Ju ka ndodhur ndonjëherë të ndiheni vetëm në këtë botë, sikur familja nuk ju do ose më saktë, sikur nuk i përkisni aspak asaj, por dikujt tjetër diku, nëpër botë?
Ju do të thoni “po”… Ndoshta nuk është ndonjë gjë e re, ndoshta kjo është një ndjenjë e zakonshme,
që i ndodh çdo adoleshenti që nuk është i kënaqur me familjen që ka dhe që dëshiron të jetë gjëkund tjetër, ose ndoshta të jetojë vetëm fare.
Mua më ndodh pikërisht kjo gjë dhe jo nga vetja, por nga njerëzit me të cilët jam i detyruar të bashkëjetoj. Ju do të habiteni se përse flas në këtë mënyrë pikërisht për prindërit e mi! Ndoshta keni të drejtë… Edhe unë do të kisha shumë dëshirë të mos flisja kështu, por për shumë vite që kam kaluar me ta, nuk e kam ndjerë kurrë dashurinë, ashtu si çdo fëmijë ndjen dashurinë e prindit, pa kushtëzim. Edhe ata nuk kanë dhënë maksimumin e tyre për krijesën e tyre. Unë jam rritur vetëm, pa motra dhe vëllezër. Më kujtohet kur isha i vogël dhe u kërkoja të mive një motër ose vëlla. Ata më thonin:
– Për çfarë i do, që të të marrin lodrat? – dhe e mbyllnin këtë dëshirë timen me njëqind justifikime, të pakuptimta ndonjëherë.
Unë jam rritur duke ndërruar kopshte e shkolla shpesh, pasi mamasë sime diçka nuk i pëlqente te mësuesit, te shokët e klasës apo gjetkë. Kështu, nuk ambientohesha kurrë, duke mos u lidhur me asnjë shok e duke mos krijuar shoqëri, edhe pse nuk e kisha problem t’i krijoja ato. Shtëpinë nuk e kemi ndryshuar, por në lagje nuk më linin të dilja si çdo fëmijë tjetër. Nëse do të ndodhte, do të isha i shoqëruar me mamin nga pas. Në adoleshencë, kur hyra në gjimnaz, i mora frerët e jetës sime në dorë dhe nuk lejova që të vendosnin më për mua. Atëhere fillova të kuptoja shumë gjëra që deri dje më dukeshin pa ndonjë domethënie të madhe. Unë jam fëmijë i adoptuar, nuk jam fëmija i prindërve që më kanë rritur, por fëmija i dikujt tjetër, që më braktisi që ditën e parë të jetës sime. Kur e mendoj, më zë trishtimi dhe mendoj sa të pashpirt që kanë qenë, por prapë i jap zemër vetes që mund të më shkonte edhe më keq, të isha rritur në jetimore përgjithmonë, ashtu si qindra fëmijë të tjerë që rriten enden rrugëve ose përfundojnë edhe më keq. E zbulova këtë të vërtetë të jetës sime rastësisht, në një bisedë të gjyshes me mamanë, kur ato mendonin se ishin vetëm. Dëgjova që gjyshja i thoshte:
– Ai është djali yt, mbaje sa më afër që të mos e humbësh!
Dhe zërin e mamasë, që i përgjigjej me hidhërim: – Djali im vdiq! Atë natë, vdiqa dhe unë…
Se çfarë më mbajti në ato çaste që të mos hyja dhe të bëja një pyetje, nuk e di… Shumë net, zemra ime u trazua, shpirti im nuk arrinte ta pranonte këtë të vërtetë, i thoja vetes që kisha dëgjuar gabim, që e kisha krijuar çdo gjë vetë, por fatëkeqësisht, këtë të vërtetë, vetëm Zoti mund ta ndryshojë dhe unë kërkova e u binda që nuk isha vërtet fëmija i tyre.
Në familjen e mamasë nuk isha ndjerë kurrë si i huaj, pasi gjyshja më shfaqte një dashuri të sinqertë dhe gjithmonë luante rolin e zbutëses midis meje dhe prindërve të mi. Ajo i bërtiste gjithmonë mamasë që të tregohej tolerante me mua, madje e detyronte të tregonte kujdes më të madh kur unë sëmuresha apo kisha ndonjë problem dhe gjithmonë ajo ka qenë e pranishme në jetën tonë, duke e justifikuar këtë me dashurinë për nipin e parë. Me kushërinjtë shkoja shumë mirë, por kur i krahasoja marrëdhëniet e tyre me prindërit me ato që kisha unë, shikoja një harmoni që mua më ka munguar gjithmonë. Me babanë kam patur një marrëdhënie jo të keqe, por nuk mund të them që ai ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në jetën time, më shumë ajo që vendoste për gjërat ishte mamaja dhe ai vetëm pasonte rregullat që kishte vendosur ajo.
Kur mora vesh këtë sekret, unë u mbylla në vetvete e nuk u tregova atyre që më rritën se unë e dija të vërtetën që ata e ruanin me aq xhelozi nga bota dhe dëshira ime e vetme ishte që të ikja nga ajo që quhet familja ime e shortit dhe, duke qenë i ndërgjegjshëm për veten, që nuk kisha asgjë dhe duke qenë se isha mësuar të jetoja si njeri me dinjitet, nuk dëshiroja të endesha rrugëve pa një strehë, nuk u ndjeva, duke bërë shurdhin, sikur nuk kisha dëgjuar asgjë. Vendosa të hyja në punë dhe, edhe pse e vazhdoja shkollën, në kohën e lirë punoja si kamerier në një lokal në qytetin tim.
I dhashë rëndësi shkollës, që më pas të kisha mundësi të vazhdoja studimet e larta dhe aty do të vinte edhe liria ime, do të ndërroja qytet gjithashtu e do të punoja dhe do të ndjeja pavarësinë. Gjatë periudhës që punoja, ndonjëherë ndihesha aq i shkëputur nga prindërit sa mamaja filloi të vinte ndonjëherë te puna. Kur kthehesha në shtëpi, i thoja që nuk dëshiroja që ajo të vinte të më kontrollonte. Një nga diskutimet tona, degjeneroi dhe ajo, duke bërtitur, më tha:
– Je djali im dhe sa të jesh në shtëpinë time, do të bësh atë që të them unë!
Aty, edhe unë e teprova dhe i thashë se nuk isha djali i saj. Ajo u habit nga ato që i thashë, për një moment ngriu dhe në sytë e saj shikohej ajo e vërtetë që nuk arrinte ta rrëfente me fjalë. Biseda u ndërpre dhe nuk vazhdoi më. Edhe pse ndoshta do të ishte momenti i përshtatshëm për të bërë pyetje, unë nuk i bëra, sepse mendova: “Çfarë vlere do të ketë? Ajo asgjë s’do të më tregojë”.
Të nesërmen, kur ne ishim qetësuar, ajo mundohej t’i zbuste gjërat dhe të më shpjegonte diçka, por unë nuk dëshiroja të flisnim për atë që ajo fshihte, për atë që unë e kisha të drejtën legjitime ta dija. Koha kaloi dhe unë u largova në shkollë të lartë. Mund t’ju them se, edhe pse u ndjeva i lumtur për lirinë dhe pavarësinë që kisha fituar, jeta vetëm nuk qe aq e lehtë, pavarësia pa para nuk ka vlerë dhe të gjeje punë, nuk ishte aq e lehtë. Unë kisha nevojë për prindërit që më rritën dhe ky kujdes që, kur isha afër tyre unë nuk e vlerësoja aspak, kur u largova, u bë shumë i madh. Kujdesi ekonomik pati vlerë edhe emocionale për mua, sepse kuptova që tregon shenjë përkujdesjeje për fëmijën që kishin rritur dhe sjellja ime ishte egoizëm për njerëzit që më kishin dhënë një shans, në krahasim me ata që më kishin braktisur atë natë në maternitet.
Pas gjithë atyre vitesh të jetës sime që i kalova pa e ndjerë dashurinë, nga njerëzit që më zgjodhën për të qenë fëmija i tyre, unë ndjeva diçka dhe mendova që ndoshta atë dashuri që unë kërkoja, ata nuk dinin ta trasmetonin tek unë, por jo se nuk e ndjenë vërtet. Pasi një viti të gjatë shkollor, ku jeta më vuri në provë, unë u riktheva në atë shtëpi ku isha rritur dhe ku i kisha premtuar vetes që nuk do të rikthehesha kurrë, në shtëpinë time. Ata ishin prindërit e mi dhe unë i doja!