Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ai më çoi drejt vdekjes!

Përshëndetje, gazeta “Intervista”!

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë rreth të njëzetave që për hir të dashurisë, ka kaluar nëpër sfida shumë të rrezikshme.

Jam nga një qytet i vogël i Shqipërisë, lehtësisht i paragjykueshëm nga shumë njerëz dhe kjo ka ndikuar në shumë veprime të miat.

Advertisement

U rrita në këtë qytet dhe aty vazhdova të jetoja derisa mbarova gjimnazin. Kam qenë një nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe shumë më kishin zili deri në momentin që u njoha me G.G. Ai ishte një djalë në të njëjtën shkollë me mua, madje e kisha në klasë paralele. Ne u njohëm rastësisht me anë të një shoqes sime dhe që atë ditë, pati një tërheqje të padiskutueshme nga ana e të dyve. Atë ditë nuk e kisha menduar se ai do të ishte njeriu që do të shkatërronte çdo gjë që unë kisha ndërtuar deri në ato momente në jetën time, madje edhe vetë mua. Me kalimin e kohës u njohëm më mirë dhe pas disa javësh, ne u lidhëm. Gjatë kohës që ishim të lidhur, unë u dashurova aq marrëzisht pas tij, sa fillova të harroja çdo gjë që më rrethonte. Në familje e kisha humbur plotësisht identitetin tim, ndërsa në shkollë kisha një ecuri jo të kënaqshme si një nxënëse e shkëlqyer që kisha qenë deri në atë moment. Përpos këtyre, lidhja me G.-në po shkonte shkëlqyer. Kjo, deri në momentin që familja e tij vendosi të transferohej në Tiranë për arsyet e veta. Për mua, kjo ka qenë një periudhë shumë stresuese. Kur ai më tha se do të shkonte të jetonte në Tiranë, fillova të qaja si e çmendur dhe kalova në veprime vetëshkatërruese. G.-ja mundohej të më qetësonte. Ai më thonte se do të takoheshim shumë shpesh, se do më shkruante gjithmonë dhe do flisnim gjatë gjithë kohës në telefon, por këto ishin për mua premtime me vlerë dhe unë u mundova ta mbaja disi veten. U mundova për hir të tij, pasi atij i besoja më shumë se gjithkujt. Në muajt e parë ndodhi pikërisht ashtu si tha ai; flisnim pothuajse gjithë ditën, ai vinte shpesh të më takonte dhe dukej se gjërat po shkonin mirë, por kjo nuk do të zgjaste edhe për shumë kohë. Ashtu siç e prisja, gjërat filluan të ftoheshin dalëngadalë dhe lidhja jonë po shkatërrohej. Ai nuk më tregonte asgjë, megjithëse unë e dija, e ndjeja se diçka kishte ndodhur, pasi gjërat nuk ishin më si më parë.

E gjithë kjo “katrahurë” në lidhje po më çonte në probleme të mëtejshme. Nuk po merresha pothuajse fare me shkollën, megjithëse isha në vit të fundit dhe duhet t’i jepja rëndësi maksimale asaj. Në fund të fundit, unë në po të njëjtin vit do vendosja për të ardhmen time. Mbyllesha gjithë ditën në dhomë, prisja me padurim orën që ai do të më telefononte dhe bëhesha si e çmendur kur kjo nuk ndodhte. Me shoqërinë shfaqja një histerizëm të tepruar, grindesha për arsyet më të vogla dhe shpesh, edhe pa arsye. Kjo më kishte bërë të largohesha prej mikeve të mia më të mira pasi ato ishin më shumë se të zhgënjyera prej meje. Unë madje nuk e kuptoja gjithë ndryshimin që po më ndodhte si individ dhe mendoja se kjo ishte një gjë fare normale. Nuk e llogarisja faktin që shumë njerëz po lëndoheshin prej meje pasi në mendjen time ishte vetëm G. Mesazhet, telefonatat dhe takimet filluan të rralloheshin gjithmonë e më shumë dhe unë shkatërrohesha më tepër. Ashtu siç pritej, kjo ndikoi shumë në shkollë pasi në provimet me zgjedhje të maturës dola shumë dobët (në të dy mora 5) dhe nuk arrita të grumbulloja pikët e duhura për të vazhduar shkollën e lartë. Kjo ishte një goditje e madhe për mua, pasi shkollën e lartë e mendoja edhe si një mundësi perfekte për të qëndruar afër me G.-në.

Gjatë verës kalova në depresion dhe, për pasojë, u përpoqa të vetëvritesha duke helmuar veten me një mbidozë ilaçesh. Shpëtova për një fije! Familja ime ishte e tmerruar dhe e shkatërruar nga veprimet e mia, por ndërkohë që unë vazhdoja të mbytesha në stres, G.-ja as që e mori mundimin të vinte të më takonte në spital, megjithëse e dinte çfarë më kishte ndodhur. Mesazheve të mia nuk u përgjigjej, ndërsa telefonin e hapte shumë rrallë, duke gjetur justifikime nga më të ndryshmet.

Erdhi periudha e fillimit të universitetit. Prindërit e mi u siguruan të shkoja në një shkollë private duke qenë se ishim në gjendje të mirë ekonimike dhe unë duhet të vazhdoja studimet, pavarësisht të gjithave. Mora edhe një shtëpi me qira të cilën e ndava me një shoqen time. Shtëpinë u sigurova ta gjeja vetë dhe e gjeta afër shtëpisë së G.-së sepse kurrsesi nuk e pranoja ndarjen nga ai. Fakti që e dija se ku e kishte shtëpinë, më kishte ndihmuar ta përndiqja në shumë momente dhe jo pak herë, t’i çoja dhurata, madje shpesh e kam tepruar duke çuar shuma të ndryshme në lek, para të cilat familja ime m’i sillte për të jetuar më mirë se të tjerët. Këto veprime ishin të vazhdueshme dhe besoj se edhe të bezdishme për G.-në, derisa një ditë e pashë me një vajzë tjetër në lagjen tonë. Ishin duke qeshur dhe shumë të afruar me njëri-tjetrin. Në atë moment, u bëra histerike në kulm dhe bëra një superskandal në rrugë. Të gjithë i kishin sytë nga unë, por mua aq më bënte! Isha çmendur komplet dhe e kisha flakur tej identitetin tim të mëparshëm. Depresioni më kishte gërryer komplet dhe nuk mendoja qartë. Ashtu, në lot e çmenduri, u ngjita në shtëpinë time dhe aty preva damarët. Falë Zotit, shoqet e mia të dhomës kishin një kopje të çelësave me vete dhe erdhën në kohë. Ashtu, të tmerruara, morën ambulancën në telefon, më çuan drejt QSUT-së e për gjithçka më tej u kujdesën ato. Prindërit e mi nuk i lajmëruam, pasi ata mjaftueshëm ishin shkatërruar me mua! Kjo do të ishte një goditje e tepërt për ta. Dola nga spitali dhe dashuria e përkujdesja e shoqeve më të mira në botë më ndihmoi të merrja veten dhe të shërohesha si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht, të kaloja depresionin.

Tashmë e kam harruar plotësisht G.-në. Edhe pse jemi në të njëjten lagje dhe e shoh shpesh, për mua, ky është një kapitull i mbyllur. Kam vendosur të mos dashurohem më, pasi dashuria e madhe sjell vetëm shkatërrim dhe dhimbje, por gjithsesi, jeta vazhdon!

Ana.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Më nxori vjehrri nga shtëpia!

Next Post

“Peng në zemër” bomba në ardhje e Enjela Qemës…!

Advertisement