Nuk ka burrë që të mos i ketë përdorur në jetën e tij
dhe nuk ka grua në këtë botë, që të mos ketë takuar një burrë të tillë.
Ja, një listë më 10 frazat më të zakonshme, ose më origjinale që përdorin burrat për të çuar në shtrat një grua.
Kështu, do të jeni të përgatitura dhe mund t’i fusni në punë për: a. T’ia mbathur me vrap para një burri të tillë, ose b. Për të përshpejtuar ritmin dhe për t’i vënë në praktikë sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithçka, pra, varet nga ju!
Takimi i parë: Ti dhe ai, një darkë me qirinj, duke u parë sy në sy, gjithçka e përkryer. Pastaj, është koha për t’u kthyer në shtëpi… Ai ju shoqëon deri poshtë shtëpisë dhe, paf! Dëgjohet ajo fraza e zakonshme, gënjeshtra e vogël apo e madhe e tij, që ka për qëllim t’ju çojë në shtrat sa më shpejt të jetë e mundur. Ka nga ata që thonë se, nëse ndodh një gjë e tillë, atëhere e kanë dashur të dyja palët. Mbase është e vërtetë, por nganjëherë, gratë ngecin në përrallën e Princit të Kaltër, aq sa besojnë çfarë u thuhet, vetëm që të gjejnë atë të duhurin. Si të kuptosh nëse një burrë ka qëllime të prapa? Nga fraza që shqipton poshtë shtëpisë, sigurisht! Ja një seri frazash që përdoren më shpesh. Ju takon juve më pas të vendosni nëse doni t’i rezistoni tundimit… apo t’i dorëzoheni atij, siç thoshte Oskar Uajlld.
1. “Ti je e veçantë”, “Askush nuk më ka bërë të ndjehem si ti”, “Je unike”, “Më ke pëlqyer që në momentin e parë”.
Ja, frazat tipike nga manuali, ato që na bëjnë të besojmë se jemi gruaja e vetme në botë që e kemi bërë të ndjehet kështu. Tani, me gjithë respektin që kemi për ju, ju duket e mundur diçka e tillë? Mbathjani me të katra sapo ai të bëjë syçkat si një këlysh qeni i ëmbël… përveçse nëse doni vetë t’u dorëzoheni lajkave të tij!
2. “Rrimë edhe pesë minuta së bashku? Nëse vjen në shtëpinë time, të ofroj një kafe”.
Pastaj, pa dashje, kafeja derdhet mbi këmishën e tij, atij i duhet ta heqë për ta ndërruar dhe paf! Para muskujve të gjoksit të tij, ju kap një dëshirë e papritur dhe, në vend që të lajë këmishën, përfundoni në shtrat.
3. “Një trëndafil për ty, për të thënë se je e veçantë”…
Skena: Ai është burri i vetëm në zyrë që për çdo ditëlindje dhe rast të veçantë u dhuron një trëndafil kolegeve të tij gra, duke u treguar i kujdesshëm që të mos e vënë re të tjerat dhe, duke i dhënë të kuptojë presë së radhës, se është unike për të. Kështu, ju përfundoni në listën e femrave me të cilat ai ka shkuar. Është e qartë, ky është dashnori tipik latin, por gratë nuk e kuptojnë kurrë.
4. “Të pëlqen motorri im? Bëjmë një xhiro me të?”
Thuhet se motorrët, me dy apo katër rrota, janë si një lloj zgjatimi i burrërisë për disa burra. Jo më kot ata harxhojnë qimet e kokës për të pasur modelet e fundit. Kështu, është e lehtë të përdorin makinat sportive apo motorrët për t’i lënë mbresa një vajze dhe pastaj, pas një xhiroje kur ju jeni shtrënguar pas tij, me një shpejtësi 200 km/orë, t’ju çojë në ndonjë vend të izoluar për t’ju treguar një tjetër “makinë”… mbase.
5. “Vjen nga unë? Shohim një film, rehat, rehat”.
Nëntitulli: Kush e ka mendjen te filmi? Dihet që ky është vetëm preteksti, por si zakonisht, vajza bie brenda, duke e menduar djalin në fjalë si një bebe të pafajshme dhe një shembull të vërtetë të sinqeritetit dhe korrektësisë. Pfff.
6. “Je një grua inteligjente”
Ja, një djalë me kulturë, që fut në punë komplimentet e rafinuara dhe jo të dukshme. “Meqë është kaq i thellë sa ka dëgjuar fjalët e mia dhe ka vënë re që jam inteligjente, atëhere ia vlen”, mendoni ju për të. Në realitet, ai nuk ka dëgjuar asnjë gjysmë fjale dhe vështrimin e ka pasur më shumë te dekolteja, duke qenë i kujdesshëm që ju të mos e vinit re.
7. “E bukur varësja jote! Pa ta shoh nga afër…”
Dhe kështu, i afrohet rrezikshëm gojës, duke u përpjekur t’ju rrëmbejë një puthje. Aty, ju takon juve të vendosni nëse doni të vazhdoni, duke çmuar fantazinë dhe guximin e tij (aq më tepër që nuk kishit fare varëse!), ose ta refuzoni, duke i thënë: “Herën tjetër, nëse do ta provosh me mua, më parë më dhuro varësen!”.
8. “Kam romanin e ri të Stefen Kingut dhe e kam lexuar. Hajde tek unë, do të ta jap hua…”
Një version i dashnorit latin intelektual, ai që ju godet në interesat dhe pasionet tuaja. Nuk ka rëndësi nëse është Kingu apo Koeljo, ai e di dhe ju tundon aty ku jeni më e brishtë. Si mund t’i thoni jo? Nëse pranoni dhe shkoni në shtëpinë e tij për të shfletuar librin, ai do të fillojë të zhvishet me shpejtësi pas shpinës suaj…
9. “Jam vetëm, më vdiq e dashura javën e kaluar”.
Mbase pak i tepruar si dialog, por ai luan me tragjiken për të prekur telat e ndërgjegjes sonë, që i ngjan asaj të një motre të Nënë Terezës. Një tip të tillë e takojnë të gjitha gratë, herët apo vonë dhe mendojnë: “I shkreti, ka nevojë për mbështetjen time, nuk mund ta lë vetëm”. Dhe kështu, gjendeni papritur në krahët e tij, e gatshme për të zbutur dhimbjen e madhe që ka, me puthje dhe përkëdhelje, të cilat janë ilaç për të gjitha të këqijat. Po, por… dardha e ka bishtin prapa.
10. “Më fal nëse sonte erdha të të marr me Audin, por Ferrarin e ka marrë im atë”.
Një tjetër i apasionuar pas motorrëve, por që do të tregojë edhe që “ka para”. Nuk mohohet që burrat me para janë joshës dhe në fakt, i përdorin ato për t’u lënë mbresa grave. Pastaj, ju takon juve të vendosni nëse u dorëzoheni lajkave të një burri me para, apo nëse doni ta sillni pak vërdallë, që t’ju dëshirojë pak më shumë. Pastaj, jeni të sigurta se kjo lidhje do të zgjasë gjithë jetën?