Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ia nxiu jetën nënës sime!

Të dashur miq të gazetës! Vendosa të shkruaj historinë time këtu sepse mendoj që në këtë mënyrë do të gjej sadopak mbështetje te ju.

Unë jam A., një vajzë e lindur dhe e rritur në fshat, mirëpo fati deshi që u fejova me mblesëri dhe dola nuse në qytetin e Durrësit.

Fëmijëria ime nuk ka qenë një fëmijëri si e gjithë të tjerëve sepse babai im ishte i alkoolizuar dhe në familje na trajtonte shumë keq. Na rrihte shumë mua, nënën dhe vëllain e vogël. Sa e sa herë vinte i dehur e nëna, për të na mbrojtur neve, na vinte të flinim, ndërsa ajo përballej me të, duke pësuar ofendime e dhunime nga më të ndryshmet. Në shtëpi kishim edhe gjyshen e cila ishte plakë, por mbi të i biri s`ka vënë kurrë dorë, edhe pse ajo i bërtiste e i thoshte se më mirë të kishte vdekur sesa të na shikonte neve në këtë gjendje. Frika ime më e madhe ishte të mos thyeja ndonjë gjë ose të mos bëja ndonjë gabim në shkollë sepse sa ta merrte vesh, ai vinte në shtëpi e më godiste mua dhe nënën, duke i thënë se duhet të më kishte edukuar më mirë. Nëna më dhimbsej aq shumë saqë kishte ditë që i lutesha Zotit që babai të mos vinte në shtëpi fare, aq të terrorizuar ishim nga ai. Kur vija nga shkolla, mërzitesha pa masë sepse e dija që ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi që shkonin në shtëpinë e tyre me qejf, mua do të më duhej të duroja sherrin e shamatën e përhershme. Mirëpo, edhe pse me halle e probleme plot, kur u rritëm pak, babai nuk na rrihte më. Ai pinte si më përpara, por tashmë çdo gjë që kishte, e shfrynte te nëna. Kur ishim unë dhe vëllai aty, na ruhej sepse e dinte që ishim rritur e do të iknim nga shtëpia, por ofendimet nuk i kursente si për ne, ashtu edhe për atë. Erdhi një moment që vëllai i vogël u bë 17 vjeç dhe nga vuajtjet që kishte hequr e nga turpi që mbante mbi supe, mori rrugët e kurbetit. Kam qarë shumë për të sepse e dija që ishte një fëmijë ende i pazhvilluar, por halli të bëka të fortë e të rritka para kohe. Nuk ishte gjë e vogël të ikje në shkollë e të gjithë të ta bënin me gisht duke të thënë: “Shiko, fëmijët e pijanecit!”, ose t’i shikoje se si kishin mëshirë për ty. Unë sapo kisha mbaruar shkollën e mesme dhe një nga hallat e mia, e cila na donte edhe më shumë e na kishte ndihmuar herë pas here edhe ekonomikisht, më gjeti një djalë të mirë që jetonte me familjen në Durrës. Në fillim nuk pranova sepse e kisha të vështirë të mendoja se do të kisha një familje për së mbari që do mund të jetoja e lumtur. Halla më premtoi se ai ishte një djalë i mirë, i edukuar dhe familja e tij ishte shumë e mirë. Fejesa u bë një muaj mbasi mbarova shkollën. Siç nuk e prisja, që në fillim qeshë e lumtur me atë njeri sepse ishte i dashur me mua dhe m’u përkushtua shumë, që në fillim. Atij i tregova çdo brengë timen. I tregova se si ishim dhunuar sistematikisht nga babai dhe sa më dhimbsej nëna, e cila kishte mbetur e vetme atje me atë monstër dhe me gjyshen e paralizuar që nuk mundej kurrsesi t`i vinte në ndihmë. Kur ia tregova të gjitha këto, ai filloi të më donte e të më admironte më shumë, sepse pavarësisht vështirësive që kisha kaluar, kisha mbetur një vajzë e thjeshtë dhe e dashur me të gjithë. Kur unë tregoja dhe qaja, ai qante me mua dhe, kur dolëm nga dhoma, më tha:

Advertisement

– Mos i trego kujt… Është hera e parë që qaj në sy të një njeriu tjetër.

Unë fillova ta dua përditë e më shumë dhe u lidhëm aq shumë më njëri-tjetrin sikur të ishim dashuruar më parë e jo sikur ishim njohur nga halla ime. Një herë, kur ikëm për vizitë në shtëpinë time, burri im i tha babait:

– Mos pi se do të të largohen fëmijët dhe s`do të duan të të shohin më me sy!

Sa herë shkonim ne për vizitë, atë e gjenim të pirë, megjithëse mundohej ta fshihte këtë me humorin e tij fallso, që nuk e duroja aspak. Shumë herë kisha menduar ta merrja nënën me vete, por më dhimbsej gjyshja se ishte e vjetër e s`kishte me kë të rrinte. E pyesja nënën se si po i shkonin gjërat, por nuk më tregonte, që të mos më bënte merak, ndërsa gjyshja përlotej duke thënë: “Ishalla një ditë po ndryshon… Ia hëngri shpirtin nuses!”. Mua aq më mjaftonte për ta kuptuar se ai nuk e kishte ndryshuar avazin. Pas një viti martesë, unë ngela shtatzënë. Ky ishte lajmi më i bukur që mund të merrja! Të gjithë në shtëpinë tonë u lumturuan shumë dhe po ashtu edhe bashkëshorti im, i cili iku e më bleu një arush të madh për dhuratë. Në momentin e parë mora nënën në telefon dhe e lajmërova për lajmin. Edhe ajo u lumturua shumë dhe qau në telefon. I mbaj mend si sot këto fjalë që më tha:

– Tani do të bëhesh nënë dhe do ta kuptosh që, për foshnjën tënde, jo vetëm grushtat e shqelmat që do duroje, por edhe plumbave do t’u dilje para!

Më dhimbsej nëna në shpirt, por s`kisha si ta ndihmoja. Isha vetëm 4 muajshe kur më morën në telefon dhe më dhanë një lajm shumë të keq. Hallat më thanë që nënën e kishin shtruar në spital dhe ishte shumë keq sepse kishte sëmundje të keqe. M’u prenë gjunjët. Nuk po u besoja veshëve. Më ra telefoni nga duart dhe aty mbaj mend vetëm që vjehrra ime u ngrit dhe më shtrëngoi fort për të mos u rrëzuar, edhe pse s’e dinte se ç`po ndodhte. Kur mora veten e u tregova, ata morën burrin tim në telefon dhe u nisëm të gjithë për në Tiranë. Sapo e pashë ashtu të shtrirë, me fytyrën e zbehur, m’u mbushën sytë me lot. Nuk më besohej që fati i kishte rezervuar vuajtje të tjera. Mendoja me vete: “Mjaft, o Zot, mjaft më na vure në provë!”. Nëna ishte vetëm me hallën dhe te koka e krevatit kishte pak gjëra për të ngrënë, gjë që tregonte se asnjeri s`kishte ikur ta takonte më parë.

– Ku është babi? – e pyeta.

– Një Zot e di se ku e ka plasur kaptinën! – më tha halla me zë të ulët sepse po i vinte zor nga burri dhe vjehrra ime.

Nuk mund ta kuptoja se si një njeri i tillë nuk e ndjente sadopak dhimbjen për një femër që, në mos e ka dashur, të paktën i ka rritur fëmijët dhe i ka qëndruar në kokë për aq vite së ëmës së sëmurë. Kaluan dy muaj në spital dhe nëna ime u transformua plotësisht. Sëmundja e hëngri si njeri dhe unë, sado që e kisha të vështirë ta pranoja, e kuptoja që ishte shumë rëndë. Mua filloi të më rritej barku e kisha shqetësimet e mia, por s`doja t`i largohesha për asnjë moment. Nuk mund ta lija vetëm; ajo vetëm mua më kishte! Vëllai qante në telefon, por s`vinte dot sepse nuk kishte as letra, asgjë. Ai na dërgonte lekë për në spital se e dinte që babai s`fuste dorën në xhep dhe që vinte shumë rrallë në spital. Vinte vetëm kur e merrte në telefon ndonjë shok i veti dhe i thoshte se po vinte të vizitonte mamin te spitali. Ishte një situatë që s`do ta kisha imagjinuar asnjëherë sepse në momentet e fundit, nëna e kërkonte shumë. Më thoshte: “Bëjani hallall sepse nuk e di se ç’bën”.

Erdhi një pikë që unë dhe burri im s`mund ta shihnim më me sy. Fatkeqësisht, nëna nuk zgjati shumë dhe u nda nga jeta. Aty morën fund gjithë dhimbjet dhe padrejtësitë që kishte kaluar. Të qarat dhe gjendja ime ishte e papërshkrueshme. Isha 5 muajshe shtatzënë dhe rashë në depresion. Kujtoja vetëm momente vuajtjeje me të. Nuk mbaja mend një gëzim, nuk mbaja mend kurrë ta kisha parë duke qeshur, si të gjitha nënat e tjera, kurrë të lumtur. Ishte aq e vuajtur saqë nganjëherë mendoja se kishte preferuar më shumë vdekjen sesa trajtimet mizore të tim eti. Nëna ka dy vjet që më ka vdekur dhe tani, gjyshja është e sëmurë rëndë. Unë e dua shumë dhe iki e vizitoj përditë. I rri te koka, i jap për të ngrënë, e laj e çdo gjë, por babait nuk i flas fare. Që pas vdekjes së nënës, pijen nuk e ka futur më në gojë. Vjen dhe na gjen në shtëpi me burrin e gocën. Burrit tim i flet, gocën e merr, e përkëdhel dhe e puth, ndërsa unë, as sytë s’ia hedh më. Kur e shikoj që e do gocën, më vjen shumë habi. Them me vete: Si neve s’diti të na trajtojë një herë si fëmijët e vet? S’diti të na vinte kurrë në vendin që na takonte? As vëllai nuk ka më kontakte me të. Tani, ai më merr vetëm mua në telefon dhe më kërkon që të flasë me gjyshen. Nuk dua të tregohem e pashpirt, se ditët po ikin dhe babai po plaket përditë e më shumë, por ja që me shpirt nuk ia fal dot ato që na ka bërë. Nëna ime e meritonte një moment paqeje se ne do të kishim jetën përpara, por ajo nuk jetoi aq sa për të parë pendimin e tim eti. Nuk mund t’i shpjegoj me fjalë ato që ndjej kur e shikoj ashtu të strukur në kolltuk, të heshtur para krevatit të së ëmës. Një mendje më thotë shpesh t’i drejtohem, ta përqafoj me aq mall e t’i them: “T’i kam falur të gjitha”. T’i them që të paktën mua do të më ketë aty dhe nëse do të ketë nevojë, se do t’i rri te koka ashtu si gjyshes, por urrejtja e gjithë atyre viteve nuk ma lejon. Nuk e di a do të kem guximin që pas vdekjes së gjyshes, të shkoj më në shtëpinë time. Ai është fajtor i dhimbjeve tona! Ai është fajtor për faktin që vëllai nuk e pa nënën për herë të fundit. Ndonjëherë mendoj se duke e larguar, nuk do të mund t’ia fshij plagët e ndonjëherë mendoj ta mbaj afër të paktën atë, të vetmen gjë që do të më ngelë nga familja ime…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon..!

Next Post

Ju rrjedhin e ju bllokohen hundët? Ja, arsyet dhe zgjidhja e duhur!

Advertisement