I dashuri i motrës sime
– E nderuar astrologe, kam parë në ëndërr të dashurin e motrës sime. Ai hoqi nga dora unazën rreth të floririt dhe ia vuri motrës te gishti i fejesës. Pashë që unaza sikur u zbeh, i humbi pak shkëlqimi. Ju lutem, më ktheni një përgjigje këtë javë: Ç’do të thotë?
– Ëndrra juaj ka lidhje me realitetin që po përjetoni e që ju fare mirë na e keni shpjeguar pak vetë. Lidhja e motrës suaj me këtë djalë, tashmë është kthyer në një problem familjar për të dyja familjet. Ata duhen, por kanë shumë pengesa dhe po kjo situatë ju është shfaqur juve në ëndërr. Ai po bën gjithë përpjekjet e duhura për ta finalizuar fejesën me motrën tuaj pasi vërtet dëshiron të krijojë familje me të, por do të kenë shumë vështirësi. Megjithatë, çdo gjë është në dorën e tyre. Nëse ata janë të vendosur, pavarësisht pengesave, do të fejohen, edhe pse do të jenë pak të stresuar. Unaza në këtë rast tregon pikërisht dëshirën të dyve për t’u fejuar dhe dëshirën tuaj për t’i parë të lumtur, por zbehja tregon që do të kenë shumë ndërhyrje dhe kjo do ta lëkundë pak lidhjen e tyre, prandaj them që gjithçka e kanë në dorë ata. Nëse duhen vërtet shumë, do të jenë bashkë, ndryshe, do të fitojnë kundërshtarët e tyre.
Duke mbledhur pjata dhe filxhanë të thyer
– Jam Marseli nga Korça. Kam parë në ëndërr sikur vajta në shtëpinë e të fejuarës dhe mblidhja filxhana e pjata të thyera. Pastaj, sikur piva kafe në filxhan të thyer dhe mblidhja përsëri filxhanë e pjata të thyera, bashkë me të fejuarën. Çfarë parashikon kjo ëndërr?
– Diçka mes jush është thyer me kohë tashmë, pavarësisht tentativave tuaja për ta mbajtur të fortë këtë lidhje. Megjithatë, në nëndërgjegjen tuaj keni shumë mall për kohën që keni kaluar me të fejuarën tuaj dhe do të donit në njëfarë mënyre që ju të flisni sërish, edhe pse ka kaluar kohë. Në një të ardhme shumë të largët, do të merrni lajme prej saj dhe mund të ketë një përpjekje mes jush për të rirregulluar gjërat që janë thyer prej kohësh. Megjithatë, duket një rast jo me shumë shpresa për të qenë sërish bashkë si më parë. Ju uroj fat!
Xhiro me ashensor
– Në ëndërr kam parë sikur hipa në ashensor dhe shtypa butonin e katit të katërt, ama u gjenda në katin e shtatë. Pastaj, hipa sërish në ashensor, shtypa butonin numër nëntë dhe u gjenda në katin e dytë. Kjo gjë vazhdoi të përsëritej aq herë sa fillova të nevrikosesha. U mërzita dhe u nxeha kaq shumë në ëndërr saqë më doli gjumi me ndjesinë sikur vërtet i kisha ndjerë nervat që më kishin pushtuar. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Në pjesën më të mirë të rasteve, ashensori simbolizon komunikimin midis ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes. Ëndrra që keni parë është tregues i fazës së dytë që tregon marrëdhënien që keni me të pandërgjegjshmen tuaj. Faza e parë e ëndrrës përfaqëson refuzimin që i bëni vetvetes për të hyrë në kontakt me këtë të pandërgjegjshme sepse mendoni se nuk është shumë e denjë; ju duket në njëfarë mënyre, e “pisët”. Në fazën e dytë që ndodh përsëri me ashensorin, ju dorëzoheni dhe përballeni me këtë anë tuajën që nuk dëshironi ta njihni apo ta pranoni dhe kjo ju mërzit jashtë mase. E gjitha kjo ka të bëjë me realitetin, si me anën tuaj profesionale, ashtu edhe me marrëdhëniet tuaja në jetën personale dhe shoqërore. Në momentin që keni për të bërë diçka apo keni një projekt, mundoheni t’u shmangeni sjelljeve impulsive që nga brenda ju i ndjeni, por keni frikë t’i nxirrni përjashta. Në këtë mënyrë, ju rrezikoni të humbisni ato çfarë vërtet dëshironi të arrini. E keni parë veten të acaruar në ëndërr sepse ju shpesh grindeni me veten ngaqë nuk ju pëlqen aspak sjellja juaj. Ka ardhur koha të shfaqeni siç jeni e, pse jo, të shprehni edhe ndjesitë tuaja, qofshin këto nerva apo impulse të momentit sepse kështu do të njihni më mirë edhe kë keni përballë dhe se si duhet të reagoni. Nuk po themi të thyeni çdo gjë që ju del përpara, por të pranoni që jeni me nervat dhe pse jo t’ua bëni të ditur dhe të tjerëve që ju rrethojnë. Ky është çelësi i suksesit tuaj; të shfaqeni siç jeni.