Përshëndetje! Kam lexuar shumë histori dhe secila prej tyre më ka shtyrë të tregoj edhe unë historinë time.
Ndodh shpesh që të gabojmë në jetë dhe gjithmonë kam menduar se nëse nuk bën gabime, nuk ke jetuar. Megjithatë, varet edhe nga gabimi, sepse disa prej tyre janë të pafalshëm.
Që i vogël kam emigruar jashtë Shqipërisë dhe jam rritur larg familjes. Kjo më bëri edhe më të fortë, që ta përballoja jetën vetë. Ka patur raste edhe kur kam menduar të heq dorë nga jeta, por përsëri kam mbledhur forcat dhe kam vazhduar para sepse nëse nuk do të doja veten, as të tjerët nuk do të më donin mua. Kam kaluar shumë periudha të vështira dhe falënderoj Stelën (një vajzë shqiptare që e njoha në Gjermani) e cila më qëndroi pranë dhe më mbështeti shumë gjatë asaj kohe. E kishim shumë për zemër njëri-tjetrin dhe u dashuruam. Ajo ishte shumë më e vogël se unë, kishim shtatë vjet diferencë, ishte adoleshente dhe u rrit pranë meje. Mendonim se ishim gjysmat perfekte për njëri-tjetrin. U njohëm rastësisht në një klab dhe, qëkur e pashë, më pëlqeu aq shumë sa shkova menjëherë ta pyesja për emrin e të njihesha me të. “Quhem Stela”, më tha teksa dukej që ishte shumë e ndrojtur. Pastaj, kur mësoi që isha shqiptar, u bë më e lirshme dhe bisedonim me shumë dëshirë për vendin dhe familjet tona. Ajo kishte ardhur bashkë me familjen për një jetesë më të mirë, ndërsa unë isha larguar për t’i ofruar familjes sime një jetë tjetër. Ishte në gjendje jo të mirë ekonomike dhe gjithmonë kam menduar se të tillë persona kanë një zemër të mirë, janë shumë pozitivë. Më Stelën lidhja po bëhej gjithnjë e më serioze dhe nuk ndaheshim dot nga njëri-tjetri; na lidhnin shumë kujtime të momenteve të shumta që kishim kaluar bashkë. Miqtë e mi e njihnin, prindërit gjithashtu dhe mund të them me bindje se ishim bërë si një çift, vetëm se nuk ishim fejuar dhe martuar. Nodhte shpesh të kalonim bashkë shumë orë, nga mëngjesi në darkë dhe përsëri nuk e ndjenim fare kohën. “Nuk dua të të humbas kurrë”, më thoshte shpesh. “Je personi që ma ka ndryshuar plotësisht jetën dhe ndihem me fat që të kam njohur”. Edhe unë isha me fat që e kisha, sepse ajo ishte lumturia ime… Të paktën, kështu mendoja deri në momentin që njoha Marinën. Pas tre vjetësh lidhjeje me Stelën, si pa kuptuar filluan grindjet dhe xhelozitë e pakuptimta. Nuk e kuptoja pse ngjarjet po merrnin këtë kthesë, por dija vetëm se gjërat mes nesh po acaroheshin gjithnjë e më shumë. U bëmë shumë të ftohtë dhe dukej sikur mes nesh nuk kishte patur kurrë asgjë. Për të gjitha, ne ia hidhnim fajin njëri-tjetrit! “Je bërë i padurueshëm me xhelozitë e tua të kota!”, më thoshte. Në fakt, as unë nuk po e duroja më dhe gjeja ngushëllim te femrat e tjera. Ajo e kuptoi që po e tradhtoja dhe kështu, u ndamë. Që të dy e vuajtëm këtë ndarje për disa muaj, por i vura qëllim vetes që ta harroja sepse kështu nuk po zgjidhja asgjë. Rrugët tona u ndanë dhe secili vazhdoi jetën e tij. Më dukej sikur asgjë nuk kishte kuptim, e tillë më dukej edhe vetë jeta ime. “Duhet të njohësh një vajzë tjetër se po vazhdove kështu, do të biesh në depresion”, më thonin shokët dhe kishin të drejtë, por sado që njihja, asnjëra nuk më bëri për vete si ajo. I kisha humbur shpresat, ndaj vendosa të kthehesha në Shqipëri. Në fillim e kisha shumë të vështirë të mësohesha me jetën këtu, por u përshtata mjaft mirë me kalimin e kohës.
“Kjo është dita më e lumtur e jetës sime bir, sepse të kam pranë”, më tha mamaja me lot në sy, sapo më pa. I përqafova prindërit fort. Më kishte marrë vërtet malli dhe vetëm në atë moment po e kuptoja këtë. Siç e thashë, u përshtata mjaft mirë në vendin tim dhe nuk më bëhej që të largohesha më. Krijova shoqëri të re, që më ndihmoi të harroja shumë nga e kaluara ime. Dilja me ta shpesh dhe ia kaloja mjaft bukur, por jeta ime u bë edhe më e bukur kur njoha Marinën. Ishte shumë e bukur dhe më dukej sikur e njihja prej shumë kohësh. Harroja gjithçka kur isha përballë saj! Shumë shpejt i shpreha dëshirën që të më jepte mundësinë ta njihja më mirë. E kishte me dyshim sepse kishte dëgjuar se unë i bëja për vete femrat shumë shpejt dhe kishte frikë se mos zhgënjehej. U përpoqa shumë herë që t’ia mbushja mendjen, por ajo ishte shumë e vështirë. Mua kjo më tërhiqte më tepër te Marina dhe nuk doja ta humbisja për asgjë. Dy vitet e para takoheshim shumë rrallë dhe sa herë që shiheshim, na dukej sikur koha ndalonte. Unë ia shprehja më shumë dashurinë, ndërsa ajo ishte më e ndrojtur dhe më e ftohtë. Sa herë e komplimentoja, vihej në siklet dhe atëhere më pëlqente edhe më shumë. Më tërhiqte si magnet prania e saj dhe sa herë që e kisha pranë, ndihesha shumë mirë, nuk më interesonte çfarë ndodhte larg nesh. Më mjaftonte një shikim që unë të humbja në sytë e bukur të Marinës dhe ta shikoja botën edhe më të bukur. Kisha rënë në dashuri! “Je shumë e bukur”, më dilte vetvetiu t’ia thoja shpesh. E dija që edhe ajo më pëlqente, por nuk ma thoshte dot për arsye që unë i dija. “Jeta është e shkurtër, jeto momentin sepse nuk përsëritet më. Një ditë mund të ndodhë që të pendohesh, por atëhere, mund të jetë tepër vonë. Pse të vuajmë që të dy?”, mundohesha të thyeja akullin mes nesh, por ishte ende e vështirë. Marina ishte femra më e vështirë që kisha njohur dhe mendoja se një ditë do të lodhesha nga sjellja e saj, por jo! Kjo madje më tërhiqte edhe më shumë; ajo ishte kthyer si në diçka jetësore për mua. Fliste pak, por unë e kuptoja që i pëlqeja. Mjaftonte të lexoja lumturinë në sytë e saj dhe kjo më bënte të lumtur edhe mua. Mundohesha të gjeja çdo justifikim që ta takoja shpesh dhe të qëndroja sa më gjatë me të. Nëse kalonte edhe një ditë pa e parë, bëhesha keq! Më në fund, ajo pranoi të bëhej e dashura ime dhe pas kësaj, filluam të flisnim edhe më lirshëm. “Ti ke patur një lidhje 3 vjeçare dhe kjo nuk më pëlqen sepse një ditë ti mund të kthehesh tek ajo. Kam vënë re që je i paqëndrueshëm me femrat dhe duke kujtuar edhe atë që thonë për ty në lidhje me to, më bën të jem e pasigurtë, ndaj nuk kam mundur të marr një vendim në lidhje me ne të dy”, më tha.
Duheshin 3 vite njohje që ajo më në fund të pranonte të lidhej me mua. “Nuk ke arsye pse të shqetësohesh sepse e kaluara mbetet e kaluar dhe unë kam ndryshuar. Tani jam në një moshë që po kërkoj diçka serioze për veten, i kam lënë pas aventurat dhe nuk mendoj t’i kthehem më lidhjes që kam patur. Është diçka e konsumuar dhe tani jam larg asaj ndjenje”, i thashë dhe isha tepër i sinqertë në atë që thoja. Doja shumë që t’i besonte fjalët e mia sepse ajo kishte natyrë shumë dyshuese, megjithatë, dalëngadalë filloi ta pranonte se më dashuronte dhe se ndihej shumë mirë me mua. Ndihesha shumë i përkëdhelur kur më thoshte kështu, aq më tepër që këto fjalë m’i thoshte pikërisht ajo, vajza që dashuroja. Lumturia ime kishte arritur kulmin dhe gjithçka që më rrethonte më dukej e bukur. Kështu nuk isha ndjerë as me Stelën, e cila kishte qenë dashuria ime e parë! Marina e fitoi zemrën time menjëherë, ishte vajzë shumë e mirë e megjithatë, e ndjeja se vazhdonte të ishte ende e pasigurtë për mua. Më donte, por kishte frikë se shumë shpejt kjo do të merrte fund dhe kjo pasiguri e saj më bënte edhe mua më të pasigurtë në vazhdim. E doja, nuk doja ta humbisja sepse kjo do të më lëndonte shumë dhe jo vetëm mua. Kalonim momente vërtet të bukura, flisnim për filmat që na pëlqenin. Mua gjithmonë më kanë pëlqyer filmat dhe i fiksoja mirë skenarët e tyre. Kur ia tregoja Marinës, ajo kënaqej. Edhe ajo i pëlqente filmat, ndaj dhe më erdhi një ide. Nuk doja ta çoja në kinema, ashtu siç bënin të gjithë, por bleva një ekran të madh, e vura në dhomën time dhe mora filmin tonë të prefruar për ta parë. U krijua një ambient shumë i bukur ku ishim vetëm unë dhe ajo. Ishte mbështetur në krahët e mi dhe po shijonim filmin! Ishte një moment magjik që nuk doja të prishej për asnjë arsye dhe që nuk kam për ta harruar kurrë.
Marina ishte dashuria e jetës sime dhe shpresoja që kjo dashuri të mos mbaronte kurrë, por ja që gjërat nuk shkojnë ashtu siç duam ne. Pasiguria e Marinës vazhdonte të ishte e dukshme dhe ndihesha si i lënë pas dore, ndaj edhe fillova të ndryshoja dhe kërkoja të gjeja ngushëllim te femrat e tjera, ndërkohë që Marina nuk dinte asgjë. Unë kisha menduar se ajo do të ishte nëna e fëmijëve të mi e ndërkohë, e tradhtoja! Doja të refleketoja për disa kohë dhe i thashë se do të nisesha në Gjermani, ku do të qëndroja dy javë. Nuk e priti mirë, u mërzit shumë, por u mundua të mos e jepte veten. Ajo e tillë ishte, nuk e shprehte plotësisht atë që ndjente dhe mua kjo më mërziste shumë. “Ok, dy javë nuk janë shumë”, më tha dhe buzëqeshi, ndërkohë që e dija se ishte shumë e mërzitur. Unë këtë doja, që ajo ta ndjente shumë mungesën time! U nisa të nesërmen dhe mendjen e kisha te Marina, megjithatë, isha i vendosur në atë që po bëja. Gjermania tani m’u duk pak vend i ftohtë në fillim sepse atje nuk kisha kujtime të mira, por pasi takova personat që njihja, u ambientova sërish.
“Pashë që kishe ardhur, doja të të takoja”, ishte ky mesazhi që erdhi në telefonin tim një ditë. Ishte Stela! Si për çudi, ndjeva një emocion që më përshkoi gjithë trupin dhe pranova ta takoja. Ajo kishte ndryshuar shumë, ishte rritur! Më kërkoi që të ktheheshim përsëri bashkë dhe si pa e kuptuar as vetë, pranova. Marinës i kisha thënë se do të qëndroja dy javë, ndërkohë që u bë një muaj! Nuk i kisha telefonuar, ama e kisha menduar çdo ditë. Lidhja me Stelën nuk mund të ecte sepse me kalimin e ditëve kuptova se mes nesh dashuria kishte mbaruar, të paktën nga ana ime. Një rikthim mes nesh ishte i kotë sepse tashmë dashuroja një tjetër person dhe ajo ishte Marina. “Unë nuk ndjej më për ty, jam i dashuruar me një vajzë tjetër”, u tregova i sinqertë me Stelën, e cila e priti shumë keq. Në fillim më lutej të qëndroja me të, më pas më ofendoi dhe më tha të largohesha një herë e përgjithmonë prej saj.
Kështu bëra. U ktheva në Shqipëri me shpresën se do të bashkohesha me Marinën, por ajo nuk pranonte të më takonte. Kishte mësuar gjithçka dhe ishte shumë e zhgënjyer. Ndodhi ajo që i frikësohej gjithë kohës, rikthimi tek ish-e dashura. Jam penduar shumë që pranova t’i jepja një shans të dytë vetes me Stelën, por tani nuk ka më kthim pas. I jam lutur në mijëra mënyra Marinës, por nuk pranonte të më takonte. Pas shumë përpjekjeve, pranoi sepse doja të sqarohesha për gjithçka dhe t’i thoja se isha penduar. “E kuptoj që po tregohesh i sinqertë, por ti je shumë i lëkundur përballë femrave”, më tha. “Por ti je femra që unë dua, prandaj u ktheva te ti. Shpresoj që një ditë të më falësh dhe të vendosësh të kthehesh tek unë sepse të dua”, i thashë me lot në sy. Shpresoj që ajo ditë do të vijë shumë shpejt sepse motivi i jetës sime, tashmë, mban emrin e saj.