Përshëndetje, miq të gazetës “Intervista”!

Mora guximin të shkruaj edhe unë historinë e jetës sime dhe një fakt që nuk e mohoj se po më bën të dyshoj shumë.

Unë jam Ana nga Durrësi.

Para tre vjetësh u njoha me një djalë nëpërmjet hallës sime të vogël. Ajo ndërhyri që unë të dilja në kafe e ta takoja këtë çunin, edhe pse unë isha e lidhur me një tjetër dhe ma dinin të gjithë në familje… Para tre vjetësh, kur isha në vitin e fundit të shkollës së mesme isha lidhur me një djalë që punonte me të atin afër shkollës sime. Unë mendoja se e doja shumë dhe isha e bindur që ai ndjente për mua. Sa herë diskutonim punën e shkollës së lartë, ky më thoshte se s`kishte qejf të ikja, pasi vajzat, në shkollë, “dilnin duarsh” nga ndikimi i shoqërisë. Unë kisha filluar të mendoja një të ardhme me të dhe i kisha thënë mamit e motrave, mirëpo duket që lidhja jonë nuk po shkonte askund, pasi ai ditë për ditë po më kërkonte trupin, gjë që mua s`më pëlqente dhe nuk pranoja.

Ky djali që donin të më bënin me mblesëri, ishte nga Tirana, lindur e rritur aty. Halla ime, para se të më nxirrte në kafe, filloi të më pyeste nëse kisha diçka më shumë sesa muhabet me këtë djalin që isha e lidhur. Unë, në fakt, nuk kisha bërë ende asgjë dhe isha e virgjër, edhe pse për ta dashur, e doja. Ajo më bëri një mal me lajka dhe, si përfundim, m’u mbush mendja e dola me këtë djalin. Ai ishte pesë vjet më i madh dhe, që në pamje të parë, dukej se ishte djalë shumë i mirë. Pranova të fejohesha me të sepse më jepte siguri dhe më plotësonte, plus që familja ime ishte në nevojë edhe ky kishte shumë mundësi t`i ndihmonte. Vendosëm që shpalljen e fejesës ta bënim pas dy javësh. Fola me të dashurin tim për këtë muhabet, por ai, si fëmijë që ishte, më tha: “Bëj si të duash” dhe nuk më dha fare siguri. Unë ia bëra të qartë se nëse nuk vendoste për pak kohë, nuk do të pranoja ta takoja më dhe po më habiste ky reagim i tiji, pasi një njeri që të do, nuk heq dorë kaq lehtë nga ti; të të lërë të gatshme te dikush tjetër. Ai papritmas u largua nga unë duke ndërruar edhe numrin e telefonit, pasi mendoi se doja ta vija përpara përgjegjësisë. Fola me disa shoqe të miat të cilave ai u kishte thënë: “S`dua të merrem me fejesa se jam ende i ri”.

Ai iku dhe më la një boshllëk shumë të madh të cilin e vunë re shumë njerëz të afërt të cilët më qëndruan pranë. Halla më thoshte gjithmonë që ajo mblesëri do t’i bënte shumë mirë familjes dhe se ai që kisha pasur unë, ishte një njeri parazit, që nuk vendoste për jetën e vet. Edhe unë fillova të bindesha avash-avash se ai nuk do të më kishte dhënë kurrë një të ardhme të sigurtë. Djali me të cilin u fejova dhe tani është burri im, më trajtoi mrekullisht. Për mua ishte sikur të jetoja një ëndërr pasi kam shëtitur vende të ndryshme dhe kam përjetuar gjëra të reja për mua. Ishte shumë i dashur dhe më hapi zemrën që në fillim sepse kishte karakter shumë të çiltër. Ai më tregoi se kishte dashur një vajzë në Tiranë, mirëpo kjo ishte pak bishtpërdredhur dhe, siç më tha ai: “Nuk ishte femër për t’u futur në shtëpi”. Edhe unë u ndjeva ngrohtë në muhabet dhe i thashë që kisha pasur një lidhje përpara, duke ia shpjeguar që me atë djalë, më shumë kishim folur në telefon. Ai më tha se nuk i interesonte dhe se ishte i lumtur që kishte gjetur një njeri si unë, që isha 18 vjeçe, e virgjër e me të gjitha të mirat. U fejuam edhe ka një vit që jemi të martuar. Kemi vendosur të mos bëjmë fëmijë për momentin pasi është herët dhe dalim e shijojmë jetën. Gjëja që më bën të dyshoj pak është se ai ka dy-tre muaj që, kur vjen në shtëpi, e fik telefonin. Kam menduar mos ndoshta flet ose takohet me atë vajzën që ka pasur, por nuk kam mundur t’ia shpreh. E kam pyetur se pse e fik telefonin dhe më është përgjigjur se e shqetësojnë me numra privatë. Unë nuk kam bërë më asnjë lëvizje të gabuar dhe ruhem shumë që ta mbaj familjen sa më të pastër nga këto gjëra. E kam parë atë që kam pasur para se të fejohem, por për atë njeri ndjej vetëm urrejtje, asgjë më shumë. Më vjen shumë habi me burrin sepse përpara se të martoheshim, ma linte telefonin me orë të tëra ose nuk e kishte me kod, kurse tani, mesazhet i ka me kod. Nuk e di, por do të ndihesha shumë e zhgënjyer nëse do të zbuloja se ka ende diçka mes tyre. Mua nuk më mungon asgjë. Tani, burri po më merr edhe patentën për të dalë me makinën e tij. A thua këto të jenë arsye për të më larguar?! A thua ka nevojë për hapësirë që të takojë atë?! Kam shumë mëdyshje në mendje, edhe pse nuk dua t’ia shpreh sepse rrezikoj të shkatërroj çdo gjë të bukur mes nesh, sepse ai nuk më ka pyetur kurrë më për asgjë… Ç’të bëj? T’i tregoj për dyshimet e mia? Ju që po e lexoni këtë histori, ju lutem, më ktheni një përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *