Doktor Abazi përshëndetje! Si fillim dua të të falënderoj për përgjigjet që na jep ne lexuesve dhe së dyti dua të bëj një pyetje në lidhje me një problem timin. Unë jam një vajzë 23 vjeçe shumë e shoqërueshme dhe e komunikueshme por kam një problem që në disa momente të caktuara kam nevojë për qetësinë dhe rehatinë time e disa njerëz kur fillojnë më shqetësojnë duke më telefonuar deri në momentin që ti përgjigjem mua më zë ankthi e stresohem jashtë mase e më humb durimi se më duket sikur ma bëjnë kastile. Madje nga fiksimi për të mos iu përgjigjur në ato momente jam në gjendje të humbas edhe gjëra me vlerë. Nuk di çfarë të bëj që ta eleminoj këtë problem se e kam shumë të shpeshtë?
Dr.Abaz Quka, neuropsikiatër, Klinika mjekësore “Nertila” Tel: 0696524440:- Përshëndetje zonjushë! E lexova me kujdes letrën tuaj dhe e kuptoj shqetësimin që keni! Do të doja t’ju shpjegoja se shqetësimet që ju po përjetoni kanë të bëjnë me temperamentin tuaj, paksa sanguin. Një mbitensionim i sistemit nervor, ndoshta si pasojë e mbingarkesës emocionale apo në punë, mund ti nxitë këto probleme. Nga ana tjetër do të doja t’ju kujtoja, se ju jeni ende shumë e re, pa shumë eksperiencë jetësore dhe kjo ndonjëherë mund të jetë disavantazh, pasi situata apo marrëdhëniet me individë të caktuar mund të mbivlerësohen.
Me sa kuptoj, e vetmja gjë qe juve ju mungon është durimi. Por ka disa mënyra për të ndryshuar veten në rastin tuaj, duke e ditur shumë mirë se situatat apo individët e tjerë nuk mund ti ndryshojmë. Më lejoni t’ju jap disa këshilla:-Kur dikush ju bezdis në telefon, mundohuni ta vendosni opsionin pa zë të telefonit dhe të merreni me diçka tjetër. Mund edhe ta fikni telefonin nëse nuk ju prish punë. Mendoni sikur ju mbaroi papritur bateria. Në këtë rast do të detyroheshit ta fiknit telefonin gjithsesi. -Dëgjoni muzikë më shumë, sidomos kur ndjeheni e mërzitur. Muzika ka efekte shumë të mira në largimin e energjisë negative.
– Praktikoni meditimin ose Yoga. Kur ndiheni shumë e stresuar, ndërprisni çdo aktivitet, mbyllni sytë dhe merrni frymë thellë. Përqëndrohuni në frymëmarrjet tuaja dhe largoni nga mendja çdo mendim tjetër. Meditimi mund të zbusë reagimin tuaj impulsiv dhe të përmirësojë ankthin tuaj. Mundohuni ta bëni këtë veprim, sa herë që ndiheni nervoze dhe doni të reagoni. Duhet ta dini se ndonjëherë është mirë të reagoni pak më vonë ose të merrni vendime pak më vonë, sidomos kur jeni në akth. Situatat që ju duken emergjente apo që nuk presin, do ti shihni me sy tjetër pas meditimit. Kjo do të shmangë marrjen e vendimeve të gabuara. Në qoftë se këto këshilla nuk ju ndihmojnë të përmirësoni reagimin tuaj, një opsion tjetër do të ishte psikoterapia dhe mjekimet e ndryshme. Mbetem në dispozicionin tuaj për pyetje të mëtejshme! Mund të më telefononi në numrin në dispozicion nëse dëshironi.