Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nuk jam penduar, bile kam bërë sevap!

Në radhë të parë, dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre prindërve që kur të lexojnë mëkatin që kam bërë, do të mendojnë se unë jam një shembull i keq për fëmijët e tyre.

U mendova gjatë para se ta nisja këtë letër, por më në fund vendosa…

Ndihem shumë në faj për atë që kam bërë dhe dua që të shfajësohem disi, qoftë edhe vetëm duke treguar një të fshehtë që e mbaj në zemër prej shumë kohësh.

Advertisement

Plus që, nga ana tjetër, në këtë mënyrë, shumë nga lexuesit e letrës sime do të mendoheshin mirë para se të vepronin, nëse do të gjendeshin në një situatë të ngjashme me timen.

Tani, unë jam 33 vjeç. Jetoj në një qytet të vogël ku edhe kam hapur një biznes, por nuk ndihem aspak mirë në jetën time. Jam i martuar, por fëmijë nuk kam dhe nuk dua të kem… Mendoj se nuk është mirë të sjellësh në jetë një foshnje të pafajshme, që pastaj ai të vuajë për t’u përshtatur në këtë botë të poshtër, ku mund të jetosh mirë vetëm nëse je maskara ose bëhesh i tillë. Unë jam një nga këta të dytët… Në adoleshencë isha shumë idealist. Mendoja se njeriu nuk duhet t’i bëjë kurrë keq njeriu sepse pastaj e pëson nga Zoti dhe isha betuar se kurrë në jetën time nuk do t’i shkelja kujt në kallo, deri ditën kur kuptova se duke u sjellë kështu, rrezikoja të mos bëja përpara në jetë.

Sapo kisha mbaruar të mesmen dhe nuk kisha ndërmend ta nisja shkollën e lartë sepse shkolla më ishte mërzitur shumë. Pa llogaritur pastaj që nuk isha mirë me mësime. Unë doja të punoja dhe të bëhesha i pasur, si shumë të tjerë në qytetin tim. Pa humbur kohë, sapo mbarova të mesmen, nisa punën te kushëriri im, në një firmë hekurishtesh. Punoja si qen, kur i thonë llafit. Isha i ri e i fuqishëm dhe mendoja se sa më shumë të punoja, aq më shumë do të paguhesha, pa marrë parasysh pastaj faktin që pronarin e kisha kushëri… Vazhdova kështu derisa mora rrogën e parë. Isha shumë i lumtur sepse ajo do të ishte rroga e parë që merrja në jetë, por… Kushëriri m’i dha lekët të mbledhura shuk dhe unë nuk arrita të shihja sa ishin. Nuk kishim folur më parë për pagesë, kështu që unë s’kisha si ta dija se sa do të merrja. Kur i preka parate, m’u dukën shumë. Kushëriri më tha t’i numëroja, por mua më erdhi turp ta bëja në sytë e tij. E falënderova disa herë, duke u skuqur deri te veshët, a thua se ai po m’i falte ato para dhe se ato nuk ishin frut i djersës që kisha derdhur e ika. Padurimi për të parë sa lekë kisha me vete po më pengonte për të hedhur hapat deri në shtëpi. Kur arrita atje, ndihesha shumë i lodhur. U futa në dhomë dhe nxora lekët nga xhepi. Vetëm aty vura re se thuajse të gjitha kartmonedhat ishin 1000 lekëshe (të vjetra) dhe unë, për një muaj punë derrçe, kur i themi ne këtej, kisha marrë vetëm 17.000 lekë. Nuk po gënjej, jo! Kjo ishte e vërteta, për fat të keq. Kurrë ndonjëherë më parë nuk isha ndier më keq se atë ditë, megjithatë, u mundova ta justifikoja kushëririn tim, duke kujtuar se ai shpesh na thoshte se biznesi s’po i ecte mirë, se vazhdimisht kishte probleme… Kështu, unë idealisti, mendova se duke vazhduar punën te fimra e tij, në njëfarë mënyre edhe e ndihmoja që të rimëkëmbej.

Kur e kujtoj atë periudhë më vjen për të qarë e për të qeshur njëkohësisht. Kushëriri im e kishte hapur magazinën e hekurishteve në katin e parë të vilës së tij trekatëshe, e para në atë zonë dhe unë shihja herë pas here atë dhe gruan e tij teksa ktheheshin në shtëpi me qeset e mëdha me ushqime, shumicën e të cilave unë nuk i kisha parë kurrë më parë e jo më t’i kisha shijuar. Dhe, të mendoje se vetëm njëra nga ato qese kishte brenda ushqime që vlenin sa rroga ime e një muaji! E di, do të mendoni se isha ziliqar. Ndoshta, megjithëse unë do të thoja se nuk është kjo fjala e përshtatshme. Në të vërtetë, ndihesha i fyer, i pavlerësuar… Ndihesha si ai qeni që pret një kockë nga padroni i tij barkmadh që ishte edhe padroni im e që nuk ngurronte edhe ta shqelmonte, sa herë i tekej.

Kjo periudhë nuk zgjati më shumë se tre muaj, por kur e kujtoj, më duket sikur kanë qenë tre vjet të tërë. Them “kjo periudhë” sepse megjithëse punova edhe për një vit në firmën e kushëririt tim, erdhi një ditë që shënoi edhe kthesën e madhe të jetës sime. Atë ditë, e pashë si gjithmonë kushëririn të ngjiste shkallët i ngarkuar me qese me ushqime. Kisha diçka për t’i thënë, ndaj ngjita shkallët pas tij, por pashë diçka që ndoshta do të kishte qenë më mirë për mua të mos e shihja…

Ai, sapo ishte futur në portë dhe po grindej keq me të shoqen. Megjithëse nuk kisha përgjuar kurrë në jetën time, kureshtja më shtu të mos kthehesha mbrapsh, por të rrija e të dëgjoja fjalët e tyre.

– Të kam thënë një mijë herë të mos rrish në dritare kur njerëzit punojnë! – ulëriti ai.

– Unë e di vetë çfarë bëj – u përgjigj gruaja e tij me zë të ulët.

M’u duk e trembur. Kurrë më parë nuk e kisha dëgjuar të fliste. Ajo gjithmonë i ngjiste shkallët thuajse me vrap dhe megjithëse ishte gruaja e kushëririt tim, unë të them të drejtën, asnjëherë nuk kisha arritur ta shihja në fytyrë. Kurrë nuk e kisha vrarë mendjen se pse ajo nuk na përshëndeste kur kalonte, bile jo. Mendoja se e bënte ngaqë ne ishim punëtorë të thjeshtë, kurse ajo zonjë e madhe. Zëri i saj i trembur atë ditë më trembi edhe mua. Nuk e di pse e përjetova aq keq.

– Mos më fol mua ashtu! – buçiti sërish zëri i tij dhe unë dëgjova zhurmën e një shuplake të shoqëruar nga një zhurmë tjetër, më e fortë.

Zbrita me vrap shkallët, por nuk u ktheva në punë. Ika në lokalin aty afër dhe mora një teke konjak. Ndihesha shumë keq. Më mirë të mos e kisha parë atë skenë. Megjithëse në fakt, më mirë që e pashë, sepse që nga ai moment unë vendosa të hakmerresha ndaj atij njeriu që po na pinte gjakun dhe që nuk ngopej me këtë, por po i merrte shpirtin edhe asaj gruaje që nuk e njihja, por që mendoja se duhet të ishte një grua e mirë.

Atë natë nuk fjeta. Nuk më linte inati që kisha ndaj kushëririt tim. Doja të bëja diçka të keqe kundër tij, por nuk dija se si. Të nesërmen në mëngjes u ngrita nga gjumi si i dehur dhe me një dhimbje therëse koke, megjithatë shkova në punë dhe me kushëririn tim u solla shumë mirë, si të mos kish ndodhur asgjë. Bile, u solla më mirë se zakonisht… Fillova të bëja me të biseda që nuk i kisha bërë më parë. Fillova t’i qëndroja afër. Kisha vendosur të bëhesha krahu i tij i djathtë, megjithëse më nevojitej mundim i madh për t’u sjellë miqësisht me të. Thashë se e urreja shumë.

Megjithëse ai ishte qen bir qeni, mua filloi të më besonte aq shumë sa nisi të më fuste edhe në shtëpi, kur e shoqja nuk ishte. Aty u binda plotësisht se ai ishte shumë xheloz për të. Gjeta kështu pikën e tij të dobët. Doja t’i ndaja ata të dy. E di që duket makabre ta mendosh, por në fillim dua të sqaroj se nuk kisha asnjë qëllim të keq, apo më mirë, interes për nusen e tij si femër. Doja vetëm t’i ndaja, por pa i bërë asnjë të keqe asaj. Nuk dija si ta gjeja mënyrën për të folur me të, pasi ai e kontrollonte gjatë të gjithë kohës, kështu që vendosa t’i çoja një letër. Çfarë nuk i shkrova atje! I shkrova se ai kishte një grua tjetër jashtë shtetit, atje ku shkonte për të marrë furnizimet. Kjo, me sa duket shkaktoi rrëmujën në shtëpinë e tyre dhe mua më dha mundësi të fitoja më tepër besimin e kushëririt tim, të cilit i thoja se gratë ishin të poshtra…

Vazhdova kështu, me letra, për një kohë të gjatë dhe kënaqesha tmerrësisht shumë kur shihja se si tërbohej dhe e humbte qetësinë kushëriri im për shkak të problemeve në familje. Shumë herë erdhën edhe vëllezërit e saj dhe me sa kuptoja, në atë shtëpi kishte plasur bomba. Për çudi, nuk ndihesha keq, bile kënaqesha shumë, sidomos kur shihja që ai kishte vetëm probleme në firmën e tij, pasi nuk merrej me asgjë, por e kalonte kohën duke pirë.

Pas ca muajsh, gruaja e tij u largua nga shtëpia. Ndihesha i lumtur. Ajo nuk meritonte të qëndronte me atë njeri dhe ai nuk meritonte të bënte një jetë siç e dëshironte. Gjithçka kishte marrë fund në atë familje, falë meje dhe gjithçka kishte marrë fund të biznesin e tij. Firma e tij falimentoi shumë shpejt dhe unë, duke i ruajtur lidhjet që kishte patur ai me firma të huaja dhe falë një shume të mirë parash që e mora në shtëpinë e tij, në një moment dobësie nga ana e tij, munda të ngrija një firmë timen, që tani ecën shumë mirë.

Nuk e di ku është ish-gruaja e tij tani, por e di se i kam bërë një nder të madh, duke e ndarë prej një maskarai që ia nxinte jetën. Është e çuditshme si rrjedhin gjërat në jetë. Në sajë të një maskarallëku unë arrita shumë, por mbi të gjitha, arrita të bëhesha i pasur, gjë që as nuk e ëndërroja. Dhe, nëse doni ta dini, nuk jam penduar aspak për ato që kam bërë, bile mendoj se kam bërë sevap, si i thonë llafit…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Të keqen m'a bëri njeriu më i afërt!

Next Post

Shatrivanët më të famshëm në botë

Advertisement