– Jam 40 vjeçe, e martuar.
Para 6 vjetësh kam operuar gjëndrrën tiroide sepse më doli diagnoza Struma Nodosa.
Po kështu, kam përdorur edhe jodin radioaktiv dhe, që nga ajo kohë, përdor Letrox 100 mg. Dua të di, a më pengon në shtatzani, pasi kam pësuar dy aborte? Dua disa këshilla nga ana juaj…
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- Që në fillim, ju falënderoj për përshkrimin konçiz të gjendjes suaj shëndetësore, edhe pse mungojnë disa të dhëna të tjera që do të më ndihmonin ta kisha më të qartë ecurinë e sëmundjes tiroidiene që keni patur dhe trajtimin. Të dhënat që mungojnë janë: Përse ju kanë rekomanduar ndërhyrjen? A jeni trajtuar ju përpara operacionit me barna apo jo? Cila ka qenë përgjigjja histopatologjike apo mbjellja e masës së hequr? Sa pjesë e tiroides ju është hequr? Kur e keni marrë jodin radioaktiv, sa seanca keni përfunduar dhe sa ka qenë doza e tij? Përsa më sipër, siç e kuptoni, ka shumë elementë esencialë që mungojnë në anamnezë, por unë gjithsesi do të mundohem të bëj një analizë deduktive profesionale, nisur nga të dhënat që më jepni. Mundësia më e madhe është që ju të keni patur noduj të dyshimtë për malinjitet, ndaj edhe keni ndjekur atë rrugë trajtimi siç e tregoni në pyetjen tuaj, por nëse bindemi për këtë supozim, ju duhet të kishit kryer citopunksionin e nodujve të tiroides përpara dhe pas ndërhyrjes.
– Gjithsesi, nëse jeni trajtuar për këtë diagnozë, ju duhet të ndiqeni rregullisht edhe pas operacionit për të përcaktuar sa më saktë nevojat e organizmit tuaj për mjekimin me hormon zëvendësues levothyroxine (letrox) si dhe a ka mbetur ndonjë mbeturinë nga sëmundja e vjetër apo jo? Ka edhe një mundësi tjetër në lidhje me diagnozën e saktë e kjo ka të bëjë me faktin që struma juaj nodoze përpara operacionit, ka patur funksion të shtuar apo hipertireozë? Kjo gjendje ka të bëjë me faktin kur një apo disa noduj dalin jashtë kontrolleve fiziologjike normale, duke marrë përsipër prodhimin e hormoneve të tiroides. Në rastin tuaj konkret, mund të jetë shoqëruar me prodhimin e sasive të mëdha të hormoneve tiroidiene. Nëse bazohemi te kjo diagnozë e supozuar, mund të themi që ju mund të keni hequr gjatë operacionit një pjesë të tiroides. Me kalimin e kohës, kjo ndërhyrje ndoshta ka rezultuar e pamjaftueshme për të zgjidhur përfundimisht sëmundjen tuaj e për pasojë, mund të kenë mbetur mbetje të sëmundjes, të shoqëruara sërish me mbiprodhimin e jodit.
– Duke qëndruar në të njëjtin kontekst, argumentimi shkon më tej duke supozuar që kolegët nuk e kanë parë të arsyeshme t’ju operojnë për herë të dytë, ndaj ju kanë rekomanduar si zgjidhje më konservative marrjen e jodit radioaktiv. Mjekimi i mëvonshëm me hormon zëvendësues është logjik për vetë faktin që si operacioni, ashtu edhe trajtimi me jod radioaktiv kanë sjellë si pasojë zhdukjen totale të funksionit të tiroides dhe është e kuptueshme që po të mos të merret hormoni me ilaçe, organizmi ynë nuk mund të funksionojë normalisht. Duke e mbyllur komentin hipotetik, ju ftoj të rivlerësoni në këtë moment saktë gjendjen tuaj, kuptohet, nga një specialist i fushës, në mënyrë që të jetë më e qartë çfarë është bërë deri më tani e ku duhet të shkojmë me protokollet e mjekimit për ju. Rëndësi në këtë moment ka që të jeni mirë me shëndet dhe mjekimi që po merrni, të ketë rikthyer vlera normale të jodit në gjak. Mendoj që këtu duhet kërkuar përse ju nuk keni patur një shtatzani të frytshme deri më tani e më pas gjatë vizitës së ardhshme do të marrë përgjigje edhe kjo pjesë e rëndësishme e pyetjes suaj. Më shkruani sërish për çdo shqetësim apo paqartësi.