Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Bomba na plagosi të katërve

Është e vërtetë se kur ke një hall, një brengë a plagë të vjetër, ke nevojë t’i hapesh një miku a mikeshe.

Duke u shprehur, lehtësohesh shpirtërisht, andaj, për t’u lehtësuar, po i shprehem edhe unë mikeshës sonë, “Intervista”…

Ishte viti 1956.

Advertisement

Ne ishim katër shokë klase në prag adoleshence, 12-13 vjeçarë. Muaji korrik, pushimet e verës. Në dalje të fshatit tonë të bukur malor, shtrihej një fushë. Atë vit, fusha ishte mbjellë me grurë dhe gruri ishte korrur. Atë ditë, ne të katër dolëm për të lozur në fushë si zakonisht. Njëri prej shokëve, N., u shkëput nga ne dhe shkoi me vrap në një ferrë, mori diçka të fshehur atje dhe u nis në drejtimin tonë. Ishte një bombë me ngjyrë të kuqe, italiane. I kishte pëlqyer N.-së, si një “lodër” e bukur. E kishte gjetur një ditë më parë dhe e kishte fshehur aty sepse donte të na mburrej neve me “lodrën” e tij. Kur u afrua te ne, e vuri mbi një gur të madh, pastaj mori një gur tjetër të rëndë dhe e goditi. Bomba, për fat, nuk plasi, por iu zbërthyen kapakët e kuq nga forca e goditjes. I mbeti vetëm kapsolla prej alumini të bardhë. Brenda saj ndodhej gjilpëra që godet kapsollën dhe shpërthen. Siguresa ishte hequr dhe nga boshllëku i saj dallohej baruti i verdhë. Ne ishim afruar të katër rreth saj dhe po e shikonin me kuriozitet. N. nuk e lëshonte nga duart dhe i gëzohej si një lodre të veçantë. Mundohej ta kapte me majën e një thike të vogël, të cilën e përdorte për të qëruar gështenjat. Ne të tjerët i thoshim ta linte, se do të pëlciste e do të vriteshim, por asnjëri nuk iku. Na tërhoqi si me magnet ajo palo “lodër”!

Në një moment, N.-ja ia rrëmbeu “lodrën” nga duart shokut tjetër K. i cili mori një gur të vogël dhe i ra kapsollës nga fundi. Gjilpëra goditi kapsollën dhe nga goditja ndodhi shpërthimi. Ne u plagosëm të katërt. Mua më ra të fikët në vend. Gjaku që rridhte nga plagët e marra në kokë, fytyrë dhe dorën e majtë, formoi një pellg rreth trupit tim të shtrirë. Tre shokët e mi ulërinin nga dhimbja dhe rrokulliseshin nëpër arë. Nga zhurma e bombës u alarmua i gjithë fshati. Fshatarët u gjendën aty brenda pak minutash, sepse për fat, arat ndodheshin ngjitur më fshatin dhe fshati ynë, në atë kohë, ishte i madh, me 200 familje. Me të parë viktimat, gratë e fshatit nisën vajin dhe ulërimat. Burrat i transportuan tre shokët e mi drejt qendrës shëndetësore të fshatit. Nga ulërimat dhe zhurmat e njerëzve, u zgjova edhe unë nga gjendja e të fiktit; u ktheva në jetë. Njerëzit më kishin pandehur të vdekur. Nuk më kishin njohur nga plagët, nga gjaku dhe baruti. Ndërkohë, një çift zemërmirë, kur panë që fillova të rënkoja, më ngritën të më çonin për në qendrën shëndetësore. Unë pëshpërita me zor emrin dhe mbiemrin tim. Burri filloi të qante me zë të lartë, kurse e shoqja ia nisi vajit me ligje, sipas zakonit lab. Burri ishte kushëriri i parë i babait tim. Prindërit e mi, pa e ditur se çfarë u kishte rezervuar fati, kishin shoqëruar viktimat e para për në qendrën shëndetësore. Kur morën vesh për mua, nuk mbaheshin dot, nuk e donin më jetën e tyre. Në njëfarë mënyre kishin të drejtë, sepse edhe vëllai im më parë ishte vrarë me bombë në moshën time. Përsëri, unë! Infermieri i fshatit tonë, Sherifi, në atë situatë të rëndë e stresante, me katër të plagosur njëherësh, u tregua shumë i shkathët e i aftë profesionalisht. Na mjekoi mirë, për të ndaluar gjakderdhjen. Sakaq, burrat e fshatit bënë gati katër barrela. I improvizuan me drurë e rroba leshi. Nisën transportin në krahë drejt Tepelenës. Rrugë automobilistike nuk kishte fshati në ato vite. U mobilizuan gjithë burrat e fshatit, të ndarë në katër grupe, me nga dy turne për secilin të plagosur. Rrugëtim nëpër vapën e korrikut, për katër orë rresht drejt Tepelenës. Kuptohet lodhja dhe mundimi i atyre burrave që mbanin në krahë katër trupa, por shpresa për jetën e mposhtte lodhjen e tyre. Gjatë rrugës, dëgjonin rënkimet tona: “Oh, nënë, pak ujë se vdiqa!”…

Kur ne arritëm afër Tepelenës, na doli përpara mjeku i qytetit. Pasi na vizitoi të gjithëve, aty në mes të rrugës, tha:

– Mjekimi nga infermieri u është bërë i mirë. Nuk do t’i prekim në Tepelenë, por do t’i nisim direkt për spitalin rajonal të Gjirokastrës. Ujë nuk u keni dhënë dhe nuk do t’u jepni se rrezikojnë jetën. Do t’u lagni vetëm buzët me një shami të lagur!

Na nisën urgjent me një makinë të ushtrisë për në Gjirokastër. Na shtruan në një dhomë të katërve. Rënkonim, por i jepnim edhe kurajo njëri-tjetrit. Vajti mesnata dhe ende s’po na fusnin në sallën e operacionit. Prisnin të vinte nga shërbimi mjeku i famshëm kirurg Vasil Laboviti. Na operuan dhe na fashuan mirë. U bëmë si njerëz me maska të bardha. Nuk e kuptonim dot se ç’dëme kishim pësuar secili, gjersa filluam mjekimin. Unë kisha plagë në fytyrë, në kokë dhe një gisht të prerë, në dorën e majtë. K.-së, që i plasi në dorë, iu pre dora e djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë. N.-ja që e gjeti lodrën “ogurzezë”, dëmtoi fare njërin sy dhe mori plagë në fytyrë, kurse E.-ja, që u ndodh pak më larg, mori plagë në bark, pa rrezik jete. Jeta jonë shpëtoi, sepse plasi vetëm kapsolla, pa kapakët e kuq të bombës. Na mbajtën një muaj në spital dhe na dhanë një vit pushim nga shkolla. Vlen të theksoj se spitali i Gjirokastrës në atë kohë kishte mjekë dhe infermierë të specializuar mirë në profesionin e tyre, por edhe të përkushtuar si njerëz. Ata të shëronin edhe me fjalën e tyre të ëmbël. Ata lumturoheshin kur e shëronin pacientin dhe nuk u shkonte ndërmend për interes material. Edhe sot, ne i kujtojmë me respekt ata njerëz humanë. Ne vazhduam jetët tona të katërt. Mbaruam shkolla e profesione të ndryshme. Sot jemi gjyshër dhe të shpërndarë nëpër vende të ndryshme, por kudo dhe kurdoherë nuk i harrojmë plagët që na shkaktoi bomba, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore. Përshëndetje dhe faleminderit. Sh.K.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon..!

Next Post

Jam 36 vjeç dhe urinoj natën

Advertisement