Më bleu shumë unaza
– Kam parë në ëndërr sikur babai më kishte blerë shumë unaza, nga një për çdo gisht të dorës.
Ishin si një set.
Unë mora një dhe e provova te gishti i fejesës, por nuk më pëlqeu shumë.
Më dukej sikur më rrinte shumë i madh dhe gjithashtu, modeli nuk ma mbushte syrin. Pastaj erdhi mami dhe ia tregova unazat, duke provuar përsëri të njëjtën unazë. Edhe mami im, e pëlqeu shumë. Pres një përgjigje nga ju, ju lutem.
– Unaza ka vlerë simbolike dhe shpesh, përfaqëson ndryshim, vazhdimësi, dëshirë për të dalë nga rrethi, nëse jeni në monotoni. Në rastin tuaj, simbolikisht, shpreh dëshirën tuaj për një bashkim të përjetshëm me fatin. Ju dëshironi që gjithçka në lidhjen tuaj të jetë zyrtare dhe t’u tregoni edhe atyre që ju rrethojnë se ju tashmë e arritët atë që dëshironi. Ju keni dëshirë të krijoni rrethin tuaj familjar dhe të forconi akoma më shumë lidhjet me personin e zemrës. Keni shumë kandidatë në jetën reale dhe këtë e tregon fakti që keni marrë shumë unaza, ama vetëm një person ju pëlqen më shumë se askush tjetër. Babai, nga ana tjetër, tregon që është një person që zgjedhjen jua lë juve në dorë, pasi ka shumë besim te ju. Gjer këtu, ëndrra është e bukur, ama fakti që keni vënë një unazë e cila ju rrinte pak e madhe, do të thotë të keni kujdes se mund të bëni zgjedhjen e gabuar e cila në një të ardhme, mund t’ju sjellë shumë zhgënjime, ndërsa mami që keni parë në ëndërr, tregon dashurinë e pakushtëzuar, ngrohtësinë dhe mbështetjen që do ta keni gjithnjë nga ajo. Pra, mesazhi për ju është shumë i qartë: Bëni një hap mbrapa, para se të vendosni përfundimisht për zgjedhjen e unazës së duhur. Ndoshta duhet të kërkoni edhe ndihmën e prindërve.
Zjarri
– Ju lutem, a mund të më thoni çfarë simbolizon zjarri në ëndërr? Shoh shpesh ëndrra të tilla, me zjarr e me tym, sikur luftoj. Nuk e marr vesh pse më është shpifur kjo lloj ëndrre pothuajse çdo natë.
– Zjarri ka dy kuptime, mund të jetë shenjë depresioni, por edhe shenjë e fatit dhe e gëzimit, varet gjithnjë nga konteksti i ëndrrës. Mund të ndodheni në një situatë ku ju po ndrydhni brenda vetes shumë ndjesi dhe do të vijë shumë shpejt dita që do të shpërtheni, por rrezikoni të lëndoni veten dhe të tjerët që ju rrethojnë. Ndiheni të paqartë, të pasigurtë dhe keni nevojë për ndihmën e dikujt, ama nuk e kërkoni dhe ndoshta kjo është arsyeja pse e shikoni shpesh zjarrin, sepse jeni të mbushur nga brenda dhe keni nevojë të shpërtheni, por jo duke mbjellë dhimbje. Në qoftë se zjarri ka qenë i shndritshëm, atëhere është shenjë pozitive sepse tregon fat të mirë në të ardhmen. Nëse ka qenë zjarr i shoqëruar me tym, tregon për një shoqëri jo të mirë e të dyshimtë dhe nuk jeni të qartë për çfarë po ndodh ose se çfarë do të ndodhë rreth jush. Në qoftë se keni parë vetëm zjarr, pa tym fare, atëhere ju pret një gëzim i papritur.
Kam parë ushtarë
– Jam Alda. Kam parë në ëndërr para dy netësh ushtarë të cilët më kishin rrethuar dhe më thonin: “Ushtrohu si ne, duhet të disiplinohesh, se na e hoqe mendjen”. Unë nuk jam në shkollë policie, ndaj edhe u habita kur i pashë. Gjithë natën kam parë ushtarë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– E dashur Alda, meshkujt ushtarë që keni parë në ëndërr ju paralajmërojnë për vetëdisiplinë, sepse mund të jeni ju ajo që provokon turbullira dhe grindje rreth vetes. Duhet t’i kushtoni vetes më shumë rëndësi, të vetëkontrolloheni, sepse po ju del situata nga duart dhe fare mirë mund të humbni ata që janë më të rëndësishëm për ju. Duhet të tregoni anën tuaj më të fortë dhe të lini mënjanë grindjet e tërheqjen e vëmendjes nëpërmjet sherreve. Ju jeni femër dhe keni nevojë për një reputacion tjetër, ndryshe nga ajo çfarë keni menduar ju se e tërheq vëmendjen.
Engjëjt
– Kam parë në ëndërr engjëj të cilët më afroheshin dhe më thonin: “Na ke afër, mund të mbështetesh te ne. Mos ki frikë, por na lejo të të duam e të të ndihmojmë”. Ishte tamam engjëll me krahë, siç i shohim nëpër filma. Pres një parashikim, ju lutem, këtë javë. Faleminderit.
– Engjëjt në ëndërr përfaqësojnë dhembshurinë, vetëdijen, përkujdesjen, figurën prindërore, dashurinë, nevojën për mbrojtje etj. Ju po kaloni një moment delikat, ndiheni i/e trishtuar dhe keni nevojë për shumë dashuri, sidomos nga familja. Jeni në kërkim të një figure prindërore dhe mbështetjeje, por edhe nëse prindërit nuk janë me ju, pranë jush është dikush që mjafton t’i zgjasni dorën dhe është gati t’ju falë gjithë dashurinë për të cilën keni nevojë. Mjafton të jeni më i/e hapur dhe të pranoni ndihmën e dashurinë që ju ofrohet. Jeni me fat, prandaj nuk duhet të trishtoheni. Engjëjt, përgjithësisht, janë shenjë pozitive për të tashmen dhe të ardhmen.
Fytyrë e çarë dhe gjak
– Çfarë do të thotë ta shohësh veten në ëndërr sikur e ke fytyrën të çarë dhe të rrjedh gjak? Ama, nuk kisha fare dhimbje. E preka fytyrën dhe nuk m’u bënë duart me gjak, edhe pse e kisha plot me të çara. Ndodhesha në një ambient ku mbizotëronte bardhësia. Pres një parashikim se jam e shqetësuar. Faleminderit. Klara.
– E dashur Klara, së pari, nuk duhet të shqetësoheni, mendoni se ishte thjesht një ëndërr. Ëndrra që keni parë me fytyrën, tregon kohën e tanishme, aktivitetet e përditshme, ndonjë person fallco që sillet rreth jush, ndjesitë tuaja etj. Çdo pjesë e trupit të njeriut është e ndërlidhur me gjendjen shpirtërore, ekzistenciale dhe pikëpamjet tona. Fytyra është ajo që shikoni ju te vetja në jetën e përditshme. Në rastin tuaj, do të donit të ndiheshit ndryshe që edhe të jeni më tërheqëse dhe të keni më shumë vëmendje, gjë që duket sikur ju mungon kohët e fundit. Nga ana tjetër, tregon që jeni vërtet e zemëruar dhe e brengosur, ndoshta me personin e zemrës. Ju duket sikur është faji juaj, ndërkohë që nuk është ashtu. Ju jeni një person i shëndetshëm dhe e ardhmja juaj paraqitet shumë e mirë. Gjaku simbolizon fuqinë që keni, si dhe fakti që s’keni ndjerë dhimbje, do të thotë që keni karakter të fortë. Derdhja e gjakut, do të thotë gjithashtu që gjithçka do të kalojë; edhe hidhërimi, edhe zemërimi dhe do të vijnë ditët e bukura, ashtu siç ju dëshironi. Për momentin, ndiheni e rënë shpirtërisht, por keni për të parë që shumë shpejt do të dilni nga kjo gjendje dhe do të ndiheni më mirë se kurrë. Vetëm se diçka është shumë e qartë: Kushdoqoftë ai person për të cilin ju shqetësoheni shumë dhe që e konsideroni person të zemrës, nuk është shumë i drejtë me ju. Ju jeni e pastër në shpirt, e pafajshme dhe sjellja juaj ndaj tij është po e tillë. Mjedisi i bardhë tregon shpirtin tuaj të bukur, por që nuk vlerësohet siç duhet nga pala tjetër. Atëhere, hiqni dorë sa jeni ende në kohë, sepse diçka më e bukur ju pret.