– Cili është roli “i ri” seksual i burrave?
– Burrat e sotëm janë gjithmonë të kujdesshëm ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me virilitetin dhe “performancat” e tyre, megjithëse nuk e japin veten, por edhe ata mund të kenë disa probleme seksuale dhe dështime.
Dikur ata ishin zotër të padiskutueshëm të marrëdhënieve seksuale, që vendosnin për gjithçka, që nga kohëzgjatja e deri te frekuenca, por tashmë, burri përballet me një grua “të çliruar”, që shpreh dëshirat e saj dhe kërkon të drejtën për kënaqësinë, duke e vënë partnerin para një detyrimi të ankthshëm për performancë të mirë.
Para këtij ripërcaktimi të rolit të çdo partneri, komunikimi në çift merr një rëndësi thelbësore dhe të domosdoshme.
– Çfarë është ejakulimi i parakohshëm?
– Ejakulimi i parakohshëm ndodh shpesh te djemtë e rinj, pa eksperiencë dhe të nxituar, që ejakulojnë para se t’i kenë sjellë kënaqësi partneres, nganjëherë edhe para penetrimit. Një djalë i tillë është shumë i ndjeshëm, emotiv e në ankth dhe nuk arrin ta kontrollojë eksitimin e tij seksual. Durimi i partneres së tij të zhgënjyer mund të kthehet shpejt në një agresivitet hakmarrës që e dëmton situatën.
– A mund të trajtohet ejakulacioni i parakohshëm?
– Po, trajtimi i ejakulimit të parakohshëm bëhet me riedukimin që kërkon një bashkëpunim aktiv të partneres. Në fillim ushtrimet do të bëhen pa penetrim dhe ky i fundit do të lejohet vetëm pasi të arrihet një lloj aftësie. Rezultatet e “riedukimit” të një ejakulimi të parakohshëm janë zakonisht të mira dhe shpesh, arrihen shpejt.
– Çfarë është impotenca?
– Impotencë quhen problemet me ereksionin. Ajo mund të jetë parësore (një burrë nuk ka mundur kurrë të ketë marrëdhënie me penetrim), ose dytësore, më e vonshme. Penisi mund të qëndrojë i flashkët gjithmonë, ose më shpesh, ereksioni ekziston, por mbaron shpejt, ose penisi nuk është aq i fortë sa të arrihet penetrimi.
– Cilat janë shkaqet organike të impotencës?
– Ato kanë më shpesh një origjinë vaskulare, arteriale apo venoze. Diabeti, disa trajtime kundër depresionit ose tensionit arterial, mund ta dobësojnë ereksionin. Trajtimi i problemeve organike që shkaktojnë impotencën është shpesh i mundur, por jo i lehtë. Ai shoqërohet me këshilla për mënyrën e jetesës dhe të të ushqyerit, me qëllim që të evitohet mbipesha, jeta sedentare, me praktikimin e rregullt të një aktiviteti fizik, të evitohen teprimet në të ngrënë, duhan e alkool, si edhe të kufizohet stresi e mbilodhja. Ilaçet mund të përmirësojnë ereksionin duke shtuar fluksin e gjakut në nivelin e penisit.
– Cilat janë shkaqet psikologjike të impotencës?
– Ato hasen shumë më shpesh. Ereksioni i mashkullit është një fenomen i ndërlikuar dhe nganjëherë, i brishtë. Kërkohet shkaku psikologjik nëse ereksioni është i pamjaftueshëm ose mbaron shpejt sapo kërkon të penetrojë partneren, ndërkohë që ekzistojnë ereksione të mëngjesit me fortësi të mjaftueshme, që ndodhin zakonisht te burrat. Impotenca psikologjike e ka shpesh origjinën te një “dështim”, incident që u ndodh një ditë të gjithë burrave. I shqetësuar dhe në ankth para një incidenti të tillë, ai bën shpejt një tentativë të re, duke survejuar ereksionin. Kjo është mënyra më e mirë për të dështuar përsëri. Në fakt, ereksioni kërkon një lloj relaksi psikologjik. Ai nuk i bindet vullnetit, nuk mund të komandohet, as ndrydhet. Ky dështim i ri dhe të tjerët që mund të ndjekin nga pas, do ta zhysin gjithnjë e më shumë fatkeqin në vështirësitë dhe pikëpyetjet e veta.
– Ç’rol luan partnerja në problemet me ereksionin dhe në trajtimin e tyre?
– Partnerja do të luajë një rol thelbësor në përmirësimin ose rëndimin e këtyre problemeve dhe rruga më e keqe është ajo e hakamarrjes dhe agresivitetit. “Riedukimi” dhe “shërimi” i burrit me këto probleme ka nevojë për një partnere të durueshme, të kujdesshme dhe mirëkuptuese. Ajo mund të marrë pjesë në shumë ushtrime riedukimi pa penetrim, me qëllim që burri të çlirohet nga ankthi i një performance të detyrueshme, që sjell dështimin. Në këtë drejtim, ka shumë mënyra trajtimi, për të cilat duhet folur me mjekun specialist.