Më theu dhëmbët
– Kam parë në ëndërr sikur një person nga familja më theu dhëmbët. Unë kujtoja se m’i kishte thyer të gjitha, por kur i pashë në pasqyrë, kuptova se më kishte thyer dy dhëmbë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Dhëmbët kanë shumë kuptime, por në rastin tuaj, ëndrra tregon se do të keni një konflikt familjar nga i cili do të dilni disi e lënduar. Dhëmbët dihet që janë të domosdoshëm për të folur e për të ngrënë, për të patur një paraqitje të mirë, ndaj edhe në raste të tilla, kur sheh në ëndërr sikur të bien apo t’i thyejnë dhëmbët, ka diçka që nuk shkon në jetën tuaj të përditshme. Dikush nuk ju lejon të shpreheni lirshëm e të kërkoni të drejtat tuaja dhe për këtë arsye, do të ndiheni e lënduar, por më vonë do të kuptoni se ka gjithmonë diçka për të rregulluar, se mund të dalësh nga kjo gjendje menjëherë, të jesh mirë me veten dhe njerëzit që ju rrethojnë.
Te shtëpia e ish-të dashurit
– E nderuar astrologe, me datë 11 kam parë në ëndërr sikur isha te shtëpia e ish-të dashurit. Sapo u futa në oborr, u surprizova, pasi oborri ishte plot me trëndafila të çelur dhe me ngjyra të ndryshme, por të ndërthurura bukur e mes hapësirave, kishte dritë. Papritur, erdhi ish-i dashuri dhe më dha dorën (jo përqafim), duke më ftuar të hyja brenda të takoja njerëzit e tij. Ashtu bëra. Më tha të vishja çorapet se isha zbathur. “S’ka gjë, se nuk i kam marrë sot!”, i thashë. E përjetova të gjithë këtë sikur të ishte reale. Çfarë do të thotë?
– Siç e kemi shpjeguar edhe shumë herë të tjera, të shikosh në ëndërr ish-të dashurin, do të thotë se mendon akoma për të dhe nëpërmjet nënndërgjegjes, e thërret përsëri që ta kesh pranë. Zemra juaj nuk është shkëputur totalisht prej tij dhe në ëndrra shikoni pikërisht atë person që ju keni dashur të ishte. Në njëfarë mënyre, ëndrra që keni parë, tregon një lloj telepatie që jeton akoma mes jush. Ju po e thërrisni nëpërmjet mënyrës tuaj ish-të dashurin që të bëhet sërish pjesë e jetës suaj ashtu siç dëshironi ju, por ëndrrat dhe dëshirat, shpesh, janë shumë larg realitetit. Ju dëshironi që ai të bëhet si personi që keni parë në ëndërr dhe në një të ardhme jo shumë të largët, do të ndodhë ta takoni rastësisht. Është në dorën tuaj pastaj nëse doni të rilidheni apo jo. Persona që ju presin me trëndafila, ekzistojnë vërtet në realitet, por kjo s’do të thotë që ky do të jetë pikërisht ish-i dashuri juaj. Mund të jetë dikush tjetër, të cilin ju nuk e shikoni fare si një mundësi të re njohjeje. Mbase duhet t’i lini mënjanë ëndrrat dhe të shikoni njëherë rreth jush sepse mund t’ju bëhet realitet ajo çfarë keni parë, por me dikë tjetër. Ju uroj fat!
U plagosa në kokë
– Para dy netësh pashë në ëndërr sikur do të shkoja me shoqërinë time në Itali, për qejf. Ndërkohë që shkova në aeroport, u shkëput kolona e një muri dhe më ra në kokë. Unë u plagosa aq shumë sa m’u duk sikur e ndjeva dhimbjen. U zgjova nga gjumi prej ankthit që kisha. Pres një përgjigje këtë javë, ju lutem. Faleminderit.
– Ka dy kuptime kjo ëndërr: E para, mund të keni patur realisht dhimbje koke ndërkohë që flinit dhe ju është shfaqur në atë mënyrë në ëndërr. Këtë gjë mund ta vërtetoni vetëm ju. E mbani mend, kur u zgjuat, a kishit realisht dhimbje koke?! Përsa i përket parashikimit, kur shihni në ëndërr sikur plagoseni, duhet të tregoni kujdes për pjesën e trupit që keni parë të dëmtuar. Koka ju përfaqëson juve si person; mënyrën se si e përballoni jetën, mendimet tuaja, karakterin. Ndiheni sikur e keni lënë veten pas dore dhe ka ardhur koha të jeni më vigjilent e më i kujdesshëm. Gjërat që dikur i keni lënë në vend të dytë, duhet t’i kaloni patjetër në plan të parë. Duke u kujdesur më shumë për veten dhe për ato çfarë dëshironi, edhe jeta juaj do të marrë më shumë ngjyra se më parë.
Shumë sëmurë
– Jam Enxhi. Para dy netësh pashë në ëndërr sikur isha shumë sëmurë dhe nuk ngrihesha dot që të shkoja në shkollë. Më pas, sikur shkova, por isha shumë e plogësht dhe më kishin rrethuar shoqet e shkollës, së cilave u thoja që isha shumë sëmurë. Dua të di, çfarë parashikon kjo ëndërr?
– E dashur Enxhi, ëndrra juaj tregon që jeni në gjendje dëshpërimi, për shkak të disa ndryshimeve në jetën tuaj. Jeni shumë e ngarkuar nga ana emocionale dhe psikologjike. Sëmundja që keni parë, mund të tregojë gjithashtu një lloj paaftësie për t’ua dalë mbanë situatave problematike që ju dalin përpara. Ëndrra ju këshillon të reshtni së ndjeri keq për veten tuaj dhe të mos qaheni më te shoqëria juaj. Përkushtojuni më shumë shkollës e dijes, pasi kjo do t’ju shërbejë që të keni më shumë besim te vetja dhe të bëheni më e fortë për të përballuar çdo gjë në jetë. Gjithë të mirat!
U zhduk shtëpia
– Isha në dhomën e mamit tim dhe, për një çast, m’u bë sikur shtëpia kishte fluturuar. Së pari u zhduk kulmi i shtëpisë dhe m’u duk sikur e kisha qiellin shumë afër. Qielli kishte një ngjyrë të mbyllur blu, shumë të bukur e të qartë. Më pas dukej sikur më shfaqeshin figura të ndryshme në qiellin e bukur dhe mes tyre ishte edhe një mashkull që bënte disa lëvizje të çuditshme, por që dukej i këndshëm pasi ishte i rrethuar nga yjet. Pres parashikimin… Faleminderit.
– Shtëpia, në këtë rast, tregon karakterin tuaj, mendimet, dëshirat, shpresat, lutjet. Qielli blu në ëndrra tregon shpresën, mundësitë, paqen dhe lirinë e të shprehurit. Edhe ëndrra juaj në tërësi tregon që të gjitha lutjet e dëshirat tuaja janë afër realizimit. Keni parë që jeni afruar me qiellin dhe kjo tregon realizim, sepse qielli ka qenë i pastër, blu e i bukur. E kundërta do të kishte qenë po të kishit parë një qiell të vrenjtur. Figurat që keni parë, janë dëshirat që keni kërkuar. Në mes tyre ka qenë edhe një mashkull, i cili mund të jetë partneri ideal që kërkoni ju. Nëse ky person që keni parë ka qenë i moshuar, ndryshon parashikimi; ëndrra tregon urtësi dhe falje. Nëse ka qenë i ri dhe ju është drejtuar juve, do të thotë se do t’ju realizohet dëshira që të keni në krah një person që do t’ju dojë vërtet. Yjet që keni parë në këtë rast, përfaqësojnë suksesin dhe fatin e mirë.