– Përshëndetje Dr. Dashamiri!
Unë kam probleme me gjendrën tiroide.
Ekon e fundit e kam bërë para pak kohësh dhe në të, shkruhet kështu:
“Shenja të një gjendre tiroide me shtrirje cervikale, pa shenja për shtrirje retrosternale. Struktura indorelativisht homogjene hyperechoike, me një formacion nodular izoechogjen me hallo hipoechogjene mirë të vaskularizuara me dimension rreth 10 mm x 9 mm për t’u diferencuar me scintigrafi. Lobi i djathtë me volum 10 ml. në kufi sipër të normales. Lobi i majtë me volum 8.6 ml. normal. Istmusi me gjerësi 5 mm lehtësisht i trashur. Trahea e medioponuar dhe e pa komplikuar”. Ju lutem, më thoni, çfarë më sugjeroni të bëj, scintigrafin apo jo, pasi një mjek tjetër më ka thënë që nuk ka nevojë pasi i kam vlerat normale të T3 T4 TSH. Para katër muajsh i kam përsëritur analizat dhe më dolën kështu: T3 1.6, T4 132.0 dhe TSH 1.38. Terapi nuk kam përdorur kurrë. Kam dy vjet që kam këto probleme. Ju, çfarë më thoni? Si të veproj? A duhet të shqetësohem? Anja
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- – E nderuar Anja, edhe pse jeni treguar pak e zgjatur në pyetjen tuaj, informacionin që më keni dhënë e konsideroj të bollshëm dhe shumë esencial. Që në fillim dua t’ju them që tiroidja juaj nuk konsiderohet tiroide normale dhe këtë konkluzion e nxjerr nga përgjigjja ekografike që më keni sqaruar më lart. Diagnoza, në rastin konkret te ju, me terma mjekësore quhet Struma Nodulare e Tiroides. Kjo sëmundje e tiroides është e shpeshtë sidomos në zona të caktuara të vendit tonë që kanë defiçite të mëdha të nivelit të jodit. Si profesionist i fushës mendoj që shqetësimi juaj është shumë herë më i madh sesa është realisht çrregullimi organik i tiroides. Jam i sigurtë se funksionalisht, tiroidja juaj paraqitet normal, ndaj sa kohë tiroidja e ruan funksionin dhe ndikimin që ajo ka në gjithë trupin tonë, konsiderohet gjendërr në parametra normale funksioni. Meqenëse keni dy vjet me këtë problem, do të kishte qenë mirë nëse do kishim parasysh një vlerësim të plotë gjatë gjithë kohës së problemit tuaj, në të gjitha etapat kohore që ju jeni ekzaminuar dhe trajtuar.
– Përgjigjja përfundimtare rreth sugjerimeve në rastin konkret eklipsohet pak, për shkak të mos pasjes së një informacioni më të hollësishëm që nga momenti i shfaqjes së kësaj sëmundjeje dhe konkretisht, do të donim të dinim nëse noduli (gunga) që ju referoni në pyetje ka ndryshuar në dimensione apo ka mbetur i njëjtë. Momentalisht, ju mbetet të mos e neglizhoni problemin, por ta ndiqni në dinamikë dhe konkretisht, me një mjek specialist endokrinolog. Sëmundjet e tiroides janë shumë të vështira si për t’u diagnostikuar, ashtu edhe për t’u trajtuar, ndaj kujdesi duhet të jetë i madh dhe kolegët që do kenë rastin të menaxhojnë problemin tuaj shëndetësor, duhet t’ju rekomandojnë analiza, ekzaminime dhe trajtime konform protokolleve ndërkombëtare të trajtimit të këtyre sëmundjeve. Nëse do të keni paqartësi, ju lutemi të na shkruani sërish rreth situatës suaj shëndetësore. Faleminderit.