Skip to content Skip to footer

Atrologia shpjegon..!

Njeri i pisët

– Nuk e mbaj mend shumë ëndrrën në veprime, vetëm kujtoj që ishte dikush që dukej më i pisëti (në kuptimin moral), por më vonë kuptova që ishte më i miri ose më saktë, jo ai i tmerrshmi që supozohej të ishte. Pres përgjigje, sepse m’u duk shumë interesante; më dukej sikur po e përjetoja realisht ndjesinë për këtë person. Mira.

– E dashur Mira, ëndrra juaj është më se e qartë. Ju do të përballeni realisht me një zbulim të tillë. Dikush që deri dje ju është dukur më i keqi, ashtu siç e keni parë edhe në ëndërr, do të zbuloni se në të vërtetë nuk është ashtu. Por, për të arritur në këtë konkluzion, ëndrra ju këshillon t’i jepni një mundësi që ta njihni vërtet dhe të vërtetoni të kundërtën e asaj çfarë keni menduar deri tani. Nëse nuk do të ketë një rrugë komunikimi, nuk do ta merrni vesh asnjëherë si qëndron e vërteta. Gjithë të mirat!

Duke folur për kalërimin

– Kam parë në ëndërr para dy netësh sikur isha në një fushë të madhe ku kishte kuaj dhe njerëz që i kalëronin. Një grua m’u afrua dhe më pyeti a kisha rifilluar të ecja me kalë. Unë iu përgjigjia se jo, por që do të filloja përsëri, ndërkohë që isha i ndërgjegjshëm se nuk kisha biseduar ndonjëherë me këtë grua dhe s’mbaja mend nëse kisha kalëruar ndonjëherë. Pastaj iu drejtova vetes, sikur po shikohesha në pasqyrë: “Pse të mos kalëroj vërtet?”. Duke u nisur për të marrë një kalë, u zgjova nga gjumi. Niku.

– I nderuar Niku, kali, siç dhe e kemi thënë herë të tjera, përfaqëson energjinë e jetës, emocioneve, lirinë dhe pasionin për të jetuar çdo moment të jetës. Ju e ndjeni që ka ardhur koha të ndryshoni diçka në jetën tuaj, por s’keni guxim, edhe pse jeni plot energji në vetvete. Gruaja që keni parë, përfaqëson ndërgjegjen tuaj të fshehur brenda vetes, që ju fton të nxirrni në jetë energjitë tuaja pozitive dhe t’i përdorni për të rindërtuar jetën tuaj pozitivisht, gjë që do t’ju shërbejë për një të nesërme më të sigurtë. Çfarë prisni? Jepini vetes vetëm pak kurajo dhe gjithçka do të ecë vetë pastaj.

Me pushkë

– E pashë veten sikur po qëlloja me pushkë automatike dhe sikur isha për gjueti me miqtë e mi. Më vinte keq që po i vrisja ata zogj dhe po mendoja se nuk mund të bënim ndryshe, ne prandaj kishim shkuar për gjueti. Pastaj, kjo ishte e vetmja mënyrë që ne t’i arrinim ata zogj. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr? J.

– I/e nderuar J. Ëndrra juaj tregon që jeni bindur realisht me veten se e vetmja mënyrë për të arritur shumë gjëra në jetë është të përdorni agresivitetin. Kjo gjë nuk ju pëlqen, por jeni i vetëdijshëm që ky është një realitet që nuk njeh rrugëzgjidhje tjetër, të paktën për momentin. E megjithatë, ndoshta po ta vrisni trurin më shumë, ka shumë mundësi të gjeni një rrugë tjetër akoma më të lehtë që s’ka lidhje fare me agresivitetin.

Shkallë e pambaruar

– Pashë në ëndërr sikur kisha një shtëpi shumë të shndritshme dhe isha në moshën e tanishme. Nga kati i sipërm i shtëpisë mund ta shikoja gruan time në katin e parë. Midis dy kateve është një shkallë që po e ndërtojmë për të bashkuar dy katet, por që është e papërfunduar dhe unë po mendoja: “Sa kohë kemi që e kemi nisur këtë shkallë dhe s’e përfunduam dot!”. Edhe sikur të doja ta përfundoja, dukej që diçka nuk shkonte te kjo shkallë që ka ngelur e përgjysmuar. Ashtu, duke medituar dhe duke shikuar time shoqe në katin e parë, u zgjova nga gjumi. Pres parashikimin tuaj. Fatmiri.

I nderuar Fatmir, e gjithë ëndrra tregon qartë që ju keni probleme në çift. Ju ndodheni në katin e sipërm të shtëpisë dhe e shikoni gruan tuaj, por nuk komunikoni me të. Mes jush është shkalla që u nis për t’u përfunduar, por që nuk mbaroi kurrë. Shkalla përfaqëson tentativat që keni bërë ju për të rregulluar problemet që keni me gruan, por deri tani, asgjë nuk është zgjidhur mes jush. Tani mendoni të dorëzoheni sepse e shikoni se ka diçka që nuk shkon mes jush dhe kjo nuk do të rregullohet kurrë. Këto janë mendimet tuaja që duken shumë qartë nëpërmjet ëndrrës që keni parë, ndërsa gruaja juaj, nga ana e saj, qëndron krejt indiferente në botën e saj dhe ju këtë e keni kuptuar tashmë prej kohësh. Jeni lodhur nga kjo lloj gjendjeje që është krijuar mes jush dhe ndiheni i pafuqishëm për ta rregulluar marrëdhënien tuaj. Fatkeqësisht, ëndrra tregon gjendjen tuaj aktuale dhe nuk përshkruan se çfarë do të ndodhë më tej, por unë uroj që problemet tuaja të zgjidhen dhe ta shpëtoni marrëdhënien tuaj në çift. Ndoshta po të bëni dhe një tentativë tjetër për të zgjidhur atë çfarë pengon komunikimin tuaj, do të merrni vendimin e duhur që të mos pendoheni kurrë më sepse duket që jeni si në ajër dhe nuk e dini si të veproni. Uroj të bëhet më e mira mes jush!

Leave a comment

0.0/5