Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U pendova që s’i dhashë një mundësi!

Të gjithë juve që sapo keni lexuar titullin e ngjarjes sime, mund t`ju shkojë ndërmend një histori të ngjashme që mund t`ju kenë ndodhur edhe juve, por kjo e imja, ndër të gjitha ato që kam dëgjuar, më duket më e trishtë. Ja t`jua tregoj pse!

U caktova mësues në një shkollë fshati para 25 vjetësh. Isha shumë i ri, vetëm 20 vjeç. Ndjehesha i pamposhtur dhe asnjë nuk më hynte në sy. Shkolla ku më emëruan ishte një shkollë jo shumë e vogël. Kishte nga tre klasa paralele dhe kishte shumë nxënës. Isha djalë i ri dhe nuk shahesha nga paraqitja. Më bënte përshtypje një vajzë që nuk m’i ndante sytë as kur shpjegoja mësimin e as kur gjendesha në korridor apo në oborr. Nuk ishte shumë e vështirë ta kuptoje se ato shikime flisnin shumë. Në atë shkollë qëndrova një vit shkollor dhe më vonë, më transferuan në një qytet tjetër. Ajo ishte në klasë të tetë dhe vitin tjetër, do të fillonte gjimnazin.

Qyteti ku më transferuan ishte një qytet i largët malor dhe unë shkoja në shtëpi një herë në gjashtë muaj. Vitin e parë, kur ajo ishte në gjimnaz, unë shkova në fshatin tim vetëm për Vitin e Ri dhe qëndrova vetëm dy ditë. Atë nuk arrita ta shihja dhe nuk mund të pyesja asnjë për të sepse do të nënkuptonin ndonjë gjë, kështu që vazhdova jetën në qytetin ku më kishin transferuar. Të them të drejtën, atje më mbanin shumë, njerëzit më donin e më respektonin dhe nuk kam pse të gënjej që më rrinte mendja tek ajo vajzë, por nganjëherë, kur mendoja për martesën dhe familjen, më shkonte mendja vetëm tek ajo dhe tek asnjë vajzë tjetër që kisha njohur në qytetin ku punoja. Për mua, kjo do të thoshte diçka. Në verë mora lejen dhe shkova në fshat. Ajo kishte qëlluar në një klasë me motrën time dhe i kishte thënë asaj se më pëlqente shumë dhe donte të martohej me mua. Motra mezi s`kishte pritur që unë të shkoja në fshat dhe, kur shkova, më tha:

Advertisement

– Kur do të takoheni bashkë? Do të të ndihmoj unë që të mos ju shohë njeri.

– Ç’thua kështu? Unë as që e mbaj mend. Ik më lër rehat me këto gjëra që sajon ti!

– Po ajo vetë më ka thënë se edhe ti e pëlqen. Mos e humb këtë shans, ajo është një vajzë shumë e mirë dhe shumë e bukur.

– E ç’më duhet mua ajo? S`kam ndërmend të martohem kaq i ri! Dhe shko i thuaj asaj që të mos përhapë fjalë për mua se më do e s’më do.

U nxeha keq. Nuk e di as vetë pse e bëra këtë, sepse thellë në brendësi unë ndjeja diçka për atë vajzë. Motra ime e pëlqente këtë vajzë dhe nuk i kishte thënë fjalët që unë i thashë t’ia thoshte. Pas dy ditësh, motra erdhi në shtëpi me një frymë dhe më tha:

– A do të vish në arë se më duhet të ngre një trung dhe është shumë i rëndë?

– Unë e kuptova që nuk po thoshte të vërtetën, por e doja shumë motrën dhe nuk ia prishja asnjëherë.

Shkova pas saj dhe në fund të arës, ajo më tha të ndaloja. Aty ishte ajo. Motra i kishte thënë se unë kisha pranuar ta takoja. Në fakt, ajo nuk dukej si vajza e vogël që më ndiqte me sy korridoreve. Ajo ishte rritur dhe zbukuruar. Ishte bërë një vajzë aq tërheqëse sa edhe unë mezi ia hoqa sytë që kisha disa minuta që ia kisha ngulur, por ajo ishte një vajzë ndryshe të tjerave, nuk skuqej kur e shikoje dhe nuk i ulte sytë kur fliste apo kur e soditnin djemtë. Ishte një vajzë krenare, gjithmonë me kokën lart. Për këtë, nuk u çudita aspak kur më foli e para:

– Ç`kemi? – më tha – Si je?

– Mirë – thashë – si jeni ju?

Ajo ishte shumë shakaxhie. Kur unë i thashë “ju”, ajo u kthye pas sikur po shihte dikë tjetër.

– Ju? Unë jam vetëm. Përse më thoni ju?

– Lëri shakatë – ia preva shkurt – nuk të shkojnë me mua këto.

Kisha qenë mësuesi i saj dhe kisha atë ndjenjën e autoritetit. Ajo u habit dhe u shtang.

– Ç`keni, përse më thirrët? – i thashë unë, ndoshta për të fshehur atë ndjenjë që e kisha patur më parë, por që u ndez fuqishëm tek unë kur pashë sa e bukur ishte bërë.

– Po pse, ju nuk deshët të flisni me mua? Unë erdha të flasim bashkë. Kështu i kishe thënë Dritës, motrës tuaj…

– Dritës i kam thënë që ti të mos hapësh thashetheme pa patur gjë. Unë as të njoh, vetëm mbaj mend se të kam patur nxënëse dhe asgjë më shumë.

Nuk prita asnjë përgjigje të saj. Ktheva shpinën dhe shkova në shtëpi. Pse u solla ashtu, as vetë nuk e di, sepse kur i ktheva krahët, u pendova aq shumë sa edhe sot nuk ia fal vetes.

Motra më tha se, kur unë ika, ajo u mërzit shumë, por nuk derdhi lot, siç mund të kishte bërë çdo vajzë në një situatë të tillë. Këtu qëndronte e veçanta e saj. Ishte ndryshe. U ktheva në punë në qytetin ku punoja dhe në zemër ndjeja një boshllëk, i cili deshi pak kohë të kalonte. Për festën e Vitit të Ri, shkova në shtëpi. Motra akoma më mbante inat. E mora me të mirë duke i thënë:

– Jam penduar për atë që i bëra shoqes tënde. Thuaji se do ta takoj e do të merremi vesh bashkë.

– Tani nuk do ajo të të takojë – më tha – është fejuar. Pse, ty do të të priste?

– Po si, pse kaq shpejt? Ajo është e vogël…

– Ehu, ku e di unë. Mirë ta ka bërë se ti je mendjemadh!

Kur të humbasësh një gjë atëhere ia di vlerën më shumë. Si lojë kishte filluar kjo histori dhe ashtu mbaroi. Të them të drejtën, mirë m’u bë sepse më dukej vetja i paarritshëm dhe kështu do të merrja një mësim të mirë. Pas një viti, motra më tha se ajo ishte ndarë me të shoqin, por kjo pritej. Përderisa ajo ishteaq krenare, nuk mund të kishte tjetër fund.

Kaluan disa vjet dhe unë akoma nuk isha fejuar dhe jetoja përsëri në qytetin ku më kishin transferuar. Kishim një seminar në Tiranë. Seminari do të zgjaste shumë, kështu që do të flinim në hotel. Mbasdite dola të bëja një xhiro në bulevard. U ula të pija kafe në një lokal. Po e shijoja atë kafe, por kishte disa minuta që ndjeja dy sy që më ishin ngulur e po më shikonin me vëmendje. Për pak kohë nuk u ktheva, por pastaj u bëra shumë kurioz dhe ktheva kokën sikur po thërrisja kamarierin që të vinte për llogarinë. Pashë se ishte një zonjë që më shihte. Edhe ajo ishte vetëm në tavolinë. Ajo u ngrit nga tavolina dhe u afrua drejt meje.

– Nuk po më njeh?- më tha.

Po si nuk e njihja? Ishte ajo; vetëm se, më e rritur dhe më e bukur se më parë.

– Si thua ti? Të njoh? – kisha mbetur pa fjalë, ndaj nuk fola, por me dorë bëra një gjest duke e ftuar të ulej.

– Sa kohë ka kaluar! – tha ajo.

– Shumë! Si ke qenë?

– Mirë. Po ti.

– Shumë mirë. Ku jeton tani?

– Atje ku më kanë emëruar. Po ti?

– Jetoj këtu në Tiranë. Jeta ka ngritje dhe ulje dhe këto e bëjnë shumë të vështirë.

– E di – i thashë – kam dëgjuar se je ndarë.

– Ajo s`ishte një gjë e keqe. Unë e mora vetë atë vendim dhe nuk më detyroi askush. Edhe po të kishim qenë bashkë dhe të mos më pëlqente, ashtu do të veproja, do të ndahesha. – Fliste me një krenari të tepruar. Në vend që vitet dhe hallet t`ia kishin zbutur atë, ia kishin forcuar më shumë.

– Ti ndoshta e mendon ashtu, por jeta duhet ndërtuar mbi baza të shëndosha dhe jo të ecësh pas fiksimesh. Fejesa dhe martesa nuk janë gjëra të vogla ashtu siç i ke menduar ti. Duhet të mendohesh shumë para se të hedhësh hapa të rëndësishëm si këto.

– Prapë i njëjti paske mbetur! – tha. – Edhe atëherë kur mund të lidheshim bashkë ti u trembe. Dhe ç`fitove? Ja akoma beqar. Sa të mendohesh ti të hedhësh hapin, kaloi gjysma e jetës.

– Po ti, nuk je lënduar nga ndarja?

– Jam lënduar, por nuk e marr kaq seriozisht.

Biseduam edhe pak dhe pastaj dolëm nga lokali e filluam të ecnim në bulevard. Kishim shumë për të biseduar, kështu që ndenjëm gati dy orë së bashku. U err dhe ajo duhet të kthehej në konvikt. Gjatë bisedës mësova se kishte rifilluar shkollën dhe tashmë po mbaronte universitetin. Ishte nxituar në martesën e parë e tani po rregullonte “gabimet” që kishte bërë. Mund të kishim qenë çift së bashku, por ndryshonim shumë. Ishim dy njerëz të ndryshëm dhe këtë unë e ndjeva atë pasdite, por përsëri do të kishte qenë gjë shumë e bukur ta kishim provuar. Ajo ishte një femër e rrallë, sidomos nga paraqitja. Megjithëse tani jam i martuar e me fëmijë, jam penduar që atë ditë në arë nuk i dhashë një shans vetes sime dhe asaj vajze që më kishte dhënë aq shikime sa asnjë femër përveç gruas sime, nuk më ka dhënë në jetë. Në jetë duhet të provosh shumë dhe në fund, të zgjedhësh. Po nuk provove, nuk mund të flitet më për zgjedhje…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Lidhja jonë u shkatërrua nga xhelozia

Next Post

Si ta shëroj diabetin pa ilaçe?

Advertisement