Dua t`ju rrefej miq të gazetës diçka që në shoqërinë shqiptare ndodh rëndom. Unë që ju shkruaj jam G. nga qyteti i Fushë Krujës.

Para disa vitesh unë lashë klasën time sepse kështu iu shkrep mësuesve të mi.

Aty nuk ndihesha shumë mirë pasi shoqëria dhe as ambienti nuk ishte më i këndshëm se në klasën time, mirëpo isha i detyruar ngaqë zyshat mërziteshin me shoqërinë tonë në atë klasë dhe pranova të kaloj. Lashë shokët e shoqet e klasës me të cilët praktikisht isha rritur dhe nga një kapriço e mësuesve të shkollës m’u desh të ikja te klasa paralele. Pata shumë probleme në fillim më mësueset e shkollës pasi ato nuk pranonin që të jepnin më mësim për mua, thoshin që unë e kisha të vështirë të qëndroja në një vend, por unë e kisha rregulluar me drejtorin e shkollës të cilin e kisha mik në shtëpi dhe kështu, pas shumë peripecish që kalova, fillova të bëja mësim rregullisht. Ngaqë isha çun shumë i lëvizshëm (këtë e pranoj), asnjë nga klasa nuk më afronte. Si duket, para se të shkoja unë në atë klasë, ata ishin paralajmëruar që të mos bëheshin aleatë me mua. Ata dilnin e hynin të gjithë bashkë, por mua as “mirëmëngjes” s’më thonin. Kjo gjë më mërziste pak në fillim sepse sado që kisha shoqërinë time në klasën tjetër, prapë nuk mund ta bëja korridorin urë lidhjeje mes nesh. Me klasën dhe shoqërinë takohesha vetëm në pushim të gjatë dhe flisnim pak se çfarë bëhej dhe se sa në qetësi thoshin zyshat se kishin rënë pa mua atje. Një ditë të ftohtë janari, mbaj mend që isha nisur për në shkollë dhe po binte shumë shi. Atë ditë kurrë s’do ta harroj. Po nxitoja sepse nuk kisha çadër dhe i bëja hapat nga një metër si e si të mos lagesha, kur papritmas dëgjova një zë të bukur që më thirri në emër. Ktheva kokën me çudi kur pas meje pashë E.-në një shoqen time të klasës së re. Më bëri habi se në klasë ajo nuk më fliste fare, “ndërsa në rrugë, mendova me vete, pse po më thërret?!”. Ajo më tha me një zë të ëmbël:

– Eja se po lagesh në shi. Meqë rrugën e kemi bashkë, ikim me çadrën time. Edhe pse është gati e thyer, mendoj se do të na dërgojë deri në shkollë!

Qeshëm të dy me këtë që tha sepse vërtet çadra ishte copë-copë. Ajo ishte një vajzë me të gjitha notat dhjeta, por që të ishte edhe kaq e afrueshme, s’e kisha menduar kurrë.

– Ok! – i thashë dhe i mora çadrën që ta mbaja unë se isha pak më i gjatë. Gjatë rrugës ne nuk folëm shumë, vetëm folëm pak për shoqet e shokët e klasës. Unë e pyeta përse ata më injoronin, por nuk mora përgjigje. Ajo vetëm buzëqeshte ose heshtte. Nuk fliste keq për asnjeri. Vura re që ishte vërtet një vajzë shumë e bukur dhe e dashur. Ikëm në oborr të shkollës dhe të gjithë u habitën kur më panë në një çadër me të. Atë ditë u habita shumë sepse më folën të gjitha gocat e klasës. Edhe unë i përshëndeta me përzemërsi sepse nuk jam tip që mbaj inat. Gjatë pushimeve të gjata ne filluam të flasim përditë e më shumë me E.-në. Ajo më impresionoi sepse më la të kuptoj shumë dhe më tregonte çdo gjë për familjen e hallet e shtëpisë, pa i ardhur fare turp. Nga ky sinqeritet, filloi të më futej shumë në zemër. Edhe unë fillova dita-ditës të hapesha me të. Dihet që familjet shqiptare kanë halle e probleme pa fund dhe kështu, rruga jonë e përditshme për në shkollë bëhej më interesante. Shpesh, ajo më thoshte: “Sa mirë që u takuam dhe folëm për tanët, se do kishim plasur nga brenda!” dhe qeshte, qeshte pa fund nga mënyra se si unë ia tregoja gjërat. Si gjithë moshatarët e mi, që u lidhën dhe filluan të krijonin simpati, edhe unë kisha krijuar tashmë simpati për E.-në dhe kjo dukej qartë. Vuaja shumë sepse mendoja t`i thoja ndonjë fjalë, por prapë kisha frikë mos e humbja dhe këtë gjë nuk e doja absolutisht. E zgjata këtë shoqëri sepse nuk doja ta prishja me një propozim i cili ndoshta nuk bëhej në momentin e duhur.

Kaluam ditë shumë të bukura bashkë me klasën e re. Bëmë ekskursione dhe mbrëmje të cilat na afruan edhe më shumë dhe treguan që unë, përveçse djalë çapkën, isha edhe shumë i përkushtuar dhe nuk isha “rrugaç”, siç më kishin cilësuar mësueset.

Ne mbaruam vitin e tretë, u bëmë maturantë dhe dihet që maturantët fillojnë t’i kapin ato emocionet e ndarjes. Dashuria ime për të rritej përditë e më shumë, mirëpo s`mundja në asnjë mënyrë t’ia shprehja. Ajo, për mendimin tim, e kishte kuptuar sadopak, por bënte sikur s`donte ta kuptonte. Në fund të vitit të katërt unë vendosa dhe ia shpreha të gjitha ndienjat që mbaja përbrenda. Kisha duruar shumë dhe e dija tashmë që me mbarimin e shkollës, ajo nuk kishte mundësi për shkollë të lartë dhe me siguri s’do të shiheshim e të rrinim si më parë. Pasi i dëgjoi fjalët e mia pa më ndërprerë, ajo më përqafoi, por më tha se me mua në asnjë mënyrë s`mund të bënte asnjë hap para. Më tha që isha çun shumë i mirë dhe se do gjeja një vajzë të dashur e më të bukur se ajo. Këto fjalë i tha vetëm për të më ngushëlluar sepse nuk ekzistonte për sytë e mi një femër më e mirë se ajo. Më dha këtë përgjigje dhe arsyen e vërtetë unë e kuptova më vonë. Kur i kërkova pse-në, nuk ma tha, por më tha vetëm kaq:

– Kështu është dhe pikë!

Më pas kuptova çdo gjë. Ajo, një muaj mbas mbarimit të shkollës, u martua me një emigrant të cilin ia kishte prezantuar familja. Ishte shumë më i madh se ajo në moshë dhe ishte e sigurtë që nuk kishin një lidhje me ndjenja. Mua, mund të them me plot gojën që më ka ngelur pishman sepse ishte gocë që mund të bënte çdo çun për vete dhe kjo mënyrë e të bërit të gjërave nga familja, sinqerisht, ma ka shpifur. Jam shumë i revoltuar me këta njerëz të trashë të cilët fatin e fëmijëve e vendosin mbi interesa monetare. Unë nuk e di se si e ka jetën ajo, nëse ka lekë apo nëse është e lumtur atje, por mendoj se të paktën duhet të ishin konsultuar më parë me të. Ajo i kishte treguar një shoqes së vet se mami i saj i kishte thënë që ai ka lekë dhe do t’ua bënte jetën më të bukur, ndaj duhet ta merrte medoemos. Sinqerisht, ju drejtohem ju prindërve që keni fëmijë të rritur, ju përgjërohem të mos ndërhyni në jetët e vendimet e tyre. Këtu në Fushë Krujë shumë në modë është t’ia japësh vajzën të parit pasanik që të vjen në derë, por ju siguroj që fëmija juaj do t’i vuajë pasojat. Ju lutem, mos e bëni këtë gjë!

Sot, unë po vuaj dhe jam i bindur se po vuan edhe ajo. Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë të shprehem sepse është një mëri që s’di kujt t’ia shpreh…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *