrë pjesë në shumë projekte të ndryshme atje si model, aktor dhe producent. Filmat që kemi realizuar janë të zhanrit aksion dhe menduam të realizonim një të tille edhe në Shqipëri.
– Filmi është bazuar në luftën e bandave, mes gangsterësh që duan të fitojnë terren, pushtet në sajë të vrasjeve dhe zhdukjes së atyre që i pengojnë. A është ky një realitet që ne po e jetojmë dita-ditës, ndoshta jo në atë nivel dhune por…? Ajo që dua të them është, a është bazuar filmi në një ngjarje të vërtetë?
-Filmi është i zhanrit aksion dhe si i tillë domosdoshmërisht do ketë skena lufte, vrasje, dhune. Skenari është një krijim artistik dhe nuk është absolutisht i bazuar në ndonjë ngjarje të vërtetë apo karaktere reale.
– E prisnit këtë impakt që pati në kinema në premierë dhe më pas edhe në ditët në vazhdim?
-Jemi shumë të kënaqur nga interesi i vazhdueshëm që është shfaqur nga publiku për filmin. Shpresonim që të kishte një impakt të tillë, duke qenë se e kemi dashur shumë këtë projekt që në fillimet e veta kur ishte thjesht një ide dhe derisa e realizuam.
– Si u përzgjodhën aktorët e kastit, me audicione?
– Aktoret janë përzgjedhur nëpërmjet një audicioni. Pjesëmarrja dhe interesi që kanë shfaqur aktorët për të qenë pjesë e një filmi aksion në Shqipëri ka qenë shumë i madh. Për përzgjedhjen dhe përcaktimin e rolit të secilit prej aktorëve jam kujdesur personalisht.
– Bashkëproducentët tuaj kinezë mbetën të kënaqur nga ky realizim?
– Po. Kanë ngelur mjaft të kënaqur nga realizimi i këtij projekti në Shqipëri. Duke qenë se ky film i ka arritur pritshmëritë dhe gjithashtu të kënaqur nga rezultatet, kemi gati projektin tjetër. Jemi në fazat e fundit përgatitore dhe shumë shpejt do fillojmë xhirimet e filmit tjetër aksion në Shqipëri.
– Filmi është në gjuhën kineze dhe i titruar në shqip, që do të thotë që është më shumë për publikun kinez apo kjo nuk ka të bëjë fare?
– Kemi menduar te zgjedhim gjuhën kineze edhe për lehtësi të aktorëve protagonistë kinezë. Filmi është një bashkëpunim shqiptaro-kinez dhe normalisht është i fokusuar për të dyja vendet.
– Në Kinë është transmetuar filmi?
– Po, filmi është shfaqur në Kinë në të njejtën kohë që është transmetuar edhe në Shqipëri.
– Blemir, është e lehtë të bëhesh i suksesshëm në kinematografi? Më saktë çfarë duhet për të qenë i tillë?
– Si çdo profesion tjetër që ka vështirësitë e veta, që kërkon përkushtim dhe sakrificë ashtu është edhe puna në kinematografi. Është një përpjekje e vazhdueshme për të përmirësuar veten dhe për të arritur suksesin.
– Talenti dhe imazhi janë njëra anë e medaljes që mendoj se të jep një dorë të madhe në arritjen e synimeve në fushën tënde. Tjetra mendoj se është studimi, apo jo?
– Po, sigurisht! Do shtoja gjithashtu pasionin dhe përkushtimin.
– A nuk të duket edhe ty që ka një shtim doze dashurie të publikut shqiptar ndaj filmave të rinj?
– Po, e vërtetë dhe më vjen shumë mirë që publiku po shfaq një tendencë të tillë. Po krijohet një hapësirë për produksionet e reja dhe shpresojme të vazhdoje me këtë ritëm.
-Cilat janë projektet për të ardhmen?
– Do vazhdoj me produksione vetëm të filmave aksion.