Tregim Jakup B. GJOÇA

Një jehonë e largët më buçiste, sa mezi hapa treta mendimet e një endrre, dhe hapa sytë, duke kthelluar edhe mendimet në zgjimin tim. Alarmi i celularit ulëriste aq kohë, sa më bëri të kuptoja, që ishte zilja e zgjimit. Pashë orën. Kishte kaluar 15 minuta nga ora e zgjimit. E mbylla alarmin e celularit, por nuk munda të ngrihesha. Pagjumësia më këputi, sa koka ime ra mbi jastëk, si gjethe peme e rrëzuar nga flladi i erës. Mbylla sytë, më tepër të kthellohesha, sesa të riflija. E kuptova që po vonohesha, sa edhe mund të humbisja autobuzin, që do të çonte tek stacioni i trenit, po nuk gjeta forcë të çohesha. Isha i vdekur nga pagjumësia. Nuk kisha më shumë se 40 minuta gjumë. Tërë natën kishim biseduar me Eldën… U çova dhe ashtu, me ngutje, u lava dhe u vesha e dola nxitimthi, të arrija autobuzin… Jashtë ishte ende natë, bryma kishte shtruar një shtresë të bardhë, thua se ishte dëborë… E ftohta e mëngjezit, që m’u përplas në fytyrë, më freskoi. Autobuzin mezi e arrita. U ula në ndjenjëse dhe mbylla sytë, të përfitoja sadopak minuta të gjumit të humbur… Ndjeva një të shtyrë në sup, sa u drodha. Dikush rrinte mbi kokën time. Më fliste, por unë nuk e kuptoja gjuhën. Pashë nga dritarja, stacionin e trenit. Autobuzi, ende priste, ndërsa pashë disa udhëtarë të autobuzit, që vështronin mua. Rrëmbeva çantën dhe dola nga autobuzi. Ai, që më shkundi nga dremitja, ishte përçdoditë me mua, dhe ndoshta e kuptoi, që më kishte zënë gjumi, ndaj e mbajti autobuzin dhe më foli mua. Edhe treni, atë mëngjez kishte ardhur dhe priste në stacion… Përshkova vagonët, derisa mbërrita në vagonin e parë, që të kisha daljen nga stacioni ku do zbrisja, sa më afër…. Në vagon kishte vetëm 4 udhëtarë, që secili kishte zënë ndenjësen e vet. Të gjithë dremisnin. Do të udhëtoja mbi 40 minuta, ndaj edhe unë u ula diku, ku isha vetë, dhe sa u rehatova, hapa celularin. Elda e kishte jeshile dritën e mesengerit. Ndoshta pret mua, ndaj i rashë ziles. Tani ajo është një orë para meje, dhe patjetër është zgjuar. Më pret mua. Si çdo mëngjez, flasim, para se unë të iki. Sot, u vonova, ndaj nuk munda ta marr tek shtëpia. Elda çdo mëngjez, më hap kamerën, më puth dhe më flet ëndrrën që pa. Unë e dëgjoj dhe qesh. E di, që Elda nuk ka parë asnjë ëndërr, por çdo mëngjez, më rrëfën ëndrrën e saj, ku bashkë diku jemi, diku udhëtojmë, diku flasim. Elda më rrëfen, që unë e puth I pari, edhe pse ajo nuk do, pastaj, e pushtuar siç është nga përqafimi im, I dorrëzohet e bindur puthjes time… Unë qesh, duke e dëgjuar, nganjëherë edhe e ngacmoj: “Si të të besoj, që tani çdo natë në ëndërr shikon vetëm mua?”. “Pse, nuk më beson?”, “Dua të të besoj, po e di që nuk më ke parë..”- I them. “Sa I keq bëhesh”, “Pse?”- I them”. “Që nuk më beson, që unë tani të shikoj përçdonatë në ëndërr”. “Po ti, a më shikon tani në ëndrrat e tua?”- më pyet. “Hiç, edhe pse mendimi im vetëm ti ka”,- I përgjigjem. “E shikon, që nuk më do! Po të më doje, do të më shikoje në ëndërr. Ti nuk më do. Unë, që të dua kaq shumë, të shikoj çdo natë në ëndërr”- më thotë me tonin ankues. Unë qesh, sa Elda zemërohet edhe më shumë me shpërfilljen time, siç më thotë…Por edhe ajo nuk u beson fjalëve të saj. Elda nuk u përgjigj thirrjes time në messenger. Unë e fika celularin, që të mos e zgjova…. Mëngjezi erdhi me shi të rrëmbyeshëm. Ne do të punonim në fasadë, madje në faqen ku përplasej era e shiut. Pallatin nuk e kishin mbuluar me mushama dhe ne punonim në shi, çdo herë. Visheshim aq shumë, sa na ngjante vetvetja me kallirin e misrit, i mbërthyer me luspat, sa mezi lëviznim. Puna nuk ndërpritej, çfarëdo moti të bënte. Unë nuk e mendoja fare kohën, sa nuk e ndjeja as të ftohtit, as shiun, vetëm trupin kisha fizikisht aty. Imagjinata, mendimet e mia rrugëtonin vetëm tek ty. Risjillja çdo fjalë që më thoshe, zërin tënd, në kujtesën time, ulja të qeshurën tënde në sytë e mia, kaq sa ndjeja se jetoja edhe një herë çastin me ty. Kur u afrua ora e pushimit të parë të mëngjezit, nga padurimi, zbrita vjedhurazi nga skela e fasadës dhe u struka diku në një qoshe të pallatit, dhe hapa telefonin. Padurimi për Eldën më trysnonte mendimet… Elda kishte dërguar një mesazh. 5 minuta, pasi unë I kisha bërë thirrjen e fundit në mëngjez, kur isha te treni.. “Ti me paske marre tel…. Ala dhen to akusa agapi dhen xtipise Sti priza itan ixe bataria… Qe ego ithela na se xeretiso to proi Me exis sinithisi eci tora Sagapao poli qe mu lipis omos se sqeftome sinehia qe parigorieme me ti sqepsi oti sindoma tha imaste mazia qe tha se jevome Tha se hortaso jia ligo… Tha ine i arhi mias pragmatiqis sqesis pu tha mas pai sto finale Jiati afto thelo agapi mu NA JERASO MAZI SU ME TO VLEMA QE TO HADHI SU…. 1000 filia su stelno Te dua pa fund…” E ka shkruar siç ka qenë. E përgjumur. Greqisht më shumë, sesa shqip. “Ti më ke marrë telefon…Por unë nuk e dëgjova, i dashur. Nuk ra zilja. Në prizë e kisha, bateri kishte. Dhe unë doja të të përshëndetja në mëngjez. Më kë mësuar kështu tani. Të dua shumë, më mungon, veçse unë të mendoj vazhdimisht dhe marr me të mirë vetveten, që ti më mendon dhe së shpejti do të jemi bashkë dhe do të të shijoj. Do të jetë fillimi i një lidhjeve të vërtetë, e cila do të na çojë në finale. Për këtë dhe prandaj dua, i dashuri im, të pleqërohem bashkë me ty, me shikimin tënd, dhe me përkëdheljet e tua, 1.000 të puthura të dërgoj. Të dua pa fund…” Unë e ngacmoja që më fliste greqisht, por Elda më shfaqësohej, se kishte harruar shqipen dhe e kishte kaq të vështirë të gjente ato fjalë që të më përcillte ndjenjat e saj. “Fovame na ta po sta allvanika, afta pou nioso tora jia sena, jiati tha ine ftina”, – më thoshte….(Trembem të t’i them në shqip ato që ndjej për ty, sepse do jenë të thata fjalët”. Elda kishte ikur në punë, por do të flisnim bashkë, në mbasdite vonë, kur unë të lija punën. Ishte errur, kur mbaruam orarin e punës. Këtu, ende punonim me orarin beharor, edhe pse errej 1 orë më shpejt. Në fasadën që punonim, vendosnim prozhektorë dhe çdo gjë bëhej ditë. Sa e hapa mesengerin, Elda më bëri thirrje. – Sikur ishe këtu, te pragu dhe më prisje, e dashur- I thashë unë, sa pashë sytë e saj. – Kam orë që mezi pres të hapësh mesengerin. Po nuk të shikoj. Errësirë më vjen nga ti. – Sapo dola. Jam në rrugë për të arritur trenin. Ti si e kalove ditën sot? – Duke menduar ti çdo çast. – Si më mendoje? – Dua të të shikoj. – Nuk të vjen zëri? – Dua të të shikoj. Më ka marrë malli shumë që nga mbrëmë, që folëm. – Nga sot, thuaj. Në 4 të mëngjezit fjetëm. – Mua më duket një vit I tërë, sa orë nuk shikoj dhe nuk dëgjoj ti. Dhe nuk duroj dot. – Haaaaa – Pse qesh? Ti nuk më mendon kështu? – Të mendoj kaq, sa nuk ndjej fare, as motin se çfarë bën, dhe kohën, sesi ikën, sa vjen çasti që flasim bashkë… – Vërtet, më mendon? – Ti si thua? – Si të të besoj? – Haaaa. – E shikon, që nuk më mendon? Se tani qesh, tallesh dhe nuk më thua me fjalë, sa më mendon. Nuk më do, sa të dua unë. – Po, pse, dashuria, çfarë është? Pjepër, që e peshojmë? E ndajmë dhe pastaj krahasojmë, kush e ka thelën më të madhe, më të ëmbël? – Po unë kam nevojë të më thuash sa herë, atë që ndjen për mua. Sa herë e dëgjoj, bind edhe vetveten time, që ti më do shumë…. Ndërkohë, kisha mbërritur në stacionin e trenit. Fatmirësisht, treni nuk vonoi. Unë përshkova sërish vagonët, të mbërrija në vagonin e parë, sa më pranë daljes. Zura një cep afër dritares dhe hapa sërish kamerën e mesengerit. Nuk kisha asnjë në ndenjëset përballë. Përveçse dy veta, që rrinin më tutje. Por ngaqë ata nuk e dinin shqipen, unë flisja, sit ë isha vetëm. Në disa vende, interneti shkëputej, nuk kishte valë. – Edhe 2 ditë mbetën nga takimi ynë.- më tha Elda. Mezi i numëroj tani orët, deri sa të të takoj. – Haaaa…. Ke filluar t’i numërosh tani në orë ditët, që na ndajnë nga takimi ynë …. – Po. Kam kaq shumë mall, sa më duket e pabesueshme akoma, që unë do të të takoj. 30 vite ndarë dhe tani na mbetëm 47 orë, akoma. – Akoma çfarë?- e provokova. – Që të të kem në kraharorin tim. – Dhe?… – Do të të përkëdhel sytë, që të t’i puth. – Pastaj, çfarë?… – Do të të prek edhe buzët e tua. Që pastaj, të besoj që tani je imi. – Si do më ndjesh që jam yti? Pse, tani, kaq larg, nuk jam yti? – Duke të puthur kaq fort, dua të bind veten time, që të kam unë. – Sa fort do më puthësh? – Sa të ndjej frymën tënde të ushqejë zemrën time. – Dhe, pastaj?…. – Pastaj, dua që ti të më marrësh në duar dhe të më ngresh lart – Ku lart? – Lart, sa të ndjej që fluturoj… – Ku do të fluturosh? – Dua të ndjej fort shtëngimin tënd, e të fluturojmë bashkë në lumturinë tonë. Në atë lumturi, që nuk e jetuam atëhere. Por që do ta jetojmë tani, bashkë…. – Sa kohë? – Sa kohë, që të ndjej se jetoj. Po ti?… – Unë, çfarë? – Çfarë do më bësh, kur të takohemi për herë të parë? – Do të të kërkoj pashaportën. Të di cila je? – Sa i pashpirt që je. Pse nuk e beson që unë jam Elda, që ti ke dashuruar?….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *