Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E tradhëtova me shokun e qelisë!

Kisha disa vite që po mendoja seriozisht largimin nga shtëpia.

Jetesa aty më ishte kthyer në një makth të vërtetë, pasi duke qenë se isha fëmija më i madh, duhet të kujdesesha për gjithçka dhe për të gjithë e përsëri, si shpërblim, merrja vetëm ankesa dhe pakënaqësi.

Askush nuk donte t`ia dinte se si ndihesha, prandaj ajo lloj jetese më kishte ardhur në majë të hundës!

Advertisement

I vetmi person tek i cili ngushëllohesha ishte shoqja ime, Besa. Me atë flisja për gjithçka dhe vetëm atëhere ndihesha pak më e qetë. Nëse nuk do të kisha Besën, nuk e di çfarë do të bëja. Ajo më jepte forcë për të vazhduar jetën! Zihesha shpesh me prindërit pasi sipas tyre, unë kaloja më shumë kohë me Besën sesa në shtëpinë time. Eh, sikur kjo të ishte e vërtetë, do të isha e lumtur! Besa ishte shumë e shkathët ashtu si shoku i saj, Goni, të cilin ma prezantoi një ditë. Edhe me Gonin krijuam një lidhje tepër të ngushtë dhe ia kalonim bukur të tre bashkë. Pak nga pak, unë dhe Goni krijuam një lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin dhe Besa ishte ajo që bëri të mundur që mes nesh të lindnin ndjenja. Asnjëri nga ne nuk e kishte menduar se kjo marrëdhënie do të shkonte më tej sesa thjesht shoqëri, por ja që kështu noddhi. Druhesha që familja ime ta mësonte për ne sepse e dija që do të më hapnin probleme. Ata nuk do ta pranonin kurrë që vajza e tyre të kishte lidhje me një djalë. Megjithatë, e dija që kjo nuk do të zgjaste shumë sepse ata një ditë do ta merrnin vesh dhe kështu ndodhi. Mami e kishte vënë re se unë po sillesha ndryshe nga herët e tjera. Isha më e lumtur, më e përkushtuar ndaj tyre dhe nuk nevrikosesha aq shpesh sa më parë.

“Besa çfarë ka ndodhur me ty? Me mend në kokë, se mos bën ndonjë të pabërë!

– Çfarë mund të bëj? Nuk e kuptoj ku do të dalësh?!

– Më kupton ti shumë mirë se çfarë dua të them! Nuk duhet të dashurohesh sepse në moshën tënde të gënjejnë shumë shpejt.

I kisha mësuar përmendësh ato fjalë sepse m’i thoshte shpesh. Unë vërtet isha rritur në një familje të varfër, por kjo nuk do të thoshte se mund t’i besoja çdokujt apo se mund të gënjehesha. Megjithatë, unë nuk e kisha mendjen aty. Në mendimet e mia vërtitej vetëm Goni dhe kjo tregonte se unë po dashurohesha me atë djalë. Jeta ime po ndryshonte për mirë dhe për këtë, falënderoja Zotin. E doja familjen time, por shpresoja të largohesha sa më parë prej andej. Jeta që bëja nuk më bënte aspak të lumtur, nuk ndihesha tjetër veçse një shërbëtore e tyre. Erdhi momenti kur ua prezantova Gonin prindërve dhe mami, si gjithnjë, u tregua skeptike e qëndronte indiferente ndaj tij. “Mami yt nuk më ka qejf”, më tha.

– Mos ia vër re, se kështu do të reagonte çdo prind për fëmijën e tij! – i thashë, por mami vazhdonte të mos e pëlqente Gonin edhe pasi u fejuam, edhe pasi u martuam! Sipas saj, ai nuk bënte për mua.

“Duhet ta njohësh më parë pastaj të flasësh për të”, i thoja, por ajo vazhdonte të mbante të njëjtin mendim.

Pasi u martova me Gonin, u larguam në një qytet tjetër për të vazhduar jetesën tonë. Kur erdhi momenti që do të ndahesha nga familja, fillova të ndihesha shumë keq. Ndarja prej tyre ishte shumë e vështirë, ashtu siç nuk e kisha imagjinuar kurrë, por përsëri më ngushëllonte idea se do të filloja një jetë të re, edhe më të mirë se ajo që kisha patur. Goni ishte shumë i kujdesshëm për gjithçka dhe mundohej të më ndihmonte t’i kaloja sa më lehtë vështirësitë e fillimit. Pak nga pak fillova të mësohem dhe t’ia marr dorën çdo gjëje, të përballoja vetë gjithçka që më parë e kisha bërë me ndihmën e prindërve. Muajt e parë u telefonoja vazhdimisht dhe flisnim me orë të tëra derisa lodheshim, ndërsa më pas, këto telefonata filluan të bëheshin më të rralla. Po ashtu, edhe vizitat në shtëpinë e tyre, për shkak të vështirësive që filluam të kishim me anën ekonomike. Goni nuk kishte punë dhe, edhe pse mundohej të kërkonte, nuk po gjente dot. Në shtëpi mbizotëronte një atmosferë shumë e zymtë dhe kjo sillte edhe debate mes nesh. Mund ta fillonim një muhabet, por dihej që ai do të përfundonte në diskutim shpesh, të ashpër. Më në fund, Goni vendosi të largohej nga Shqipëria në mënyrë që të kishim një jetesë më të mirë. Në fillim, nuk e prita aspak mirë këtë vendim të tijin, por pastaj u mësova me këtë ide dhe u binda se kjo ishte më e mira për ne. Pasi Goni u largua, e merrja Besën shpesh që të vinte dhe të flinte në shtëpinë time sepse kisha frikë të qëndroja vetëm. Goni më thoshte se e kishte të vështirë të gjente një punë dhe kështu mbeti dy muajt e parë. Edhe atje ishte shumë e vështirë të gjeje një punë e aq më tepër, ta mbaje atë. Kështu më thoshte Goni, por edhe mund të më gënjente. Unë besoja atë që më thoshte sepse nuk e dija se si funksiononin gjërat atje.

– Shpresoj të mos më gënjejë dhe të mos ketë njohur një vajzë tjetër atje sepse këtë nuk do t’ia falja kurrë… – i thoja Besës kur bisedoja me të.

– Mos u bëj me fiksime! Goni nuk është djalë i tillë. Ai gjithmonë e ka dashur punën dhe është shumë i përgjegjeshëm për ty dhe familjen që do të krijojë.

Doja shumë t’u besoja fjalëve të saj, por diçka nuk më linte që të kisha besim të plotë te Goni. Ai vërtet mund të mundohej shumë atje, por unë nuk e besoja plotësisht këtë sepse kishte kaluar një vit dhe ai nuk kishte dërguar ende asnjë lek. Po të mos ishte për punën që kisha filluar, nuk do t’ia kisha dalë dot dhe nuk e di çfarë do të kisha bërë.

– Nëse nuk mundesh, kthehu në shtëpi sepse edhe pse je martuar. përsëri mbetesh vajza jonë! – më thoshte mami dhe shpesh mundohej të më bindte të kthehesha në shtëpi. E dija që ajo vazhdonte të mos e pëlqente Gonin, por sido që të shkonin gjërat, mua nuk më linte krenaria të kthehesha përsëri te prindërit.

– Do ta gjej një zgjidhje, mami, faleminderit… – i thoja, megjithatë ajo vazhdonte me të sajën.

Pasi kaloi një vit, Goni u kthye në shtëpi sepse edhe atje nuk kishte mundur të bënte asgjë.

– Një vit i shkuar dëm kot! – i thashë, por ai acarohej menjëherë kur i flisja ashtu.

– Nuk të kam asnjë faj që të ma ngresh zërin ashtu, madje jam unë ajo që po sjell të ardhurat e vetme në shtëpi… – i thashë një ditë, shumë e mërzitur me të.

– Ti mendon se mua më pëlqen kjo gjë? Shpresoj ta gjej një punë sa më shpejt dhe të mos duroj më këto kritikat e tua.

Ne vazhdonim të ziheshim gjithnjë e më shpesh dhe kjo situatë po bëhej e padurueshme. E shikoja që Goni filloi të mungonte shumë në shtëpi, pjesën më të madhe të kohës e kalonte jashtë. Nuk e dija me çfarë po merrej derisa një ditë erdhi policia dhe e mori.

“Shpërndarje droge”, kaq dëgjova teksa ata flisnin mes tyre dhe pasi kishin kontrolluar shtëpinë, duke përmbysur gjithçka gjenin para. U çudita dhe nuk dija çfarë të thoja. Nuk e dija që Goni merrej me diçka të tillë. Ai përfundoi në burg dhe unë mbeta përsëri vetëm. Çdo gjë po më shkonte ters! Nga Goni nuk ndahesha dot sepse ishte i vetmi që më kishte mbetur. Megjithëse un nuk ndjeja më dashuri për të e as ai për mua, shkoja ta vizitoja shpesh në burg. Marrëdhënia jonë ishte kthyer në një marrëdhënie mekanike të cilën e mbanim edhe thjesht për fëmijën që prisja. Kur mësova se isha shtatzënë, ky lajm, në vend që të më gëzonte, më hidhëroi sepse nuk kisha mundësi t’i dhuroja asnjë të ardhme fëmijës. Disa herë, kur shkoja për të vizituar Gonin, ai më kishte folur për shokun e tij të qelisë. Më thoshte se edhe ai ishte marrë me drogë, por me doza më të mëdha dhe se ishte me të vërtetë i pasur. Nuk munda t’i qëndroja indiferente këtij rrëfimi dhe, sa herë shkoja për ta takuar, bëja ç’bëja e çoja bisedën te Nini. Megjithëse isha shtatzënë dhe do të lindja fëmijën e Gonit, me të cilin do të bashkohesha sapo të dilte nga burgu, mendjen e kisha te Nini që dukej se gëzonte respektin e të gjithë shokëve aty brenda dhe jo vetëm të atyre, por edhe të policëve, që Goni më kishte thënë se tregoheshin shumë “miqësorë” me të.

– Ai është si në shtëpinë e tij këtu! – më tha një ditë Goni për Ninin. – Megjithatë, shumë shpejt do të dalë që këtej…

M’u duk sikur diçka më ngacmoi në zemër, kur tha se do të dilte shumë shpejt. Edhe pse vështirë ta pranoj, Gonin e vizitoja edhe më shpesh vetëm për të folur për Ninin. E mësova edhe ditën kur ai do të dilte dhe atë ditë, u gjenda aty dhe e pashë. Ai ishte me të vërtetë simpatik dhe, për çudinë time, kur u përballëm, më pa ngultas, si të më njihte… U nis të më fliste, por një polic i tha diçka në vesh (me siguri, i tregoi kush isha) dhe ai erdhi e më tha vetëm kaq:

– Më në fund, kam rastin të të takoj… Goni flet gjithmonë për ty. Je shumë e bukur… – tha ai.

E falënderova dhe i thashë që isha e martuar e prisja një fëmijë!

– Më vjen mirë që pret një fëmijë… Do të doja shumë që ai të ishte fëmija im!

U çudita me fjalët që tha sepse asnjëherë nuk më kishin folur ashtu, por edhe u ndjeva e përkëdhelur nga ato fjalë. Isha shumë e emocionuar para tij dhe gjunjët më dridheshin. Do të doja shumë që këtë ndjesi ta kisha nga i ftohti, por jo! Çfarë po ndodhte me mua? Kush ishte ky i panjohur pas të cilit po dashurohesha? E dija që ai nuk do të ishte gjë tjetër veçse një gabim sepse nuk do të kisha asnjë të ardhme me një person si ai, por zemra nuk më linte të qetë. Një ditë, pasi kishte dalë nga burgu, Nini erdhi e më takoi në lagjen time. Se ku i kishte gjetur kontaktet e mia, këtë e dinte vetëm ai. Që nga ajo ditë, i ruajtëm kontaktet dhe takoheshim fshehurazi. Ishin si ato takimet adoleshente të cilat meqë ishin të ndaluara, të joshnin më shumë. Më dukej vetja shumë e pafytyrë kur pasi kisha bërë dashuri me Ninin, shkoja dhe takoja Gonin në burg.

– Mos u mërzit… Sapo të dal që këtu, gjithçka do të rregullohet… – më thoshte ai dhe unë mallkoja veten që po e tradhtoja. Vërtet nuk e doja më si më parë Gonin, por ai po përpiqej për ne dhe kishte shpresa se pasi të dilnim, do të mund të ishim një familje e gëzuar. Disa herë mendoja t’i tregoja të vërtetën, por ishte e sigurtë që do të ndahesha nga ai. Mendoja se si do të ishte jeta ime me Ninin dhe si me Gonin. Me Ninin kisha pasionin, por vetëm pasioni nuk mjaftonte për ta vazhduar jetën me një person. Nini më kërkonte që të ndahesha nga Goni sepse ai nuk do të ma jepte dot lumturinë që po kërkoja.

– Duhet t’i japësh një jetë të mirë vetes e fëmijës, prandaj mendoje mirë… – më thoshte.

Fjalët e tij më bënin të vija në dyshim gjithçka që kisha menduar të bëja deri në ato momente dhe pranova të qëndroja me të. E kisha shumë të vështirë t’ia thoja Gonit, por e mora guximin. Nuk prita derisa ai të dilte që aty dhe ia thashë. Nuk e dija nëse kisha bërë zgjedhjen e duhur, por ndoqa zemrën. Goni mbeti shumë i zhgënjyer nga unë dhe më kërkoi të largohesha njëherë e përgjithmonë nga jeta e tij.

– Nuk e prisja të më tradhtoje me shokun e qelisë. Ta dija që kjo do të ndodhte, nuk do të kisha pranuar të vije të më vizitoje asnjëherë.

Më erdhi shumë keq kur e dëgjova të fliste ashtu sepse dukej shumë i lënduar. U trishtova shumë edhe unë teksa e shihja në atë gjendje dhe u pendova që kisha vepruar ashtu, por tani nuk kishte më kthim pas. Goni nuk donte të më shihte më me sy dhe me Ninin nuk po e shtyja dot më sepse të gjitha ato që më kishte thënë, kishin qenë një gënjeshtër e madhe. Ishte shumë vonë për pendesën time, por të paktën vendosa të ndahesha prej Ninit dhe ky ishte vendimi më i mirë që kisha marrë ndonjëherë. Nuk e kuptoj se si munda t’i besoja një personi që nuk besoj se do ta merrte ndonjëherë seriozisht krijim e një familjeje. Pas disa kohësh provova të rikthehesha me Gonin, por ishte tepër vonë sepse ai ishte fejuar me një vajzë tjetër… Për shkak të gabimeve të mia, përfundova duke e rritur e vetme fëmijën tim.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ja, si po feminizohen burrat!

Next Post

Pyetje-përgjigje për seksin…

Advertisement