Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U dashurova me profesorin tim!

Përshëndetje miq!

Unë që po shkruaj këtë histori jam një lexuese e rregullt e kësaj rubrike dhe do të doja të ndaja historinë time me ju.

Zanafilla e gjithë këtij tregimi është gati 2 vjet më parë.

Advertisement

Unë isha në moshën 17 vjeçare dhe frekuentoja një nga gjimnazet në qytetin tim. Në shkollë kam qenë tip që dallohej menjëherë, kisha shumë shoqëri dhe të gjithë më donin e kisha krijuar njëfarë popullariteti. Në fillim të klasës së njëmbëdhjetë, në shkollën time erdhi një profesor i ri dhe shumë simpatik. Unë nuk kisha as idenë më të vogël që ai ishte profesor, por mendova menjëherë mos ishte një nga djemtë maturantë aty. Në shkollë kishte shumë djem që më ngacmonin dhe më hidhnin fjalë ose shumë herë më propozonin për lidhje, por unë asnjëherë nuk isha lidhur pasi të tillë tip kisha, nuk më pëlqente të kisha besim në shumë njerëz.

Më kujtohet shumë mirë momenti i parë që pashë T.-në, edhe pse ka kaluar goxha kohë. Unë sapo kisha dalë me shoqet e mia për të lënë orën pasi atë ditë isha e papërgatitur dhe të gjitha së bashku vendosëm të mos shkonim në mësim. Rregullat në shkollë ishin strikte dhe neve nuk na lejohej dalja nga shkolla gjatë orëve të mësimit (vetëm në raste emergjente). Kështu, ne vendosëm si shumë nxënës të tjerë të shkollës të dilnim nga ajo hyrja “jozyrtare” si e quanim të gjithë; të kalonim nëpërmjet murit të shkollës. Teksa kaloja nëpër korridor, shikimet tona hasën dhe që në atë moment lindi një tërheqje e padiskutueshme. Gjithmonë ngacmoheshim me njëri-tjetrin dhe shkëmbenim buzëqeshje jo pak herë, por unë vazhdoja të mos e dija që ai ishte profesor në shkollë, pasi mua nuk më jepte mësim dhe duke qenë se në shoqëri isha një tip jo shumë i hapur, ende nuk e kisha marrë vesh. Disa ditë më vonë, teksa rrija me shoqet në orën e fizkulturës, mësova se ai jepte mësim në shkollë vetëm në klasat e maturave nga disa goca maturante me të cilat ne po zhvillonim një ndeshje volejbolli. Gati sa s’më ra pika. Unë isha duke flirtuar me një nga mësuesit në shkollë dhe ky, së jashtmi, dukej një gabim i madh. Doja të ndryshoja situatën sa më shpejt të ishte e mundur  po nuk mundesha; tërheqja që kisha ndaj tij ishte më e madhe dhe nuk mund ta evitoja kurrsesi. Nga fundi i klasës së 11, ai më kishte gjetur emrin në Facebook dhe që aty, filloi të më fliste. Qëllimet e tij ishin më se të qarta, por edhe unë nga ana tjetër nuk mund të mos i ktheja përgjigje. Ndoshta ishte edhe gabim, pasi këto lloj lidhjesh ishin më shumë se të paragjykuara në qytetin tim. Gjatë verës, ne vazhdonim të flisnim. Në Facebook ishin të shpeshta bisedat në të cilat ai më kërkonte numrin e celularit, por unë nuk doja t’ia jepja pasi më dukej shumë herët dhe kisha një pasiguri të madhe në vetvete për atë që do të ndodhte. Ai ishte 26 vjeç e unë 17 dhe diferenca në moshë nuk ishte problemi i vetëm ndërmjet ne të dyve.

Pas bisedave të shumta erdhën rrëfimet që të dy e pëlqenim njëri-tjetrin. Ai më lutej që për këto që po ndodhnin të mos i tregoja njeriu pasi lidhja ndërmjet një profesori dhe një nxënësi ishte e palejuar në shkollën tonë dhe, përveç etikës, kjo do t’i kushtonte atij edhe vendin e punës dhe nuk donte që të rrezikonte kaq shumë. Frika ime sa vinte e shtohej. Muajt e verës kaluan shpejt, ne vazhduam të flisnim gjithmonë e më shumë derisa erdhi një pikë dhe të dy kuptuam se nuk mund të vazhdonim më kështu, thjesht duke folur pa fund dhe kaq. Ai më rrëfeu për ndjenjat e tij, unë gjithashtu dhe më pas, u lidhëm. Gjithçka po shkonte për mrekulli. Fakti që nuk ishim në shkollë kishte ndikuar për mirë dhe mua po më dukej krejt si një lidhje normale. Pastaj filloi klasa e 12 (viti i fundit) dhe lidhja jonë u transformua komplet. Ai më jepte mësim dy herë në javë dhe ne duhet të silleshim në klasë si të panjohur. Kjo ishte shumë e vështirë në praninë e të gjithë atyre të njohurve, që do të na paragjykonin shumë lehtë. Gjatë orëve të mësimit, ne bënim sikur nuk njiheshim fare. Unë për të isha nxënësja që duhet ta dëgjonte gjatë gjithë orës me vëmendje (edhe pse kjo ishte e pamundur). Të gjitha shikimet, e folura, shkëmbimet e buzëqeshjeve ishin të limituara pasi i tillë ishte vendi dhe të tilla ishin kushtet e momentit.

Por, pavarësisht këtyre, lidhja jonë vazhdoi të rezistojë e madje të bëhej më e fortë me kohën. Kjo vazhdoi deri në muajt e fundit të klasës së 12, deri në momentin kur një “shok” në klasën time kishte folur me drejtoreshën e shkollës pasi kishte marrë vesh për lidhjen tonë. Në moment, drejtoresha e shkollës na thirri të dyve urgjent në zyrën e saj. Gjatë gjithë kohës që ajo fliste, unë rrija në heshtje dhe nuk isha në gjendje të thoja qoftë një fjalë, një pohim. Gjatë gjithë kohës mendoja se ç’do të thonin prindërit e mi për këtë, ç’do mendonte gjithë qyteti për mua?! Unë nuk mund të kisha një lidhje jashtë atyre “normave” të bekuara që i kishin vendosur të tjerët e duheshin ndjekur medoemos. Unë nuk mund t’u sillja të tilla probleme prindërve të mi, jo kaq probleme të mëdha! Gjatë gjthë kohës që ishim në drejtori, T. ishte i vetmi që fliste. I kërkonte me ngulm drejtoreshës së shkollës sonë që të mos e bënte problemin të madh, që këto gjëra të mbeteshin brenda asaj zyre dhe aq më tepër, që prindërit e mi mos ta merrnin vesh çfarë kishte ndodhur. Kështu do të shmangej edhe skandali që nuk do ishte i mirë për imazhin e shkollës, por dukej se drejtoresha nuk mendonte në të njëjtën mënyrë. Ajo, menjëherë lajmëroi prindërit e mi dhe të dy u “dënuam” rëndë: T. humbi vendin e punës ashtu si pritej, ndërsa unë, përveçse u përjashtova nga shkolla, më filluan edhe probleme të tjera më të mëdha me familjen time. Prindërit, pas asaj që ndodhi, më thanë ta harroja historinë e dashurisë që kisha nisur dhe më ndaluan shumë gjëra të tjera të cilat unë më parë i bëja lirisht. Me T. takoheshim shumë rrallë dhe kjo kishte ndikuar për keq në lidhjen tonë pasi gjërat kishin filluar të ftoheshin. Ai dukej i penduar, pavarësisht se nuk më thoshte gjë në sy dhe mua më vinte keq për këtë. Ai me fjalë më thonte të mos mendohesha shumë për çka kishte ndodhur sepse ato nuk zhbëheshin më, por ne kishim arritur në pikën kur tashmë asgjë nuk ia vlente. Nga ajo që kishte ndodhur, prindërit më lejonin të dilja gjithnje e më rrallë dhe kjo e kishte kufizuar marrëdhënien tonë. Ishte ai që vendosi të ndaheshim. Ai dukej se pak mendonte për lidhjen tonë, kishte filluar të kërkonte një punë tjetër dhe e kishte mendjen te hallet e problemet e veta, pak kohë kishte për mua dhe kjo ishte shqetësuese. Nuk e mohoj që ndjenjat nuk ishin zhdukur, por ne vendosëm diçka që ishte më e mira për të dy. Unë kisha edhe provimet e maturës dhe gjithashtu, më duhej të përqendrohesha gjithnjë e më shumë atje. Në fund të fundit, jo çdo lidhje përfundon në diçka më konkrete, në një hap të mëtejshëm dhe ky ishte mesazhi im për ju, të dashur miq. Ne vendosëm diçka që ishte e mirë për të dy, pavarësisht ndjenjave që kishim. Jo çdo fund është i lumtur!

Linda

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Një super këngë e bukur shqiptare sapo erdhi nga Prendo

Next Post

Jam me diabet; mund të krijoj familje?

Advertisement