I telefonova të dashurit
– Ju lutem, a mund të më shpjegoni këto dy ëndrra që kam parë:
1. Mora në telefon të dashurin dhe m’u përgjigj e motra, që realisht, nuk e njoh. Ngaqë dëgjova zë femre, isha gati ta shaja.
2. Në ëndrrën e dytë, kam parë sikur kisha bërë një çun me të dashurin dhe ishim të ndarë.
Djalin e mbaja unë dhe sikur e kisha dërguar te shtëpia e të dashurit, që të kërkonte numrin e këtij të fundit. A mund të më tregoni, ç’do të thonë? Faleminderit.
– Ëndrrat tuaja, si e para, ashtu edhe e dyta, tregojnë një lloj shqetësimi që keni brenda jush, në lidhje me këtë person. Nuk jeni shumë e kënaqur nga lidhja që keni, sepse kërkoni më shumë sesa thjesht lidhje, kërkoni seriozitetin, që nuk arrini ta gjeni siç duhet. Kjo gjë ju bën shpesh të dyshoni në lidhje me të dashurin. Në të ardhmen do të shpërthejë një ndjenjë xhelozie mes jush, nga ndonjë keqkuptim ose provokim nga ana e tij. Djali i vogël që keni parë, jeni po ju, që keni nevojë për vëmendje dhe më shumë përkushtim nga ana e tij. Ju, me mendjen tuaj, bëni shumë plane, por ai nuk përfshihet, ndaj do të kaloni një periudhë të brishtë që nga ana tjetër, do t’ju ndihmojë të reflektoni akoma më shumë mbi lidhjen që keni. Ju urojmë fat!
Shtëpi, shi dhe dëborë…
– Para disa netësh, kam parë në ëndërr sikur kisha shkuar për vizitë te xhaxhai; nuk ishim në shtëpinë e tij, por në një ndërtesë tjetër, ende të pandërtuar. Ndërkohë që isha atje, po binte një shi shumë i madh, i furishëm, i cili pas disa momentesh, pushoi. Pastaj pashë që kishte rënë dëborë larg në male, kur nuk vonoi shumë dhe filloi të binte dhe aty ku ishim ne. Më pas, unë, bashkë me djalin e xhaxhait, vendosëm të ngjiteshim një kat më sipër të shtëpisë, për të parë akoma më mirë, kur pa arritur akoma, u dëgjua një ulërimë dhe na u bë sikur u rrëzua nusja e xhaxhit e ishte vrarë te këmba. Pasi pushoi dëbora, unë vendosa të largohesha dhe dola e mora një taksi, e cila kishte brenda pasagjerë që nuk i njihja. U bë natë dhe fillova të frikësohesha, sepse nuk e dija si do të shkoja në shtëpi, pasi edhe makina ku kisha hipur nuk do të më çonte gjer në destinacion. Ashtu, e sikletosur, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë parashikon kjo ëndërr me hollësi? Faleminderit.
– E nderuar lexuese, ëndrra juaj është goxha e gjatë dhe domethënëse. Vërtet keni parë të afërmit tuaj, por shpesh ata përfaqësojnë të gjitha ato gjëra që ju nuk ia lejoni vetes në jetën reale. Kështu, për shembull, nëse jeni një femër e përgjegjshme, e dhënë pas ndjenjës së detyrës apo përkushtimit ndaj familjes, për ju, të afërmit në ëndërr simbolizojnë diçka që ju vetë nuk mund ta përballoni ose nuk ia lejoni dot vetes. Në një aspekt tjetër, ato simbolizojnë probleme me familjen ose në ndjenjat personale. Kështu, është e rëndësishme të dalloni emocionet që ju shkaktojnë kryesisht këto lloj ëndrrash, pasi aty mund të gjesh çelësin e zgjidhjes në jetën reale. Ndërsa shtëpia që keni parë, përfaqëson mendjen tuaj, familjen dhe të afërmit më të ngushtë. Nëse shikoni një shtëpi në ndërtim, do të thotë që do t’ju shfaqen mundësi të reja, plane që duhen realizuar, pasi keni nevojë për ndryshim dhe rinovim të gjithë jetës suaj dhe të mënyrës së të jetuarit. Po kështu, shtëpia ka edhe një kuptim tjetër: Ndërtimin e personalitetit tuaj, botës suaj të brendshme dhe të jashtme. Ndërsa shiu ka shumë kuptime, por në këtë rast, lidhur me pjesën tjetër në vazhdim, përfaqëson pastërtinë dhe rigjenerimin. Ju jeni person pozitiv, por në situata të ndryshme keni nevojë të jeni dikush tjetër, keni nevojë të rigjeneroheni dhe të gjeni energji të reja për të ecur përpara. Bora përfaqëson vetminë dhe ankthin që ju mbërthen herë pas here. Pra, bora, përveç bukurisë që përfaqëson tek ai person, tregon edhe një lloj vetmie dhe melankolie që ndjen personi që e shikon. Personat që kalojnë shumë probleme në jetë padrejtësisht dhe janë të ndjeshëm, shohin shumë shpesh ëndrra me dëborë. Të parit e një personi që bie, rrëshqet, reflekton sërish ankthin dhe frikën tuaj ndaj diçkaje që për ju ka shumë rëndësi dhe që keni frikë ta humbisni. Ju jeni shumë e pafajshme, prandaj edhe vuani shumë për çdo gjë që ju ndodh. I mendoni të gjithë si veten, ndaj dhe shpesh ju ndodh që të zhgënjeheni shumë lehtë. Megjithatë, pas këtij shpjegimi kaq të gjatë, ju them që taksia që keni parë, simbolizon një ndihmë të papritur e cila do t’jua lehtësojë shumë jetën dhe do të arrini të realizoni projektet për të cilat keni kohë që i keni humbur shpresat. Prandaj, nuk duhet të keni frikë, sepse fati do të jetë me ju shumë shpejt.
Demi u transformua në luan
– Kam parë në ëndërr sikur isha në makinë me gruan, djalin e të fejuarën e këtij të fundit. Për një moment, në kryqëzim u shfaq një dem shumë i madh, i cili donte të na sulmonte. Morëm një rrugë këmbësorësh dhe mbetëm të izoluar në një zonë të vështirë. Pastaj, demi u transformua në një luan shumë të madh. I ngriti putrat drejt dritares së makinës dhe ishte gati për të na sulmuar, por për fat, unë u zgjova nga gjumi… Ç’do të thotë kjo ëndërr?
– Dëshira juaj ka qenë gjithmonë që të shkonit mirë me familjen dhe të kaloni vetëm momente qetësie, por ja që papritur do të hapet një debat shumë i rëndë që do t’ju nevrikosë shumë dhe ju do t’u kundërviheni të gjithëve, si ai demi apo luani që keni parë në ëndërr. Jeni gati t’i sulmoni të gjithë, vetëm e vetëm që të dilni ju i fituar. Në fakt, nuk është mirë kështu. Duke qenë se ju jeni më i madhi i familjes, ju përket juve të shuani sherret dhe të rifitoni qetësinë që dëshironi.
Ankth
– Pashë në ëndërr sikur kisha vështirësi në frymëmarrje dhe shumë ankth. Shkova me vrap në banjo dhe pashë se këtë siklet ma shkaktonte diçka që e kisha në gojë. Pas një përpjekjeje të stërmundimshme, arrita ta hiqja këtë gjë nga goja. Ishte një objekt në formë rrethi, me përbërje xhelatine, në ngjyrë jeshile. Kur e hoqa, fillova të ndihesha më i lehtësuar në frymëmarrje, por kisha rrahje të forta zemre.
– Dikush apo diçka e ndodhur ju ka bërë shumë nervoz dhe juve ju duhet vetëm të gjeni rastin që ta nxirrni jashtë këtë mllef që ju është mbledhur. Nënndërgjegjja ju bën thirrje të çliroheni nga këto tensione, duke iu hapur njerëzve tuaj. Vetëm kështu do të ndiheni mirë. E gjitha kjo do t’ju lërë një shije paksa të hidhur dhe zemra do t’ju rrahë gjithnjë fort kur ta kujtoni, por gjithsesi, në fund, do të ndiheni i çliruar dhe i qetë shpirtërisht. Ky ishte parashikimi i ëndrrës suaj.