Unë që po ju shkruaj jam një grua qe sapo kam mbushur tridhjetë vjeçe
e dua t’ju tregoj historinë time të veçantë.
Ka pak ditë që e festova tridhjetë vjetorin dhe me thënë të drejtën,
ia kaluam shumë mirë, pavarësisht se nuk mora urimin e atij me të cilin kisha vite që isha martuar. Ja se pse…
Sapo jam kthyer nga Franca ku jetova për katër vjet. Para se të shkoja në Francë, kisha një dyqan timin me veshje. Dyqani ishte i vogël, por kisha kliente që blinin gjithmonë tek unë dhe isha mirë nga gjenjda ekonomike. Paradite kisha një punëtore dhe pasdite punoja vetë. Edhe pse isha njëzet e gjashtë vjeçe, fitoja më shumë se shumë gra të tjera që ishin më të mëdha se unë dhe që i mbanin burrat. E vetmja gjë që i shqetësonte prindërit e mi ishte se nuk isha martuar ende, si shumë moshatare të miat. Kisha patur lidhje, por më dukej sikur ishin lidhur për interes, meqë kisha një dyqan. Shoqja ime e ngushtë më thoshte gjithmonë se do të më lidhte me vëllain e saj. Asnjëherë nuk i kisha thënë po, por ajo këmbënguli të më takonte me të. Ai jetonte në Francë dhe ishte 5 vjet më i madh se unë.
Nuk ia prisha shoqes dhe u takuam. Ai ishte një djalë shumë i bukur, dukej sikur ishte bërë tamam për mua. U takuam dy-tre herë dhe kur i erdhi koha për të ikur, ai më tha:
– Unë kam filluar të ndjej shumë për ty… Po ti?
– Është akoma shpejt… – i thashë, sepse ashtu ishte. Kishim dalë pak herë, të cilat nuk mund të provonin aspak se çfarë tipash ishim.
– Dua të mos i shkëpusim lidhjet, koha do ta tregojë se nuk kemi gabuar, se jemi bërë për njëri- tjetrin.
– Dakord! – i thashë, më shumë për ta hequr qafe.
Ai, sapo arriti në Francë, më çoi mesazh se kishte arritur shumë mirë. U gëzova që e mbajti fjalën. Pastaj, kisha kohë që nuk kisha patur të dashur dhe seç ndjeva diçka që kisha kohë pa e ndjerë. Në fakt, është bukur kur ke një njeri që mendon për ty e të kujton. Ia ktheva mesazhin dhe kështu, filluam komunikimin e rregullt. Ashtu krejt padashur fillova të ndjeja për të dhe u miqësuam aq shumë sa ai erdhi shumë shpejt në Tiranë dhe pas disa takimesh, vendosëm të lidheshim bashkë. Ai erdhi në shtëpi të më kërkonte dhe prindërit e mi e pëlqyen. Ata u gëzuan shumë sepse kishin kohë që e dëshironin fejesën time. U fejuam dhe ai iku përsëri.
E ndjeva shumë mungesën e tij këtë herë, kështu që vendosëm të bashkoheshim e të jetonim bashkë. Puna ishte se si do të vepronim, nëse ai do të vinte në Shqipëri apo unë do të shkoja atje. Të gjithë ishin të mendimin se nuk mund ta ndërroje Francën me Shqipërinë. Më mirë jetohej në Francë, sigurisht, por unë tashmë kisha një biznes dhe nuk kisha pse të shkoja në një vend tjetër e të rrija pa punë, sepse edhe shkollën e lartë nuk e kisha bërë. Pas shumë mendimesh, mbeta që të shkoja unë në Francë. Të gjithë e pëlqyen vendimin tim. Më përcollën prindërit në aeroport, kështu që edhe unë u martova më në fund. Ai më priti në aeroport dhe dukej shumë i emocionuar. Edhe unë ashtu isha. Franca ishte një mrekulli dhe mendova se nuk kisha pse të mërzitesha më sepse kisha marrë vendimin e duhur. Shkuam te shtëpia e tij. Ai kishte ftuar disa njerëz që i njihte dhe disa të afërm që jetonin atje. Çdo gjë ishte perfekt. Në vazhdim, nga dita në ditë, ne po dashuroheshim edhe më shumë.
Ai ishte shumë i mirë dhe shumë xhentil. Unë merresha me punët e shtëpisë dhe kur ai vinte, e kishte çdo gjë gati. Ai ishte mësuar t’i bënte vetë këto gjëra, prandaj i dukej si një mrekulli dhe më donte përherë e më shumë. Pas muajve të parë, fillova të mërzitesha. Isha mësuar në Shqipëri me punën, me furnizimet, me shoqërinë, që dilnim natën dhe kënqeshim pa fund. Edhe me burrin dilnim, por ishte çdo gjë monotone dhe nuk kishte ndonjë gjë për të cilën të më merrte malli, siç më merrte për ato që bënim me shoqet. Flisja me mamin në telefon dhe çdo gjë që ajo më thoshte më dukej shumë e bukur. Mami e kishte vënë re që isha e mërzitur dhe më tha një ditë:
– Zemër, është koha të bësh një fëmijë. Nuk do ta ndjesh mallin kur të jesh bërë nënë dhe të kesh në duar fëmijën tënd.
Në fakt, kjo ishte një ide shumë e mirë. Në darkë ia thashë burrit tim, por ai u ngrys menjëherë, u ngrit rrëmbimthi e doli jashtë. E mora në telefon:
– Zemër, ku je?
– Kam pak nevojë të eci… – më tha.
– A je mirë?
– Po, po, mos u merakos! Jam shumë mirë.
Ai u kthye dhe ishte qetësuar. Më pa në sy dhe më tha:
– Më fal që reagova ashtu! Kam frikë se nuk jam gati për një gjë të tillë…
– Zemër, më trembe! Fëmija është kënaqësi dhe që të dy nuk jemi të vegjël. Jemi tamam në kohë për një fëmijë.
– Po, zemër, më fal edhe njëherë, u tregova shumë pa takt – tha ai më përqafoi shumë fort, ashtu siç dinte ai.
Kështu e vendosëm dhe nga dita në ditë unë prisja shenjat e para të shtatzanisë, por asgjë nuk po ndodhte. Erdhi koha kur më dolën letrat për të ardhur në Shqipëri. Kisha kohë që kisha ikur dhe po digjesha nga malli. U kënaqa aq shumë me të gjithë, prindërit, kushërinjtë, shoqet. Më erdhi keq vetëm kur kalova nga ish-dyqani im dhe pashë që e kishin kthyer në një birrari. M’u kujtuan kohët e bukura që kisha kaluar aty, sa mirë ndihesha që i fitoja vetë lekët dhe nuk kisha nevojë të më mbante burri e t’i lutesha atij për gjërat që më duheshin. Jo se burri nuk më jepte lekë, por kisha shumë inat kur ia kërkoja. Nejse, tashmë kisha një jetë tjetër. Takova edhe ish-shoqen time, që tashmë e kisha kunatë dhe u kënaqëm shumë bashkë. Duke biseduar, unë i thashë:
– Edhe pak dhe do bëhesh hallë!
Ajo u ngrys, por menjëherë e mori veten.
– Je shtatzënë?
– Akoma, por së shpejti…
Ajo buzëqeshi, por m’u duk se nuk i erdhi shumë mirë. Koha që kisha planifikuar të kaloja në Shqipëri, iku shpejt, kështu që unë u ktheva në Francë. Tashmë e kisha mendjen vetëm të bëja sa më shpejt fëmijën, mirëpo kisha disa dyshime edhe pas bisedës me kunatën.
– Është e çuditshme që nuk po mbetem shtatzënë. – i thashë një pasdite burrit kur ishim ulur në tryezë e ai po hante bukë, ndërsa unë po e shoqëroja. – Ndoshta duhet t’i drejtohemi ndonjë doktori.
– Shumica e çfteve nuk bëjnë fëmijë sapo martohen, është gjë normale – tha burri. – Të presim edhe pak e pastaj do të gjejmë ndonjë doktor të mirë.
– Mirë. – i thashë, por kjo bisedë nuk m’u duk shumë e sinqertë.
Pas njëfarë kohe e ftova mamin dhe babin të vinin e të shihnin se ku jetoja. Ata u kënaqën shumë kur panë se sa mirë ishim sistemuar. Një ditë i thashë mamit:
– Më duket se diçka nuk shkon me burrin tim! Është e pamundur që kemi kaq shumë kohë bashkë dhe unë nuk po mbetem shtatzënë.
– Po ti e ke pyetur atë? – tha mami e cila nuk e priste një bisedë të tillë.
– I kam thënë, por ai thotë që kemi kohë sa të duash!
– Mirë ka thënë, ju të rinj jeni, keni kohë për fëmijë.
– E di, por dhe kur fola me kunatën, ajo seç më fshihte.
– Mos bëj kështu, – tha mami. – Mos dysho, sepse dyshimi është fund i çdo lidhjeje.
E mbyllëm bisedën, por unë nuk ndjehesha e qetë. Sapo ikën prindërit e mi, i thashë burrit:
– Dua të më thuash të vërtetën, se pse nuk mund të mbetem shtatzënë.
Ai, pasi u mendua pak, tha:
– I gjithë faji është i motrës sime. Ajo, kur më tha se do të më njihte me ty, më tha se kishe pranuar të martoheshe me mua edhe pse e dije se unë nuk mund të bëja fëmijë. Unë edhe pak kam për të bërë lekët që duhen për farëzim artificial dhe mendoja se ti ishe dakord me këtë.
– Po pse nuk më ke thënë gjë?
– Mendoja se e dije dhe nuk kishe qejf të flisje për këtë punë, kështu që kur të kisha lekët gati, do ta bënim bisedën. Atë natë kur ti më fole për fëmijë, dola dhe mora motrën në telefon, por ajo më tha se nuk të kishte treguar. Më fal që i lashë punët kështu. Duhet të ta kisha thënë vetë çdo gjë, por e kam shumë të vështirë ta pranoj një gjë të tillë.
Nuk kisha çfarë të thoja. T’i thoja se unë kisha një jetë shumë të mirë, para se të njihesha me të? T’i thoja se më kishte fshehur gjënë kryesore? Çfarë t’i thoja? Asnjë fjalë nuk kishte dobi atë çast. Ndenja edhe pak kohë me të që, kur të ndahesha, njerëzit të mos e kuptonin se si isha gënjyer dhe kështu, u ndamë. Dashuria jonë ishte shumë e bukur, por çdo gjë e ndërtuar mbi gënjeshtrën, nuk zgjat shumë.
Kështu, unë u ktheva në Shqipëri! E kam shumë të vështirë të rifilloj, por besoj se do të arrij të kem edhe unë një fillim të mbarë. Ishin disa vite jo të këqija ato që kisha jetuar me të. Ia kisha kaluar shumë mirë dhe ai bëri shumë gjëra për mua, prandaj edhe është ajo shprehja që thotë: “Ji gjithmonë vetvetja dhe jo dikush tjetër”.
Njerëzit nuk kanë nevojë të gënjejnë për të mbajtur afër një njeri. Nëse një njeri të do, të do për atë që je.