Nga Izet S. Çulli
Ajo medoemos do të gjente kohë të dilte përpara në rrugë thuajse rastësisht,
sa herë që mjeku, dihej, do të kalonte andej.
E, ndalte kinse si padashur për një shqetësim të stisur si: “Kam një gjumë të trazuar dhe shoh pothuajse gjithnjë të njëjtin njeri në ëndrrat e shumta torturuese që përjetoj”, ose: “Kur mund të më siguroni një vizitë të plotë mjekësore”, etj. Llafe breshëri, të cilat i theksonte me një ngarkesë gati trallisëse emocionale. Nuk e di, por erotomania, takimet “dashurore” i donte dhe i sajonte gati në të njëjtin vend, që ajo e quante “të shenjtë” e në ndonjë rast të papërsëritshëm dhe dukej si një skllave ndjenjash tërbimtare e dashurish të papërmbajtura harbimesh.
– E di që tani jam përskuqur në fytyrë e veshë, por të lutem më jep ndonjë ilaç. E dua vetëm nga dora jote. – Më pas i dilte në shteg: – Unë i çmoj shumë, zilepsem, i dua njerëzit, por më beso, ndjehem kaq e dashuruar, oh, sa e dashuruar që jam!
Një herë tjetër, euforike dhe hipertimike, me emocione të gjalla, e gazmuar tejmase i thosh:
– Kam një gosti ndjellamirë në shtëpi, sa mirë do të bënit të vinit dhe ju; do të vajzërohesha më shumë. Me siguri do të na e ngrohnit dhe ndritnit më tepër mbrëmjen ogurbardhë. A do ta kemi këtë fat? Patjetër, doktor! Të faleminderit shumë!
“Sa trillore! – mendoi mjeku. – Përse më falënderon, unë asgjë s’i premtova hiç asgjë!” Ëndrrakotë. Tekamadhe… Nuk e dinte mjeku: I kishte mësuar përmendësh apo i rridhnin ashtu, aq lirshëm mendimet, si në një skenë teatrore.
– Unë nuk jam si gjithë bota, nuk jam si e gjithë bota, mor ta marrça! A e di se shpesh mua më ha dhe kocka, më ha edhe gocka! – dhe dukej sikur kjo shprehje e qetësonte, i pushtonte gjithë shpirtin.
– Ç’sekonda të pamëshirshëm që përjetoj pranë asaj heshtjes tënde joshëse! – Vazhdoi një herë, shpërthyeshmërisht, kur, ç‘është e vërteta, mjeku nxitonte s’di se ku. Po ajo në të sajën: – E sa të dashura, sa jetëdhënëse ishin ato tri rrokje të emrit tënd. – Mbas një ekstaze të tillë vazhdoi: – Për mua, është kaq e dashur, kaq e ngrohtë çdo qelizë e trupit tënd!
Si t’i bënte bisht ai? Si të shkëputej me takt dhe pa e fyer? Po ajo:
– Eh, sikur të pija pak nga dashuria jote! – E sytë iu gjallëruan duke marrë një dritë të veçantë, si e ndezur nga një elektricitet i brendshëm në shpirt. – Po “partneri” s’kishte kohë të mendonte, pale pastaj të kishte kohë për përgjigje. Dhe ajo shkundullonte e shkumëzonte: – Ato labirintet e tua shpirkulluara, ç‘formulë matematikore i zbërthen? – pyeti sakaq tronditshëm. E mbante gjatë vazhdimisht në këmbë pa e ditur se sa, mbasi me sa dukej, në ato çaste nuk e kishte asfare nocionin e pandalshëm të kohës. Niste në kokën e saj projekte nga më të pabesueshmet dhe shprehej se sekondat kalonin shpejt me të, mezi i shtynte minutat e mungesës së tij dhe priste e priste zemërzjarr. – – Mos e prish çatinë, veprën tonë të përbashkët, – tha një herë duke klithmuar. – Mos më plagos e mos më izolo më shumë!
“Mos më ishullo, më mirë të thosh”, mendoi me vete mjeku.
Ai kaloi një ditë krejt shpërfillshëm dhe papritur, kur ajo si rastësisht i doli sërish përpara duke i shprehur kënaqësinë:
– Është një moment kaq fatlumtur që erdhe pikërisht tani, si me porosi. Falmë, të lutem, qoftë edhe një buzëqeshje të ngrohtë, edhe e kursqyer qoftë. Ah, sikur t’i bindeshit zërit tim një grimë të vetme! – Dhe psherëtinte herë pas here, shtrëngonte duart në gjoks e gati sikur i ndalonte frymëmarrja. Më tej: – Një mendim i yti do më ndriçonte me siguri më shumë shpirtin e do depërtonte tejetej në të. Pushtoje dhe noto në shpirtin tim. Më duket sikur flas me zërin tënd, besomë! – dhe mprehte fjalë vetëm fjalë, ashtu pa fre, kur një buzëqeshje i zbriste lehtas tatëpjetë fytyrës dhe një lumturi sikur i kishte veshur ballin…
Doktori, për fat të keq, kishte spitalin pranë shtëpisë së saj dhe donte s’donte ai, andej do kalonte. Ndaj ishte në siklet të madh se e dinte që do ndeshej me të, ngado që të vërtitej.
– A e dëgjon këngën e shpirtit, apo jo?
Dhe paskëtaj nxori nga gjoksi disa letrurina, ashtu zemërngrirë, të cilat ia kishte kushtuar atij, me plotkuptimësi. Ja një strofë nga ato: “Gjendja e ndezur shpirtërore/ ushqen ndjenjat dashurore/ si në fushë dhe në bjeshkë/ ma mban kraharorin eshkë” etj. Vargje të tilla të erotizuara, por një çast iu duk sikur ngurtësoi sytë nga pakënaqësia kur lexoi mimikën e tij të pandryshuar, të heshtur. Qëndronte si e ngrirë, fjalëftohtë, vetëm se kësaj here e ndërpreu vazhdimin e mëtejme të leximit të krijimit të saj poetik, apo ndoshta të marra nga librat e ndoshta shumë syresh i kishte mësuar përmendësh. Se, ç’është e vërteta, ajo lexonte si Pushkinin, Eseninin, Lermontovin, Tagorën, Lev Tolstoin, Stefan Cvajgun.
– Nuk e di po pse më pret rrugën? – Ia ktheu një ditë ai, disi ashpër dhe ashtu mendjeturbulluar. Po ajo dinte ta zbuste situatën e nderë shpeshherë. E pa me një vështrim lutës e të ngrohtë, fytyrës sikur po i rrëshqiste një valë gëzimi e tepruar, e mezipritur dhe u shpreh sakaq:
– Kur takohem me ty, a thua se më pushton një valëz e ngrohtë, e ëmbël e shumëpritur! – dhe dridhej e tëra me buzët e saj epshore dukej sikur shpirtin ia ngrohte shikimi i bashkëfolësit. – Oh, ky moment solemn! – Hoqi në zemër thellë duke përtypur mendime të tjera në kokë. Ç’eufori a ekstazë endej në fytyrën e saj! Ç’është kjo pavendosmëri fatale kaq ngulmuese, ftohtësi e padëgjuar ndonjëherë?” – dukej se po pëshpëriste dhe e vështronte me një shikim disi të kulluar, të pastër.
– E fshehta jonë nuk mund të kyçet gjatë, kuptomë, të lutem, – i tha një herë tjetër intimisht dhe gati shpresëndezur e ashtu hazërxhevap, me një besim të papërmbajtur e rrezëllim gëzimplotë në qelizat e pamjes së saj: “Kjo urë që na lidh ne të dyve, nuk duhet të shembet, apo jo?”, vazhdoi tashmë mendjeveri, zëdrithmuar e me një lumturi, e cila i përshkonte fytyrën dhe që i dukej e pandashme nga ajo e tjetrit.
– Ndërhyrjet e tij, ndonëse të rralla, nuk kishin as fare vlerë.
– Unë kam besim. Mua më ngjan se portreti yt flet më shumë me heshtjen tënde. – Me sa duket kjo ishte arma e fundit që përdori, po nuk ishte e thënë: harbimi i sëmundjes, prushërimi i saj, dëshirat e pamata ëndërrtare, refreni i paprerë i shpresave të humbura, tashmë po e bënin të vetën.
– A nuk e kupton – E pyeti të nesërmen – se shpirti im është i fshehur tek yti në këto çaste, si një shirit i pakëputur magnetofoni? Merri për dore dëshirat tona dhe ke për të parë, shijuar e vlerësuar zjarrishtën gjëmimtare të ndjenjave të mia të dëlira… Pse s’ma ëmbëlson zemrën?
Zemërrrahja dukej se do ta çante gjoksin e tejlodhur. Tani e ndiqte me një shikim tejet të mërishëm… Çdo bisedë e takim me të ishte gati i njëjtë, si një skenë e parapërgatitur artistike, e lexuar me siguri nëpër libra erotikë, që tani shiteshin me kile. Ajo vërtitej në një kah, si fyellit që i bihet në një vrimë. Dialogu nuk ishte dialog, përderisa nuk kishte reagim e përgjigje nga “pala tjetër”. Ajo realisht vetë fliste, vetë skuqej e përskuqej, po vetë dëgjonte atë që thosh dhe kurrë nuk të linte kohë e vend për të folur e as për të menduar. Ngjanin me monologë të pafund e të stisur artificialisht më shumë, por gjithsesi, ai e dëgjonte për politesë dhe ngase ishte mësuar të dëgjonte të sëmurin, gjë që është një art më vete.
I shoqi dhe fëmija i saj i përjetonin me dhembje skena të atilla për së largu, të heshtuar, të lënduar. I kishte ndodhur një shoku të këtij mjeku, dikur, me një femër lëneshë, e cila përpiqej me këmbë dhe me duar e vente-vinte për t’i rënë në sy atij, madje edhe duke i thënë në një rast: “Ty të mungon kryesori: Guximi!”, por kjo ia kalonte. Sa keq për një shfaqje të tillë, për një sëmundje të shprehur mendore, për të cilën ajo as e kishte fare idenë. Sa bukur shprehej nobelisti Kamilio Hoze Sela: “Sigurisht ne duhet të dallojmë qartë gjithçka e jo të marrim për dashuri çrregullimet e sistemit nervor.”
Kujdes, kolegë! Ajo duhet mjekuar seriozisht. Është erotomane!
Marrë nga Libri “Të jesh mjek”