Ç’të përdor për tiroiden?
– Përshëndetje!
Jam 27 vjeçe dhe kam një pyetje për endokrinologun.
Për momentin, nuk po përdor asgjë, por po vërej ca komplikime në trup.
Përveç nervozizmit, dridhjeve të duarve dhe dobësimit në trup e rrahjeve të shpeshta të zemrës, po vërej te vetja edhe një mosdurim të nxehtësisë së zjarrit. Kur i afrohem, ndjej një avull që më hipën nga këmbët në kokë e pastaj ndjej plogështi. Kam filluar të dyshoj mos ka filluar të më ngrihet tensioni, edhe pse gjithmonë e kam pasur të ulët e tani është normal. A ka mundësi të jetë nga gjendrra tiroide dhe a është me rrezik? Gjithashtu, kam shumë shpesh edhe marrje mendsh, sa herë që ngrihem në këmbë. Para pak kohësh kam bërë analizën e hormoneve dhe më doli T.Sh. 8.57, T4 1.02 dhe 3.17, ndërsa gjendja e tiroides është: Lobi i djathtë është me diametër 20*20*45 mm, itimusi është i gjerë 4.5 mm, kurse lobi i majtë, me diametër është 16, 14, 40 mm. Parenkima është me strukturë johomogjene. Në color dopller ka vaskularizim të theksuar. Përfundimi ishte: Thyrodis chr.hypertrophica. Ju lutem, më thoni ju, si e shikoni gjendjen time dhe çfarë duhet të përdor?
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- E nderuar lexuese, ju falënderoj që më keni shkruar dhe për informacionin e plotë dhe të detajuar rreth gjendjes suaj shëndetësore. Në rastin tuaj, është e qartë diagnoza. Ju vuani nga tiroiditi Hashimoto ose tiroiditi kronik autoimun. Kur themi tiroidit, nënkuptojmë inflamacion apo dëmtim të indit tiroidien e në rastin konkret, nga vërshimi i rruazave të bardha që vijnë në tiroide në funksion të luftimit të një strukture të huaj, por në të vërtetë, dëmtojnë vetë tiroiden. Kjo sëmundje prek më shumë femrat sesa meshkujt dhe fillon në dekadat e treta dhe të katërta të jetës. Duke qenë se ka bazë autoimune, shpeshherë është i trashëgueshëm, do të thotë që me këtë sëmundje kanë vuajtur edhe familjarë e të afërm të tjerë. Sëmundja nis ngadalë dhe pa shumë shenja klinike e kjo ndodh se tiroidja nuk shkatërrohet e gjitha që në fillim, por ky proces degradimi autoimun i saj ndodh gradualisht. Kjo sëmundje fillon jo rrallëherë gjatë shtatzanive, ose edhe pas lindjes së fëmijëve. Këta të sëmurë preken më shpesh se të tjerët nga shumë sëmundje të tjera, si: Diabeti, sëmundjet reumatizmale, sëmundje të stomakut, zorrëve, lëkurës etj. Edhe alergjitë e stinës e në tërësi janë më të shpeshta te këta të sëmurë.
– Ka shumë rëndësi që sëmundja të diagnostikohet shpejt e të fillohet mjekimi sa më parë. Kjo, në mënyrë që të mos kemi rëndim të simptomave të kësaj sëmundjeje e të mos komplikohet më tej, gjë që mund të sjellë dëmtime të pakthyeshme në organizmin tonë. Duke qenë sëmundje kronike, edhe mjekimi është i tillë; do të thotë që shumica e këtyre të sëmurëve do të marrin mjekim gjatë gjithë jetës. Mjekimi është i thjeshtë e konsiston në dhënien e hormonit të tiroides së përgatitur në formë bari. Mjekimi me hormonin levothyroxine, duhet të merret çdo mëngjes esëll, 30 minuta para ngrënies së mëngjesit dhe bari duhet të merret me një gotë plot me ujë. Kujdesi gjatë mjekimit duhet të jetë i vazhdueshëm si nga ana e pacientit, ashtu edhe nga stafi që ju ndjek. Jeni e detyruar që çdo 3-6 muaj të kryeni matje të hormonit stimulues të tiroides e kjo na jep një panoramë të qartë nëse po merrni dozat e duhura të barit apo jo. Ky bar nuk ka efekte anësore nëse merret në përllogaritje të plotë të peshës trupore dhe defiçitit tiroidien. Nisur nga analizat e mësipërme, mendoj që duhet ta kishit filluar mjekimin me hormon terapi zëvendësuese, ndaj nëse nuk jeni duke u mjekuar, duhet të paraqiteni sa më shpejt te mjeku specialist, për të marrë terapinë e nevojshme. Për çdo nevojë apo sqarim, mund të më kontaktoni sërish. Të shkuara!