S.-në e takova në Qendrën e Trajtimit me Metadon.
U kërkova punonjësve të më krijonin mundësinë për të intervistuar një nga personat që kishin një histori të gjatë me drogën dhe ata më rekomanduan atë.
Megjithëse ishin të shumtë e të ndryshëm personat që pashë të vinin për t’u trajtuar në atë qendër,
që i kanë hyrë njëherë kësaj rruge dhe e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të dalin prej saj, nuk e dija se si do të ishte takimi e biseda me të… Ai erdhi fiks në orar ditën që e lamë takimin. Ishte një djalë i veshur me shije, i sjellshëm dhe i gatshëm të fliste për eksperiencën e tij të dhimbshme, megjithëse nuk hezitoi të pohonte se “historia e tij ishte shumë e gjatë” e niste që nga fëmijëria e vështirë… Unë u mundova të ruaja gjuhën e tij dhe, nuk di se si do ta përjetoni ju leximin e kësaj historie, por për mua, ai ishte një ndër personazhet e intervistuar që do t’i mbaj mend gjatë…
– Përshëndetje S. Të pashë që sapo more dozën e sotme të metadonit. Sa kohë ke që po trajtohesh në këtë qendër?
– Përshëndetje… Unë, me thënë të drejtën, këtë e kam terapinë e dytë me metadon. E kam ndjekur një vit e gjysëm herën e parë, por asgjë nuk arrita… Sapo dola, shkova te Spitali Ushtarak dhe mora disa kokrra heptanon, i mbarova ato dhe nisa prapë drogën.
– Po për sa kohë ndoqe kurën këtu, e përdore drogën?
– E prisha, e prisha… (nënkupton, që ka marrë drogë sërish) Kur dola, fillova një javë mall, por më kapën dhe më futën në burg. Dola nga burgu në vitin 2010. Kam rënë shtatë herë në burg, total, i bie… nëntë muaj, një vit, shtatëmbëdhjetë muaj… thuajse katër vjet e gjysëm! Tani, në terapi po bëj vitin e dytë, por kam nja katër muaj që s’e kam pirë fare…
– Dhe, si ndihesh?
– Më mirë ndihem… Edhe me mall, ishte i kotë ai muhabet. Edhe lek s’po gjenim dot, shtëpia priste nga unë… Pastaj, unë tani po marr metadon, me shpresën se do ta lë përfundimisht dhe është më keq nëse pi metadon dhe e vazhdon drogën…
– Ti, ke ndonjë shpresë që do ta lësh?
– Do Zoti i madh, po! Di gjë unë?! Ja, do ta provoj, s’kam për të pirë mall e të shohim…
– Sa vjeç je ti tani dhe sa kohë ke që je i varur prej drogës?
– Jam 32 për 33 vjeç dhe jam i Shtëpisë së Fëmijës. Shkollën e mesme nuk e kam mbaruar, e kam lënë përgjysëm, se më zuri viti 97 në shkollë. Vajta në Greqi në vitin ‘97 dhe ndenja atje deri në ’99-n. Mallin e fillova kur erdha këtu… E dija se ç’ishte rreziku, nuk është se nuk e dija, por ishte ajo ideja: “Hajt, ta provoj njëherë!”. Dhe filloi pastaj rrugëtimi, nga viti ‘99 deri në 2013-n.
– Si e fillove?
– Kur u ktheva nga Greqi, shkova të jetoja në konviktin e Qytetit të Nxënësve. Aty, ngaqë nuk hynte as policia, ishte si vend i sigurtë për ca persona që abuzonin me drogat. Unë i shihja çdo ditë dhe një ditë i pyeta se çfarë po bënin. “Po pimë mall”, më thanë. I pyeta se ç’ishte “malli” dhe më thanë se ishte heroinë. U thashë: “A ta provoj pak? Se kam edhe lek…”
– Po ti, e dije më parë se ç’ishte heroina?
– Në Greqi, e kisha parë, por që të pija, jo… Vetëm ndonjë cigare hashash kisha provuar. Nuk e dija se ç’ishte heroina në vetvete, pasojat që mund të kishte, por kur erdha këtu dhe shikoja të tjerët që e pinin, thashë: “Hajde ta provoj”. Ata, në fakt, më dolën borxhit, më thanë se nuk është e mirë, është me siklet e të tilla gjëra, por unë insistova dhe…
– Cila ishte ndjesia e parë që provove?
– Ditën e parë, më pëlqeu… Ne e pinim me të mbushur, si puna e hashashit, me cigare, si fillim. E fut pluhurin brenda në cigare dhe e ndez. Më pëlqeu dy ditët e para, edhe pse më vinte për të vjellë, nuk e ndjeja trupin, më pihej cigare apo më hahej bukë. Kështu, për një javë… E pija përditë, po shumë pak. Pastaj e doja patjetër… Në fillim e pija me cigare, por kaloi një muaj dhe nisa ta pija në varak. Kështu, rashë në burg, ku ndenja tre muaj…
– Për ç’arsye re në burg?
– Detyrimisht… Kisha nisur drogën dhe s’kisha lek, kështu që do vidhja, se duhet ta blija patjetër… E di që shumë vetë do të më paragjykojnë, se janë ca njerëz që thonë: “Po qe drogaxhi, është hajdut!”. Nuk është se doja unë të vidhja, por të shtyn ajo të bësh diçka, do të gjesh patjetër një mënyrë që të bësh lekët. Kanë shitur edhe shtëpitë njerëzit për këtë punë… Unë, të paktën, në shtëpi s’bëhet fjalë të kem vjedhur…
– Po para se të vije këtu, nuk ka patur raste që ke tentuar ta lësh?
– Sigurisht, shumë herë… Kur hyja në burg, rrija tre muaj dhe e harroja. Herën e parë ndenja dy muaj e gjysëm, dola dhe isha i pastër, nuk ma kërkonte trupi, por sa dola, direkt më shkoi mendja aty. Nuk e di se si, por të futet si psikozë dhe thua me vete: “Ta provoj edhe një herë, me heq fiksimin!”. Fiksimi, vetëm fiksimi! Thoja me vete: “Dua të bëhem edhe një herë në atë gjendje, ta provoj atë ndjesi”… Kështu fillon e pastaj s’del dot më.
– Çfarë ndjesie është kjo, që të tërheq kaq shumë?
– Çfarë ndjesie… Varet. Nuk është se e provojnë të gjithë njësoj dhe nuk është se mua më jepte ndonjë qetësi kushedi se çfarë. Thjesht, më vjen si përgjumësh, më pihet shumë duhan, këto… Unë dilja nga burgu dhe me ditën e dytë fillonin sikletet prapë, nga e para, e njëjta histori…
– Sa shkojnë sot shpenzimet për të siguruar drogën?
– Në atë kohë kur e nisa unë, me dhjetë mijë lek (të vjetra) shtyje gjithë ditën, kurse tani, malli jo vetëm që nuk ka cilësinë e parë, por është “zhavorr” dhe, që të “bëhesh”, duhet të kesh 27 mijë lek…
– Je më i qetë tani me metadonin?
– Jam më mirë… Kështu, edhe të tjerët nuk mendojnë se kam filluar prapë drogën, sepse, sa dobësohesh pak, këtë mendojnë… Jam më mirë, më mirë! Kemi gjet rehat të gjithë këtu. Të shohim nëse do ta lëmë dot… Që ta tregoj historinë time, është shumë e gjatë, por po i bie shkurt… Nja dy vjet kam fjetur jashtë, nëpër hyrje pallatesh. Në konviktin e shtetit më shihnin me sy të keq, kështu që flija jashtë… Unë edhe e kam lënë, por nja gjashtë vjet kam pirë mall e s’i jam ndarë!
– Ti më the se je i Shtëpisë së Fëmijës…
– Po, kam qenë në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe shkollën tetë vjeçare e kam bërë këtu afër. Kur mbarova klasën e tetë, ne na çonin në shkollë të mesme. Mua më çuan në Durrës, ku bëra një muaj…
– Ke patur ndonjëherë kuriozitet për ta njohur familjen tënde? Ke ndonjë informacion?
– E kam unë mamin, është e martuar, ka dhe vilë dykatëshe… Babi më vdiq në Greqi. Deri në ‘85-n, unë kam jetuar me nënë e babë dhe me vëllain tim. Atë vit më ra babi në burg… Ishte njeri i mirë, ishte në punë, punonte, por donte të kishte ca më shumë e gjeti atë rrugë… Kur babi ra në burg, mami, që ishte gocë e re, u nda. Gjyqi pastaj na ndau ne dy fëmijëve. Mua më mori gjyshja nga babai, kurse vëllain e mori mami. Gjyshja mori edhe vëllain, por edhe ajo na mbajti dy vjet e s’mund të na mbante më, kështu që ne përfunduam në Shtëpinë e Fëmijës. Vëllain e çuan në befotrofin e Vlorës, kurse mua, këtu në Tiranë. Atëhere unë isha shtatë vjeç… Pastaj, të shtunë të dielë vinte e na merrte…
– Mami?
– Gjyshja, jo mami! Mami na harroi fare… Nejse, tani ajo ka rënë rehat. E kam pa nja dy-tre herë rrugës…
– E ke takuar?
– Jo, jo…
– Tani, me sa më the, je i martuar…
– Po, jam fejuar në vitin 2008, martuar në 2009-n dhe kam një çun dy vjeç e gjysëm…
– Po me nusen, si u njohe?
– Aty, në konvikt, ku jetojmë. Është edhe ajo e Shtëpisë së Fëmijës.
– E dinte ajo që pije drogë?
– Posi jo?! e dinte… herën e parë bile që e kam parë isha dru… në 2008-2009-n. Pranoi, ku di gjë unë… pastaj sa kaluan vitet edhe unë sikur u mblodha, se në atë kohë, pija hashash, pija mall, pija metadon, alkool…
– Vazhdoni të jetoni në konvikt tani?
– Po, kemi një dhomë pak më të madhe se kjo… Te Qyteti i Nxënësve është konvikti i shkollës, por ata kanë edhe një fond për ne të Shtëpisë së Fëmijës. I kemi dhomat të ndara, të caktuara, nuk i paguajmë. Unë kam aty që në ‘95-n, po bëj njëzet vjet…
– Me çfarë merresh? Si e mban familjen?
– Po ja… E kam vëllain në Greqi dhe ai më sillte pak, këta të kishës na sillnin ndihma, asistenca. Na ndihmon vëllai i nuses që është në punë dhe pak sajoj unë kshu… Nusja tani nuk punon se mban çunin, por do ta fusim në shtator në kopësht dhe do të nisë punën ajo.
– Po vetë, ndihesh i gatshëm për të filluar punë?
– Punë filloj, po s’kam asnjë zanat, kam punuar vetëm kamarier këtu, kurse në Greqi, hau-hiu… Mendoje, vajta 17 vjeç dhe u ktheva 19 vjeç e gjysëm.
– Ka patur ndonjë rast që je sjellë keq me familjen?
– Po kshu, llafe e debate ka, por dhunë asnjëherë, e kam mbajt veten!
– Tani besoj se shpresa është te djali… Ai duhet të të shtyjë që ta lësh!
– Do Zoti i madh s’kemi për të ndenjur gjithë jetën kështu…