Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

A jemi vërtet kështu, ne gratë?

Shumë gjëra thuhen për ne, gratë. Thuhet se jemi llafazane, dorëshpuara, emotive…

Sigurisht, ka raste që këto janë të vërteta, por jo gjithmonë ama! Ne nuk jemi të prera me thikë, e mori e mira!

Kemi edhe ne veçantitë tona dhe, nganjëherë, ju e dini, na shajnë kot… E dini çfarë? Hajde t’i vëmë që tani ca pika mbi i!

Advertisement

Gratë janë qaramane

Mund të ndodhë që të qajmë shumë në dasmën e shoqes sonë të ngushtë ose kur shohim ndonjë film të dhimbshëm, por kjo nuk ndodh në çdo rast.

Pse na ndodh?

Kjo gjendje emocionale ekstreme shpjegohet me fjalën “histeri”. Kjo fjalë vjen nga greqishtja “hustera”, që do të thotë mitër. Që këtu, fillon keqkuptimi… Këtë imazh prej qaramaneje ia detyrojmë edhe Mëmës Natyrë. Me sa duket, gratë kanë më shumë prolaktinë, një hormon që gjendet te lotët dhe kanali ynë i lotëve është ndryshe nga ai i burrave.

E vërteta!

E vërteta është se shoqëria jonë i mëson djemtë që të vegjël të jenë të fortë, ndërkohë që vajzat duhet të tregohen të dashura dhe të kujdesn për të tjerët. Emotiviteti i grave përkundrejt forcës së karakterit mashkullor është pra me origjinë sociale dhe kulturore! Pastaj, në fund të fundit, nuk qëndron këtu handikapi i vërtetë. Sipas Ron Levant, profesor i Harvardit, ne femrat jemi të afta t’i kuptojmë ndjenjat dhe pikëpamjet e të tjerëve, ndryshe nga burrat, që janë “më pak të zhvilluar emocionalisht”!

Burrat preferojnë biondet

Për këtë mjafton të shohësh kopertinat e revistave… Nga viti 1950-1980, në kopertinën e revistave “Vogue”, “Ladies’home Journal” dhe “Playboy”, ka më shumë bionde sesa brune apo flokëkuqe. Konstatimi është i qartë, biondet pëlqehen!

Pse na ndodh?

Sigurisht, mund të lindësh bionde, por nuk është e thënë se do të jesh gjithmonë e tillë. Në shumicën e rasteve, flokët kalojnë në ngjyrë gështenjë të hapur aty nga mesi i jetës. Mbase në mendjen e burrave ekuacioni është i thjeshtë: Bionde=rini. Duke lënë mënjanë disa fenomente të grave të mëdha në moshë që pëlqehen, në përgjithësi burrat duan të martohen me gra më të reja se ata në moshë, pra, më pjellore dhe të shëndetshme. Pra joshja për biondet është për një kauzë të drejtë: Bëhet fjalë për mbijetesën e species njerëzore.

E vërteta!

Nëse mendohemi mirë, në kopertinat e revistave pëlqehen jo vetëm Skarlet Xhohanson dhe Sharliz Teron, por edhe Anxhelina Zholi dhe Penelopë Kruz. Revista britanike “FHM”, sapo ka zgjedhur Sheril Kol, me flokë gështenjë, femrën më seksi të botës. Në vend të dytë është Megan Foks, një brune. Atëhere, ka marrë fund miti i biondeve? Gjykoni vetë: Gjatë një studimi të bërë në vitin 2005 në Universitetin e Unileverit, 1500 burrave u treguan foton e të njëjtën grua me flokë biondë, të kuq apo brune. Rezultati: Më shumë se gjysma e burrave zgjodhën brunen, si më joshëse.

Biondet janë budallaqe

Të gjithë kemi dëgjuar barcaleta për biondet, qoftë në rrugë, zyrë apo gazeta. Edhe ne qeshim me to, që të mos jemi të fundit në të qeshur, pra, të mos tregohemi “bionde”! Është e vërtetë që biondet kanë nofkën e të qenit seksi, por edhe pak naive dhe të trasha.

Pse na ndodh?

Sinqerisht, nëse do të ekzistonte një provë shkencore se inteligjenca varet nga ngjyra e flokëve, do të ishte marrë vesh tashmë! Atëhere, si shpjegohet kjo klishe? Mbase ekuacioni vazhdon: bionde=rini=naivitet. Edhe Merlin Monro, e cila nuk është bionde e vërtetë, nuk ka ndihmuar në këtë drejtim me rolin e saj prej budallaqeje në filmin “Burrat preferojnë biondet”.

E vërteta!

Shumë bionde të njohura kanë shkëlqyer ose shkëlqejnë për inteligjencën e tyre: Hilari Klinton, Margaret Theçer ose Sharon Stoun, e cila ka një Nivel Inteligjence (QI) te lartë. Mbase klishenë e biondes idiote mund ta kenë nxjerrë brunet, xheloze për fuqinë e tyre joshëse ndaj burrave. Është një brune që po jua shkruan këtë! E njihnit këtë shaka: Pse barcaletat për biondet janë gjithmonë të shkurtra? Që t’i mbajnë mend brunet!

Femrat e dobëta janë më joshëse

Sipas një sondazhi të Institutit Harris, 8 gra në 10 kujdesen për ushqimin që hanë, që të dobësohen! Sot, është e qartë, për të qenë e bukur, duhet të jesh e hollë. Përndryshe, pse do të harxhonim gjithë ato para për kremërat anticelulit, abonime në palestra, dieta dhe gjëra të tjera gjithë vitin?

Pse na ndodh?

Shfletoni cilëndo revistë femërore dhe do ta shihni: Nuk do të gjeni femra modele të masës mbi 36! Edhe në kinema është e njëjta gjë: Sharliz, Anxhelina dhe Xheniferi kanë të gjitha një bel grenxe dhe këmbë karkaleci. Kudo na hutojnë me imazhin e vajzës së hollë, pa forma, sikur të ishte ideali i bukurisë absolute. Atëhere, çfarë na mbetet të besojmë?

E vërteta!

Burrat nuk janë dakord me këtë! Në vitin 2007, një grupi burrash iu treguan imazhe femrash të ndara në 5 kategori, sipas masës së tyre trupore. Rezultati: Femra më joshëse kishte një IMT (indeks të masës trupore) 20.85 (sipas OBSH-së, një IMT normal duhet të jetë nga 18,5-25). Gratë me IMT më të vogël morën vlerësime negative. Por, një IMT 20.85 i korrespondon një trupi mesatar, larg modeleve shumë të holla që na imponojnë…

Gratë nuk janë shofere të mira

Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se gratë nuk janë shofere të mira, aq më tepër kur bëhet fjalë për të parkuar! Në fakt, duhet ta pranojmë, disa prej nesh preferojnë t’ia lënë në dorë burrit timonin kur është puna për të parkuar. Keni parë ndonjëherë të ndodhë e kundërta?

Pse na ndodh?

Këtu vihet në pikëpyetje më shumë aftësia e grave për t’i dhënë makinës sesa ajo për të parkuar. Burrat e gjykojnë një shofer të mirë nëse di të ecë shpejt, ndërkohë që femrat kanë më shumë problem kriteret e sigurisë.

E vërteta!

Dy studiues australianë, Barbara dhe Alan Piz, mbrojnë tezën se, në bazë të ekografisë së trurit, 85% e grave nuk zotërojnë qarqet neurologjike të trurit që përcaktojnë inteligjencën hapësinore (aftësinë për t’i vendosur në një hapësirë të caktuar), të nevojshme për të parkuar. Kjo teori është denoncuar si seksiste. Le të studiojmë statistikat e sigurisë rrugore: Ato tregojnë se gratë bëjnë më shumë gabime të lehta (kalim me të verdhë, dëmtim veture gjatë parkimit) sesa burrat, por këta të fundit bëjnë më shumë thyerje të kodit rrugor. Pra, mbase nuk jemi aq të afta për të parkuar, por të paktën nuk jemi aq të rrezikshme në rrugë!

Gratë janë më të dobëta se burrat, fizikisht dhe emocionalisht

Ok, është më shpesh burri ai që i mban peshat e rënda, por a mjafton kjo për të na cilësuar “seksi i dobët”? Thuhet edhe që gratë janë më pak rezistente ndaj dhimbjeve dhe sëmundjeve, më të brishta psikologjikisht dhe, sipas një statistike, vuajnë dy herë më shumë se burrat nga depresioni.

Pse na ndodh?

Së pari, në planin e forcës fizike, supremacia e burrave është e pakundërshtueshme. Por, si të shpejgosh faktin që kjo ide shtrihet edhe në fusha të tjera? Është e vërtetë se burrat shkojnë dy herë më pak te mjeku, por kjo ndodh ngaqë janë më neglizhentë, jo ngaqë sëmuren më pak. Një shpjegim tjetër: Cikli hormonal femëror, që e vë shpesh në provë të vështirë trupin dhe shpirtin e femrave, që na bën më të brishta në disa ditë të caktuara të muajit!

E vërteta!

Shifrat flasin vetë: Vdekshmëria te të porsalindurit, niveli i suksesit në shkollë, jetëgjatësia, numri i vetëvrasjeve… Në këto pika, statistikat janë në favor të femrave. Mos duhet të nxjerrin përfundimin se burrat janë “seksi i ri i dobët”?

Gratë preferojnë burrat e pasur

Në vitin 1949, në filmin “Burrat preferojnë biondet” (përsëri një klishe), Merilin Monro këndonte këngën e famshme “Diamantet janë miqtë më të mirë të një vajze”, duke e theksuar shprehjen e mësipërme. Pastaj, ka gra që mendojnë se burri ideal nuk ekziston, kështu që burri që ke në krah, të paktën duhet të ketë para.

Pse na ndodh?

“Një puthje mund të jetë e mirë, por nuk mund të paguajë qiranë e apartamentit tënd modest”, vazhdon Merilini në këngën e saj. Në shumicën e shoqërive, gratë kanë prioritet rritjen dhe edukimin e fëmijëve, merren me shtëpinë dhe shpenzimet e saj. Të ndërgjegjshme për nevojat shtëpiake, ato e dinë realitetin financiar. Për këtë arsye, te një partner kanë tendencë të kërkojnë stabilitetin dhe sigurinë, përpara pamjes së jashtme.

E vërteta!

Që femrat nuk janë interesaxhie, por parashikuese dhe të përgjegjshme. Për to është e rëndësishme gjendja financiare më shumë për instiktin e mbijetesës, sesa për atë të interesit. Për më tepër, ky stabilitet nuk përfaqësohet vetëm me numrin e 0-ve në llogarinë bankare. Në kriteret që duhen marrë parasysh futen edhe ambicia, pjekuria dhe sensi i përgjegjshmërisë. Si përfundim, në përgjithësi, marrëdhëniet e joshjes janë më të ndërlikuara se kaq: Dhuntitë që merren parasysh nuk janë njësoj në një lidhje serioze, sesa në një lidhje për të kaluar kohën!

Flokëkuqet janë të nxehta në shtrat

Piktura, letërsia, kinemaja… arti në përgjithësi i përfaqëson gratë e nxehta me flokë të kuqe. Në shumë tekste biblike, prostituta Maria Madalena paraqitet me një floknajë të kuqe. Nëpër poema, Bodëler, Verlen, Apoliner kanë lëvduar sharmin dhe sensualitetin e femrave me flokë të kuqe.

Pse na ndodh?

Gratë me flokë të kuqe joshin që në kohën e lashtë. Egjiptianët nuk kishin besim tek ato, kurse në Mesjetë, flokët e kuq interpretoheshin si një shenjë e lidhjes me djallin apo magjinë. Dinake, gjaknxehta, pasionante, tradhtare: Ngjyra e zjarrit është pretekst për të gjitha fantazitë. Përsa i përket ninfomanisë së flokëkuqeve, ajo e ka origjinën te ngjyra e kuqe, që i bashkangjitet dëshirës dhe pasionit të nxehtë.

E vërteta!

Përsëri bëhet fjalë për një paragjykim, kur viktimat janë flokëkuqet! Asnjë studim shkencor nuk ka treguar një aktivitet seksual veçanërisht të shfrenuar ose një epsh të tepruar te flokëkuqet.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Mëkatoj se e dua burrin tim!

Next Post

Një çift i përsosur, mbi baza të forta... ekonomike!

Advertisement