Një intervistë me profesorin Paskal Milo rreth aktualitetit shqiptar dhe të ardhmes së Shqipërisë. Një koment i tij në lidhje me ngjarjet e fundit, “qëndrimet antiamerikane të opozitës”, si dhe ku e sheh veten ai dhe forca që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme. Këto e shumë pyetje të nxehta rreth ngjarjeve me interes për opinionin publik i lexoni në intervistën e tij më të fundit, ekskluzive për “Intervistën”…

Arlis ALIKAJ: – Përshëndetje, zoti Paskal. Duke u nisur nga ngjarjet e fundit, deshëm një koment tuajin në lidhje me vjedhjen e bërë në aeroportin e Rinasit…
Paskal MILO – Vjedhja në aeroportin e Rinasit, në këtë objekt strategjik kombëtar, është një akt i rëndë dhe i paprecedent. Nuk është fjala thjesht për shumën e eurove të vjedhura, sepse në Shqipëri janë bërë vjedhje me shuma edhe më të mëdha, madje edhe me firma qeveritarësh të lartë. Operacioni mafioz i Rinasit dëshmoi se nuk funksionojnë hallka të rëndësishme të shtetit, se mungojnë organizimi dhe respektimi i rregullave bazë në administrimin dhe funksionimin e objekteve të rëndësisë së veçantë.
– Sipas jush, a rrezikohet siguria kombëtare?
– Me këtë akt, siguria kombëtare është kompromentuar rëndë. Ajo ndodhet në një situatë alarmante dhe për më tepër, në një vend anëtar të NATO-s. Një gjendje e tillë kur terrorizmi po bën kërdinë nëpër aeroporte, vë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë, por edhe të huaj që qarkullojnë përmes aeroportit të Rinasit.
– Pse nuk po realizohet reforma në drejtësi?
– Reforma në drejtësi është kthyer në një sfidë për vetë të ardhmen demokratike dhe evropiane të Shqipërisë. Në 21 korrik do të asistojmë në një ngjarje që mund të ketë dimensione historike, por mund të jetë edhe një seancë sa tragjike, po aq edhe komike. Do të jetë një ballo politike me maska.
– Cilët po e pengojnë këtë reformë dhe cilët duan që të realizohet?
– Ata që po përpiqen të pengojnë këtë reformë në dukje, janë vetëm maja e ajsbergut. Shumë të tjerë në heshtje po i përgatisin ceremoninë mortore reformës në drejtësi. Penguesit e kanë mizën nën kësulë dhe ata e dinë se po u miratua reforma, është shtruar edhe rruga që ata të jenë ndër bujtësit e parë të “hotelerisë” së burgjeve.
– Nëse kjo reformë realizohet, çfarë do të vijë më pas për Shqipërinë?
– Ka shumë shanse që të vendoset realisht shteti i së drejtës në Shqipëri. Do të ketë më tepër drejtësi e siguri për qytetarët shqiptarë dhe do të hapet rruga që Shqipëria të fillojë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
– A ka krim në Qeveri?
– Qeveria është institucion ekzekutiv i shtetit që ka për detyrë të luftojë krimin, atë ordiner e atë të organizuar, kriminelët e të gjitha natyrave e kudo ku ndodhen, nga rruga e deri në parlament. Nëse në një qeveri ka hyrë krimbi i krimit, ajo duhet “djegur”, siç bëhej në mesjetë me fshatra e zona të tjera kur binin sëmundjet ngjitëse.
– Po qëndrimi antiamerikan i opozitës dhe “ndërhyrja” e ambasadorëve për reformën?
– Opozita nuk është antiamerikane. Kjo do të ishte një akuzë shumë e rëndë. Opozita është antireformë, nuk e do atë për disa arsye, të cilat janë sa personale për individë të veçantë, po aq edhe politike. Qeveria amerikane, ambasadori Donald Lu dhe ekspertët amerikanë janë investuar shumë për këtë reformë kapitale në Shqipëri. Amerikanët nuk e kanë për zakon t’i lënë punët përgjysëm e në mes të rrugës.
– Zgjedhjet e ardhmshme po afrohen. Jeni optimist përpara tyre? Ku e shihni veten në koalicione?
– Më pak se një vit na ndan nga zgjedhjet normale parlamentare të radhës. Ka zëra se mund të zhvillohen edhe zgjedhje të parakohshme. Njërit prej këtyre zërave i është bërë jehonë e madhe dhe ky është ai i ministrit të jashtëm grek Kotcias. Ai pretendon se ka informacione zyrtare qeveritare shqiptare se ato mund të zhvillohen në janar ose në shkurt 2017. Gjëra që ndodhin në Shqipëri, ku më parë e dinë të huajt sesa vendasit. Sa për PDS-në, ajo kurdo që të zhvillohen zgjedhjet, është gati. Se në cilën mënyrë do të shkojë në zgjedhje është herët për të folur, por reflektimi do të jetë i thellë para se të vendos sepse edhe zhgënjimet kanë qenë të mëdha nga aleatët e qeveria.
– E shihni afër apo larg të ardhmen e Shqipërisë në Evropë?
– Shqipëria ka gati 25 vjet që është përfshirë në procesin e integrimit evropian, me ulje-ngritjet e tij. Aktualisht, ky proces ndodhet në gjendje vendqëndrimi sa për shkak të krizës mbi dhjetëvjeçare të vetë Bashkimit Evropian, po kaq edhe të papërgjegjshmërisë së klasës politike shqiptare e të qeverive të saj. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE e shoh relativisht larg, pas dhjetë vitesh.
– Si i shihni qëndrimet e SHBA-së dhe të Evropës në këtë mes?
– Bashkimi Evropian e SHBA-ja nuk mund të na marrin përdore e të na anëtarësojnë plotësisht në këtë institucion evropian. Shqipëria duhet të dëshmojë pjekuri si vend e si popull e në radhë të parë politika, që të bëjnë detyrat që u takojnë. Nëse nuk i bëjnë ose nuk kanë vullnet e kapacitete për t’i bërë, atëherë ngrihen mëdyshjet e vjetra të të huajve se shqiptarët nuk dinë të vetëqeverisen e u duhet gjithnjë mbi krye një fuqi kujdestare.
– Një koment për Brexit-in, daljen e Britanisë nga unioni…
– Brexit-i është përfundim i mëdyshjes historike britanike të pas Luftës së Dytë Botërore për të hyrë ose jo në Bashkimin Evropian. Është një vendim i frymëzuar nga veçantia ishullore britanike nga Evropa kontinentale, nga psikologjia perandorake që nuk pranon të futet në një ombrellë tjetër që nuk ka traditën e frymën britanike, është një lëvizje e asaj pjese të shoqërisë britanike që ka më tepër lidhje dhe kulturë anglo-saksone sesa evropiane.
– Si preket Shqipëria nga kjo dalje?
– Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk e cënon projektin evropian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së nga puna e meritat e saj dhe jo si rrjedhjë e konjukturave që krijohen e do të krijohen në të ardhmen aty. Keqardhje që Britania u largua, por BE-ja do të zgjerohet patjetër në një të ardhme jo të largët me vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *