Quhem Entela dhe jetoj në një fshat afër Beratit. Jam një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e zonja. U bënë 10 vjet martesë dhe familja ime është shtuar me dy çuna.
Burrin e dua shumë sepse e kam marrë me dashuri, por çunat mund të them se janë drita e syve të mi. Dy vjet më parë linda çunin e dytë dhe që në atë kohë, trupi im pësoi një transformim total.
Unë më parë peshoja 75 kile, por i mbaja mirë sepse jam e gjatë, ndërsa tani, që pas lindjes, kam shkuar 120 kg, jam gati dyfish. Më përpara dilja në qytet me familjen e bënim xhiro, iknim për pushime në det ose dhe kot, dilja me shoqet gjithandej sepse jam tip shumë i shoqërueshëm dhe burri nuk më ndalon të dal me to. Ne që në fillim kur jemi njohur, i kemi ditur difektet e qejfet e njëri-tjetrit dhe kjo ka bërë që ta pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi. Më përpara, kur kisha vetëm çunin e vogël, pavarësisht se po bëj gati 33 vjeçe, e merrja burrin, shoqërinë time dhe iknim në Tiranë për të kërcyer. Kënaqeshim pa masë. Kur vinte fundjava, shoqet e mia e dinin që, se s’bën do dilnim dhe më thoshin:
– Hë, si do të bëhesh sonte? Çfarë do të ndryshosh?
Nuk duhej shumë për të kuptuar se jo vetëm që isha me e paraqitshmja mes tyre, por edhe mbahesha shumë. Burri im gjithmone krenohej me mua. “Shikoni, u thoshte miqve tanë, çfarë gruaje seksi që kam! S`ka Anzhelinë Zholi që të m`ia kalojë!”. Kjo gjë më gëzonte pa masë. Buzëqeshja me shpirt. Por, nga viti i tetë i martesës, burri më kërkoi që të bënim edhe një fëmijë. Ky vdes pas gocave dhe më lutej shumë. Unë s’doja të bëja më fëmijë ngaqë mendoja: “Kush u vete nga pas!”, mirëpo e dëgjova burrin dhe mbeta shtatzënë me çunin tim të vogël. Nuk pendohem sepse e kam si engjëll, e dua shumë dhe na e ka mbushur shtëpinë me gëzim e dashurinë na e ka shtuar, mirëpo gjatë shtatzanisë, unë haja shumë. Kisha oreks të paparë dhe s’ndalesha dot duke ngrënë brumëra. Blija çdo tip byreku, paste, ëmbëlsirash e i mbaroja për pesë minuta. Të gjitha shoqet më thonin se e kisha nga barra e megjithëse me çunin e parë s’kam patur të tilla probleme, mendova se trupi im pas lindjes do merrte formën e mëparshme. Por, ja që nuk ndodhi ashtu e unë mbeta shumë e shëndoshë. Mbeta me bark të paparë e vithet po ashtu, me shumë celulit. Kur linda djalin, iu përkushtova totalisht atij dhe nuk e mendova që më vonë do të kisha probleme, mirëpo u bënë dy vjet që nga ajo ditë dhe megjithëse po bëj ushtrime, përditë, vetëm vazhdoj të shëndoshem. Nuk e di pse, por kam shumë oreks. Duke qenë se nuk jam në punë, por vetëm në shtëpi, rri e përgatis drekë e darkë, por unë ha dyfish. Në familjen tonë tashmë është si më parë, vetëm me një ndryshim të vogël; kjo peshë që kam marrë, më ka bërë shumë të pasigurtë në vetvete si në raport me të tjerët, ashtu edhe me bashkëshortin. Tashmë, kur dal vetëm për ndonjë rast te familjarët e mi. Me shoqet i kam eliminuar daljet pothuajse të gjitha sepse me duket vetja shumë keq para tyre dhe vetëm kur vijnë ato tek unë. Ju betohem se është një gjendje e rëndë kjo e imja sepse dhe për të dalë për të blerë bukën në dyqan pres çunin e madh të më vijë nga shkolla.
Jam e shqetësuar edhe për një gjë tjtër… Burri im më thotë se nuk e ka problem e kjo më bën më shumë përshtypje. Po si mund të mos e ketë problem që unë tashmë s`mund të dal më e të jem po aq e bukur dhe e mbajtur sa më parë? Kjo gjë më fut në mendime të shumta sepse mendoj se edhe fizikisht, jemi larguar. Ne të dy s`jemi më si më parë. Ai tashmë vetëm në punë rri e unë i jam përkushtuar vetëm shtëpisë. Nuk ka më fundjava që ne të dalim për t’u argëtuar, kjo për fajin tim, se ai del me fëmijët e unë preferoj të rri në shtëpi. E shikoj nganjëherë me një hije dyshimi e mendoj: “Po si është e mundur qe ai s`ka ndryshuar fare, bile më duket akoma më i bukur?”. Unë jam bërë vërtet keq… S`më bëhet as të bëhem më e bukur, as të lyhem, as të bëj flokët. Mendoj se mos kjo gjendje po na çon në largim ne të dyve. Mendoj se mos ndoshta ai tashmë ka ndonjë femër tjetër e cila bëhet e bukur për të sepse s`ka shanse që të më shikojë në këtë gjendje e prapë të më thotë: “Mos e vrit mendjen, mirë je!”…
S’e di se si t’jua shpjegoj gjendjen ku ndodhem tani, por jam tej mase konfuze. A thua kjo qetësi që ka mbizotëruar në familjen tonë do të na largojë nga njëri-tjetri apo mos ndoshta edhe ne jemi plakur e duhet t`i përkushtohemi më shumë familjes?