Unё qё po ju shkruaj jam njё nёnё dhe njё grua shumё e vetmuar. Jeta ime tani ka marrё fund, edhe pse marr frymё.
Para disa kohёsh, jetoja e lumtur me familjen time.
Kisha njё djalё dhe burrin. Edhe unё, edhe burri ishim nё punё.
Djalit nuk i kishim dhёnё shkollё tё lartё dhe nё fakt, e kishim llastuar pak. Nuk kishte shkuar nё shkollё qё pas klasёs sё tetё, rrinte nё shtёpi, dilte me shokёt dhe kёshtu qё edhe dёftesёn e shkollёs sё mesme bёra sakrifica e ia gjeta me mik. E futa nё punё nё njё institucion me sigurime. Ishte njё djalё i mbarё dhe puna po i ecte. Edhe jeta gjithashtu po i ecte, sepse ishte njohur me njё vajzё shumё tё mirё. E kisha marrё vesh nga disa shokё tё tij se e kishte serozisht. E shihja që edhe si tip kishte ndryshuar.
Pas pak kohe, ai erdhi e mё tha se ishte i dashuruar dhe se duhet tё bёhesha gati sepse do ta sillte ndonjё ditё të dashurën nё shtёpi. Unё mendova se ai po tallej, siç e kishte zakon gjithmonё, por njё ditё, kur u ktheva nga puna, e gjeta nё shtёpi sё bashku me njё vajzё. Ishte njё vajzё e dobёt, imcake dhe mjaft simpatike. Nuk dyshoja aspak te gustot e tij. Ai ma prezantoi si nusen e vet. Njё çast nuk e dhashё veten, por pastaj, nё mendjen time, filloi njё luftё e madhe mendimesh. “Pse duhej ta sillte nё shtёpi ashtu? Pse nuk mё pyeti mё parё?” e shumё mendime si këto, por u qetësova duke menduar atё shakanё qё mё kishte thёnё atё ditё. Ajo ndenji pak dhe mё pas, djali e pёrcolli pёr nё shtёpi. Nё darkё, trokiti dera me rrёmbim. Burri u ngrit ta hapte. Njё burrё dhe njё djalё me trup tё bёshёm, u shfaqёn te dera.
– Si jeni? – i pyeti burri. – Kё kёrkoni, ju lutem?
– Juve ju kёrkojmё – tha burri i moshuar – juve qё keni rrёmbyer vajzёn tonё.
– Ju lutem, keni ngatёrruar shtёpi. Brenda jemi vetёm unё dhe gruaja ime. Ne s’e njohim vajzёn tuaj.
– Nuk e njihni ju, por djali juaj, po! Gjithashtu, edhe gruaja juaj.
Burri u kthye nga unё i tërbuar dhe mё tha:
– Tё vёrteta janё kёto qё po thotё ky burrё?
– Jo! – mohova nё vend.
Burri u irritua dhe deshi tё mbyllte derёn, mirёpo djali qё rrinte pas babit tё vet jashtё portёs, tha:
– Mirё, thuaji atij djalit tënd qё ta mbajё motrёn time dhe ajo tё mos shkelё mё nё shtёpinё tonё!
Pas kёtyre fjalёve ata u larguan dhe unё e burri mbetёm tё shtangur. Ai mё pyeti a ishin tё vёrteta fjalёt qё tha ai dhe unё i thashё se djali kishte sjellё nё shtёpi njё vajzё, por pasi kishin ndenjur nja njё orё, ikёn, pa më thёnё se ku. Morёm nё telefon djalin dhe ai na pohoi tё gjitha fjalёt qё na thanё tё dy burrat. Ishte e vёrtetё, ai e kishte marrё vajzёn dhe tani kёrkonte lejen tonё pёr ta sjellё pёrfundimisht nё shtёpi. Burri nuk ishte dakord, por unё, si gjithmonё, nuk doja ta mёrzisja djalin dhe iu luta burrit ta pranonte. Burri, duke mё thënё se isha shkaktarja kryesore e sjelljes negative tё djalit, pranoi.
Djali e solli vajzёn nё shtёpi dhe unё i lirova dhomёn e gjumit. Sakrificat nuk kishin tё mbaruar. Pas kёtyre që ndodhën, mendoja se nuk kishte gjё mё tё keqe se kёto, por isha gabuar.
Ata tё dy jetonin me ne dhe djali ishte i lumtur. Nusja ishte shumё e mirё dhe shumё punёtore, vetёm se nuk ishte e arsimuar qё ta fusja nё njё punё dhe tё mos rrinte gjithё ditёn nё shtёpi.
Pas njё viti, ata u bёnё me vajzё. Ishte dita mё e lumtur e jetёs sime! Nuk di si ta pёrshkruaj atё ditё dhe mё kujtohet që vetёm ngrija kokёn nga qielli dhe falënderoja Zotin. Gёzim edhe mё i madh ishte kur e sollёm nё shtёpi nga materniteti dhe dukej se shtёpia kishte rilindur. Njё jetё e re kishte ardhur dhe çdo gjё po shkonte pёr mrekulli. Nusja ishte pak e mёrzitur sepse akoma nuk fliste me njerёzit e saj, por gёzimi i fёmijёs dhe dashuria e madhe qё i falnim ne nё shtёpinё tonё, e bёnte tё harronte qё kishte familjen e saj.
Edhe djali im ishte shumë i lumtur. Aq shumё u lumturuan tё dy sa pas 12 muajsh ata u shtuan me njё fёmijё tjetёr, tani, me djalё. Edhe pse ishte herёt pёr ta, sepse ishin shumё tё vegjёl, mirёsia e familjes ishte e pafund. Burri im, edhe pse nё fillim ishte kundёr kёsaj martese, tani e kishte harruar mërzinë nga lindja e mbesёs dhe nipit.
Mirёpo, kjo nuk do të zgjaste shumë… Njё ditё djali u kthye shumё i mёrzitur nga puna, sepse e kishin pushuar. Vendi i tij i punës ishte shkurtuar dhe tashmё ai ishte pa punё. Nuk e dinim si do bёnim. Tashmё, ishim njё familje e madhe. Nё fillim kishim disa kursime dhe nuk e ndjemё humbjen e punёs sё djalit. Unё punoja dhe tashmё kisha filluar edhe njё punё tjetёr natёn te njё plakё tё cilёn e ruaja se mos i ndodhte gjё, sepse ishte e sёmurё. Edhe burri, gjithashtu, punonte, por djali ishte shumё i stresuar sepse nuk mund tё rrinte gjithё ditёn kot dhe, pёr mё tepёr, ishte zhgёnjyer nga mosgjetja e punёs.
Ai filloi tё shoqёrohej me disa shokё tё cilёt nganjёherё i sillte edhe nё shtёpi dhe unё i urreja sepse ata donin tё pinin e kisha frikё se mos e fusnin djalin nё rrugё tё gabuar. Isha shumё e merakosur dhe kёtё ia shpreha djalit, i cili mё siguroi se sjellja e tij nuk do të ndryshonte kurrë. Nё fakt, kur e shihja djalin tim me ata shokё, dukej qartё se ai ishte ndryshe nga ata.
– Mos u merakos, mamushi im (kёshtu mё thёrriste akoma dhe pse tashmё ishte me dy fёmijё). Unё jam si shёrbёtori i tyre dhe nuk ngatёrrohem me punёt që kanë; vetёm u hap dhe u mbyll portat kur dalin e hyjnё, tamam si shёrbёtor!
– Mirё, zemra ime – i thoja gjithmonё – kam besim te ti.
Ashtu ishte nё tё vёrtetё. Kisha shumё besim tek ai dhe akoma nuk kam ndryshuar mendim, as do tё dyshoj asnjёherё se djali im ka bёrё diçka tё keqe. Kaluan disa muaj qё djali po merrej me kёtё punё. Unё, tashmё, çdo natё isha larg shtёpisё. Siç ju thashё, ruaja njё plakё dhe paguhesha mirё. Atë natë e lashё punёn nё orёn 6 të mëngjesit, si zakonisht dhe u ktheva nё shtёpi. I gjeta si gjithmonё tё gjithё në gjumё. Pas pak minutash u ngrit nipi i vogёl e ashtu kёmbadoras erdhi tek unё nё kuzhinё. Shkova ta çoja te dhoma e vet. Nusja sapo ishte ngritur dhe po vishte vajzёn. E pyeta se ku ishte djali im. Ajo mё tha se i kishte rënë telefoni nga ora 11 dhe ai iku e tha se do tё shkonte me shokёt nё njё vend. Seç mё sёmboi nё zemёr. Shkova nё kuzhinё dhe mora telefonin, i rashё, por ai dilte i mbyllur. I thashё nuses se dyshoja që djali nuk ishte mirё, sepse ai nuk e mbyllte ndonjёherё telefonin. Atёhere u zgjua burri dhe i thashё se djali nuk ishte dhe nuk pёrgjigjej nё telefon, por pa mbaruar fjalёn, njё zile telefoni sqaroi gjithçka. Djalin e kishin gjetur tё vrarё me njё thikё. Në atë moment, çdo gjё ndaloi. Ulёrimat dhe lotёt pushtuan shtёpinё tonё. Nuk mundem ta pёrshkruaj atë ditë dhe do mё falni, por ёshtё e papёrballueshme…
Pas kёsaj gjёme, unё nuk arrija tё bёja asgjё. Tё shkoja nё punё, as aq bёhej fjalё. Burri im mё akuzonte mua pёr tё gjitha. Ai, pas dy muajsh, u largua nga shtёpia dhe shkoi tek i vёllai nё Greqi. As nuk mё telefonoi mua, por nuses dhe i tha qё do tё rrinte derisa tё merrte veten. Fёmijёt donin tё hanin e tё rriteshin, kështu qё prindёrit e nuses erdhёn e i morёn e unё nuk kisha pse t’i ndaloja. Pёr mua, çdo gjё ishte shumё e trishtuar dhe shumё e pavlerё, megjithatё kur vinte nusja me fёmijёt tё mё bёnte vizitё, seç mё lindte njё ndjenjё e vockёl rilindjeje. Ata ishin fёmijёt e djalit tim dhe unё i doja shumё. Nёse djali do kishte lёnё njё amanet, sigurisht qё do tё ishin fёmijёt e tij. Kёtё mendova dhe vendosa tё rifilloja jetёn. Ishte shumё e vёshtirё, por forca e mendimit mё shtynte tё pёrballoja kёtё humbje tё madhe. Gjeta njё punё dhe i thashё nuses se mund tё vinte në shtëpi pasi do t’i gjeja edhe asaj njё punё, por ajo nuk pranoi. Ajo ishte shumё e mirё, por duke ndenjur me njerёzit e vet, kishte ndryshuar; nuk donte tё jetonte më me mua. Njё ditё, pёr herё tё parё, shkova te shtёpia e prindёrve tё saj. Mbesa dhe nipi m’u hodhёn nё qafё dhe nuk shkёputeshin nga unё. I kishte marrё malli shumё ashtu si edhe mua. Ishin rritur me mua. Kur po i pёrqafoja, ngrita kokёn nga qielli dhe mendova se djali po mё shihte. Nusja kishte ndryshuar shumё sjellje. Ajo mё tha se nuk mund tё jetonte me mua dhe nuk donte tё kthehej mё. Babai i saj mё akuzoi pёr shumё gjёra dhe madje se isha e pёrdalё, pasi edhe burri mё kishte lёnё. Nusja mё tha se fёmijёt mund t’i takoja kur tё doja, por nuk duhet të rrija gjatё me ta, sepse do tё lidheshin shumё me mua dhe ajo donte tё rifillonte jetёn e saj, sepse ishte shumё e re. Nuk po e njihja. Ajo ishte kthyer nё njё femёr pa zemёr dhe kishte harruar sakrificat qё kisha bёrё pёr tё qё nё fillim, kur prindёrit e vet e pёrzunё e deri kur punoja edhe natёn pёr tё rritur fёmijёt e saj e tё djalit tim. U mёrzita shumё.
Tani qё fёmijёt i shoh rrallё, ata janё larguar shumё prej meje dhe nuk mё duan si mё parё. Burri nuk u bё mё i gjallё dhe akoma nuk e gjeta se pse ma vranё djalin tim tё vetёm. Ja pra, kjo ёshtё historia e sё ashtuquajturës jetёs sime. Uroj qё asnjё nё botё tё mos ketё fatin tim dhe pres me padurim tё bashkohem me djalin tim nё jetёn tjetёr, nëse ajo ekziston…