Ai nuk e ka problem të flasë për gjithçka,
madje na i tregon me emra e mbiemra miqtë travestitë me të cilët jeton,
mjafton që intervistën e tij të mos e publikojmë me foto.
Fatjon e ka emrin, por ka dëshirë ta thërrasin Jonida. Është veshur sportiv, me xhinse e pulovër gri, me një kapuç që e ka hedhur mbi kokë, ndoshta që njerëzit në rrugë të mos e kthejnë kokën kur kalon. Nuk di të them nëse ka më shumë pamjen e një mashkulli apo të një femre. Vetullat i ka të hequra hollë dhe në sy, me sa duket, i ka mbetur akoma grimi i rëndë i një nate më parë (sepse është mëngjes herët kur e takoj), por lëkura e fytyrës është tejet mashkullore… U mundova ta pyes për gjithçka për të cilën do të ishte kurioz secili prej jush (pavarësisht nëse e pranojmë apo jo zgjedhjen e tij) dhe jua sjell këtë bisedë të plotë, ashtu siç edhe u bë, për të mësuar se si jetojnë këta njerëz, çfarë janë në të vërtetë ata? Fatjoni apo Jonida, na thotë…
– Përshëndetje Fatjon! Ky është emri yt, apo jo?
– Po, po, Fatjon, por pseudonimin e kam Jonida.
– Me çfarë po merresh këto kohë?
– Po ja, të zakonshmet… Dal, punoj, ushqehem. Ku të jetë puna, do punoj.
– Çfarë pune po bën tani?
– Punë? Prostitucion, ç’punë do bëj?
– Sa vjeç je?
– Jam 31, po shkoj për 32 vjeç.
– Më trego për familjen tënde…
– Babin nuk e kam njohur fare dhe jam rritur me gjyshen e me gjyshin, se mami ka kaq vite në Greqi. Kam një teze në Tiranë, një teze në Lushnje, kurse motra e vëllezër, jo. Unë vetë kam jetuar në Tiranë. Kam ndenjur edhe në Greqi tetë vjet pa letra, por u bënë pasaportat biometrike dhe jam kthyer. Kohët e fundit shkoja me nga tre muaj në Greqi, te mami…
– Po pse nuk rri në Greqi?
– Sepse nuk kam dokumente. Herën e fundit e kalova afatin e qëndrimit, ndaj më kanë vënë një gjobë e nuk kaloj dot më.
– Mami është me dokumente?
– Jo, nuk ka letra. Mami është rrit andej, ka tridhjetë vjet, nuk e di gjuhën shqipe.
– Nuk ka fëmijë të tjerë?
– Jo, jo, nuk ka bërë se ka patur ca probleme fizike dhe…
– Ç’thotë mami për jetën tënde?
– Mami nuk më kritikon, nuk më paragjykon, qoftë mami, dajat, tezet, se tani ata kuptojnë, nuk janë aq të çmendur… (Buzëqesh) Mami, kur shkoj, qan, thotë: “Fatkeqësia ime është pse nuk gëzoj një fëmijë nga ti”, “Si më ka bërë jeta, unë një djalë dëshiri kam! Si mund të ma bësh ti si fëmijë këtë gjë? Si duhet të ma bënte Zoti…”
– Ti, Fatjon, beson te Zoti?
– Normal që besoj te Zoti, se një Zot është!
– E mendon ndonjëherë se Zoti e dënon atë që bën ti?
– Zoti thotë “ruaju të të ruaj”… E falënderoj, ai na ka në dorë.
– Po drogën, kur e nise?
– Ka shumë vite, në vitet 1996-1997. E fillova pas shoqërisë se unë nuk e dija fare ç’ishte droga. Më tha një shoqja ime: “Do të vish në një vend me mua?”. Shkuam pas Spitalit Nënë Tereza ku pashë shiringa e të tjera. Më tha ta provoja se nuk më gjente gjë e u binda… Do të thuash “shoqëria nuk të bën gjë po s’deshe dhe vetë”, normal, ashtu është. Edhe nuk mund t’i vë faj, se ajo tani është e vdekur e mos ta rëndoj atje ku është… Vdiq për shkak të drogës, se ajo e bënte në fyt…
– Po ti, ke arritur ta lësh?
– Tani sikur e kam lënë… Kam nja dy vjet. Kam filluar terapinë me metadon dhe jam shumë më mirë…
– Kur fillove të kuptoje që nuk të tërhiqnin femrat, por meshkujt?
– Që në moshën 13-14 vjeç… Nuk është se më pëlqeu kjo ide, por ja që kështu jam. Edhe për mua do të ishte kënaqësi të isha familjar si të tjerët, por qe fatkeqësia ime që ndodhi kjo gjë, se nuk do ta doja…
– Çfarë nënkupton kur thua “ndodhi”?
– Po ja, pse duhet të ndjeja unë për një mashkull e të mos ndjeja për femër? Tani njerëzit nuk na lënë, çunat na rrahin, na gjuajnë pa të drejtë… Një kalimtar nuk ka pse të kritikojë jetën time, se çfarë bëj unë. Berisha del në televizor dhe miraton ligjin e homoseksualitetit, që çdo njeri ka të drejtat e tij. Po ne, ku mund ta gjejmë këtë të drejtën tonë? Edhe shtetit nuk i vë faj, në fakt, shteti na ka mbrojtur…
– Me sa di, ti edhe je arrestuar nga policia… Për ç’arsye?
– Policia ka edhe të drejtë që arreston, se çdo njeri ka gabimet e tij. Nëse gaboj ndaj klientit, unë i jap të drejtë shtetit që të arrestojë. Nëse nuk gaboj ndaj klientit, nuk ka të drejtë shteti të më dhunojë ose të më rrahë, se unë kam rënë edhe kot në rajon dhe më kanë rrahur edhe kot, kur vetë klienti thoshte se isha i pafajshëm… Shteti nuk na ngacmon fare nëse bëjmë punën tonë të përditshme, policia s’ka pse na ngacmon. Kur ne vjedhim, atëhere po…
– Ti quan gabim vetëm vjedhjen e klientit?
– Po, kjo është më se normale.
– Po, edhe ushtrimi i prostitucionit dënohet me ligj…
– Po, e di. Para ca vitesh neve na kanë arrestuar dhe kemi bërë edhe burg. Unë kam rënë dy herë në burg, me arsyen “prostitucion midis publikut” dhe ndenja në burg gjashtë muaj. Tani kemi tre vetë brenda në burg, për çështje vjedhjeje. Është Anxhela dhe dy Mirelat. Këta janë brenda dhe shteti i ka dënuar me pesë vjet, dje u dënuan. Unë nuk isha këtu se më kishte ndodhur një vdekje në familje dhe vajta…
– Për çfarë u dënuan, për ushtrim prostitucioni?
– Jo, jo, për vjedhje klienti sepse klienti ishte i huaj dhe ligji është pak më i fortë për të huajt. Po të kishte qenë shqiptari ynë, do të kishin marrë më pak dënim. Ne jemi katër-pesë travestitë tani jashtë, se tre janë brenda, siç të thashë…
– Sa travestitë ka gjithsej në Tiranë?
– Aty ku banojmë ne, jemi Ismail M., Fatjon H., Fatmir H., jam unë Fatjon M., është Brigel L… Janë edhe dy të tjerë që emrat nuk ua di, se kanë dalë tani të reja…
– Ju jetoni bashkë?
– Ne jetojmë tek Ambasada Jugosllave, jashtë… është një vilë e prishur aty. E dinë qeveria, shteti, gjithë Tirana e di ku rrimë ne. Na vunë njëherë flakën, desha na dogjën si minj, e dinë këta shumë mirë… Po ja, motra, ku të shkojmë të ankohemi?! Hajt se po e bëjmë këtë prostitucion, dreqi e mori, se s’po nxjerrim gjë në dritë e po bëjmë vila. Ne bëjmë pesë lek, nuk them që s’bëjmë, por t’i mbyllim në bankë nuk i mbyllim dot se kemi frikë nga shteti.
– Jam shumë kurioze ta di, keni shumë klientë?
– Ka klientë, shumë, por ca na marrin për mashkull, ca na marrim për femra, normal… Jemi të detyruara të sillemi kështu, se do bëjmë lekun. E sheh klienti dhe kur e kupton që unë jam travestit e acarohet, i kërkoj ndjesë, i them: “Të lutem, unë nuk të mashtrova! Të pëlqeva dhe erdhe me mua. Nëse do lekun tënd, unë ta kthej prapë, motra jote, nuk është problem”. Ai e kupton që unë e gjej komunikimin dhe më jep më shumë.
– Ka persona të njohur që vijnë te ju?
– Persona të njohur, jo! Vijnë për shembull të ardhurit, ata që s’marrin vesh nëse jemi mashkull apo femër… Në Tiranë e dinë se çfarë jemi, kurse të ardhurit tjo. Edhe nga Tirana ka shumë që na vijnë.
– Si e keni pagesën?
– Pagesa është njëzet mijë e poshtë. Varet sipas klientit. Ka që të jep dhjetë, ka që të jep pesëmbëdhjetë… Për shembull, i them njëzet unë atij, por ai më përgjigjet: “Ti je dhe mashkull, thotë ai, dhe njëzet kërkon”. Tjetri më thotë: “Hë motra, sa kërkon?”. “Njëzet”, i them unë atij dhe ai mendon se jam femër. Për shembull, policia, po të më kapë më thotë se bëj mashtrim me prostitucion, sepse gënjej klientin dhe kështu e ha burgun dyfish.
– Po ku shkoni zakonisht? Keni një vend të caktuar?
– Tek ish-gropa e Hajdin Sejdisë, është një vend aty jashtë… Ku të shkojmë në vend tjetër? Është bërë shumë keq…
– Nuk keni frikë?
– Frikë kemi, nga maniakë, nga racistë. Ja, pardje, sa erdha nga njerëzit e mi, u vesha e shkova te “gropa” se isha pa njëqind lek, për shpirt të babit, kur nja dy-tre çuna më dolën para me thikë. Unë shkova te polici dhe ai më shau… Ka të drejtë shteti të më shajë apo duhet të më përkrahë? A po, nëse unë jam gabim, shteti ka të drejtë të më dhunojë dhe të më vrasë dhe të më varë, por kur ti më kap pa fakte dhe më dhunon?! Para një jave, u kap Ina me një tjetër se kishin bërë një vjedhje klienti. Më morën mua dhe më çuan në drejtori e më rrahën, duke më thënë: “Trego, se ju rrini bashkë”. U thashë se nuk rrimë bashkë sepse ajo është femër, kurse unë jam travestit, jam gej, nuk ka lidhje që të rrijë me mua. Unë nuk mund të rri me një femër se dua tipin tim, nuk rri dot me femër me një dhomë; ajo me dashnorin e vet e qofsha edhe unë me dashnorin tim…
– Ke një lidhje ti tani?
– Hajt mo, na rrehet mendja, se s’të do njeri sot! (Buzëqesh) Çdo njeri të do nga leku, nuk të do se jam i bukur, apo jam gej, apo travestit, po të keqen e Greqisë thuaj, se ne jemi shumë larg saj…
– Ke patur ndonjëherë një lidhje të mirëfilltë?
– Si jo? Kam bashkëjetuar me një djalë tetë vjet, por iku ai, ra në burg…
– Këtu ke bashkëjetuar, në Shqipëri?
– Po, po, këtu.
– Nuk ishte problem për mentalitetin tonë?
– Jo, sepse me të unë jam shoqëruar si mashkull në rrugë dhe jo si travestit që jam. Ai donte që unë të vishesha si femër dhe të shoqërohesha gjithandej me të, por mua kjo nuk më pëlqente sepse nuk doja që ta tallnin rrugës sepse fanatizmi është i madh… Unë jam mashkull mbi të gjitha, megjithëse kam ndjenja femërore dhe jam i lindur kështu…
– Nuk ke patur asnjëherë lidhje me një femër?
– Jo, jo, jo, absolutisht. Femrën e dua thjesht si shoqe, nuk më bën përshtypje që ta kem të dashur ose të kryej marrëdhënie me të. E kam shumë të vështirë këtë gjë, nuk më pëlqen. Mashkulli është shpirti im binjak, jeta ime. I falënderoj të gjithë çunat e Shqipërisë, i dua shumë!