Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Tradhtova tim shoq me burrin e të dashurës së tij


Unë që kam marrë guximin të shkruaj historinë time të tradhtisë në gazetën tuaj, jam një grua 30 vjeçe. Jam martuar me dashuri dhe kam qenë një grua e përkushtuar për burrin, fëmijët dhe veçanërisht, për shtëpinë. Të gjithë më thonë “maniake” pastërtie e disa më thërrasin meraklie. Vitet e jetës i kam kaluar kështu siç jua përshkrova më lart, si një grua e tillë dhe mendoj se të gjitha gratë, sidomos të martuarat, duhet të jenë të tilla.

Unë ndryshova nga një telefonatë. Një ditë po pija kafe me një ish-kolege. Më ra telefoni me numër të fshehur, pra, anonim dhe u përgjigja:

Advertisement

 – Alo! – dëgjova një zë burri.

 – Alo – i thashë e qetë.

 – Kush jeni ju që para dy ditësh i keni rënë telefonit tim?

 – Më falni, – i thashë, – por mos keni ngatërruar numër? Nuk po marr vesh se ç’po më thoni…

 – Në fakt, telefoni ka qenë i gruas sime, por unë e mora numrin dhe po të telefonoj ty tani…

 – E ç’problem mund të ketë që t`i kem telefonuar gruas tënde?

 – Lëri fjalët e më thuaj a i ke rënë ti apo jo, të tjerat i di vetë…

E mbylla telefonin dhe mendova se ç’mund të ishte ajo telefonatë. Unë vetëm njerëzve të mi dhe atyre pak shoqeve që kisha u telefonoja dhe numrat i kisha të ruajtura, kështu që nuk mund t’i ngatërroja, por biseda mes shoqesh nuk më la kohë të mendoja. U ktheva në shtëpi dhe nuk më vajti më mendja tek ajo telefonatë.

Të nesërmen, në të njëjtën orë, si ditën më parë, më ra telefoni. Këtë herë ishte një numër. E hapa. Ishte zëri i djeshëm. Desha ta mbyll, por ai m’u lut:

 – Të lutem, a e vërtetove se kush ka çuar zile atë ditë në telefonin e gruas sime?

 – Po ju, a jeni i sigurtë se ka ndodhur kjo gjë? Se unë nuk e di të kem telefonuar, por mund ta ketë bërë një tjetër nga familja ime.

 – Po ju, a jeni e martuar? Mos e ka bërë burri juaj? Ku banon?

 – Në Tiranë – i thashë – dhe burri im ka dy numra telefoni e nuk ka pse të marrë me numrin tim.

 – Jam më se i sigurtë se telefonata është bërë nga telefoni juaj, përndryshe nga do ta dija numrin tënd? Të lutem ta zgjidhim këtë punë se po çmendem. Ku jeni tani që të takohemi e të flasim?

 – Si guxoni të më kërkoni një gjë të tillë? Po ç`burrë je ti që kontrollon telefonin e gruas? Mos më telefononi më. Mirupafshim.

Dhe vendosa të mos ia hapja më telefonin. Ai me siguri kishte ngatërruar numër dhe, kur i kisha dalë grua, donte të tallej me mua. Vendosa seriozisht ta harroja këtë gjë, por numrin e tij e ruajta, as vetë nuk e di se pse.

Ai nuk më telefonoi më. Kaluan disa ditë dhe si gjithmonë, në uikend, shkuam në Durrës, te shtëpia në plazh. Ishte një ditë dimri dhe unë i adhuroj ditët e dimrit në plazh. Këtë gjë po e shijoja një mëngjes, kur papritur ra telefoni i burrit. Nuk e kisha asnjëherë zakon ta merrja telefonin e tij kur binte, prandaj nuk lëviza nga vendi. Telefoni ra përsëri dhe burri u ngrit e ndërsa po fliste, e dëgjova kur I thoshte përsonit tjetër se mund të ishte gabuar sepse ai nuk i kishte rënë numrit të tij dhe i lutej të mos e shqetësonte më sepse ishte në një mbledhje. Gënjeshtra e tij më bëri të dyshoja, ndërsa kur i tha se kishte gabuar numër, automatikisht, m’u kujtua ngjarja që më kishte ndodhur disa ditë më parë. Më shkoi ndërmend t’ia thosha atij, por nuk e di pse hezitova. Më vonë, e pyeta:

 – Kë gënjeve në telefon në mëngjes?

 – I kishin rënë gabim dhe i gënjeva që të mos më shqetësonin. Po ti, mua po më përgjoje?

 – Oh, më fal, nuk doja, por fjalët më erdhën vetë në vesh. – bëra shaka unë për të zbutur situatën – Më fal zemër!

Kur u kthyem në Tiranë, nuk e di nga më erdhi, por mora telefonin dhe i telefonova numrit që më kishte rënë atë ditë.

 – Si jeni? – u dëgjua nga ana tjetër e telefonit.

 – Mirë – thashë – a qëndron akoma ai takimi që më latë atë ditë?

 – Posi! – tha ai i nxituar, sikur mezi po e priste.

Dhe kështu u bë. Lamë takimin dhe u takuam në qendër. Ai ishte një burrë rreth të 35-tave, një mashkull që nuk mund të mendoje ta tradhtonte asnjë femër. Biseduam dhe ai më tha se gruaja e tij ishte 30 vjeçe dhe nuk kishin fëmijë. Ai punonte në dyqanin e vet, ndërsa gruaja punonte në administratë, në një instuticion shtetëror. Më pyeti edhe për mua dhe tim shoq. Filluam të shqyrtonim situatën, telefonatat, numrat dhe pamë se diçka përputhej, por unë nuk besoja kurrë se burri im më tradhtonte, kështu që i kërkova ta mendonim edhe një herë dhe të siguroheshim. Atëhere u ndamë dhe unë në kokë kisha një plan djallëzor. Kur burri po flinte, mora telefonin e tij dhe u futa në një nga dhomat e shtëpisë. Kishim një shtëpi të madhe dykatëshe, kështu që plani nuk mund të mos funksiononte, sepse ai nuk do ta dëgjonte kur unë të flisja. Formova numrin e gruas së burrit me të cilin nuk kisha pak që isha ndarë. Zëri që m’u përgjigj ishte i një gruaje dhe ekzaktësisht, ajo tha:

 – Ç`kemi zemër?

U shtanga, por pasi e mblodha veten, e mbylla telefonin pa folur asnjë fjalë. Nuk mund ta besoja. Deri kur dëgjova zërin e saj në telefon, më dukej se ai njeri po imagjinonte gjithçka nga xhelozia për gruan e tij, por jo; ai nuk qenka gabuar. Unë isha ajo që isha verbuar. U ula në një divan aty afër dhe vura dorën në zemër sepse ndjeva që ajo po më rrihte fort. Ishte gjëja që nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend. Oh, kjo është një ëndërr! Pse do ta bënte burri im këtë? Pse? E mblodha veten dhe vura telefonin në vendin e vet. Nuk ishte momenti i duhur që ai ta merrte vesh se unë e dija. Duhet të përgatitesha dhe të kisha prova të forta.

Të nesërmen, mora në telefon atë burrin. Ai erdhi me një frymë. Nuk i tregova çfarë kisha zbuluar, por i thashë se i qëndroja mendimit se burri im nuk më tradhtonte dhe se ky ishte një alarm i rremë. Ia thoja atij këto fjalë, por zemra ime ishte e helmuar dhe po kërkoja kundërhelmin. Ja! Përpara syve e kisha. Sy për sy e dhëmb për dhëmb! Do të joshja burrin e saj! Kur ajo kishte bërë për vete burrin tim, pse unë të mos ia merrja hakun me të njëjtën monedhë? Vetëm atëhere do ta kuptonte se ç’më kishte shkaktuar mua. Dhe mendova të veproja. Isha më e re se ajo, vetëm këtë dija. Nuk e dija se ç`pamje kishte, por dija se ajo nuk kishte fëmijë dhe kjo ishte një armë e fortë për të kundër meje. Po luftoja pa e njohur kundërshtarin. Ai takim nuk kishte pse ndryshonte ndonjë gjë dhe mua më duhej kohë të mendoja, kështu që e përshpejtova ndarjen dhe u ndamë duke e lënë të kuptonte të kundërtën e asaj që po ndodhte. Ai kishte një grua që nuk e tradhtonte. Këtë duhet të mendonte ai.

I kërkova takim ditën tjetër me pretekst se do të ndërroja numër dhe doja t`ia jepja atij në qoftë se do t`i duhej, Ishte një pretekst koti, por si duket dhe ai kishte dëshirë të takohej. U takuam në të njëjtin lokal dhe u kujdesa shumë për veshjen dhe makiazhin. Më duhej kjo gjë. Ai, si për çudi dhe për interesin tim, nuk m’i ndante sytë. Dukej i magjepsur. Biseduam shumë pak për bashkëshortët tanë dhe bëmë biseda të ndryshme. Ai fliste më pak se herët e tjera. U ndamë dhe diçka kishte ndryshuar. Ai ishte joshur nga unë, “mëkatarja”.

Koha eci si gjithmonë egërsisht, pa u ndaluar aspak. Pas disa ditësh u takuam “rastësisht”. Unë e dija ku punonte dhe kalova andej që të shihja a po funksiononte plani im. Ndërkohë, burrit tim nuk i kisha rënë fare në sy se e dija ç’po bënte ai.

Ai më pa dhe më ftoi për një kafe te lokali aty pranë. Pimë kafe dhe biseda po shkonte mirë, kur ja, u shfaq gruaja e tij. Ajo nuk na pa. Po ecte rrugës për në shtëpi, ndaloi te dyqani i mbyllur i të shoqit, menjëherë nxori telefonin, mori burrin dhe e pyeti se ku ishte që kishte mbyllur dyqanin. Ai i tha se po pinte kafe me një shok. Ajo ishte një grua e bukur, kishte një sharm që bënte për vete edhe gratë e jo më një burrë. Unë nuk e besoja se burri im do të më tradhtonte, por ndryshova mendim kur e pashë atë. Ishte tamam një femër e veçantë. Kjo nuk më bëri të stepem aspak, madje më shtyu ta çoja deri në fund atë që kisha nisur. Sado e bukur të ishte, nuk kishte të drejtë të prishte lumturinë e askujt.

Pas disa takimesh, i erdhi radha tradhtisë së madhe. Ai më ftoi të shkonim në Durrës, te shtëpia e tij e plazhit. Vetëm plazhit në dimër nuk mund t`i thoja jo. Ishte diçka e bukur, por jo aq e mrekullueshme sa kur bëja dashuri me burrin tim. Edhe pse ishte një mashkull i bukur, ky nuk kishte ndonjë gjë që të më largonte mendjen nga burri im dhe kjo vërtetonte dashurinë e madhe që unë ndjeja për të. M’u duk se edhe ai nuk u kënaq aq sa duhej. Shkaku mund të ishte edhe ftohtësia ime, por edhe ai mund të ishte i dashuruar me gruan e tij. U takuam edhe tre herë të tjera, por nuk mundesha më. Nuk isha e lindur për një gjë të tillë, për tradhtinë. Kjo fjalë nuk futej në karakterin tim. Plani deri tani nuk kishte funksionuar sepse asnjëri nuk e kishte marrë vesh, pra, ajo dhe burri im ishin të qetë.

Një ditë mendova t`i shkoja në punë burrit. E gjeta në zyrë dhe u çudit kur më pa. Ishte shumë i bukur dhe ishte njeriu që doja. Ngaqë e doja, mund t`i falja çdo gjë, por jo tradhtinë, sepse atëhere do të mohoja veten time. Dolëm për kafe dhe ja, në tavolinën përballë ishte ajo, me një kolege. Ajo bëri sikur nuk na pa, por më vonë, kureshtja e tradhtoi dhe ajo më shikoi me dy sy që vetëm armikë nuk mund t`i kesh. Unë nuk ia ktheva shikimin, por vazhdova bisedën me burrin. Ai dukej shumë i tensionuar. “Sikur ta dinte se ajo ishte aty, nuk do të ishte futur në lokal”, mendova. Pimë kafen dhe u ngritëm. Kur po dilja nga dera, ndjeva shikimin e saj të ngulitur tek unë. Ajo më shihte si rivale në dashurinë që kishte për burrin tim, por nuk e dinte se unë isha e dashura e burrit të saj. Atëhere, ç’shikim do të më hidhte!!!

Pasi u ktheva në shtëpi, mendova t’i zija mat të dy. Nuk doja ta zgjasja më këtë torturë që kishte kohë që më ishte bërë shoqëruese ditësh e netësh. Kur burri erdhi në shtëpi, i mora telefonin fshehtas dhe i çova një mesazh asaj. Menjëherë çova telefonin në vendin ku e kishte lënë ai dhe u ula afër tij. Pas pak ra zilja. Ai shkoi të merrte telefonin dhe nuk u fut më në kuzhinë, por në dhomën e gjumit. I shkova nga pas. Ai po fliste me zë të ulët. Kur më pa mua, u shtang dhe nuk arriti të fliste më, por e mbylli kapakun e telefonit.

 – Kush ishte? – e pyeta. Ai nuk u përgjigj ose më mirë, nuk mund të përgjigjej. Ia mora telefonin nga dora, i rashë numrit të fundit dhe ia vura në vesh atij.

 – Foli – i thashë.

Ai e mbylli përsëri.

 – Ishte ajo?

 – Kush ajo? – bëri ai sikur nuk po kuptonte.

 – E dashura jote e shtrenjtë…

 – Ç’po thua kështu, mos je çmendur vallë? – mundohej të fshihte ndonjë gjë që të mundte.

 – Ka kohë që e di. Këtë nuk e prisja nga ti. Të kam dashur dhe kam qenë shumë e lumtur me ty. Nuk dua ta zgjas këtë punë. Dua divorcin.

E kisha dëgjuar shumë herë në telenovela dhe nuk e besoja asnjëherë se do ta thoja vetë.

Ai nuk foli. Nuk kishte ç`të thoshte. Përderisa kishte patur guximin të më tradhtonte, do ta kishte menduar një milion herë këtë skenë, ndoshta jo kështu, por afërsisht.

Ja pra, çfarë bëra unë! Ndërtuam të dy një çerdhe dashurie dhe lumturie. Është e lehtë për të ndërtuar këtë çerdhe, por shumë e vështirë për ta mbajtur të tillë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A do t’i shpëtoj dot fëmijët e mi?

Next Post

Rikthehet Ilda Merkuri; Balada dedikuar dikujt që nuk jeton më..!

Advertisement