Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

I fala veshkën, por nuk shpëtoi…

Të dashur lexues, besoj se kur të lexoni këtë histori,

do të prekeni shumë,

por po ju them në fillim se tashmë e kam kaluar pjesën më të rëndë të saj dhe po mundohem të eci përpara, megjithëse është shumë e vështirë.

Advertisement

Zoti më dha dy fëmijë të mrekullueshëm, një djalë dhe një vajzë. Të dy i pata fëmijë shumë të mbarë dhe asnjëherë nuk më sollën ndonjë problem të madh. Ishim një familje shumë e lidhur dhe shumë e lumtur. Pas rritjes dhe shkollimit të tyre, mendoja vetëm ditën kur do të bëhesha gjyshe, mirëpo asnjëherë nuk e mendova se dita kur mora vesh se do të bëhesha gjyshe, do të ishte dita më e keqe deri atë moment dhe dita që do të niste një periudhë plot vuajtje për mua dhe për familjen time.

Në moshën njëzet vjeçare, vajza ime u diagnostikua me diabet. Në fakt, është një sëmundje që kap më tepër të moshuarit, por ja që edhe sëmundjet bëjnë përjashtime. E veçanta e këtij lloj diabeti të vajzës sime ishte se nuk mund të lindte fëmijë, sepse veshkat e saj ishin në gjendje jo të mirë dhe një shtatzani do të ishte fundi për të.

Në atë kohë, vajza ime ishte beqare dhe ky ndalim nuk m’u duk ndonjë gjë e madhe në krahasim me sëmundjen e saj. I merrte rregullisht ilaçet dhe kështu vazhdoi jeta e saj. Në moshën njëzet e pesë vjeçare, ajo u dashurua me një djalë dhe pas një viti, u martuan. Që në fillim i kishim thënë burrit të saj për sëmundjen. Ai ishte i shkolluar dhe një djalë i mrekullueshëm që i kuptonte të gjitha gjërat. Bëmë një dasëm të madhe dhe unë isha shumë e lumtur që ia arrita kësaj dite, duke ditur se sa keq e kisha patur vajzën me shëndet. Sa herë i kishte rënë diabeti dhe për pak i kishte shpëtuar komës diabetike dhe sa herë e kisha menduar se nuk do të arrija ta shihja nuse! Mirëpo kisha një merak të vogël, kështu që atë ditë e tërhoqa pak mënjanë dhëndrrin dhe ia kujtova edhe një herë që të ishte shumë i kujdesshëm me vajzën. Ai më qetësoi se nuk kisha pse të merakosesha për këtë punë.

Martesa e tyre po shkonte shumë mirë. Edhe familja ime ishte mirë. Të gjithë punonim; burri, djali dhe unë. Kishim edhe një shtëpi të mjaftueshme. Djali im akoma nuk ishte fejuar. Edhe pas martesës së vajzës unë nuk e largova shumë larg atë. E bindëm dhëndrrin të merrte me qira një shtëpi afër tonës. Kështu, e ndihmoja shumë vajzën dhe e kisha nën kontroll. Ajo ishte e madhe tani, por unë isha mësuar me tekat e sëmundjes së saj dhe kisha frikë ta mbaja larg. E kisha mësuar ta mbante veten shumë, kështu që shumicën e kohës na gjeje te  parukierja e cila tashmë ishte si një mike e jona.

Ishte festa e Vitit të Ri. Të dyja ishim në kuzhinë dhe po merreshim me shërbimin e darkës së Vitit të Ri, kur ajo m’u afrua dhe më tha:

– Ky vit do të jetë viti më i bukur i familjes sonë!

– Ashtu do të jetë, zemër – i thashë dhe kur u ktheva ta shikoja e ta puthja, pashë se ajo kishte diçka për të shtuar.

– Zemër, të ndërpreva?

– S’ka gjë, mami. Doja të të thoja se sivjet do të bëhesh gjyshe.

– Çfarë? Është shaka? Ti e di se si na kanë porositur doktorët…

– E di, por nganjëherë doktorët nuk kanë çdo gjë nën kontroll. Pastaj, dua edhe unë të kem një fëmijë timin. Pse, nuk mund të bëj asgjë pa të marrë leje ty?!

Kjo fjalë më dhembi shumë. Ajo mendonte se unë e kontrolloja në çdo gjë. Unë kujdesesha për të, por nuk e kisha kuptuar se ajo ishte e madhe, se ishte jeta e saj dhe vendoste ajo për të.

– Unë jam kujdesur për ty, zemër, por jeta është e jotja dhe e di vetë se ç’duhet të bësh. Unë jam nënë dhe merakosem si gjithmonë. Mua do të më kesh pranë për çdo gjë që të të duhet.

– Faleminderit, mami. Çdo gjë do të shkojë mirë, ta garantoj unë, sepse e dua me gjithë zemër këtë fëmijë.

– Ashtu do të shkojë, zemër! – u mundova t’i jepja asaj kurajo, por përbrenda, për vete, po vdisja nga dhimbja për këtë që sapo mora vesh.

Ajo e përballoi shumë mirë shtatzaninë. Ishin muaj të gjatë dhe shumë të stresuar, por dhe të bukur kur shikoja barkun e saj tek rritej dhe mendoja se do të bëhesha gjyshe.

Edhe lindja shkoi shumë mirë. Ajo lindi një djalë të mrekullueshëm dhe vetë ishte shumë e lumtur. Të gjithëve na gëzoi ky fëmijë. Ishte nipi i parë dhe shumë i bukur. Muajt e parë vajza ishte mirë, por më vonë ajo u ndje shumë keq nga veshkat. Mjekët e shtruan në spital dhe na thanë se e vetmja zgjidhje do të ishte dializa, pasi veshkat e saj nuk funksiononin. Këto fjalë të mjekëve ne na vinin si thika në zemër. Ishim prindër dhe e kishim si dritën e syve. Ajo përpiqej të mos e jepte veten ndonëse ishte shumë e sëmurë se nuk donte t’ia hidhte fajin shtatzanisë. E pranoi dializën. Të bënte dializën ishte shumë e vështirë për të. Duhej bërë shpesh. Djalin e mbaja më shumë unë që ajo mos të lodhej e të shkonte mirë me shëndetin. Edhe kështu, ajo po vuante shumë, por asnjëherë nuk e pranoi se kishte bërë gabim që lindi këtë fëmijë. Një ditë, kur ishte shtrirë në shtrat në spital e po bënte dializën, ajo më tha:

– Çfarë po mendon mama?

– Asgjë. – i thashë.

– Po mendon se po të mos kisha mbetur shtatzënë, tani do të isha mirë?

– Jo, zemër, ç’është ajo fjalë?

– Nuk ke pse të mërzitesh, mama. Edhe po të mos lindja fëmijë, veshkat e mia nuk do të shkonin shumë gjatë. Të paktën tani po lë prapa diçka timen.

– S’ka gjë… unë jam gjithmonë me ty… – i thashë dhe ktheva kokën nga ana tjetër për të fshehur lotët që ishin gati të dilnin nga sytë e mi të lodhur.

Mjekët na e bënë të qartë se dializa ishte një zgjidhje e përkohshme dhe se vajza duhet të bënte transplant. Meqenëse kushtonte shumë, po t’ia jepnim veshkën ne të familjes, shpenzimet ishin të përballueshme. Vendosa t’ia jepja unë veshkën. Bëra analizat dhe mjekët më siguruan që ishte e mundur kjo, pasi veshkat e mia ishin në rregull dhe kështu u bë. Shkuam në Itali dhe kryem transplantin. Ajo kishte merakun tim dhe mendonte se po vinte në rrezik edhe jetën time.

– Tani që je nënë vetë, e kupton se jeta e nënës nuk ka rëndësi aq sa ka ajo e fëmijës së saj. – u mundova ta qetësoja.

– Po, nënë, ashtu është. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për mua.

– Të dua shumë, bija ime! – i thashë dhe e përqafova fort. Ishte gjëja më e çmuar në jetën time.

Pas transplantit, u kthyem në shtëpi. Muajt e parë ajo e mori veten, por pas pesë muajsh nisi të kishte shumë dhimbje. E shtruam prapë në spital, por mjekët nuk ishin optimistë. Veshka ime nuk ishte përshtatur me trupin e saj. Të gjitha organet e saj ishin të lodhura nga diabeti dhe trupi nuk mund të reagonte pozitivisht.

Ajo po shkrihej dalëngadalë, çdo ditë e më tepër.

Djali i saj ishte shumë i trishtuar, kërkonte vetëm të ëmën e donte të rrinte me të në spital gjithë ditën. Mundoheshim ta merrnim me të mira, por ai seç ndjente e nuk pajtohej me asgjë. Burri i saj i rrinte afër dhe shpeshherë e shihja tek strukej në ndonjë cep e qante. Një ditë iu afrova e i thashë:

– Nuk ke pse e akuzon veten për asgjë. Ajo donte medeomos të linte diçka prapa.

Ai pohoi me kokë, por e di se thellë-thellë ndihej fajtor për shkaktimin e kësaj gjendjeje. Të gjithë ishim të mërzitur e të dëshpëruar nga kjo.

Ajo nuk mundi t’i bënte ballë sëmundjes dhe u dorëzua. Luftoi gjatë, por trupi i saj nuk iu bind. Ajo iku dhe ky, për mua, ishte fundi i botës. Asgjë tashmë nuk kishte rëndësi. Para se të mbyllte sytë përgjithmonë, më tha:

– Mama, të lutem, mos u mërzit. Qëndro e fortë dhe mendo për djalin tim!

Ishin çastet më të tmerrshme, që nuk ia uroj asnjë nëne t’i përjetojë. Në fillim, edhe pse ajo më kërkoi të mos mërzitesha e të bëhesha e fortë, nuk munda ta përballoja humbjen e saj, sidomos ditën kur atë e mbyllëm në dhé përgjithmonë. Edhe pse të gjithë më kujtonin se duhej të jetoja për nipin tim, nuk e mendoja aspak, vetëm doja të ishte gjallë ime bijë. Dhëndrri e çoi djalin te nëna e tij, por shpejt e solli sepse djali nuk ishte mësuar me ta e nuk rrinte. Ishte rritur me ne dhe për më shumë, kërkonte nënën e tij.

Më duhej ta mblidhja veten, edhe pse ishte shumë e vështirë. Ashtu bëra. Edhe burri im, ashtu bëri dhe djali im, gjithashtu. Përpiqemi ta harrojmë, megjithëse është shumë e vështirë, por mendojmë se kemi një detyrë që na e la ajo: Djalin e saj! Ne tashmë jetojmë që amaneti i saj të plotësohet, sepse zemra jonë është e vështirë të shërohet.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Oriola Marashi pushton skenat botërore të modës..!

Next Post

U martova në burg!

Advertisement