I kuq, i zi, jeshil? Kur dhe sa?
Ju tregojmë gjithçka që ka lidhje mbi virtytet e njërës prej pijeve më të konsumuara në botë.
Ai përmban shumë substanca, si kafeina, katekinat e flavonoidet, që lehtësojnë djegien e kalorive…
– Bën mirë çaji për shëndetin?
– Po, çaji është i pasur me antioksidantë, të cilët janë të mirë për zemrën, arteriet, lëkurën… Në këtë drejtim, dy filxhanë çaji janë baraz me shtatë gota lëng portokalli ose gjashtë mollë.
– Çaji është më pak eksitues sesa kafeja?
– Po, çaji përmban dy-tre herë më pak kafeinë ose teinë. Është e njëjta molekulë.
– Çaji të pengon të flesh?
– Kjo varet nga ndjeshmëria e gjithsecilit, si kafeja. Sido që të jetë, është mirë ta evitoni pas orës 17.00, ose zgjidhni një varietet që ka pak teinë, të deteinuar (që i është hequr teina), ose çaj të kuq (shihni më poshtë varietetet e çajit).
– Mund të pimë sa të duam?
– Jo, pesë filxhanë në ditë janë maksimumi, flasim për filxhanë mesatarë, jo gotat e mëdha. Pirja e shumtë ul nivelin e hekurit dhe rrezikoheni nga anemia.
– A mund ta deteinoj vetë çajin tim?
– Po, lëreni në ujë të nxehtë afro 30 sekonda, hidheni ujin dhe hidhini ujë tjetër. Lëreni atëhere në të për 2-3 minuta, vetëm se do të ketë më pak aromë.
– I zverdh dhëmbët çaji?
– Jo gjithmonë, por për të evituar rrezikun e ngjyrosjes, mund të pini çaj të deteinuar, të mos e pini shumë të nxehtë, ta shpëlani gojën më pas nëse është e mundur dhe të përdorni pasta dhëmbësh të veçanta për duhanpirësit.
– A mund të hedhim limon në çaj?
– Për shkencëtarët është një ide e mirë, sepse limoni pengon disa antioksidues të çajit, katekinat, të shkatërrohen gjatë kalimit në sistemin tretës. Kështu, ato asimilohen më mirë nga trupi. Nga ana tjetër, për terjaqinjtë e çajit, kjo vret shijen.
– Po qumësht?
– Specialistët nuk e këshillojnë, sepse disa proteina eliminojnë aftësitë mbrojtëse të çajit.
– A mund të pimë çaj gjatë vakteve?
– Më mirë jo, sepse teina pengon asimilimin e hekurit që përmbajnë ushqimet.
– Është më i mirë çaji që shitet me qese të mëdha sesa ai me qeska të vogla?
– Jo gjithmonë. Sot gjejmë çajra të mira edhe në qeska të vogla, përfshi edhe në supermarket. Ju takon juve t’i provoni dhe të zgjidhni atë që ju pëlqen më shumë.
– Sa kohë duhet ta lëmë çajin në ujë të nxehtë?
– Kjo varet. Tri minuta nëse doni t’ju japë energji, sepse teina dhe antioksiduesit çlirohen gjatë tri minutave të para dhe më shumë se tri minuta nëse e doni më relaksues. Kështu, taninat e çliruara pengojnë veprimin e teinës, por çaji është më i hidhur.
– Pse çaji ka ngjyra të ndryshme?
– Shumica e çajrave vijnë nga e njëjta bimë, ajo e çajit. Është trajtimi ai që ndryshon, siç ndodh me rrushin dhe verën.
Llojet e çajrave:
a. Çaji i zi: Krejtësisht i fermentuar, ai është më pak i pasur me antioksidues.
b. Çaji jeshil: I preferuari i aziatikëve, i pasur me antioksidues dhe vitamina C dhe E.
c. Çaji i bardhë: Shumë pak i transformuar, ai ruan maksimumin e antioksiduesve dhe shija e tij është shumë delikate, por kushton.
d. Çaji i kuq. Në fakt, ai nuk është çaj! Bëhet fjalë për një bimë të Afrikës së Jugut, që quhet “rooibos” e që përmban gjithashtu antioksidues, por jo teinë.