Një ditë u njoha me sytë më të bukur në botë dhe menjëherë, me shikim të parë, u dashurova me vajzën më të bukur që kisha parë ndonjëherë.
Me kalimin e kohës, ne filluam të dilnim bashkë si shokë, por ajo nuk i dinte ndjenjat që unë kisha për të,
kështu që edhe unë mundohesha të isha sa më i matur me sjelljen ndaj saj.
Doja që çdo gjë të ishte perfekte dhe mundohesha ta mbaja të fshehtë atë që ndjeja për të. Sigurisht që ajo as që e imagjinonte atë që ndjeja. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë unë dashurohesha pas saj, më bënte për vete gjithçka e saj, shikimi, sytë, buzët dhe çdo gjë tjetër që kishte, ishte perfekte. Nuk po duroja dot më dhe vendosa që t’ia thoja të vërtetën. Isha kurioz të zbuloja edhe unë se çfarë mendimi kishte ajo për mua. Një ditë mora guximin dhe e pyeta nëse ishte e lidhur. Ajo filloi të qeshte dhe m’u përgjigj:
“Jo vetëm e lidhur, por jam e martuar dhe e lumtur. Për më tepër, kam edhe 2 fëmijë”.
Nuk po u besoja atyre që po dëgjoja, mendova se ishte shaka dhe vura edhe unë buzën në gaz, por pas bisedës zbulova se ajo që kisha dëgjuar prej saj ishte e vërtetë. Ajo ishte e martuar. Në atë moment, m’u duk sikur diçka m’u shemb mbi kokë. Ëndrrat e mia morën fund, ajo që unë kisha dashur aq shumë nuk do të më përkiste kurrë. Zbulova se kisha dashuruar njeriun e gabuar. Vendosa ta harroja dhe të mos shpresoja më për të, por ishte e pamundur, pasi punonim në të njëjtën kompani. Pas shumë e shumë përpjekjesh për ta harruar, nuk munda dot. Kaloi një periudhë e gjatë kohe dhe vendosa të jepja dorëheqjen nga puna pasi nuk mund ta shihja dot më, çmendesha nga xhelozia kur atë vinte e merrte i shoqi. Nuk ishte aspak faji i saj, por njëkohësisht as imi, duke qenë se gjithçka kishte ndodhur gradualisht. Kohët e fundit e shihja shumë të hutuar dhe shumë të mërzitur, doja që ta pyesja dhe ta ndihmoja disi për ta lehtësuar, pastaj hiqja dorë dhe mendoja se ishte e kotë, pasi do të lëndohesha më shumë.
Një ditë e pashë duke qarë dhe nuk rezistova dot; shqetësimi për të ishte më i fortë se unë dhe menjëherë shkova që ta pyesja se çfarë kishte. Ajo, me lot në sy, m’u përgjigj se kishte probleme me të shoqin. Ky lajm për mua ishte shumë i bukur, por ajo vuante. Fillova t’i qëndroja pranë dhe t’ia lehtësoja dhimbjen, duke shpresuar njëkohësisht që gjërat do të ishin në avantazhin tim. Pavarësisht se asaj nuk ia kisha shprehur kurrë atë që ndjeja për të, më dukej sikur edhe ajo ndjente të njëjtën gjë. Koha kalonte dhe unë kaloja edhe më shumë kohë me të. Tashmë gjërat midis saj dhe të shoqit ishin përkeqësuar dhe ata ishin duke u divorcuar. Ditën që ajo më rrëfeu se do të divorcohej, unë më në fund gjeta guximin dhe i rrëfeva atë që ndjeja për të. Asaj iu mbushën sytë me lot, më preku në faqe dhe më tha që isha i ri dhe kisha një jetë përpara. Përse duhej ta mbyllja jetën me një grua me dy fëmijë që në fund të fundit, do të kishte gjithmonë probleme?
Unë i thashë se isha i gatshëm të ndaja me të çdo vuajtje e çdo problem që do të kishin. Fillimisht nuk pranoi të lidheshim, derisa një ditë, kur ishte shumë e mërzitur, më kërkoi që të takoheshim dhe ajo ishte dita e nata më e bukur e jetës sime, sepse e kisha në krahët e mi. Pavarësisht se e dija shumë mirë që ajo nuk ndjente të njëjtën gjë si unë, e ushqeva veten me shpresën se do të vinte dita kur edhe ajo do të më donte njëlloj siç e doja edhe unë atë.
Pas shumë peripecish, tashmë ishim unikë me njëri-tjetrin dhe ia kisha arritur qëllimit që edhe ajo të më donte. Isha mashkulli më i lumtur në botë, pasi kurrë nuk e humba shpresën që ajo një ditë do të ishte e imja. Ashtu sikurse edhe familjarët e mi, shumë nga ju do të mendojnë që jam një budalla që kam vepruar kështu, duke qenë se ekzistojnë mijëra vajza beqare, por unë u dashurova me të dhe për mua, nuk ka rëndësi as mosha, as situata në të cilën ndodhen të tjerët, por më interesojnë vetëm ndjenjat.
Unë jam njeriu më i lumtur në botë që kam në krahët e mi gruan më fisnike dhe më të bukur në botë. Sigurisht, janë edhe fëmijët që i dua shumë dhe do t’i konsideroj gjithmonë si të mitë.