Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kjo dhembje kaq e madhe…

Përshëndetje, lexues të gazetës “Intervista”!

Unë që po ju shkruaj jam Arbeni dhe sot është dita që më kujton tragjedinë e jetës time.

Ju dhe unë gjithmonë kemi dëgjuar “dy gëzime në një ditë”,

Advertisement

por asnjëherë nuk kisha dëgjuar se Zoti mund të të japë edhe dy hidhërime në një ditë. Për të qenë më i qartë, po filloj menjëherë t’ju rrëfej historinë time të dhimbshme.

Kur isha 22 vjeç, prindërit më fejuan me një vajzë nga fshatrat përreth. Ajo quhej Zana dhe ishte femra më e bukur që kisha njohur ndonjëherë. Përveç bukurisë fizike, ajo kishte edhe një bukuri shpirtërore që sot, zor se e gjen te një njeri. Pa ekzagjerim, ishte një zanë e vërtetë, që me magjinë e saj më bëri të dashurohesha marrëzisht. Jeta jonë familjare filloi në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Të dy punonim në kooperativë dhe më pikonte në zemër teksa e shikoja Zanën time që rropatej në ato punë të vështira, duke mos fituar asgjë. Mbas dy vjet martese, ne u bëmë me një djalë, që ishte gëzimi i jetës sonë. Edhe pse në atë kohë ishte shumë e vështirë të rrisje një fëmijë, pasi varfëria ishte ekstreme, ne ia arritëm qëllimit. Djali rritej gjithnjë e më shumë, Zana ishte shumë e lidhur me të dhe përkujdesej për të deri në detaj. Po kështu, edhe djali ishte më i lidhur me të ëmën sesa me mua. Kur ndodhën ndryshimet politike në vitin ’90, unë emigrova në Itali. Nuk mund të lejoja që gruaja dhe djali im të vazhdonin të vuanin në atë fshat të humbur. Në Itali punoja në dy punë derisa mbas dy vjetësh u riktheva në Shqipëri për ta lënë përgjithmonë emigrimin. Ato dy vite ishin sa një shekull për mua. Kurrë nuk isha ndarë nga gruaja dhe nga djali që i adhuroja më shumë se gjithçka në botë. Ne u vendosëm në qytetin e Durrësit dhe mbasi u stabilizuam nga ana ekonomike, vendosëm të bënim edhe një fëmijë tjetër. Në atë kohë, djalin e kishim 10 vjeç dhe familja jonë u bë akoma më e lumtur kur në jetë erdhi Dorina, vajza e vogël. Të gjithë e adhuronim, djali ishte rritur dhe lindja e vajzës sikur ishte një bekim nga Perëndia. Me lindjen e vajzës filluan dhe problemet e para për shëndetin e Zanës. Ajo kishte filluar të kishte probleme me gjoksin. Në fillim, doktorët thanë se kjo ishte një gjë normale, se ndodh te një pjesë e grave kur i heqin qumështin fëmijës. Kishin kaluar gati pesë vjet dhe Zana kishte filluar të ankohej çdo ditë e më shumë për dhimbje të forta gjiri. Kjo bëri që t’i bënim një kontroll të imtësishëm. Kisha lënë takim me doktorin dhe shkova të merrja përgjigjen e analizave, kur mësova se Zana kishte tumor. Nuk e kisha parë ndonjëherë veten në atë gjendje që të qaja si fëmijë para doktorit, i cili qëndronte në këmbë duke më ngushëlluar se ekzistonte mundësia që Zana të shpëtonte duke ia hequr njërin gjoks. Gjithë rrugën, nga spitali deri në shtëpi e lava me lot. Trokita në derë dhe si gjithmonë, derën e hapi Zana. Fëmijët ishin në shkollë. I përlotur, e përqafova me gjithë fuqinë time. Doja ta mbaja ashtu në krahë përgjithmonë.

Që pas marrjes së përgjigjes së analizave nuk kishte më gëzim në jetën tonë. Të dy ne qanim fshehtas fëmijëve, por djali ishte bërë 15 vjeç dhe na kuptonte. Gjithmonë më pyeste për të mësuar të vërtetën. Bashkë me Zanën vendosëm që ajo do ta hiqte njërin gjoks, për të shpëtuar tjetrin dhe kështu bëri. Ajo ndjehej aq keq përballë meje pas operacionit dhe unë mundohesha që ta qetësoja duke i thënë se e adhuroja, edhe sikur të ishte e verbër. Bashkimi me të ishte dhurata më e bukur që më kishte bërë Zoti. Menduam se pas operacionit të parë gjithçka kishte përfunduar mirë, por nuk ishte ashtu. Mbas gjashtë muajsh ajo filloi të kishte probleme edhe me gjoksin tjetër. Mbas vizitës që bëmë, doktorët nuk i dhanë më shpresë Zanës për të jetuar. Kjo ishte pjesa më e tmerrshme e jetës sonë. Nuk di si t’jua shpjegoj këtë periudhë, nuk kishte ditë që ne të mos qanim. Dhembjen e saj e ndjeja edhe unë, edhe fëmijët, edhe prindërit e saj dhe gjithë të afërmit tanë. Çdo ditë i luteshim Zotit që të na e linte në jetë Zanën sepse edhe unë, edhe fëmijët, kishim shumë nevojë për të, por mëngjesin e asaj dite marsi nuk kam për ta harruar kurrë, kur Zana i mbylli sytë në krahët e mi, duke m’u lutur të kujdesesha për fëmijët dhe për lumturinë time. “Më premto që nuk do të biesh në depresion”, më lutej ajo me lot në sy. Si mund t’ia premtoja unë një gjë të tillë, kur e dinte që ajo ishte lumturia ime, gjëja më e bukur që më kishte ndodhur në jetë?! Tashmë për ne kishte nisur dhimbja. Dorina, vajza e vogël, herë pas here e kërkonte mamanë e saj, por ai që e ndjente më shumë mungesën e Zanës ishte djali, i cili ishte i lidhur shumë ngushtë me të. Që pas vdekjes së saj, atij nuk i qeshi më buza, ashtu si edhe mua. Ai ishte në moshën më delikate dhe unë duhet të isha edhe nënë, edhe baba për të. Ditët kalonin shumë shpejt dhe bashkë me fëmijët, ne e kujtonim gjithmonë Zanën duke shkuar në varrin e saj dhe duke i çuar lule të freskëta. Unë shkoja një herë në javë, ndërsa djali shkonte përditë, madje shokët e tij më kishin treguar se kishte raste që shkonte edhe dy herë në ditë dhe një gjë e tillë kishte filluar të më shqetësonte. Mësimet ai kishte filluar t’i linte pas dore e nuk studionte më si më parë. Unë mundohesha t’ia mbushja mendjen se jeta vazhdon, i tregoja se Zana do të ishte shumë krenare nëse ai do të bëhej një djalë i mirë dhe i zoti për veten e tij, por…

E mbaj mend si sot atë dite të muajit mars kur Zana mbushi një vit që kishte vdekur. U ngrita në mëngjes herët, shkova në dyqanin ku kisha porositur një tufë të madhe me trëndafila, për të përkujtuar dashurinë time që tashmë nuk jetonte më. Shkova te varri dhe qaja i dëshpëruar për humbjen e saj. I lutesha që ajo të më ndihmonte duke më dhënë forcë që ta përballoja humbjen e saj. Doja të bëhesha i fortë për të mbajtur fëmijët. Nuk di sa kisha ndenjur mbi varrin e saj duke qarë, kur zilja e telefonit bëri që unë t’i fshija lotët dhe t’i përgjigjesha telefonatës. Ishte vëllai im, i cili më tha se duhet të shkoja urgjent për në shtëpi. Nuk ma tha arsyen përse, por e kuptova se diçka kishte ndodhur. Më shkoi mendja te nëna ime që ishte e vjetër në moshë dhe e kisha lënë vetëm me fëmijët. Teksa po ngjisja shkallët e pallatit, po dëgjoja të qara dhe të bërtitura që thërrisnin emrin e djalit tim. Nuk po i ngjisja dot shkallët, gjunjët m’u prenë, diku në cep të shkallëve pashë gjak. Nuk dija çfarë të mendoja kur përpara më doli im vëlla, i cili më përqafoi dhe më mbante prej krahu, duke më thënë që të bëhesha i fortë se Arditi na kishte lënë. U ula mbi trupin e tij dhe po qaja me të madhe. Dëgjoja nënën që mallkonte Zanën duke i thënë: “Pse na e more djalin?”. Nuk arrija të kuptoja asnjë gjë, isha në një gjendje shumë të keqe.

Vëllai më tregoi se ai ishte nisur për të shkuar te varri i së ëmës. Duke zbritur shkallët e pallatit, i kishte rrëshqitur këmba, koka i kishte kapur në mur dhe kishte pësuar vdekje të menjëhershme. Menjëherë më shkoi mendja te Zana, që ishte shumë e lidhur me Arditin. Mbas asaj që dëgjova fillova ta mallkoja Zanën duke qarë mbi trupin e djalit. “Si munde të ma bëje një gjë të tillë? Si nuk të erdhi pak keq për mua?”. Edhe tani që po e shkruaj këtë histori më duket si një ëndërr e keqe, madje shumë prej jush nuk kanë për ta besuar, por është një ngjarje e vërtetë, të cilën unë e përjetova me shumë dhimbje. Tashmë familja jonë është ndarë në dy pjesë; Zana me Arditin jetojnë në parajsë, ndërsa unë me vajzën jetojmë në këtë botë, ku çdo ditë e më shumë mundohemi t’i bëjmë ballë dhimbjes për njerëzit më të dashur, të cilët na braktisën duke na lënë në vetminë tonë. Vajza tashmë është rritur, ajo është në klasën e dytë dhe unë jetoj vetëm për të, duke ia plotësuar të gjitha kushtet që të bëhet e zonja e vetes. Çdo mbrëmje para se të fle i lutem Zotit që shpirti i Zanës dhe i Arditit të prehen në paqe dhe mua të më japë forcë të përballoj deri në fund të jetës sime këtë dhembje kaq të madhe.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Erdhi kënga e shumë pritur nga Magrib Muçiqi

Next Post

Më nxori vjehrri nga shtëpia!

Advertisement