Më quajnë Klara, jam 15 vjeçe. Gjithmonë kam dashur ta shkruaj historinë e jetës sime dhe kam hezituar për shkak se nuk i kam treguar njeriu për të, por pasi kam lexuar disa nga historitë që të tjerët kanë treguar për jetët e tyre, e mora edhe unë guximin që të tregoja timen.
Unë kam një vëlla të vogël që quhet Endrit e është 10 vjeç, kam mamin dhe babin.
Gjithmonë kemi qenë familje e lumtur. Mami na ka mbajtur përher afër duke na përkëdhelur e babi po ashtu. Ai na ka plotësuar çdo dëshirë dhe asnjëherë nuk është treguar i ftohtë me ne. Unë me vëllain, edhe pse zihemi shumë, e duam njëri-tjetrin jashtë mase. Çdo të dielë, kur babi e kishte pushim (sepse mami nuk ishte në punë) dilnim si familje të gjithë bashkë. Mami dhe babi duheshin aq shumë saqë të gjithë e kishin zili dashurinë e tyre. Gjithçka shkonte shumë mirë, derisa një ditë, gjërat filluan të ndryshonin. Babi erdhi një natë, më vonë se kurrë më parë në shtëpi. Mami dhe unë me vëllain atë natë ndenjëm gjithë natën pa gjumë deri kur babi hapi derën dhe hyri brenda. Ai i kishte flokët të çrregullta, sytë i kishte të skuqur sikur të kishte qenë duke qarë dhe rrobat i ishin zhubrosur. Nuk foli, nuk dha asnjë shpjegim dhe kur mami e pyeti për vonesën e tij aq të çuditshme, vetëm erdhi e më puthi mua dhe vëllain, na përqafoi fort dhe pasi na pa me ata sy sikur donte të kërkonte falje për diçka, na tha: “Ju dua shumë të dyve, mos e harroni kurrë këtë!” e shkoi të shtrihej. Mami shkoi pas tij, ndërsa unë me vëllain shkuam të shtriheshim. Nuk kam vënë gjumë në sy atë natë duke menduar për atë që kishte ndodhur e sidomos duke menduar fjalët që na kishte thënë babi. Pasi mendova e mendova, më në fund, vendosa të flija dhe të mos i kushtoja shumë vëmendje asaj që kishte ndodhur, duke shpresuar se gjithçka do vazhdonte të ishte po njësoj ditën tjetër, por fatkeqësisht, nuk ndodhi ashtu. Ajo natë ishte fillimi i prishjes së asaj jete të lumtur që kisha patur unë deri në atë moment. Ditën tjetër, pasi erdha nga shkolla, mami ishte si gjithmonë duke parë përsëritjen e telenovelës në televizor, ndërsa vëllai ishte duke u bërë gati për të ikur në shkollë. Lashë çantën mbi divan, hëngra pak bukë me të shpejtë dhe pasi u pashë njëherë në pasqyrë, mora vëllain përdore që ta çoja në shkollë. Rrugës e pyeta se si kishte fjetur një natë më parë dhe ai më tha: “Top, mi Klara, si përherë!”. M’u bë qejfi që ai nuk e kishte vrarë mendjen për atë që kishte ndodhur. Pasi e çova në shkollë, u ktheva për në shtëpi. Kur arrita, fjeta rreth 2 orë dhe pastaj iu futa mësimeve. Mësova deri rreth orës 5 dhe më pas shkova të merrja vëllain nga shkolla. Pasi u ktheva, i hapa edhe një herë librat dhe më pas u ula në divan, ku vëllain e kishte zënë gjumi dhe po prisja të vinte babi. Mami, ndërkohë, ishte në dhomën e saj duke lexuar një roman. Ishte ora rreth 6 e 30 dhe babi duhet të vinte nga puna në atë orë. Babi punonte me një furgon të vetin dhe bënte rrugën Tiranë-Berat, duke qenë se ai aty kishte lindur dhe në atë orë ai gjithmonë kthehej nga udhëtimi i fundit. Teksa koha po kalonte, unë rrija dhe vështroja akrepat e orës përballë. Uroja me vete që babi të mos vonohej e të mos ndodhte e njëjta gjë si një natë më parë. Ora po kalonte. Ajo shkoi 7, 7 e 30, 8, 9, 10, 11 e unë vazhdoja të prisja ulur në divan duke vështruar orën, mami vazhdonte të lexonte librin dhe vëllai, vazhdonte të flinte. Ora po shkonte 12 pa 45, kur unë e këputur vendosa të zgjoja vëllain dhe të shkonim të flinim, kur papritur dera e shtëpisë u hap me nxitim dhe përpara meje doli fytyra e babit. Ai kishte të njëjtën pamje që kishte patur edhe një natë më parë, vetëm se ndryshe nga një natë më parë, nuk erdhi të më takonte as mua e as vëllain, madje as nuk më pa fare në sy, por u fut direkt në dhomën e gjumit ku mami po e priste. U habita nga ajo që sapo kishin parë sytë e mi. Nuk ma kishte marrë mendja se ngjarja do të përsëritej. Mora vëllain në krahë, e çova në krevatin e tij dhe unë vetë, u shtriva në krevatin tim. Gjatë gjithë natës nuk më zuri gjumi, më keq se natën e parë. Edhe pse përpiqesha ta largoja mendjen, e kisha të pamundur. Mendoja për vonesën e babit, për atë që ai na kishte thënë mua e vëllait një natë më parë dhe për atë sjellje kaq të fohtë që kishte pasur atë natë. Po mendoja aq shumë saqë fillova të qaja duke menduar se babi kishte bërë diçka të keqe që ishte vonuar aq shumë. Nga nuk më shkonte mendja, që nga ideja se mund të kishte shkuar të luante në kazino e deri te ideja e sherrit me dikë. Pas shumë mendimesh, më zuri gjumi.
Dita tjetër kaloi e qetë, si gjithë ditët e tjera dhe babi, si dy ditë më parë, erdhi përsëri me vonesë. Kjo gjendje vazhdoi për rreth 1 muaj e gjysëm. Vëllai nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi pasi babi kishte thënë që kishte pasur shumë punë ato ditë, ndërsa mami asnjëherë nuk fliste për këtë temë, sa herë unë e pyesja. Unë isha e vetmja që natën nuk më zinte gjumi nga mendimet që më vinin në mendje. Ditët që erdhën më pas, ishin më të tmerrshme. Babi kishte net që nuk vinte fare në shtëpi, me justifikimin se i prishej makina. Vëllai e besonte, unë, natyrisht që jo, ndërsa mami, si e verbuar që ishte nga dashuria e madhe që kishte për babin, i besonte. Babi kishte ndryshuar shumë sjelljen e tij, nuk harxhonte më lekë si më parë për ne apo për shtëpinë, nuk na fliste më ëmbël si më parë dhe as mamit nuk i kushtonte shumë vëmendje. Unë në atë kohë fillova të bija pak nga mësimet, ndërsa vëllai, jo. Gjendja vazhdonte të ishte e tillë me vonesat dhe justifikimet e babit që tashmë i kisha mësuar përmendësh. Ajo zgjati rreth 6 muaj, kur një ditë, ndërsa unë po shikoja televizor dhe vëllai ishte në shkollë, erdhi mami pasi kishte dalë për të blerë bukë si zakonisht dhe, kur u kthye, ishte bërë tjetër njeri. Sytë i kishte të përlotur, ndërsa zëri i dridhej dhe mezi mbushej me frymë. Dukej e trembur. Ajo, kur më pa teksa po e shikoja e shqetësuar, nuk foli. Vetëm hyri në dhomën e saj dhe nuk doli prej aty derisa erdhi babi. Babi erdhi rreth 10 minuta më vonë dhe pasi hyri në dhomën ku ishte mami, filluan të debatonin të dy me zë të lartë. Fatmirësisht, vëllai nuk ishte aty sepse ishte në shkollë; isha vetëm unë që teksa dëgjoja zërat e tyre, fillova të qaja. Nuk arrija të merrja vesh se për çfarë po diskutonin, por pas 15 minutash debat, ata të dy dolën nga dhoma dhe mami, duke e parë në sy, i tha: “Mendo të paktën për fëmijët e tu…”. Babi e pa me një vështrim si për t’u shfajësuar dhe iku. Mami, pas kësaj, iku dhe u mbyll në dhomën e vet, kurse unë ika në timen. Duke qarë, fillova të arsyetoja për të arritur në një përfundim dhe përfundimi që arrita ishte se babi kishte tradhtuar mamin. Nuk doja ta besoja, por ky ishte shpjegimi i vetëm. Edhe pse mundohesha të gjeja arsye, nuk ia arrita dot. Mami im, përveçse një nënë e shkëlqyer, ishte edhe një bashkëshorte e denjë. Nuk ia falja dot babit këtë që kishte bërë, nuk mundesha. Pasi ndenja rreth 2 orë në dhomë, vendosa të shkoja të shikoja mamin, pasi në fund të fundit, ajo ishte më e lënduara në këtë histori. Fshiva sytë që më ishin skuqur nga lotët dhe hapa derën e dhomës së saj. Ajo ishte shtrirë e zbuluar në krevat dhe dukej sikur po flinte. Shkova drejt saj që ta mbuloja me batanije, por kur u afrova, pashë se sytë i kishte të hapur dhe sytë i kishte fiksuar në një pikë të caktuar e nuk lëvizte. I fola me zë të ulët: “Mami, mirë je? Ke nevojë për ndonjë gjë?”. Ajo nuk po fliste derisa u ngrit dhe më përqafoi fort sikur të ishte një femijë i vogël që ka nevojë për mbështetje. Vazhduam ashtu të përqafuara derisa u dëgjua një zhurmë nga dera. Ishte vëllai që sapo kishte ardhur nga shkolla. Kur na pa, ai erdhi e u bashkua me ne dhe mami vendosi të na tregonte atë që kishte kohë që donte të na e thoshte…
Ajo tha se gjërat do të ndryshonin shumë shpejt për ne, pasi ajo do të ndahej nga babi. Ajo tha se babi kishte gjetur një tjetër dhe se ai vetë e kishte kërkuar divorcin. Ajo tha se ne do të rrinim me të dhe se babin do ta takonim dy herë në javë sepse kështu do të vendoste gjykatësi. Ndërkohë që ajo fliste e përlotur, vëllai e degjonte duke qarë, ndërsa unë e shikoja dhe nuk doja të qaja, sepse s’doja ta shqetësoja më shumë. Pasi na i tha të gjitha ato që kishte për të na thënë, fjalët e fundit që tha para se të shtrihej, ishin: “Edhe pse ndoshta nuk i vë shumë faj, kurrë s’kam për ta kuptuar se çfarë i mungonte përkrah meje!”.
Jo vetëm ajo, por as unë s’do të arrija ta kuptoja ndonjëherë. Pasi mami na kërkoi të largoheshim që ajo të shtrihej, unë i thashë vëllait që edhe pse gjërat po shkonin keq, nuk duhet t’i anashkalonim mësimet dhe ai pohoi. Kështu, shkuam të mësonim në dhomat tona. Pasi studiuam, mami që ishte ngritur, erdhi të na thërriste të hanim bukë. Pasi hëngrëm, shkuam të shtriheshim dhe atë natë, babi nuk erdhi më. Ditën tjetër, babi kishte ardhur herët në mëngjes dhe i kishte thënë mamit orën kur duhet të shkonte në gjykatë për divorcin. Unë me vëllain ishim në gjumë. Kur u zgjuam, ikëm në shkollë dhe nuk e takuam mamin.
Pasi erdhëm nga shkolla, ajo na tha se, ndryshe nga se parashikohej, babi do të largohej jashtë shtetit me gruan e tij të ardhshme e ne nuk do të kishim mundësi ta takonim, prandaj ai do të vinte për herë të fundit atë ditë, të na takonte. Unë u shokova dhe vëllai filloi të qante akoma më keq se ditën e kaluar, duke sharë babin. Mami u përpoq ta qetësonte atë dhe mua, duke na thënë se ajo do të bëhej nënë dhe babë për ne dhe se të tre do t’ia dilnim mbanë, por pavarësisht fjalëve të saj, ne vazhdonim të ishim keq. Rreth 2 orë më vonë, erdhi babi në shtëpi. Asnjë nga ne nuk doli ta takonte, edhe pasi na u lut se do të na shpjegonte arsyet e tij. E pamë vetëm disa minuta më vonë përmes dritares teksa po ikte, për të mos u kthyer më kurrë. Kanë kaluar 6 muaj që atëherë dhe mami është futur në punë si sekretare në një biznes privat. Unë me vëllain vazhdojmë të jemi në shkollë, me rezultate shumë të mira. Nuk na mungon asgjë sepse mami, ashtu siç na premtoi, është bërë edhe nënë, edhe babë për ne, por përsëri rolin e babit s’e zëvendëson dot askush.
Tani që po ju shkruaj, mendoj me vete se, pavarësisht të gjitha atyre që më ndodhën, ato më kanë ndihmuar të piqem dhe të mendoj më shumë përpara se ta lidh jetën me dikë sepse nuk dua që fëmijët e mi të pësojnë të njëjtin fat si unë me vëllain!