Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kur kërkon tepër, mbetesh pa gjë!

Shprehja “Nëse kërkon tepër, mbetesh pa gjë” i përshtatet më së miri historisë sime.

Jam Adela (kështu po e quaj veten pasi nuk dua të tregoj emrin tim të vërtetë), jam 23 vjeçe dhe kam mbaruar vetëm gjimnazin. Ashtu si të gjithë moshatarët e mi, edhe unë në atë moshë kam njohur dhe provuar dashurinë e parë.

Eraldin e pëlqeva që ditën e parë që e pashë, e kisha në klasë dhe që ditën e parë të shkollës, u mundova të bisedoja dhe të krijoja shoqëri me të. Arrita ta veçoja menjëherë nga të tjerët sepse pati diçka që më tërhoqi tek ai. Më pas mësova se ishte edhe i pasur, por mua nuk më interesonte aspak kjo gjë. Bisedoja me të çdo ditë dhe nuk guxoja ta pyesja nëse kishte të dashur. Ndihesha si në qiellin e shtatë kur më komplimentonte dhe sa herë që e shikoja, sytë më shkëlqenin. Zemra ime i përkiste Eraldit, megjithëse nuk e dija nëse në zemrën e tij kishte vend për mua. Filluam të shoqëroheshim dhe, në këtë mënyrë, u lidhëm edhe më shumë me njëri-tjetrin. Ajo që më gëzoi më tepër ishte se Eraldi nuk kishte të dashur. Jo vetëm kaq, por ai më kërkoi të bëhesha e dashura e tij. Pasi më puthi, më tha:

Advertisement

“Ti më pëlqen shumë, ndjej diçka të veçantë për ty dhe sa herë jemi bashkë, nuk e kuptoj se si kalon koha”. Tani, unë dhe Eraldi i përkisnim njëri-tjetrit dhe unë mendoja se kisha gjetur gjysmën time. Të tjerët nuk e besonin që kjo e jona ishte dashuri e vërtetë. Thonin se në moshën tonë, na dukej sikur ishte dashuri, por ajo e vërteta nuk provohej në atë moshë. Unë nuk doja t’ia dija çfarë mendonin apo thonin të tjerët, mjaftonte që unë po e përjetoja shumë mirë atë lidhje. E dija që koha do të tregonte të kundërtën dhe kështu ndodhi sepse ishim në vitin e tretë dhe vazhdonim të ishim bashkë. Dashuria ime dhe e Eraldit nuk kishte ndryshuar aspak, përkundrazi, ishte edhe më e madhe.

“Adela, nesër vjen shoku im i fëmijërisë nga Anglia dhe dua që ta takojmë bashkë”, më tha ai një ditë. Pranova me kënaqësi, mjaftonte që Eraldi të ndihej mirë nga kjo. E kishim lënë të takoheshim në një lokal afër detit. Ishte një mrekulli të shikoje shkëlqimin e detit në atë ditë të nxehtë vere, shoqëruar kjo me një pije freskuese. Po shijoja rrezet e diellit kur një moment pashë para vetes një hije. Vura dorën në ballë që të shihja kush ishte dhe menjëherë dëgjova zërin e Eraldit të më thoshte:

“Ky është Toni, shoku për të cilin të fola”. I dhashë dorën, por akoma nuk ia kisha parë mirë fytyrën sepse më pengonte dielli.

“Adela qenka edhe më e mirë nga çfarë më ke folur ti, Erald”, tha ai duke qeshur dhe më hodhi një vështrim tejet provokues. Nuk i dhashë fare rëndësi dhe vazhduam bisedën derisa filloi të errësohej dhe u larguam që aty të çuditur që koha kishte kaluar aq shpejt. Në momentet e fundit e kisha parë Tonin dhe m’u duk tepër tërheqës, por vetëm kaq, asgjë më tepër. E mendoja thjesht si shokun e të dashurit dhe mendimi im për të do të kufizohej me kaq. Tani Tonin e takonim shpesh sepse kishte vendosur të jetonte në Shqipëri pas shumë vitesh që i kishte kaluar në Angli. Mendonte të fillonte një aktivitet këtu në Shqipëri dhe më fliste shpesh për këtë. Erdhi viti i katërt dhe vendosa t’i përkushtohesha më tepër shkollës sepse kisha provimet. Eraldin nuk e takoja shpesh si më parë. Kohën që kalonim bashkë, tani ai e kalonte me Tonin, djalin të cilin çuditërisht fillova ta mendoja shpesh. Fillova të ndihesha shumë keq për këtë sepse e doja Eraldin, por edhe nuk mund ta përcaktoja atë që kisha filluar të ndjeja për Tonin. E kisha shumë të vështirë kur takoheshim të tre dhe më duhej të shmangia shikimet e Tonit i cili kishte filluar të më pëlqente shumë. Bisedoja me të dhe, edhe pse ndihesha në siklet sa herë më shikonte, biseda që bënim ishte tepër e ngrohtë. Ai ishte nga ata meshkuj që arrinin ta kuptonin shumë mirë një femër dhe dukej se kishte patur disa eksperienca me to.

“Më mungon, dua të të shoh”, ishte ky mesazhi që më solli Toni një natë. Nuk e di si ma kishte gjetur numrin, megjithatë më pëlqeu që më shkroi dhe që ishte shprehur në atë mënyrë. Atë natë shkëmbyem disa mesazhe dhe sikur të mos më kishte rënë bateria e celularit, do të vazhdonim. Të nesërmen dola për vrap nga liqeni sepse kisha nevojë të mendohesha dhe të reflektoja me veten. Papritur, dëgjova një zë që më thirri. Ishte Toni!

– Ti po më ndjek? – e pyeta duke buzëqeshur.

– Do të ishte kënaqësi të ndiqja një vajzë të bukur si ti, edhe pse nuk është kështu… – më tha.

Atë mëngjes e kaluam bashkë duke vrapuar dhe duke biseduar. Çdo ditë e më shumë e shikoja se si ai më afrohej dhe më bënte për vete në një mënyrë që më pëlqente shumë. Isha në një gjendje që nuk po vendosja dot se çfarë të bëja. Toni më tërhiqte, por nuk nuk mund t’i jepja fund lidhjes me Eraldin, edhe pse e ndjeja se nuk e doja si më parë. Nuk mund ta bëja këtë sepse më dukej vetja shumë egoiste, sikur mendoja vetëm për ndjenjat e mia, pa marrë parasysh atë çka ndjente Eraldi. Toni më kishte puthur dhe më kishte shprehur dëshirën që të bëhesha e dashura e tij, por i kisha thënë se nuk mund t’ia thoja Eraldit. Pas kësaj, Toni kishte mbetur i zhgënjyer me mua dhe nuk flisnim si më parë. Një javë më pas, Eraldi më tha se Toni donte të na prezantonte të dashurën e tij dhe se duhet të shkoja edhe unë. U ndjeva shumë keq, më vinte inat që Toni po mundohej të më bënte xheloze ose ajo ishte vërtet e dashura e tij! Në fillim nuk pranova, por pas insistimit të Eraldit, nuk kundërshtova më.

– Adela, kjo është Denisa, e dashura ime! – kjo ishte fjalia së cilës i druhesha më tepër, por që nuk e shmanga dot atë natë. Përkëdheljet dhe puthjet mes tyre nuk mungonin kur ishim në tavolinë. E dija që e bënte enkas, por sado që u përpoqa të qëndroja indiferente, nuk durova dot dhe vajta në tualet. Freskova fytyrën dhe dola jashtë. Jashtë po më priste Toni.

– Pse e bën këtë? – e pyeta.

– Sepse nuk mund të vazhdoj të pres dikë që nuk vjen! – tha, më puthi dhe iku. Ne u kthyem në tavolinë dhe u sollëm sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Isha më e qetë sepse e dija që Toni më dashuronte dhe gjithë atë takim e kishte sajuar për të më bërë mua xheloze. I kisha premtuar se kur të isha gati, do t’ia thoja Eraldit që të ndaheshim, por jo arsyen pse. Që nga ai takim nuk isha më e qetë derisa të flisja me Eraldin dhe më në fund i kërkova të qëndronim larg njëri-tjetrit sepse kisha nevojë të qëndroja vetëm për disa kohë. Nuk e priti fare mirë atë që i thashë, madje mbeti shumë i çuditur sepse sipas tij, ishte hera e parë që unë sillesha ashtu dhe nuk e priste që unë ta lija. Më erdhi shumë keq dhe nuk mund ta shihja aq të trishtuar, prandaj u largova që aty me lot në sy. Në mbrëmje i dërgova mesazh Tonit ku i shkruaja: “U ndava me Eraldin”. Menjëherë pas kësaj, ai më kërkoi që të takoheshim të nesërmen. Vajtëm në plazh dhe e kaluam ditën bashkë, megjithëse ai tani më dukej pak më ndryshe! Më dukej sikur nuk i interesoja më si më parë. Eraldi akoma nuk e dinte për lidhjen tonë dhe shpresoja të mos e mësonte sepse nuk doja që të lëndohej më tepër. Sa ndryshonte nga Toni! Ai asnjëherë nuk ishte krenuar te miqtë e tij për raportin që kishte me mua, ndryshe nga Toni, të cilit i pëlqente ta bënte këtë për femrat që kishte patur, si dhe i pëlqente shumë të ishte në qendër të vëmendjes.

Me Tonin takoheshim në ambiente që nuk i frekuentonte Eraldi, edhe pse Toni këmbëngulte që ai ta mësonte të vërtetën sepse nuk mund të vazhdonim të takoheshim fshehurazi me frikën se mos na shihte ai. “Kur të kërkova të bëheshe e dashura ime, nuk kisha parasysh një lidhje të tillë, nuk dua të fshihem nga askush”, më tha. E pashë gjatë në sy, dukej se e kishte seriozisht dhe nuk më pëlqeu aspak mënyra se si foli, por nuk e vazhdova diksutimin. Nuk kishim bërë akoma një javë që ishim bashkë kur Toni e nxori fytyrën e vërtetë. Ai nuk më kishte dashur kurrë, por thjesht, më kishte parë si një vajzë për të kaluar kohën. Më kishte bërë për vete me tipin e tij tepër të shkathët dhe me aftësinë që kishte për t’i bërë për vete femrat. Përveç kësaj, e pashë tek puthej me një vajzë tjetër. Më pa dhe kërkoi të justifikohej, por nuk doja ta dëgjoja sepse më kishte lënduar dhe u largova me lot në sy. I thashë të mos më kërkonte më kurrë sepse edhe sikur ta bënte, unë nuk doja t’ia dija më për të. U duk sikur e pranoi këtë lehtësisht, gjë që më bëri ta urreja edhe më shumë. Nuk e prisja të më ndodhte kjo dhe fillova të ndihesha shumë fatkeqe. Ditët në vazhdim i kaloja duke qarë e penduar që i kisha dhënë fund lidhjes me Eraldin për një kapriço, por mendova se kjo do të më bënte keq vetëm mua dhe u përpoqa ta harroja atë që më ndodhi e të mos qaja më për Tonin sepse ai nuk i meritonte lotët e mi. Kisha bërë një zgjedhje shumë të gabuar në jetë dhe ajo ishte Toni, megjithatë, tani dëshira ime ishte të mundja të flisja përsëri me Eraldin. Sikur edhe thjesht të mbeteshim miq, do të isha e lumtur! Provova të flisja me të një ditë kur e takova rastësisht, por dukej që nuk donte të më shihte dhe e kuptoja se si ndihej sepse të njëjtën gjë e kisha provuar edhe vetë. I thashë që isha penduar dhe që doja të kthehesha përsëri me të sepse e kisha kuptuar që ai ishte dashuria e jetës sime, ndërsa përgjigjja e tij ishte tepër tronditëse:

– Pasi u puthe me Tonin dhe pasi e kuptove që ai të tradhtoi, mendon të kthehesh përsëri tek unë? Unë nuk mund të jem ngushëllim për askënd.

– Kush të tha që tha që unë dhe Toni jemi puthur? – e pyeta e çuditur.

– Ishte ai vetë që më tregoi dhe si mendon se u ndjeva unë? E merr me mend si është kur mëson nga personi i gabuar se ish-e dashura të ka braktisur për shokun tënd?

Pjesa “ish-e dashura” e thënë nga ai, më bëri të ndihesha shumë keq. Më tha se nuk mund të kthehej më me mua, edhe pse më kishte dashur shumë. U ndjeva si e braktisur për herë të dytë dhe buzët po më dridheshin nga hidhërimi. E kisha humbur përgjithmonë Eraldin dhe nuk kishte më kthim pas. E gjitha kjo i “dedikohej” Tonit i cili kishte arritur të m’i lëndonte ndjenjat dyfish dhe këtë nuk do t’ia fal kurrë, aq më tepër që kishte qenë ai që i kishte treguar Eraldit që më kishte puthur dhe që ishim lidhur, ashtu siç i ka pëlqyer të duket gjithmonë edhe me femrat e tjera. Një tip si ai nuk meriton asgjë sepse nuk di si ta trajtojë një femër. Më vonë, mësova se Eraldi ishte lidhur me shoqen tonë të klasës, ndërsa unë vazhdoja të isha akoma vetëm sepse nuk e kisha harruar akoma atë që më kishte ndodhur. Toni ka ikur përsëri në Angli dhe nuk është kthyer më. Mendoj se qëndrimi përgjithmonë në Shqipëri ishte vetëm një gënjeshtër e tij me të cilën arrinte të kishte një vajzë për t’i bërë shoqëri gjatë muajve të verës. Ndihesha si mos më keq sa herë që shihja Eraldin me të dashurën e tij dhe mundohesha t’i shmangia. Ndodhte që të shikoja edhe vetëm Eraldin dhe kisha shumë dëshirë t’i flisja e ta shikoja edhe një herë në sy. Më mungonin fjalët e tij të ëmbla, përkëdheljet dhe kujdesi që tregonte ndaj meje. Sa më mungonte koha që kishim kaluar bashkë! E dija që nuk kishte më kthim pas… Atëhere isha shumë e lumtur dhe nuk dita ta ruaja dhe ta vlerësoja lumturinë që kisha, përkundrazi, e shpërdorova në mënyrën më të shëmtuar. I besova pasionit të një aventure dhe humba mundësinë për të qenë pranë njeriut që dashuroja më shumë. Pas pendimit tim, ishte shumë vonë dhe ai tani nuk kishte më vlerë. E kam menduar shpesh dhe mendoj se edhe po të kishte pranuar Eraldi, ne përsëri nuk do të ishim më si më parë dhe më mirë që jemi të ndarë, edhe pse vazhdoj ta dua. Nuk e di çfarë ndjen Eraldi tani për mua, por e di që këtë nuk do ta mësoj kurrë. Tashmë, çdo ditë e më shumë po mësohem me humbjen e tij dhe mundohem ta hedh pas krahëve atë që ka ndodhur, ashtu siç po bën ai. Njeriu gabon në jetë dhe ndodh që ky të jetë edhe gabimi më i madh në jetën tënde, ashtu siç më ndodhi mua. Megjithatë, jeta vazhdon…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ç’thonë duart për shëndetin tuaj?

Next Post

Astrologia shpjegon..!

Advertisement