Po ju shkruaj sepse kam nevojë të shprehem, po ju shkruaj sepse sapo kam marrë pak veten nga një histori dashurie që më shkatërroi jetën, një histori që nisi herët dhe që ende nuk e di nëse ka marrë fund apo jo.

Jam ndarë nga e dashura ime pas një viti e gjysëm lidhjeje, nga ajo vajzë, së cilës i kisha shërbyer vetëm për t’u fshehur nga të tjerët…

Quhem Leo. Gjithçka nisi kur isha në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur po përgatiteshim dhe po bënim prova për një festival rinor në gjimnazin tonë. Aty njoha një vajzë me emrin Nila. E njoha kur ajo po përgatiste koreografinë e këngës “VVhenever VVherever” të Shakirës, bashkë me një shoqen e saj. Mendova se ishte një moment shumë i mirë për ta njohur, por një shoqja tjetër e saj më tha që ajo tashmë kishte të dashur. Nuk vazhdova më tutje sepse ajo ishte e lidhur dhe nuk doja të ndërhyja shumë në jetën e saj, duke pasur parasysh që edhe përgjigjja do kishte qenë negative. Kështu, kaluan disa kohë dhe pas tre vjetësh, në muhabet e sipër, në një rreth shoqëror, rastësisht, dëgjova emrin e saj. E pyeta atë që e përmendi se nga e njihte dhe më tha se kishte bërë shkollën tetëvjeçare me të dhe se e ruanin ende miqësinë. U gëzova shumë që gjeta dikë që e njihte dhe ia kërkova miqësisht të më jepte numrin e saj. Ma dha pa hezitim dhe më tha se nëse Nila do të më bënte fjalë për numrin, t’i thoja që ma kishte dhënë ai. I shkrova Nilës një mesazh dhe çuditërisht, përgjigjja e mesazhit më erdhi shumë shpejt. Ajo ishte e gëzuar që kisha mundur të kontaktoja me të dhe më tha se vërtet e kishte marrë malli që të fliste me dikë me të cilin kishte bërë shkollën e mesme, edhe pse ne të dy në atë kohë nuk kishim shumë muhabet. Folëm për disa kohë kështu dhe vendosëm të takoheshim e të bisedonim nga afër. U takuam dhe që në takimin e parë, u puthëm dhe e quajtëm këtë lidhje. Gjithçka shkoi mirë për dy muaj. Ajo u kthye në gëzimin tim. Edhe kur kisha ditëlindjen, qirinjtë i fikja me një dëshirë për të, sepse tashmë ajo ishte kthyer në motivin e vetëm të jetës time. E doja shumë, shumë, edhe pse dy muaj më vonë filluan zënkat dhe ne u ndamë me një pretekst koti, që unë nuk e mora vesh atëhere.

Justifikimi ishte se ne nuk po i linim kohë njëri-tjetrit edhe për gjëra të tjera të jetës sonë, domethënë ne merreshim me njëri-tjetrin, por nuk merreshim më aspektet e tjera të jetës. Mendo, kur me dy muaj supozohej kjo ngarkesë, po më vonë, çfarë do bëhej? U ndamë dhe ndenjëm të ndarë për pothuajse një vit. Gjatë kohës që ne ishim të ndarë, unë nuk u lidha me askënd tjetër, por vetëm dilja me miqtë e mi, ndërsa ajo kishte njohur një djalë tjetër, Albertin dhe ishte lidhur me të. Ndenji me Albertin një vit dhe pasi u nda prej tij (ajo më tha se ai e kishte tradhtuar dhe gjithçka kishte marrë fund), u takuam përsëri pas një viti e ca dhe më shpjegoi gjithçka se çfarë kishte ndodhur në jetën e saj. U mërzita që ajo kishte pasur lidhje, sepse unë nga ana ime kisha pasur fleshet e mia, por nuk isha lidhur, duke pritur që asaj t’i kthehej mendja dhe të vinte përsëri. Herën e parë që ishim të lidhur bashkë, ne nuk kryem marrëdhënie seksuale, edhe pse shumë herë kemi ndenjur vetëm, madje edhe kemi fjetur bashkë dhe nuk bëmë asgjë sepse e kishim lënë për më vonë. Ngaqë e doja shumë, nuk mora parasysh asgjë dhe i fala gjithçka, vetëm që të rrija me të, madje një mendje më thoshte që edhe ta merrja për nuse. Një ditë më tha që nuk mund të shkonin më gjërat kështu dhe nëse unë e doja dhe kisha vendosur të rrija gjithmonë me të, duhej që të bëja një hap përpara dhe të vendosnim për të ardhmen tonë, sepse në tashmë nuk ishim të vegjël. U mendova për shumë kohë dhe nuk munda të vendosja një gjë definitive.

Gjatë kësaj kohe që ne i kishim gjërat e koklavitura, ajo rrinte shumë me shoqen e saj dhe unë nuk merakosesha sepse ato ishin shumë shoqe dhe tek ajo vajza unë kisha shumë besim. Kurdo që ta pyesja, më thoshte “jam me Enxhin”, edhe në kafe, dhe në shtëpi, edhe në mbrëmje, madje ato flinin shumë shpesh te njëra-tjetra. I thashë një ditë duke qeshur: “Nila, zemër, se mos të rregullon ndonjë djalë Enxhi”.

Ajo më pa, qeshi dhe ma mohoi duke më thënë: “Enxhi nuk është nga ato vajza, madje ajo edhe kur shikoj kot ndonjë djalë unë, më thotë te mos e shoh sepse unë tashmë jam e dashuruar”.

Më gëzuan ato fjalë, edhe pse nuk e dija që vetë Enxhi ishte tradhtia. Lidhja ime me Nilën u bë shumë e konsoliduar saqë të gjithë e dinin që ajo ishte e imja dhe unë,  i dashuri i saj. Një ditë po pija kafe me një shok dhe po e shikoja që sapo u ul në tavolinë, sikur nuk ndihej rehat dhe sikur kërkonte të më thoshte diçka. E pyeta çfarë kishte dhe nuk më përgjigjej. Pas këmbënguljes sime, ai më tha që ishte shumë në siklet për atë që do të më thoshte, por e ndjente të nevojshme të më tregonte se një ditë e kishte parë Nilën time të puthej me Enxhin. Në fillim e mora si shaka, sepse e dija që ato rrinin gjithë kohës bashkë dhe ndonjë puthje edhe mund të kishin shkëmbyer, por jo, puthja që më përshkroi shoku im ishte shumë larg puthjeve shoqërore dhe pa të keq. Ai më tha që Enxhi dhe Nila gati sa nuk ishin rrëzuar rrëzë murit të një pallati të vjetër nga puthjet dhe përkëdheljet me njëra-tjetrën…

Nuk më pritej derisa të takoja Nilën dhe t’i ulërija. Kur e takova dhe i thashë, asaj nuk i lëvizi një qerpik. Pas një viti e gjysëm lidhjeje që kishim ne pas ndarjes së parë, ajo më tha që nuk ishte ndonjë gjë për t’u alarmuar, sepse ajo e donte vërtet Enxhin dhe jo unë, po askush nuk mund ta ndalonte atë që ndjenin ato të dyja. Nuk e doja veten që ajo më kishte përdorur për të më fshehur lesbicizmin e saj. E ndjeja që diçka nuk shkonte sepse edhe në marrëdhënie ajo nuk më jepte shumë, por mendoja se ishte në mes ndonjë djalë tjetër, jo vajzë. Edhe Alberti prandaj e kishte lënë, sepse kishte mësuar të vërtetën. Tani, ajo ka ikur jashtë vendit bashkë me Enxhin dhe jetojnë bashkë, ndërsa familjarët e dinë që janë shoqe të ngushta. Kjo ishte historia ime dhe tradhtia lesbike e të dashurës time…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *