– Genti, si i ke raportet me mëngjesin? Çfarë ushqimi konsumon?

– Mëngjesi është vakti që urrej më shumë. Nuk ha asnjëherë mëngjes! Kafe dhe cigare është mëngjesi im.

– Cili është ushqimi që nuk haje kur ishe fëmijë, por e ha tani?

– Sultiashin nuk e ha kurrë. E eleminoj vazhdimisht. Mishin nuk e haja kur isha fëmijë, kurse tani jam bërë një mishngrënës i betuar dhe shumë i devotshëm. (Qesh)

– Ha më shumë në shtëpi apo në restorante?

– Unë jam tip shtëpie, duke qenë se edhe gatuaj në shtëpi, por ndodh të shkoj edhe në restorante. Zakonisht, në ata që kanë kuzhinë italiane sepse më pëlqejnë shumë gatimet italiane. Jam një fans i çmendur i Italisë, në të gjitha kontekstet. Italia është një panair i pafund shijesh në kuzhinë. Italianët nuk janë aq të sofistikuar sa francezët, por jo edhe aq barbarë sa gjermanët. Janë njohës të mirë të detit, të kulinarisë.

– Ke mbajtur ndonjëherë dietë për të ruajtur një formë të mirë trupore?

– Kam nisur 1000 dieta dhe nuk kam bitisur ende asnjë. Unë jam një shijues i mirë i ushqimit, aq sa Juli shpesh më thotë: “Ti edhe sikur për fasule të flasësh, e bën të duket një mrekulli”. (Buzëqesh) E dua dhe e shijoj ushqimin.

– Çfarë marrëdhënieje ke me ëmbëlsirat?

– Nuk është se kam ndonjë marrëdhënie të frikshme. Miqtë e mi i porosis kur ikin ndonjëherë nëpër udhëtime në vende interesante që të më sjellin ndonjë ëmbëlsirë të veçantë. Një mikesha ime iku në Japoni dhe e porosita të më sillte ndonjë ëmbëlsirë tipike të vendit atje.

– Po me pijet, alkoolin?

– Me alkoolin nuk jam aspak mik. Edhe në ndonjë party mund të zgjedh një koktejl veror ose një shishe ujë. Nuk jam tipi i gotës së verës së bardhë që vjen vërdallë. Ndoshta e kam edhe nga familja. Babai im nuk e ka pirë asnjëherë.

– Kur ka qenë hera e fundit që je dehur?

– Para 18 vjetësh, në gjimnaz, por mua edhe pija më zë me të qeshur. Pastaj, nëpër festa apo vende publike, unë e ruaj shumë veten sepse kam parë shumë skena si rezultat i dy gotave dhe kjo nuk më pëlqen. Mendo, nuk dehem as në ditëlindjen time!… (Qesh)

– Cilat fruta i konsumon më shumë?

– Pa fund. Nga të gjitha.

– Fruti më i çuditshëm që ke shijuar?

– Në Himarë, ku edhe isha për pushime këtë vit, ka shumë fiq indie dhe unë nuk e dija se për t’i kapur, duhej një copë e leshtë. Unë i kapa me duar siç isha dhe më mbetën gjembat në dorë. (Buzëqesh) Megjithatë, të preferuar ndër frutat kam ftoin dhe shegën.

– Ti vetë, ç’raport ke me gatimin?

– Spektakolar! Nëse do të kisha një rrugë të dytë në jetë, veç aktrimit, ajo do të ishte gastronomia. Më ngazëllen vazhdimisht idea për të patur një restorant timin me ushqime të thjeshta, tradicionale. Nuk më pëlqen luksi, restorantet e sofistikuara me një biftek, një gjethe sallate, një kokërr ulliri dhe dy pika salcë në anë të pjatës. Thonë që majonezën e shpikën shefat francezë për të mbuluar gabimet… Unë e dua ushqimin të plotë, të bollshëm. Nëse do të hapja një restorant timin, do të ishte me gatim popullor dhe mesdhetar.

– Ka një arsye pse nuk e ke hapur deri tani?

– E para, unë jam në kërkim të një vendi ku do ta hap. Është e rëndësishme të vendosësh ku ta hapësh dhe për kë ta hapësh një restorant. Ajo për të cilën më vjen mirë është se shqiptarët po i kthehen kuzhinës tradicionale, larg fatsfoodeve dhe mondaniteteve të sajuara.

– Çfarë di të gatush më mirë? Më trego recetën tënde të preferuar…

– I di të gjitha; vetëm petë byreku nuk di të hap. Herën e fundit në emision kisha Bujar Kapexhiun dhe i gatova ushqim meksikan, Pahitas, që e pëlqeu shumë. Në bazë të personazhit, zgjedh çfarë t’i gatuaj.

– Është ambienti i kuzhinës, një ambient relaksi për ty?

– Kuzhina është pjesë e shtëpisë, pjesa ku ne mbushim stomakun. Është ambient relaksi kur nis të gatuash diçka me dëshirën më të madhe, por edhe sikleti, kur të duhet të pastrosh enët me të cilat ke gatuar.

– Sa herë e hap frigoriferin në ditë?

– Nja 1000 herë. Unë, në fakt, duhet të bëj ankesë te qeveria pse s’ka hapur akoma një rrugë që unë të mos i bie nga frigoriferi për gjithçka që më duhet të bëj. Nëse për të gjithë vlen shprehja: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, për mua vlen shprehja: “Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi”. (Buzëqesh)

– Cili është ushqimi që të shijon më shumë nga duart e mamit?

– Mami im është me status kuzhiniere, madje në këto momente që flasim, ajo duhet të jetë në kuzhinë, duke gatuar. (Buzëqesh) Unë mund të ha me qejf gjithçka që del nga duart e mamit. Gruaja ime gatuan mirë gjithashtu, por gjyshja zë vendin e parë!

– Një këshillë për veten dhe të tjerët?

– Unë nuk jam tipi që them “dua këtë se është bio” apo “konsumoni vetëm këto se janë bio”. Eksperimentoni në kuzhinë… Bota është një pafundësi ngjyrash dhe shijesh në gastronomi, ka receta dhe një krijimtari të pafundme në gatim. Më pëlqejnë njerëzit që eksperimentojnë.

– Çfarë nuk duhet të konsumojë asnjëherë një aktor?

– Në fakt, një aktor nuk është mirë të hajë fare përpara shfaqjes.

– Koha më e gjatë që ke qëndruar pa ngrënë?

– 48 orë. Kam qenë i dënuar nga policia me punë të detyruar kur isha në gjimnaz, në Lezhë (buzëqesh), por është histori e gjatë kjo… E lëmë për njëherë tjetër.

– Kush i bën pazaret në shtëpi?

– Kush të jetë më ngeshëm. I bëj shpesh edhe unë.

– Djalin, Danielin, kush e ushqen?

– Danieli është tip që ha edhe vetë, por ai më preferon mua dhe ato që gatuaj unë. (Qesh)

– Prej sa kohësh ke këto linja trupore?

– Prej 10 vjetësh, por nuk kam qenë fiks kështu. Kjo ka ardhur gradualisht në rritje, por premtoj se shumë shpejt do të filloj zbritjen se, gati-gati po ndihem keq sa herë takoj dikë dhe më thotë të dobësohem.

– Je dakord me shprehjen: “Dashuria kalon nëpëmjet stomakut”?

– Absolutisht po. Një burrë të cilit gruaja i gatuan gjëra të mira është gjithmonë më i lumtur se një burrë të cilit gruaja i thotë: “Merri këto lekët dhe shko në fastfood!”.

2012..!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *