Isha 18 vjeç kur njoha Stelën.

Ajo ishte gjithçka për mua dhe unë për të. Ne jetonim në fshat dhe takoheshim fshehurazi, pasi nëse zbulohej që ishim lidhur, dihej përfundimi, megjithëse unë isha gati t’i shkoja në shtëpi.

Kaloi pak kohë dhe nëna ime e nuhati lidhjen tonë. Unë i thashë se do fejohesha me Stelën, por ajo kundërshtoi, duke argumentuar: “Ajo është e krishterë dhe nuk duam të përziejmë fenë”, pasi ne jemi muslimanë. Nuk kisha asgjë, e vetmja gjë që më gëzonte ishte takimi me Stelën, puthjet dhe përqafimi i saj. Doja ta kisha kudo me vete, të ishte gjithmonë pranë meje, por realisht, ishte e pamundur të isha me të. Familja ime bëri gjithçka për të më ndarë nga ajo. Një natë dëgjova nënën që po i thoshte babait se do të ishte mirë të më largonin nga Shqipëria, për te disa kushërinjtë e mi që jetonin në Itali. E dëgjova këtë dhe i thashë Stelës se donin të na ndanin, kështu që vendosëm të dy që të iknim nga fshati. Problemi ishte se nuk kishim ku të përplasnim kokën. Njerëzit e Steles dhe të mitë nuk na pranonin. Gjatë kësaj kohe, unë kisha kursyer disa lek nga puna si kamerier që kisha bërë në fshat, por ato ishin të mjaftueshme vetëm për një muaj. U nisëm me këto lek dhe jetuam për pak kohe në një qytet larg fshatit tonë. Menjëherë kërkuam punë, por ishim pa profesion. Vështirësinë e punësimit e kuptuam pas disa përpjekjesh. Kishim marrë një shtëpi me qira ku kishim paguar vetëm një muaj. Po kalonte koha, po na mbaronin lekët dhe ishim pa punë. E kuptuam që dashuria po fillonte të kishte lëkundje. Lekët shkaktonin debate të vogla. Një ditë, Stela u ngrit e mërzitur dhe më tha se do kthehej në shtëpi. Ajo ishte e vendosur dhe kishte bërë gati rrobat. U përpoqa ta ndaloja, por e dija që ishte e kotë, sepse kur ajo e vendoste diçka, nuk kishte njeri që ia ndryshonte mendjen. Nuk e di cilat ishin arsyet që e bënë të merrte këtë vendim, por gjithsesi, ajo iku.

Unë mbeta vetëm. Familja e saj e pranoi në shtëpi, ndërsa familja ime, e urrente atë. Unë ika në Itali, te kushërinjtë e mi. Kaluan vitet dhe unë nuk kisha dëgjuar asgjë për të. Atje njoha një vajzë italiane. Ishte shumë e bukur dhe u lidha me të për të harruar Stelën, por ajo filloi të më donte çmendurisht. Ajo ishte një mbështetje për mua në atë vend ku nuk njihja njeri dhe kisha vendosur ta sillja në Shqipëri që të njihte familjen time. Nuk e dija se e kujt ishte, vetëm më kishte thënë se vinte nga një familje e pasur. Ishin kushërinjtë e mi këtë herë që do të shkatërronin gjithçka. Ata e kishin ndjekur njëherë deri në shtëpinë e saj dhe kishin marrë vesh se ajo ishte vajza e kryetarit të komunës në zonën ku jetonim. Duke parë gjithë fatin dhe gjërat e mira që po kaloja me të, si dhe duke ditur planet që kisha me të, ata i kishin thënë të atit të dashurës për ne të dy. Anxhela, e dashura ime, kishte dëgjuar se i ati e kishte marrë vesh këtë dhe më tha se duhet të bënin diçka, pasi ai nuk do të na lejonte të rrinim bashkë. Vendosa ta rrëmbeja dhe kisha thurur plane duke kërkuar ndihmën e kushërinjve të mi. Nuk e dija se ata do të më tradhtonin. Në ditën dhe vendin e takimit me Anxhelën, erdhi babai i saj dhe e largoi atë duke e dërguar në një ishull larg Italisë dhe Shqipërisë. Mua më bënë një gjilpërë, e cila më bëri të humbja ndjenjat.

Në atë periudhë unë kisha futur letrat dhe prisja t’i merrja. Pas kësaj, nuk doja të rrija më as në Itali. Bleva një makinë, por bëra një aksident dhe makina m’u shkatërrua. U ktheva në Shqipëri pa i marrë letrat. Familja nuk po më njihte. Kisha ndryshuar krejtësisht. Isha transformuar si pamje dhe si njeri. Sapo u ktheva, ata donin të më gjenin nuse, por në nerva e sipër, u thashë se nuk do të martohesha kurrë. Nga ai djalë shumë shakaxhi që kisha qenë, isha bërë fjalëpak, i zymtë, i egër, pa interes për botën dhe për njerëzit që më rrethonin. Flokët i kisha lënë të gjata, i kisha kaçurrela dhe dukeshin si të lyera me fije. Të gjithë njerëzit e mi më shikonin habitshëm, tërë pasiguri. U dukesha si i huaj, madje disa fëmijë dajash më thonin se ngjaja me të droguar, ndërsa unë vetë, ndjehesha i vdekur për së gjalli. S’doja të dija se kishte jetë, se ekzistonin femra apo se kisha familje. Nuk më interesonte asgjë. Tani, bota dhe jeta për mua ishin të zeza dhe asnjë ngjyrë tjetër nuk ekzistonte. Isha kthyer në njeri të dyshimtë e të pasigurtë edhe për familjen. Dukej sikur e gjithë bota kishte pushuar se ekzistuari, se koha kish ndalur, por në fakt, kish ndalur jeta dhe koha ime sepse për të tjerët, ajo rridhte normalisht. Pas disa muajsh, më erdhën letrat nga Italia, por i dogja sapo më ranë në dorë. Kisha kaluar aq shumë dhimbje atje sa nuk dëshiroja të kthehesha më. Fillova punë në Shqipëri si punëtor llaçi, pasi nuk kisha një zanat. Po kalonin vitet dhe u bëra 28 vjeç. Njerëzit e shtëpisë ngulnin këmbë se duhet të fejohesha. Unë nuk doja të kisha më femër tjetër ose nuk kisha dëshirë të krijoja një njohje tjetër. Ndjehesha bosh dhe i lodhur, i inatosur me të gjithë dhe me dëshirën për t’u larguar nga të gjithë. Pas disa muajsh, fillova të shtroja pllaka me disa miqtë e mi. Hynim në shumë shtëpi e shikoja shumë familje. Kisha parë edhe shumë vajza, por asnjëra nuk më hynte në sy dhe jo se isha unë më i bukur apo se ato nuk kishin vlera, por sepse dashuria e vërtetë kishte ikur për mua. Tani ndoshta do gjeja një grua vetëm për ta pasur dhe për t’u kujdesur për mua.

Një ditë, në një familje, njoha një vajzë. Ajo quhej Mira dhe ishte rreth 25 vjeçe. Ishte e bukur dhe e ndjeshme. Po shtronim pllakat në shtëpinë e saj. Një ditë pashë se ajo kishte venë një unazë në gisht. E kujtoja të fejuar. I kërkova një gotë ujë dhe kur më dha gotën, më preku gishtat. M’u krijua një ndjesi që kishte kohë që kishte vdekur për mua, por ajo unazë në gisht më pengonte t’i hidhja një fjalë. Stepesha përballë asaj femre dhe ambientit në të cilin gjendesha. Si ta zbuloja në ishte e fejuar apo jo?! Kur po hanim drekë, një ditë, i thashë të vëllait:

– Keni dasmë, prandaj po e rregulloni shtëpinë? – dhe ashtu si në ditën e gjykimit, prisja përgjigjen.

– Jo, jo, – më tha ai, – nuk kemi dasmë, pasi unë jam i martuar dhe motrën e kemi beqare.

Sa u gëzova nga kjo përgjigje! Te kjo shtëpi punova rreth 15 ditë. Pas kësaj, shkuam në një shtëpi tjetër, por nuk më hynin në sy femrat e tjera. Më kish ngelur në mendje ajo… Vendosa t’i tregoja familjes sime. Ata u gëzuan shumë, e panë vajzën, u pëlqeu dhe dërguam njerëz në shtëpinë e saj. Pas disa muajsh fejese, ne vendosëm të martoheshim. I tregova gjithçka që kisha kaluar në jetën time asaj dhe ajo i pranoi këto, ndërsa për të, unë isha dashuria e parë.

Tani jam i qetë dhe dalëngadalë, po ndërtoj jetën time. Pres të vijë në jetë fëmija im i parë. Jam i gëzuar që më në fund, pas shumë e shumë peripecish që kalova në jetë, të paktën kam një grua që më do dhe unë po filloj ta dua. Jam shumë i gëzuar që Zoti shumë shpejt do të na bekojë me një fëmijë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *